Angela Paparizo : E njohura sfiduese e Shqipërisë dhe e panjohura frymëzuese e Kanadasë

Nga Flora Nikolla

Tirane, 27 Mars/AE/.- Angela Paparizo i pëlqen që punon në fushën që ka pasion: artin dhe kulturën : kështu  dëshmon çdo ditë kreativitetin e artistëve dhe talentin e tyre pa kufi, një ushqim shpirtëror për publikun. I pëlqen që mundëson krijimin e projekteve e programeve të bukura dhe që kontribuon në zhvillimin e jetës artistike të të Burlington-it, një qytet pranë Torontos(Kanada)  ku punon si Manaxhere e Artit dhe Kulturës.

I pëlqen që është në kontakt të vazhdueshem dhe bashkëpunon me artistë dhe shoqata te ndryshme.  E vlerëson mundësinë për të kontribuar në krijimin e identitetit të qytetit dhe të politikave të ndryshme që zhvillojnë artin dhe kulturën.  Por gjithashtu Angela ndihet mirë që  është në Bordin Drejtues të Shoqatës Rajonale të Turizmit, të Qendrës së Arteve Performuese të Burlingtonit dhe bashkë-drejtuese e Komitetit Strategjik për emigrantët e rinj në Kanada, në nivel rajonal.

Beson se ka përjetuar rritje të vazhdueshme nga çdo eksperiencë e përditshme e punës, por përmend dy momente të bukura, për të cilat  është krenare: Krijimi i fondit të Artit dhe Kulturës dhe mundësimi i krijimit te Këshillit të Artit dhe Kultures te Burlingtonit. Keto dy iniciativa ishin thelbësore dhe kanë ndikuar ne vazhdimësinë dhe nivelin e bashkëpunimit me komunitetin artistik e kulturor. Përveç profesionalizmit,  ka investuar me dashuri një copez të shpirtit të saj në çdo bashkëpunim e projekt. Beson se rrugëtimi gjatë këtij procesi ka ndikuar e rritur jo vetëm Angelën, por edhe të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me të. Angela thotë në këtë intervistë se, këto bashkëpunime kanë qënë një shkëmbim energjish, të mbushura me episode emocionuese njerëzore e profesionale.

F.N :Ju keni një karrierë të gjatë të nisur me sukses në Shqipëri dhe që e vijuat po me sukses në Kanada …  A mund të tregoni në këtë intervistë disa nga  arritjet tuaja që ju bëjnë të ndiheni mirë me veten tuaj ?

A.P : Pershendetje Flora dhe faleminderit për ftesen e intervistën. Karrieren e kam nisur në Shqipëri me disa pozicione në Bashkinë e Tiranës si Drejtoreshë e Kultures dhe Arsimit dhe më pas Drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pasi erdha në Kanada, vazhdova edukimin në Universitetin e British Columbia për Planifikim Kulturor dhe ne Ivey School of Business për Lidership Ekzekutiv Bashkiak.

Fillova punë në Bashkinë e Burlington-it, një qytet pranë Torontos ku punoj si Manaxhere e Artit dhe Kulturës. Gjithashtu jam në Bordin Drejtues të Shoqatës Rajonale të Turizmit, të Qendrës së Arteve Performuese teëBurlingtonit dhe bashkë-drejtuese e Komitetit Strategjik për emigrantët e rinj në Kanada, në nivel rajonal. Rrugëtimi i karrieres sime përfshin dhe një sërë trajnimesh e çertifikimesh të ndryshme, por ajo që më bën të ndihem  më mirë me veten time, është të shikoj që frutet e punës sime, kanë pasur një impakt pozitiv në jetën kulturore të qytetit dhe e kanë pasuruar atë.

F.N : Si do të mund t’i përcaktonit vitet që keni  kaluar në Kanada ? 

A.P: Të gjatë, të shkurtër, të bukur dhe të dhimbshëm.

F.N: Po vitet në vendin tuaj të origjinës në Shqipëri ? 

A.P: Frymëzues, të larmishëm, bujare dhe kaotike.

F.N: Çfarë ju pëlqen më shumë në punën  që bëni tani ? 

 A.P: Më pëlqen që punoj në fushën që kam pasion: artin dhe kulturën – qe dëshmoj çdo ditë kreativitetin e artistëve dhe talentin e tyre pa kufi, një ushqim shpirtëror për publikun – që mundësoj krijimin e projekteve e programeve të bukura dhe kontribuoj në zhvillimin e jetës artistike të qytetit.

Dhe sigurisht, më pëlqen që jam në kontakt të vazhdueshem dhe bashkëpunoj me artistë dhe shoqata te ndryshme.  E vlerësoj mundësinë për të kontribuar në krijimin e identitetit të qytetit dhe të politikave të ndryshme që zhvillojnë artin dhe kulturën.

F.N: Mund të më tregoni një episod në punën tuaj që ka bërë që ju ka rritur nga ana njerëzore dhe profesionale tek kolegët tuaj ? 

