Dashuria pa kushte për mjekësinë e Dr.Elona Haubrich !!!

Nga Flora Nikolla

TIRANË, 23 Mars,/AE/.-Elona Haubrich shkoi për të jetuar në Gjermani shtatë vitë të shkuara. Me vete kishte një diplomë të firmosur nga Fakulteti i Mjekësisë në Tiranë. Diploma ishte e shkëlqyer, por ishte një diplomë shqiptare dhe si e tillë, pa të drejtën për t‘u njohur nga vendet e Bashkimit Europian. Pra nuk mund të njihej as nga Gjermania. Iku,nga Shqipëria, se edhe pse kishte mësuar me ngulm dhe me dëshirë, për të patur gjithnjë një vlerësim maksimal në jetën e saj si nxënëse dhe studente, paga që duhej të merrte në sistemin shëndetësor, ishte minimale. Dhe pse kishte bërë kaq vite shkolle, sërish do të ishte e detyruar të varej nga prindërit.

Elona ishte plot energji, ide, mendime, dëshira. Me idealizimin dhe këmbënguljen që e karakterizon, në Fakultet kishte themeluar në vitin 2006, bashkë me motrën e saj, Dr.Aurora Meta Dollenberg, organizatën e parë studentore mjekësore në Shqipëri me funksion edukues dhe me qellim shkëmbimin e njohurive dhe eksperiencave mjekësore. Organizata quhej “Organizata Mjekët e së Ardhmes”, ose shkurt OMA.

Çdo gjë e kishte lënë pas…!

Kur mbërriti në Gjermani, duhet të mësonte gjuhën gjermane në një nivel të lartë, duhet të integrohej në praktikat mjekësore te spitalit, duhet të njësohej dhe me mentalitetin nordik të gjermanëve.

Kishte shumë „duhet“, që Elona duhej të zgjidhte .

Sot, Dr. Elona Haubrich, është në muajt e fundit të specializimit si Mjeke Familje, është duke mbrojtur doktoraturën në një universitet gjerman të cilën e mbaron pas dy vitesh. Por, në Gjermani njohu bashkëshortin, Daniel Haubrich dhe kjo ia lehtësoi dhe përshpejtoi integrimin në shoqërinë gjermane. Në Maj në vitin 2017 lindi vajza e tyre, Louisa Emilia Haubrich, e cila i bëri të ndjejnë lumturinë më të madhe në jete dhe iu dha përgjegjësinë e të qënurit prind.

Sot në profesionin e saj, i pëlqen të njohë dhe të flasë me njerëz të shtresave dhe fushave të ndryshme dhe ka kënaqësi kur pacientët ndihen mirë nga shërbimi mjeksor që ajo ofron.

Gjithnjë, ashtu si edhe në Shqipëri, pranë ka motrën e saj, Dr Aurora Meta Dollenberg, njëherëzi dhe kolegia e saj. Të dyja së bashku kanë kaluar si dështimet ashtu edhe sukseset, teksa tani janë në pozicionin drejtues të dy klinikave  private mjekësore qe kanë në qytetin Wolfenbüttel.

„Për mua është një kënaqësi të punoj me motrën time. Ne kemi një simbiozë të veçantë që edhe të tjerët mbeten të mrekulluar nga bashkëpunimi që kemi me njëra- tjetrën në punë“ thotë ajo në këtë intervistë.

Dr Elona Haubrich drejton së bashku me motrën e saj, Federatën e Mjekëve shqiptarë në Europë“ të krijuar në vitin 2019, duke u nisur nga numri i madh i mjekëve shqiptarë në Europë por edhe për faktin që studentet që ishin aktivë në organizatën studentore që themeluan të dyja në vitin 2006, ishin tashmë të shpërndarë në Europë. Kështu në saj të kontakteve që kishin menduam të aktivizojmë mjekët shqiptarë në Europë për t‘u ndërlidhur me njeri- tjetrin por edhe për të kontribuar për atdheun i cili u mungon çdo ditë.

