Nga Flora Nikolla
Një absurd e detyroi Blerim Grubin të shkëputej rreth 40 vite më parë, nga violina e tij që kish nisur ta studionte kur ishte 6 vjeç.
“Duhet të studiosh violë, ose duhet të ndërpresësh studimet” , i kishin thënë të riut shqiptar, autoritetet e ish Jugosllavisë ,
Mes dyzimeve për ta braktisur muzikën, ai zgjodhi vëmendjen e prindërve dhe të atit të tij, që e kish nxitur që të vogël t’i kushtohej muzikës.
Sot, Blerim Grubi, një emër i zëshëm i muzikës në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare, është një personalitet që mban mbi vete një mori të çmuar koncertesh në të gjithë botën, nga Nju Jorku në Tokio, dhe një emër i spikatur në botën akademike që jep kontributin e tij në rritjen e një brezi të ri në Prishtinë, Tetovë, e Shkup në Maqedoninë e Veriut.
Viola e tij, të cilën e preku me hatërmbetjen e një dashurie të këputur në mes nga absurdi i të qënit shqiptar, sot është një dashuri e madhe për të, nje magji qe leviz me lirshmeri magjike ne duart e tij .
Ai kujton në këtë intervistë si nisi ta njohë violën , si krijoi dimensione dhe energji shpirtërore e muzikore më këtë instrument me një timbër, madhësi dhe ngjyrë ndryshe, nga dashuria e tij e parë.
Blerimi kur flet per trajektoren e tij artistike, thotë se, puna është mbi të gjitha dhe po të jetë në një vijë të drejtë me talentin dhe vullnetin, krijon një artist të suksesit.
Ndoshta ky sekret i jetës së tij profesionale e ka bërë të interpretojë si solist me sukses të plotë në shumë vende brenda dhe jashtë vendit duke dhënë shëmbullin që edhe viola të jetë një instrument që tërheq publikun.
Pjesë e kuintetit Albanian Excellence, i cili do të interpretojë këngë qytetare të zonës juglindore të Shqipërisë dhe të pjesës së Dibrës së Madhe në një tur koncertor të titulluar “Lule borë”, nga data 6-10 qershor, Blerim Grubi e thotë se “Lëvrimi i këngëve qytetare është një pasuri shumë e madhe për kulturën dhe artin shqiptar.
“U gëzova shumë që maestro Shpetim Saraçi do të japë kontribut për formacionin tonë. “Mezi pres që notat e vendosuara në pentagramin e maestro Saraçit të tingëllojnë nga instrumentet tona për t’i transmetuar në ambientin e publikut artëdashës” shprehet Blerim Grubi i cili iniciativën e Albanian Excellence për të krijuar këtë kuintet i cili në bazë të programit të tij ka ruajtjen dhe kultivimin e muzikës qytetare mbarëshqiptare do ta quajë një shëmbull për pushtetet-shtetet shqiptare,dhe një tregues se gjithçka bëhet dhe arrihet me energji pozitive dhe dashuri ndaj njëri tjetrit.
Ju ftoj ta lexoni kete interviste te maestro Blerim Grubi
F.N: Blerim, cila është historia e lidhjes tuaj me Violën ?
B.G: Sa herë me bie rasti të tregoj historinë e lidhjes time me instrumentin e violës,gjithmonë h e rrëfej medhimbje ngjarjen që më ka ndodhur gati para 40 vitesh. Pasi mbarova shkollën e ulët dhe të mesme për violinë me rezultate të shkëlqyera, ndodhi që isha i detyruar të vazhdoja studimet për violë. Kjo për arsye se në atë kohë ishte një periudhë e rreptë antishqiptare dhe kështu stafi i Fakultetit të Muzikës më detyroi që ose të vazhdoja për violë ose të hiqja dorë nga studimet për muzikë.
Isha gati të ndërprisja studimet për muzikë dhe të vazhdoja një fakultet tjetër, por nëna ime ishte ajo që më tha qe nësë nuk vazhdoja muzikën do t’ ia thyeja zemrën babes,që kishte qënë iniciator të nisja të merresha me muzikë që kur isha 6 vjeç.