A.P : Besoj se kam përjetuar rritje të vazhdueshme nga çdo eksperiencë e përditshme e punës, por mund të përmend dy momente të bukura, për të cilat jam krenare: Krijimi i fondit të Artit dhe Kulturës dhe mundësimi i krijimit te Këshillit të Artit dhe Kultures te Burlingtonit. Keto dy iniciativa ishin thelbësore dhe kanë ndikuar ne vazhdimësinë dhe nivelin e bashkëpunimit me komunitetin artistik e kulturor. Përveç profesionalizmit,  kam investuar me dashuri një copez të shpirtit tim në çdo bashkëpunim e projekt, dhe besoj se rrugëtimi gjatë këtij procesi më ka ndikuar e rritur jo vetëm mua, por edhe të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me mua. Këto bashkëpunime kanë qënë një shkëmbim energjish, të mbushura me episode emocionuese njerëzore e profesionale.

F.N: Cilat janë karakteristikat që  mendoni se duhet të ketë një manaxher i kulturës?

A.P:Manaxheri i kulturës duhet të jetë jo vetëm një administrator, por edhe një strategjist  i mirë. Nuk diskutohet që pasioni dhe vlerësimi për artin dhe të bukurën si dhe dedikimi për të mbështetur komunitetin artistik, janë karakteristika që i japin një tjetër dimension këtij pozicioni.

Manaxheri i kulturës duhet të identifikojë e kuptojë veprimtarinë dhe nevojat e komunitetit artistik dhe situatën e përgjithshme kulturore të qytetit, të njohë burimet kulturore që ndodhen në komunitet, të identifikojë mungesat, dhe bazuar në këte vlerësim, të hartoje politika, programe e projekte që kanë për synim zhvillimin artistik dhe kulturor të gjithë komunitetit.

F.N: Në jetën tuaj profesionale, mund të përmendni  disa nga projektet që ju keni realizuar dhe që kanë shumë  pëlqyer  më shumë  dhe pse ?

A.P: Kam shumë projekte që mund të përmend Flora, por ato projekte  që kanë pasur më shume impakt e që doja të veçoja janë: krijimi i një Plani Kulturor për qytetin, krijimi i një database për gjithë burimet kulturore të qytetit (kliko ketu per te pare projektin), krijimi i një Master Plani për Artin në Hapësirat Publike dhe politikave përkatese, implementimin e Ditëve të Kulturës, dhe mbi një qind projekte të veprave në hapësirat publike të cilat publiku mund ti shikoje ne linkun këtu nese ka interes.

Ndonëse  kam qënë drejtuesja kryesore, këto projekte janë zhvilluar në bashkëpunim me shumë kolege dhe artiste, punën dhe kontributin e të cilëve e vlerësoj shumë. Çdo anëtar i grupit të punës ka luajtur një rol të rëndësishëm në suksesin e këtyre iniciativave. Punoj me një skuadër të mrekullueshme njerëzish, me të cilët realizojmë shumë projekte frymëzuese.

Gjithashtu kam qënë ideatore dhe krijuese e Fondit të Mbështetjes së Komunitet gjatë kohës së Covid-it. Ky fond bëri të mundur mbështetjen e mbi 50 projekteve gjatë asaj kohe dhe ishte rezultat i një bashkëpunimi jo vetëm me sektore e fonde të ndryshme brenda bashkisë, por edhe me individe e shoqata të ndryshme në komunitet ku gjithkush kishte vetëm një synim: ngritjen e moralit dhe përcjelljen e mesazhit të shpresës nëpërmjet artit, gjatë momenteve ku ishte e vështirë te shikoje driten ne fund te tunelit.

F.N: Po projektet nga të cilët ke mësuar më shumë, cilat mendon se mund të jenë ?

A.P: Mendoj se çdo projekt të ofron mundësinë per te mesuar diçka të re. Unë përpiqem të mesoj jo vetem nga projektet por edhe nga çdo lloj experience, përfshirë komunikimin e përditshëm me miqtë dhe koleget. Emigrimi për shëmbull, është një eksperiencë jete, nga i cili kam mësuar shumë. Aftësia për te zbatuar në jetë mesimet e nxjerra, është  njëkohësisht po aq e rëndësishme për mua.Në përgjthesi, ato projekte te cilat kërkojnë të dalësh nga komforti i përditshmerisë dhe të provosh diçka të re duke sfiduar veten, jane projektet nga të cilat kam mësuar më shumë.

 F.N: Cilat jeni projektet me të cilat po punoni ? 

A.P: Kam rreth 10 projekte me të cilat po punoj për momentin, por mund të veçoj “Bimose Agaming – Shetitje përgjate liqenit”, një projekt i artit në hapësirat publike, i cili përbëhet nga njeëkompleks artistik i 11 veprave, në bashkëpunim me nëntë artiste indigjene, përgjatë parkut kryesor të qytetit, buzë liqenit. Ky projekt është nominuar për çmimin “Eksperiencë e Re Inovative”  në nivel rajonal. Me shumë infomacion mbi këtë projekt, mund të gjeni ketu.

