Tiranë, 17 nëntor /AE/.- Albanian Excellence ka nderuar zotin Nelson R. Çabej,me çmimin “Grand Excellence, ” për kontributin e shquar shkencor, për më shumë se 50 vite, në fushën e biologjisë dhe të albanologjisë, në kuadër të 10 vjetorit të krijimit të Albanian Excellence.
Sot në 17 nëntor, në ditën e lindjes së shkencëtarit të njohur , Albanian Excellence vendosi të shpallë këtë çmim që do të dorëzohet në një ceremoni që do të organizohet gjatë mbrëmjes së Grand Excellence më 15 dhjetor 2022, në Hotel Mak Albanian në Tiranë.
Kjo është një mirënjohje që ne menduam t’ia dhurojmë sot, në ditën e lindjes së zotit Çabej i njohur si një personalitet shkencor në fushën e biologjisë dhe albanologjisë dhe në botën akademike brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Prej vitesh ai jeton në Nju Jork (SHBA) ku vijon të punojë me shumë pasion dhe të ketë lidhje me qarqet më të larta shkencore e botuese jo vetëm në Amerikë por edhe në Europë.
Zoti Çabej, njihet për jehonën që patën shtatë punimet e tij shkencore të paraqitura në simpoziume ndërkombëtare. Ai ka botuar tre libra në fushën e biologjisë, nga të cilat pesë janë botime te ‘Academic Press Elsevier’, shtatë libra në fushën e albanologjisë, dy libra popullore-shkencore në fushën e biologjisë
Njëmbëdhjetë artikuj shkencor në fushën e biologjisë, pesëdhjetë artikuj shkencor në fushën e albanologjisë, trembëdhjetë artikuj publicistike te botuar në USA dhe Shqipëri, janë botime të këtij shkencëtari shqiptar që në parimet e jetës së tij ka patur vetëm një punë me pasion dhe devotshmërinë të bazuar në formimin e tij të jashtëzakonshëm encikopedik .
Për një kohë të gjatë vështirësitë që gjente teoria Darwianiane e evolucionit gradual të llojeve i ka studiuar edhe Profesor Nelson Çabej dhe duke u marrë me to, ka zhvilluar teorinë e vet të evolucionit. Ai arriti në idenë themelore mbi rolin qendror të informacionit epigjenetik në zhvillimin dhe evolucionin e botës së gjallë rreth 12 vjet më parë. Tashmë ka një teori, që mban emrin e tij.
Duke i uruar krijimtari dhe jetë të të gjatë, Albanian Excellence shpreh mirënjohjen e saj për zotin Nelson Çabej dhe veprën e tij dhe e fton të jetë së bashku me ne në natën e 15 dhjetorit në Hotel Mak Albania, në një mbrëmjë të jshtëzakonshme dhe plot emocione, së bashku me bashkëatdhetarë të tij të cilët me punën e tyre, kanë treguar se Shqipëria ka burime të mëdha vlerash njerëzore, dhe intelektuale që duhen vlerësuar.