Alba Malltezi – Zonje qe bene Shqiperine
“Gazetaria? Është histori që nis që nga fëmijëria. Për fat, edhe pse në kohë diktature, në shtëpinë tonë ndiqej vetëm televizioni italian, madje edhe Radio Rai. Më linin pa fjalë emisionet radiofonike të Aldo Grasso-s, kritik i televizionit italian, më i miri edhe në këto kohë, që analizonte, kritikonte pa asnjë problem emisionet më të suksesshme e më të ndjekura të fëmijërisë sime, Sanremon, Non e’ La Rai, Domenica In. Unë i dëgjoja dhe habitesha me kurajën, me lirinë e kritikës. Ndiqja dhe emisionet e Enzo Biagi-t, madje njëherë i shkrova edhe një letër që nuk e besoj t’i ketë mbërritur kurrë.
Pastaj fati e solli të studioja për gjuhë e letërsi italiane te “Asim Vokshi” në fillim, e më pas në fakultet e ndërsa studioja, të nisja punë si gazetare kulture e spektakli te “Gazeta Shqiptare”, të themeluar nga Carlo Bollino, me të cilin sa u njohëm e sot e 25 vjet jemi bashkë në punë e në jetë.
Përkushtimi im ndaj gazetarisë ishte një rrugëtim i natyrshëm, si i vizatuar nga dikush dhe unë ndoqa vetëm shenjat që më bashkuan me Carlon dhe me gazetarinë më të bukur që një gazetar profesionist italian do të mund të bënte ndonjëherë në Shqipëri: një gazetari plot të vërteta, pasion e sakrifica, profesionalizëm. Një gazetari serioze që ende vazhdon të mbillet me vështirësi në një tokë që nuk është shumë mikpritëse për të vërtetën e seriozitetin e raportimit të lajmit. Por sfidat e vërteta janë pikërisht të tilla, të vështira, të ishte shumë kollaj, ndoshta ky profesion nuk do të ishte kaq i bukur”.
Si e shoh sot profesionin që përfaqësoj ?
“Është një moment i vështirë, delikat në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri. Me shpërthimin e rrjeteve sociale duket sikur të gjithë mund të bëhen në pak sekonda gazetarë, por jo. Asnjëherë më shumë se sot, në këtë kaos, roli i gazetarit të vërtetë, profesionist, është kaq i domosdoshëm. Për natyrën e tij, për rolin e tij, gazetari është e vetmja figurë dhe shtyllë e rëndësishme e demokracisë, që ka mundësinë e verifikimit të lajmeve, e ndarjes së lajmit të vërtetë nga lajmi i rremë që për fat të keq, duke qenë më joshës dhe absurd, kap më kollaj e më shpejt interesin e cilitdo lexues.
Në Shqipëri, për shkak të mungesave të rregullave në tregun mediatik, në transparencën e financimeve në media, për shkak të numrit të lartë të televizioneve, gazetave e portaleve, në krahasim me popullsinë dhe tregun e reklamave në vend dhe mungesës së gazetarëve të kualifikuar, gjendja është tepër e vështirë, por gjithsesi luftarake dhe e gjallë në interes të dritëdaljes të së vërtetës dhe të zhvillimit, progresit edhe në këtë sektor kaq delikat.
“Në eksperiencën time 25-vjeçare në gazetari, duke vëzhguar ndryshimet, lëvizjet e gazetarëve dhe të gazetarisë, jam e bindur në një të vërtetë universale, të pandryshuar në gjithë këto vite ndryshimesh rrënjësore: Gazetarë të mirë bëhen, janë, vetëm ata djem dhe vajza që për arsye të prejardhjes familjare, edukimit, habitatit ku janë rritur dhe edukuar, paraqesin një etikë dhe estetikë dukshëm pozitive dhe të mirë. Këta djem e vajza të ndjeshëm për nga natyra ndaj njerëzve më të brishtë të shoqërisë, ndaj padrejtësive dhe kërkues të përmirësimit të rregullave dhe jetës së të gjithëve në përgjithësi, janë më të mirët.
Teoria ime është pikërisht kjo: Gazetarë i mirë bëhet vetëm një njeri i mirë, i kulturuar, i sjellshëm, i edukuar, i ndjeshëm, ndryshe, me të tjera veti, do të bënte siç disa kanë bërë, dëme në shoqëri. Një gazetar i pamoralshëm dhe pa etikë nuk do të dinte të dallonte lajmin e keq nga lajmi i mirë, të vërtetën nga gënjeshtra, vrasësin nga viktima. Shumë gazetarë të këqij i kanë bërë këto ngatërresa edhe në Shqipëri, ndërsa gazetarët e mirë, kanë mundur ta dallojnë qartë dritën e të vërtetës, që për shumë ka qenë e paperceptueshme në errësirë”.
“Përpiqem të inkurajoj me zemër sidomos gazetarët e rinj. T’ua them me sinqeritet, e t’ua përsëris përditë që askush nga ne nuk duhet të dorëzohet sidomos në këtë luftën globale kundër lajmeve të rreme, që janë aq hileqare, aq të dëmshme, sa jo vetëm denigrojnë jetë individësh me qëllim, por ndoshta, siç po verifikohet, kanë ndryshuar jetë shtetesh e demokracish edhe më të përparuara.
Shpesh kemi provuar sesi edhe ne vetë, me të gjitha mjetet e mundshme që kemi në dispozicion, kemi rënë viktima të lajmeve të rreme, por më pak se të tjera redaksi. Të gjithë bashkë jemi krenuar kur këto lajme të rreme i kemi kthyer mbrapsht dhe ndaj tyre nuk kemi rënë viktimë.
Nga ana tjetër, këto vitet e fundit, kam kuptuar se gazetarisë në përgjithësi, edhe gazetarisë shqiptare, i mungon një pjesë tjetër e lajmit, që pak herë është marrë parasysh: Lajmi i mirë. Që në fillim të lindjes së Albanian Excellence, për shembull, edhe tani me përzgjedhjet e “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”, e kam parë kurdoherë si një ogur të mirë për shoqërinë tonë. Po lindin mes nesh individë dhe realitete që kërkojnë, zgjedhin dhe vënë në dukje virtytet dhe vlerat më të mira mes shqiptarëve.
Këtë po ngulmoj ta bëj të pranishme edhe në mediat që drejtoj bashkë me bashkëshortin tim, Carlon. Rubrika e Lajmit të Mirë dhe Drejt Punës, apo Veri-Jug, janë kërkime në gjithë Shqipërinë të njerëzve dhe shembujve që vlejnë. Për habinë time, të redaksisë dhe të lexuesve, janë të gjitha lajme që klikohen dhe lexohen shumë, si për të na treguar se jemi në rrugën e mbarë. Realiteti shqiptar nuk është vetëm i zi e i zymtë, ashtu si dhe vetë jeta, është i mbushur plot me ngjyra që neve si gazetarë, na takon t’i zbulojmë e t’i tregojmë. Ky është misioni im”.