“Suksesi në kohën e koronavirusit”: Në këto dite pandemike del më tepër në pah vlera e jetës por edhe humanineti i gjithë njerëzimit“

Në këto ditë kur jeta ka mbetur pezull kudo nw botë nga një armik i padukshëm që vret pa i marrw leje kërkujt , armik qe Dr.Elona Haubrich, e konsideron një pandemi të rrezikshme me pasoja të mëdha shëndetësore por edhe ato ekonomike. Ajo u sugjeron pacienteve të saj, karantimin rigoroz në shtëpi, higjenë të rregullt, marrje e vitamines C në doza të larta për forcimin e imunitetit qoftë përmes ushqimit apo tabletave, ushqim proteinik dhe lëngje prej të paktën 2 litra në ditë,

„Nëse të gjithë i zbatojmë këto rregulla të thjeshta atëhere do e kalojmë këtë sfidë të korona virusit. „Para korona virusit kemi kaluar me suksese dy pandemi të gripit, prandaj edhe kësaj here do e përballojmë me suksese këtë valë të rrezikshme virale „ shprehet Dr, Haubrich, për të cilën gjithnjë mjekësia wshtw fusha ku ajo, mund të shpalosej si personalitet dhe mund të ndihej e realizuar emocionalisht.

Ndaj dhe në këto ditë, të rënda psikologjikisht dhe profesionalisht, ritmi i ditës ka qënë tepër aktiv në punën e saj, në trajnimin e pacientëve që shkojnë në klinikë. Por është e prekur emocionalisht për pasojat që po jep kjo pandemi sidomos kur mendon që prinderit e saj mbi 60 vjeç janë në Shqiperi, të rrezikuar të infektohen. Por mendon dhe për vajzën e vogël, Louisen dhe mundohet maksimalisht të zbatojë rregullat e higjenës në punë dhe familje për të minimizuar këtë pandemi duke qënë se deri tani ka vetem mjekim suportiv simptomatik.

Për. Dr.Elona Haubruch, në këto dite pandemike del më tepër në pah vlera e jetës por edhe humanineti jo vetëm i mjekeve, infermiereve por i të gjithë njerëzimit që më tepër në këto ditë të vështira po bashkohen në luftë kundër koronavirusit.

Për herë të parë në këtë intervistë po botojmë  foton e Elonës ku ajo shfaqet e veshur me kostum popullor,  realizuar nga fotografi Olsi Beci, për Ekspozitën “Fuqi, traditë sukses“ , e cila sipas kalendarit zyrtar të Albanian Excellence do të organizohej gjatë muajit mars në Zagreb(Kroaci) dhe në qytetet e Librazhdit dhe të Lezhës në Shqipëri por që nuk u hap për shkak të Pandemisë botërore.

Por realizimi i një serie me intervista më zonja të suksesit, krijon mundësinë jo vetëm për t’i njohur zonjat  suksesit shqiptar në një dimension tjetër njerezor,por krijon dhe hapësirën  nevojshme për botimin  librit, “Suksesi i zonjave shqiptare në botën e koranavirusit”, që do të promovohet në dhjetor 2020,  në organizimin “Zonjat shqiptare që bëjnë botën”.

 F.N: Elona,cilat ishin arsyet dhe dëshirat që ju shtynë të zgjidhnit profesionin e mjekes ?

E.H:Dëshirën për të ndihmuar të tjerët e kam patur që në fëmijëri, kështu, profesioni i mjekut mund të më lejonte më së miri realizimin e këtij qellimi. Gjithashtu gjithnjë kam qënë një nxënese me nota maksimale ku dhjeta nuk më mjaftonte. Dëshëroja gjithmonë një dhjetë me yll gjë që më ndihmoi të zgjidhja mjekësine si profesion. Nje rol tjetër ka qënë besimi im si e krishterë protestante . Që nga koha e adoleshencës kam shkuar rregullisht në kishë në Tiranë duke u edukuar me frymën për të kontribuar dhe ndikuar pozitivisht në shoqëri.

F.N: Mos vallë veten tuaj e patë te motra juaj e cila kishte zgjedhur më parë këtë profesion ?

E.H: Fakti që motra ime, Auroa, kishte zgjedhur këtë profesion ndikoi pozitivisht tek mua por mund të them që mjekësia ishte fusha ku unë mund të shpalosesha si personalitet dhe mund të ndihesha e realizuar emocionalisht.

F.N: Prindërit tuaj, si e pritën këtë vendim tuajin ?

E.H: Prindërit u gëzuan shumë për mua sepse mami im Fatmira Basha Meta dëshironte të studionte Mjekësi, por pwr arsye të vështirësive që haseshin në komunizëm, nuk mundi te futej ne degen e mjekesisë. Ajo por mbaroi studimet per ekonomi kështu që për të nuk kishte më mirë se te kishte dy vajzat e saj me këtë profesion shpresëdhënes dhe njëkohesisht human .

F.N:Si i kujtoni vitet e studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë ?

E.H: Vitet e studimit ka qënë të vështira pasi modeli i mjekësisë në Tiranë në kohwn kur isha studente nga 2006 deri ne 2012 i përkiste më tepër modelit rus, pra më tepër teorik dhe shumë pak praktik. Ne shumicën e kohës e kalonim duke lexuar dhe mësuar përmëndwsh pafund materiale mjekësore që sot mendoj disa prej tyre nuk ishtë e nevojshme t‘i mësoje sepse detajet e tepruara si do që të jetë do harroheshin. Unë kam patur fatin të njihem në vitin e parë të studimeve me një grup studentësh gjerman qe vinin rregullisht në Tirane tri herë ne vit. Ne kemi bërë ekzaminime fizike tek njëri -tjeteri dhe kështu përmiresonim anën që na mungonte me tepër në fakultet. Përveç kesaj mësova prej tyre një model europian të menduarit dhe të punuarit edhe pse në atë kohë nuk kishim mundësi të shkonim jashtë shtetit vetëm me vizë qe zgjaste me javë të tëra. Që në vitet e para të studimit nuk më kënaqte fakti të isha vetëm një studente e mjekësisë që merrte gjithnjë 10-të. Unë doja që potencialin tim ta shpalosja më shumë. Duke u nisur nga idealizimi që më karakterizon, themelova së bashku me motrën Dr.Aurora Meta Dollenberg, organizatën e parë mjekësore në vitin 2006 në Shqipëri me funksion edukues dhe me qellim shkëmbim njohurish dhe eksperiencash mjekësore . Organizata quhej”Organizata Mjekët e së Ardhmes”, e quajtur shkurt OMA. Mangësitë qe hasnim gjate kohës kur ishim studentë i kompesoninim tek OMA duke bërë trajnime mjekësore me njëri -tjeterin por edhe me studente të huaj çdo dy muaj, sensibilizime në lidhje me temat mjekësore në gjimnazet e Tiranës, vizita falas ne zona të vështira në Bathore, shkolla verore apo dhe realizime e punëve mjekësore në grup të caktuar të popullsisë në lidhje me tensionin arterial dhe hyperglicemine.

Nga puna jonë intesive arritëm shkëmbimet e para mjekësore ne historinë e Fakultetit shteteror të mjekësisë me universitetet e huaja siç ishte bashkëpunimi zyrtar me Univeristetin Witten në Gjermani.Ajo që duhet përmënduar është që çdo aktivitet duke filluar nga 2006 ishte falas dhe bazohej në vullnetarizmin tonë dhe studentëve e mjekeve të Spitalit të QSUT. Ne patëm fatin që   liberalizimi i vizave u bw në 2010, kur isha studente. Nga ky vit, nisëndaljet tona të para në universitetet e huaja . Kuptohet që ishim shumë të etur për të parë dhe mësuar diçka ndryshe nga vendi ynë. Me ndihmën e një bashkë-studenteje, Dr.Migena Disha, arrita të finalizoja punën që kishim bërë nga viti 2006,  në vitin 2012 me antarësimin e organizatës sonë studentore mjekësore si perfaqësuese të Shqiperisë në IFMSA (International Federation Medicla Students Association) si dhe EMSA(Europian Medical Student Association). Antarësimi në të dy organanizat me te medha studentore ishte me pagese vjetore deri ne 500 euro, shifër e paimagjinueshme për ne që çdo punë e kishim bërë falas. Me dëshirën që të funksionte, vitet e para pagesën e bëra me te ardhurat e prindërve të mi. Dhe kjo vijoi deri në vitin 2014, në mungesë të ndihmës nga Fakulteti shtetëror i Mjekësisë. Në vitin 2015, OMA, Shqipëria humbi perfaqësinë në këto dy organizata boterore kaq të rëndësishme studentore mjekesore si pasojë e mos mbështetjes nga dekani i Fakultetit të mjekësisë në atë kohe edhe pse përfitimet akademike për studentët nga ky antarësim ishte të lartë, duke qënë se IFMSA dhe EMSA ofronte mundësinë të gjithë studentëve të mjekësisë të bënin një pjesë të studimeve të tyre në universitetet e huaja. Në tetor të vitit 2013 unë u largova nga Shqipëria për në Gjermani për të nisur një jetë të re tepër të motivuar por edhe e zhgënjyer nga sistemi ynë shëndetësor, që nuk të jepte as një mundësi për të qënë një mjek europian ashtu si kemi dëshiruar të gjithë.

F.N: Mendoni se programet dhe pedagogët janë të një niveli të lartë profesional dhe se vërtetë ka vlerë europiane,diploma e mjekësisë shqiptare?

E.H: Programet mësimdhënëse kanë qënë të modelit rus dhe ne kemi punuar me libra shume të vjetër disa prej tyre ishte të shtypura në shtypshronje pa figura dhe ti si studente duhet të imagjinoje për të kuptuar tekstin. Pra ka qënë teper e vështirë. Ne ishim të detyruar të kerkonim materiale të huaja në anglisht  me internet apo ne bibloteka mjekësore. Pedagogët tanë, ishin pozitivë pjesa më e madhe dhe besoj se kanë qënë të frustuar si pjesë e një sistemi shendetësor dhe akademik me shume probleme. Ne studentet kemi qënë me tepër autodiktat me procesin e të mësuarit. Kontaktet tona me pedagoget kanë qënë të pakta vetëm në leksionet teorike që kishim,  kurse praktika të linte shumë për të dëshiruar. Integrimi ynë duke filluar nga viti i tretë i studemeve ne spitalin universitar nëTirane ishte tepër minimal , pra nuk kishim një udhëzues si duhet të ekzaminonim nje pacient gjë që në mungesë të kësaj praktikoheshim tek njeri -tjetrin si studente duke u nisur nga materielet mjeksore që kishim lexuar per temat e caktuara apo vidiot mjekesore te para ne internet. Praktikat mjekesore si ekzamimiet ekografike radiologjike laboratorike , marrja pjesë në operacione ishte pothuajse zero, kështu mund të them me bindje të plote se programet mjekësore nuk ishin kurrsesi të nivelit europian dhe si rrjedhojë diploma jonë e mjekësisë nuk njihej dhe nuk njihet akoma nga vendet e Bashkimit Europian.

F.N: Tani që ju jeni një mjeke dhe ushtroni profesionin tuaj, çfarë ju pëlqen më shumë në profesionin tuaj ?

E.H: Tani që jam mjeke prej prej 7 vitesh, më pëlqejnë kontaktet me njerëzit e shtresave dhe fushave të ndryshme dhe kënaqësia që marr prej pacientëve kur ndihen mirë nga unë dhe shërbimi mjekesore i ofruar.

F.N: Cila gjë nuk ju pëlqen në profesionin e mjekes ?

E.H: Profesioni i mjekes do një perkushtim dhe përqëndrim maksimal në punë pasi ke përgjegjësine më të madhe, pra shëndetin e njeriut. Kjo të redukton kohën që dëshiron ta shpenzosh me familjen por edhe kohën e paktë të lire që mund të kesh.

F.N:Kushton shumë në jetë të arrish të bëhesh mjeke ?

E.H: Patjetër pasi dhe studimi i mjekësisë është tepër i gjatë 6 vjet dhe specializimi po ashtu 6 vite gjë që shkon 12 vjet dhe nëse dëshiron të mbarosh doktoraturën e cila shkon 3- 4 vite, mund të themi që gjithë formimi aktiv profesional shkon 16 vite . Përveç kohës, është ndjesia e përgjegjësisë që ke çdo dite si dhe nevoja për të mbetur në kontakt me të rejat e fundit mjeksore pra duhet të jesh gjithmonë në kontakt me materialet e reja mjekësore.

F.N: Sa ka zgjatur karriera juaj ?

E.H: Unë jam në muajt e fundit të specializimit për Mjeke Familje e cila shkon deri ne 5 vite . Po ashtu jam duke mbrojtur doktoraturën në një universitet mjeksor në Gjermani e cila do zgjatë edhe 2 vite të tjera. Punën si mjeke në spital në Gjermani, e kam nisur nw tetor të vitit 2014, ndërkohë që kisha bërë një vit kurs gjuhe në Gjermani prej tetorit të vitit 2013. Unë kam bërë 6 vite mjekësi të përgjithshme dhe 5 vite specializim për Mjeke Familje si dhe prej një viti po mbroj doktoraturën .

F.N: Cilat janë vlerat që duhet të kesh që të bëhesh mjeke ?

E.H: Se pari duhet të jesh njeri me vlera humane, komunikues, mëndje hapur punëtore dhe e gatshme për të ndihmuar ne çdo kohë duke i referuar edhe betimit te Hipokratit që e kemi bërë të gjithë kur morëm diplomën e mjekësisë.

F.N:Në këto vite, a je penduar ndobëherë që kë zgedhur këtë profesion ?

E.H: Ka pasur momente të vështira sidomos pas lindjes së vajzes time Louises, ku më duhet të pozicionohesha si një mjeke që duhet të punoj fort për të mbaruar specializimin dhe te merrja rolin si nënë apo dhe si bashkëshorte e përkushtuar.

F.N:Pse vendosët që të vini të punësoheni si mjeke në Gjermani ?

E.H :Arsyeja kryesore ishte mungesa e punësimit që dhe pse kisha studiuar 6 vite, përsëri në moshën 25 vjeçare isha e varur nga familja por edhe sikur të isha punësuar me rrogën minimale për të mbijetuar dhe mundësitë e pakta të formimit profesional, do kisha vendosur përsëri të largohesha në një vend të Bashkimit Europian ku mund të më jepet mundësia e të qenit mjeke e së ardhmes ashtu si kisha dëshiruar gjatë gjithë kohës kur kisha qënë studente pasi gjithmonë kam kërkuar nga vetja te jepja me të mirën dhe këtë nuk mund ta beja fatkeqësisht me mundesitë që ofron Shqipëria.

F.N: Cila ishte e papritura e parë kur ju erdhët në Gjermani ?

E.H: Kur erdha në Gjermani, përshtypja e parë ishte ftohtësia e njerëzve ku ishte e vështirë të shikoje një buzëqeshje dhe fakti që rruget ishin gjithmonë bosh sikur nuk jetojnte asnjeri, ndërkohë në Shqipëri dhe vendet e tjera mesdhetare ka gjallëri në ambientet publike.

F.N: Cili është rrugëtimi juaj si mjeke në Gjermani ?

E.H: Diploma shqiptare nuk njihej në Gjermani, kështu unë si mjeke e sapo diplomuar në Shqiperi duhet të mësoja së pari gjuhën e një niveli të larte dhe të integrohesha shpejt në praktikat mjekësore te spitalit ku edhe u punësova. Ky proces ishte tepër i vështirë por i mundshëm nese jepje përkushtin më tepër se 100 % pasi problemet kryesore ishin gjuha, mungesa e praktikave mjekesore dhe mentaliteti nordik i gjermanëve.

F.N:Cila është një ditë juaj në profesionin e mjekes ?

E.H: Unë nis të përgatitem për punë në orën 6, pasi duke pasur një vajzë të vogël më duhet ta përgatis për në kopësht. Në orën 08.00, jam në punë pasi kam dërguar Louisen në orën 07.30 në kopësht. Shpesh më ndihmon dhe bashkeshorti me vajzën. Edhe ai punon shumë si akademik në fushën e Inxhinierisë në Kompaninë me të madhe të makinave te Volksëagen ne Gjermani.

F.N: Po jeta juaj private në Gjermani ?

E.H: Unë kam njohur bashkëshortim tim Daniel Haubrich një vit e gjysëm pasi kisha ardhur ne Gjermani në moshën 26 vjeçare dhe kjo ma lehtësoi por edhe ma përshpejtoi intergrimin tim në shoqërinë gjermane, pra më duhej në një kohë të shkurtër te jepja maksimunim tim në mënyrë që të isha në nivelin gjuhësor por edhe të mentalitetit me akademikët e tjerë gjermane. Në Maj në vitin 2017 erdhi vajza jonë Louisa Emilia Haubrich, e cila na bëri të ndjejmë lumturinë më të madhe në jete dhe na dha njëkohësisht përgjegjësinë e të qënurit prindërit. Unë kam patur fatin të ndërtoj në një kohë të shkurtër familjen time në Gjermani e cila ka qënë dhe është motivi im në çdo gjë që bëj.

F.N: Ju jeni të dy motrat mjeke, jetoni dhe punoni së bashku në Gjermani do të thotë për ju që të jeni dhe motra dhe kolege ?

E.H: Po ne jemi dy motra me diferencë prej dy vitesh që me kalimin e kohës nuk po dallohet midis nesh në aspektin e jashtëm, njëkohësisht jemi edhe kolege të cilat jane edhe ne pozicionin drejtues të dy klinikave mjekësore qe kemi në Wolfenbüttel. Ne në fakt kemi qënë edhe në Shqipëri gjithmonë bashkë dhe shoqerine e kemi pasur të përbashkët, ishim më tepër si binjake çdo gjë e kalonim bashkë si sukseset dhe dështimet. Për mua është një kënaqësi të punoj me motren pasi kemi një simbiozë të veçantë që edhe të tjerët mbeten të mrekulluar  nga bashkëpunimi që kemi me njëra- tjetrën në punë.

F.N: Ju keni krijuar „Federatën e Mjekëve shqiptarë në Europë“ . Cili është qëllimi i krijimit të kësaj federate ?

E.H: Federaten e kemi krijuar në vitin 2019 duke u nisur nga numri i madh i mjekëve shqiptarë në Europë por edhe për faktin që studentet që ishin aktivë nw organizatwn studentore që themeluan të dyja në vitin 2006, ishin tashmë të shpërndarë në Europë dhe në saj të kontakteve të vazhdueshme që kemi pasur menduam të aktivizojmë mjekët shqiptarë në Europë për t‘u ndërlidhur me njeri- tjetrin por edhe për të kontribuar për atdheun tonë e cili na mungon çdo ditë.

F.N: Cfarë doni të realizoni me këtë Federatë, a keni një strategji tuajën dhe pse mendoni se do të funksionojë qëllimi i saj ?

E.H: Ne duam të lidhim mjekët shqiptarë që jetojnë në vendet e Bashkimit Europian për të ndarë eksperiencat tona në mërgim por së bashku të luajnë një rol pozitiv në integrimin e Shqipërisë dhe Kosovës si nje strukturë e pavarur europiane .

F.N: Ju keni organzuar disa aktivitete dhe takime në kuadër të kësaj federate, në disa vende të Europës, cfarë mund të tregoni në këtë intervistë mbi këto takime ?

E.H: Ne kemi realizuar shumë konferenca shkencore mjekesore në disa vende europiane ku edhe kemi krijuar degët e Federatës në këto shtete.Njëkohësisht kemi ftuar dhe shoqatat e tjera të diasporës me qelllim që të njohim njëri tjetrin dhe të ndikojmë pozitivisht në lidhje me lobizimin kontruktiv për kombin tonë. Kemi takuar gjithashtu edhe ambasadoret shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës ku i kemi prezantuar dhe kemi kerkuar mbështetjen e tyre në rrjetezimin e mjekëve shqiptarë në diasporë.

F.N:Çfarë mund të tregoni në këtë intervistë mbi ndryshimet mes dy sistemeve shëndëtësore, Gjermanisë dhe Shqipërisë ?

E.H: Sistemet shendetësore kanë ndryshime drastike me njëra tjetrën. Në Shqipëri, sistemi shendëtesor është tipik i një shteti që i përket botës së tretë, ku spitalet pjesa me e madhe jane rrënoja, pjese me e madhe e ekzamineve mjeksore ofrohen privat me çmime tepër të larta të papërballueshme për të ardhurat mujore si dhe nuk ka ndërlidhje të koordinuar të specialistëve me njëri tjetrin. Pra pacienti shkon vete nga një specialist tek tjetri, specialist për një problem shëndetësor gjë qe zgjat me javë të tëra. Ndërsa në Gjermani kur pacienti ka probleme shëndetësore, brenda dy ditësh jane bërë të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe falë bashkëpunimit të specialisteve me njëri tjetrin gjendet për një kohë të shkurtër, shkaktari i problemit mjekësor si dhe njekohësisht  realizohet ne kohe rekord edhe mjekimi adekuat.

F.N: Ju keni ardhur disa herë në Shqipëri, si e shihni ju sot Shqipërinë ?

E.H: Un kam ardhur disa herë në Shqipëri për të takuar të afërmit por edhe për konferencat mjekësore me temat ,”Të rejat e mjekësise moderne” që kam realizuar. Mendoja që Shqipëria kishte ndryshuar, por ne fakt kuptova që isha unë që kisha ndyshuar në lidhje në shumë aspekte jo vetëm profesionale por edhe të mentalitetit. Kur jam në Shqipëri me kujtohet vetja si kisha qënë më përpara dhe të lind dëshira të kontribosh për vendin tënd të bukur ndër më të vjetrit në Europë, duke uruar që edhe vendi ynë të ketë standartet që kanë vendet e tjera të Bashkimit Europian.

F.N: Po marrëdhëniet me diasporën shqiptare, besoni se ka një urë komunikimi të kënaqshme ?

E.H: Po kemi komunikim të vazhdueshëm pasi Federata Mjekët Shqiptare në Europë, luan një rol të rëndësishëm në diasporën shqiptare dhe se bashku jemi më të fortë si një strukture europiane komplet e pavaruar nga dy shtetet shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës.

F.N: Këtë intervistë po e realizojmë në ditët e Coonavirus, një pandemi  botërore. Cili është mesazhe si mjeke që doni të jepni në këto ditë ?

E.H: Jemi në një pandemi të rrezikshme me pasoja të mëdha shëndetësore por edhe ato ekonomike. Unë si mjeke i sygjeroj pacienteve të mi:

  1. Vazhdoni karantimin rigoroz në shtëpitë tuaja
  2. Mbani higjenë të rregullt.

3.Marrja e vitamines C në doza të larta për forcimin e imunitetit qoftë përmes ushqimit apo tabletave.

  1. Merrni ushqim proteinik dhe elengje prej të paktën 2 litra/ dite

F.N:Po nga ana njerëzore ?

E.H: Nëse të gjithë i zbatojmë këto rregulla të thjeshta atëhere do e kalojmë këtë sfidë të korona virusit. Para korona virusit kemi kaluar me suksese dy pandemi të gripit, prandaj edhe kësaj here do e perballojmë me suksese këtë valë të rrezikshme virale .

F.N: Në fakt cili ka qënë ritmi i ditës tuaj sot përballë rrezikut të kësaj sëmundje …?

E.H: Ritmi i ditës qënë tepër aktiv në punën time në trajnimin e pacientëve që vijnë në klinikë por edhe e prekur emocionalisht për pasojat që po jep kjo pandemi sidomos kur mendoj që prinderit tanë mbi 60 vjeç janë në Shqiperi, të rrezikuar të infektohen. Ndërkohe mendoj edhe për vajzen e vogël Louisen dhe mundohem maksimalisht të zbatoj rregullat e higjenës në punë dhe familje për të minimizuar këtë pandemi duke qënë se deri tani kemi vetem mjekim suportiv simptomatik .

F.N: Cili është kuptimi i jetës që ju doni të precizoni në këto ditë pandemike ?

E.H: Në këto dite pandemike del më tepër në pah vlera e jetës por edhe humanizmi jo vetëm  mjekeve, infermiereve por i të gjithë njerëzimit që më tepër në këto ditë të vështira po bashkohen në luftë kundër koronavirusit.

Ju faleminderit

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *