Antoneta Ndreka Zonje qe ben Shqiperine -Dhjetor 2018
Lidere e Albanian Excellence per vitin 2019
Drejtore prodhimi në Fabrika Lufra
Unë gjithmonë e kam ditur që bashkëshorti im kishte shpirt sipërmarrësi dhe adrenalina e tij ishte biznesi. Në fund të fundit ishte edhe një nga gjërat që na bashkoi: shpirti i aventurës dhe dëshira për të provuar gjëra të reja. Kështu kur ai u përball me sfidën e tregtimit të qumështit, unë natyrshëm iu gjenda krah me aq njohuri dhe informacion sa kisha të përfituar nga arsimi dhe familja. Të dy bashkë synonim prodhimin dhe tregtimin e të vetmit produkt që ne dinim të bënim në atë kohë: DJATHIT. E diplomuar për infermieri dhe me njohuri bazë në kimi, më tërhoqi ideja e dhënies së një ngjyre tjetër shkollimit dhe asaj që kisha bërë deri në atë moment. Dhe ky ishte moment i duhur për të filluar një profesion të ri, në një sipërmarrje të re.
Tani që kthej kokën mbrapa, mendoj që në atë kohë asnjëri nga ne të dy nuk do e kishte menduar që kjo do të kthehej në jetën tonë për 26 vitet në vazhdim dhe do të ishte ajo që është sot – LUFRA – trashëgimia për 2 djemtë tanë dhe për cdo konsumator bulmeti në Shqipëri.
Sot profesioni im është një nga profesionet më të specializuara, i cili kërkon kërkime në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim që të arrish t’i japësh kompanive që të kanë, një vlerë të shtuar – një avantazh që i bën ato më konkurruese në treg. Unë me Lufrën jam përpjekur ta bëj për 26 vjet, nga dita në ditë duke synuar paprekshmërinë e cilësisë së produktit. Sot, si edhe dje, nga profesioni im pritet e njëjta gjë, por me një dozë të lehtë inovacioni për të ndihmuar kompaninë të ruajë vlerat e fituara ndër vite, ndërkohë që ze një hapësirë të re në frigoriferët e brezit të lindur në mijëvjecarin e ri.
Është shumë e rëndësishme për profesionin tim të qëndrosh në kontakt me brezin e ri, sepse ata janë klientët e të nesërmes. LUFRA ka një produkt që gjendet në tavolinën e cdo shqiptari që në moshë të re dhe mua më bëhet zemra mal kur dëgjoj komentet e nënave që thonë “Djali/vajza ime pi vetëm qumësht LUFRA….” dhe sfida ime profesionale është që pikërisht kjo fjali të vazhdojë të thuhet me shumë dashuri.
Duke qënë një profesion mjaft i specializuar, që kërkon jo vetëm arsimin përkatës, por edhe të qëndrosh në kontakt cdo ditë me trendet më të fundit të teknologjisë dhe sjelljes së qënies njerëzore mendoj që teza kryesore që e ka ndryshuar dhe do ta ndryshojë në të ardhmen profesionin tim është ndërgjegjësimi ndaj ushqyerjes së shëndetshme. Kjo do kërkojë që të jemi në cdo moment gati për produktin e ri të një brezi të ndërgjegjshëm ndaj vetvetes dhe që kërkon kënaqësi në moment.
LUFRA i është përgjigjur këtyre ndryshimeve duke investuar me zgjuarsi në blerjen e fabrikës së ujit DUKAT, nisur pikërisht nga vlerat minerare të këtij uji si edhe duke blerë nga investitorët gjermanë të MEGGLE fabrikën e qumështit UHT në Rrogozhinë. Të dyja këto investime si edhe projektet e reja për vitin 2019 dëshmojnë marrjen seriozisht të cdo ndryshimi në tregun shqiptar dhe atë ndërkombëtar. E ardhmja, shpresoj e afërt e Lufrës janë eksportet jo vetëm në rajon por në nivel global.
Filtroj dhe përkthej në hapa konkretë për t’u ndjekur nga LUFRA trendet më të fundit ndërkombëtare, jam në komunikim të ngushtë edhe me të gjithë skuadrën që punon me mua për të përshtatur sic duhet cdo ide. Seminaret e ndryshme brenda dhe jashtë vendit, si edhe vizita në kompani të tjera bulmeti jashtë Shqipërisë më kanë ndihmuar mbi të gjitha për zgjerimin e perspektivës dhe vizionit që përmbledh profesionin tim dhe vendin tim tek LUFRA.
Gjithashtu një nga hapat e rradhës, të cilin kemi implementuar së fundmi është këshillimi veterinar i fermerëve që bashkëpunojnë me Lufrën për lëndën e parë – falas nëpërmjet veterinerit të punësuar të kompanisë. Për të garantuar sigurinë e produktit përfundimtar që shitet në treg, duhet ta kapësh nga zanafilla: ushqimi i lopës, ambjenti ku ajo jeton, si ushqehet, si kujdesen për të dhe si vjen qumështi deri në fabrikë. Janë hapa të rëndësishëm që ndikojnë në formë direkte punën time në prodhim dhe cilësinë e të gjitha nënprodukteve të bulmetit që dalin nga duart tona.
Duke qënë se unë nuk e kam parë ndonjëherë veten si personi që qëndron pasivisht duke vëzhguar zgjidhjen e sfidave të rradhës në biznes, kam menduar që duhet të përfshihem aktivisht në ndërtimin e një marrëdhënie më të ngushtë me fermerët. Në fakt konkretisht, me femrat – nëna, motra apo bashkëshorte të fermerëve që bashkëpunojnë aktualisht me Lufrën.
Nuk mendoj dicka të madhe, një caj apo një kafe, thjesht një bisedë mes mikeshash për të folur rreth atij që na bashkon: QUMËSHTIT. Ideja e kësaj iniciative më buron nga bindja që Shqipëria është plot me “zonja që dinë ta bëjnë Shqipërinë” – zonja që zgjohen cdo ditë herët në mëngjes për të punuar fort që trashëgimia e tyre të mbetet e lidhur me familjet e tyre në këtë vend, pa qënë nevoja të shohin ta ndërtojnë diku tjetër. Njëlloj si edhe me familjen time…!