F.N: Po viola e parë e kujtoni momentin kur i keni rënë për herë të parë ?
B.G: Po si e thashë më lart, isha 17 vjec kur mora në dorë instrumentin e violës. Ishte një moment shumë interesant sepse sdi se si nisa të ndieja dicka tjetër nga violina.
Po i bija, një instrumenti me një timbër, madhësi dhe ngjyrë ndryshe. Pastaj duheshe një përkushtim më i madh nga ana ime, për të njohur më afër një vegël për të cilin nuk kisha asnjë lloj informacioni.
Sa më shumë kalonte koha , aq më shumë nisa të ndiej një energji krejt tjetër për violën , të ndjeja një hapësirë të re dhe kështu hap pas hapi të zbuloja risitë e instrumentit violës.
F.N:Po tani pas kaq vitesh, cilat janë violat që ju interpretoni ?
B.G: Unë kam dy viola, e para është nga një mjeshtër i njohur Gjerman –Zanders e vitit 1994 , viola e dytë është e punuar nga një mjeshtër i vjetër maqedonas Dimanin dhe i takon vitit 1950 .Është interesante se si këto dy instrumenta, dallohen për nga ngjyra forca dhe madhësia.
F.N: Ju jeni një artist mjaft i njohur në Maqedoni dhe në Kosovë .., cila është veprimtaria juaj në fushen e muzikës në këto dy vende…
B.G: Kam lindur në Shkup dhe mësimet i kam ndjekur po ashtu në Shkup, por ndoshta prejardhja ime nga babai nga Gjakova dhe nga nëna nga Ferizaj, kanë bërë që të jap kontributin tim edhe në Kosovë.
Mbas mbarimeve të studimeve u punësova në Filharmonin e Maqedonisë ku dua të theksoj së isha i vetmi shqiptar në këtë institucion. Më pas, mbas vitit 1993, mora një ftesë nga Fakulteti i Arteve në Prishtinë dhe më vonë edhe nga Fakulteti i Arteve në Tetovë.
F.N: Ju jeni një artist me një karrierë të lakmueshme, mendoni se keni qënë pikë nisje që artistë të rinj të zgjedhin këtë instrument ?
B.G: Po ndoshta edhe kam qënë. Kam interpretuar si solist në shumë vende brenda dhe jashtë vendit dhe kam dhënë shëmbull se edhe viola mundet të jetë një instrument po ashtu atraktiv.
F.N: Në se lufton për diçka të madhe, duhet forcë dhe pasion, por gjithashtu për të arritur sukses duhet shumë punë apo jo ?
B.G : Puna është mbi të gjitha. Sigurisht talenti dhe vullneti janë bazë për t’u zhvilluar dhe krijuar si një artist me shumë sukses.Pastaj gjurmimet sa i takon njohurisë globale, shërbejnë për informacion shtesë për të menduar dhe vepruar më ndryshe .
F.N: Mendoni se repertori i violës, mbetet i panjohur nga publiku?
B.G: Jo, mendoj se tani kur ka më shumë interpretues violist të shkëlqyer, publiku dhe adhuruesit e artit kanë më shumë informata edhe nga rrjetet sociale dhe internetit . Kështu të ndjekin zhvillimet, rrjedhat dhe risitë e veprave të shkruara nga kompozitorët bashkohorë pasi me instrumentin e violës trajtohem mjaft bukur .
F.N: Si i shihni ju anekdodat mbi instrumentin e violës që qarkullojnë në ambientin muzikor ?
B.G: (Qesh) Po është e vërtetë për anekdotat. Por në punë në orkestër ose formacion, këto anekdoda, krijojnë një relaksim të atmosferës së punës .
F.N: Cila është harta e koncerteve që ju keni dhënë ?
B.G: Po në karrierën time artistike 32 vjeçare kam interpretuar me qindra koncerte të realizuara nga Nju Jorku deri ne Tokio. Ajo që është shumë e rëndësishme, është se gjatë këtyre eksperiencave, kam njohur dhe interpretuar me shumë instrumentistë me shumë kombësi, me shumë kulturë dhe tradita të ndryshme.Them se kjo është pasuria më e madhe e një artisti për arsye se ka mundësinë për të përjetuar momente shumë interesante në jetën e tij.
F.N :Mund të përmëndni disa nga iniciativave që ju keni marrë në fushën e muzikës dhe cil ka qënë trajektoria e tyre ?
B.G: Po është e vërtetë që kam marrë shumë inciativa gjatë jetës sime artistike, duke nisur nga themelimet e institucioneve shkollore dhe muzikore, fondacionet, gara për muzikë, festivale dhe organizim të aktiviteteve të ndryshme kombëtare.
F.N: Ju aktualisht jeni pedagog në Universitetin e Prishtinës dhe të Tetovës…
B.G: Po jam në marrëdhënie të plotë pune në Prishtinë dhe i angazhuar në Tetovë.
Dua të theksoj se po ashtu jam i angazhuar edhe në vendlindjen time Shkup, (qesh) dhe këtu jap kontributin tim artistik dhe arsimor ku është nevoja, si për shëmbull me kërkesë nga Ansambli Shtetëror i Këngeve dhe i Valleve, i cili mund të them se është i vetmi institucion muzikor profesional në Maqedonin e Veriut..
F.N: Ju do të jeni pjesë turit koncertor të kuintetit të Albanian Excellence të titulluar, “Lule Borë”, cilat janë ndjesitë tuaja në krijimin e këtij kuinteti …
B.G: Po unë që nga viti 2019 jam ftuar nga Albanian Excellece që te jem një flakadan me gjithë artistët e tjerë shqiptarë nga mbarë bota ku ata veprojnë dhe jetojnë.
Por prej më shumë se një viti jemi bllokuar nga Pandemia e Covid 19, ndaj dhe menduam që mënyra më mënyra më e mire në këtë situatë, ishte të formojmë këtë formacion më të vogël.
Jam shumë i gëzuar pasi në këtë mënyrë, shoqërohemi duke punuar dhe përgatitur programe për koncerte që planifikohen në këtë kohë shumë të rëndë shëndetësore.
F.N:Do të interpretoni muzikë qytetare të trevës juglindore të Shqipërisë dhe të trevës së Dibrës, por të riorkestruara nga mjeshtri Shpëtim Saraci … Cili është opinion juaj ?
B.G: Lëvrimi i këngëve qytetare është një pasuri shumë e madhe për kulturën dhe artin shqiptar. Sidomos u gëzova shumë që maestro Saraçi do të japë kontribut për formacionin tonë. Po ashtu mezi pres që notat e vendosuara në pentagramin e Saraçit të tingëllojnë nga instrumentet tona për t’i transmetuar në ambientin e publikut artëdashës.
F.N : Mendimi juaj për kuintetin Albanian Excellencë dhe iniciativën e saj për t’u identifikuar me muzikën qytetare shqiptare të ridemensionuar ?
B.G: Çdo inciativë sa i takon ruatjes e trashëgimisë kulturore është e mirë se ardhur për plotësimin e jetës sonë të perditshme. Tradita tregon edhe të kaluarën tonë që nuk duhet dhe guxon të harrohet. Ne duhet ta ruajmë me xhelozi, duhet të mbajmë dhe zhvillojme sidomos sa i takon gjeneratës së re,ata që do të duhet ta vazhdojnë këtë traditë .
F.N: Një mesazh për publikun shqiptar këtej dhe andej kufirit ?
B.G: Mesazhi më i mirë dhe kuptimtë është modeli dhe iniciativa e projektit të Albanian Exellence për të afruar shqiptarët nga katër anët e botës sa i takon kontaktit mes njëri-tjetrit për dhe informimin dhe njohjen e artistëve me publikun shqiptar.
A ka më mire qe shoqërimi dhe bashkimi ynë veprues në Albanian Exellence, të jetë shembull për pushtetet-shtetet shqiptarë, se gjithçka qe bëhet, arrihet me energji pozitive dhe dashuri ndaj njëri tjetrit?