Vlerësoj bashkepunimin me anëtare të ndryshëm të komunitetit indigjen, të cilët mundësuan realizimin me sukses te projektit. Tashmë jemi në fazën përfundimtare te këtij projekti dhe po pergatitemi per aktivitetin final qe eshte zbulimi i veprës së fundit që do t’i shtohet këtij kompleksi, një skulpturë e titulluar “Biseda dhe Tregime”, një veper kjo e relizuar perseri nga nje artist indigjen.

F.N: Diçka interesante që ju ka ndodhur gjatë punës tuaj dhe që e kujtoni me një buzëqeshje ?

A.P: Nuk rresht duke u surprizuar dhe buzëqeshur (fizikisht dhe shpirtërisht) nga krijimtaria artistike e shumë talenteve që ndesh në punën e përditshme. E dua mendjen e larmishme, krijuese dhe pa limit të artistit, e cila të mundeson hyrjen në një bote të bukur plot ngjyra e frymëzim dhe sigurisht, plot emocion. Ndihem e privilegjuar që kam mundësinë jo vetëm ti perjetoj këto eksperienca, por edhe të krijoj mundësinë që kjo botë kaq e bukur të përcillet tek publiku.

Krijimi interesant më i fundit eshte ai i një artisti muzikant shume i talentuar i cili guxoi të ekperimentojë me filmin. Filmi që ai krijoi, i titulluar “Refuge”, fitoi çmimim e “Filmit më të mirë muzikor”  në   Festivalin Botëror të Filmit në Cannes ne 2022, njëkohësisht fitues i festivalit të filmit në Stamboll, festivalit independent të filmit në Vancouver dhe eshte pergjedhur per te pakten tetë festivale të tjera filmi dhe nominuar për nëntë çmime të tjera në Evropë, U.S.A dhe Kanada. Ketu mund të gjeni trailerin e filmit.

F.N: Cila është dita juaj ? 

A.P: Dita ime është shume e thjeshtë, zakonisht e mbushur me takime, mbledhje dhe shumë kohë para kompjuterit.

F.N: E kujtoni eksperiencën tuaj të parë në  Kanada ? A ka patur vlerë në vijueshmërinë e punës tuaj ? 

A.P: Fillimi ishte i vështire. Çdo lloj eksperience që kam kaluar mbart vlerën e saj dhe ka shërbyer drejt realizimit profesional. Mbaj mend që isha e gatshme të bëja çfarëdo lloj pune dhe të mësoja gjithçka duhej, pa hezitim, pët t’u ingranuar në jetën Kanadeze, me një vullnet dhe përkushtim sistematik.

F.N: Po në Shqipëri ? 

A.P : Eshte ndryshe kur je në vëndin tend. Ndonëse shumë e re dhe pa eksperiencë pune në atë kohe, isha në territorin tim – ku flet gjuhën e nënës, në rruget qe ti njeh, në një komunitet që ndan të njëjtin stil jete, pune e kulture me ty. Kjo gjë mundësoi lehtësisht fokusimin në karriere.

Shumë aspekte te jetës, i marrim te mirëqena, dhe i kuptojme sa të rendësishme janë, vetëm kur nuk i kemi më. Nje mesim i rendesishem ky, per te qene mirenjohese dhe vlerësuar do bekim në jetën tënde, edhe ato qe na duken normale ti kemi gjithmonë aty.

F.N: Si do të mund t’i përcaktonit këto dy kontraste ? 

A.P : E njohura sfiduese e Shqiperisë dhe e panjohura frymëzuese e Kanadasë.

F.N: A keni lidhje me komunitetin shqiptar në  Toronto ? 

A.P: Ndjek veprimtari të ndryshme të komunitetit dhe mbaj lidhje me shoqata e individë. Më vjen mirë të shikoj që projektet dedikuar komunitetit shqiptar janë në rritje. Kam në plan të angazhohem më shumë në jetën artistike dhe kulturore të komunitetit shqiptar dhe në promovimin e vlerave dhe artistëve Shqiptare. Eksperiencën që kam akumuluar ne ketë fushë, po planifikoj ta ndaj se shpejti me miqtë dhe bashkëatdhetaret e mi në Kanada. Po e le surprizë këtë iniciatië…

F.N: A ju mungon Shqipëria  për çfarë keni mall ? 

A.P : Sigurisht që më mungon. Kam mall e dashuri për familjen dhe miqtë e mi të mirë e të mrekullueshem. Kam nostalgji për rruget, ushqimin, ndërtesat, kafenetë, aktivitetet, stilin e jetës dhe të degjuarit e gjuhës shqipe nëpër rrugë.

F.N: Në se  do të zgjidhnit një fjalë që ju përcakton , cila do të ishte ? 

A.P: Feniksi, nje zog qe simbolizon shprese, rilindje dhe transformim.

Për të mbaruar : 

Dëshira e Anxhelës : Te jem gjithmonë versioni më i mire i vetes, gjatë rrugëtimit në jetë

Një ngjyrë  e preferuar për ju: E kuqe

Hobi  juaj: Kam shumë dhe i ndryshoj vazhdimisht sepse më pëlqen të merrem nga pak me gjithkça: muzika, kërcimi, piktura, leximi si dhe zhanre të tjera…

Një qytet që pëlqeni dhe pse: Parisi – sepse është një ëndërr e parealizuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *