Pranvera Bekteshi- Zonje qe ben Shqiperine
Dy profesionet që kam dashur më shumë gjatë jetës, kanë qenë ai i shkencëtarit dhe i shkrimtarit. Jo rastësisht në një hartim të zhvilluar në vitet e gjimnazit Petro Nini Luarasi, me temën “Çfarë profesioni do dëshironit për prindërit tuaj”, kam shkruar vetëm një fjali dhe me këtë e kam quajtur të mbyllur hartimin. Ishte shprehja:
“Do doja të kisha pasur një prind shkencëtar dhe një artist”.
Me sa duket, këtë gjë u përpoqa të realizoja në jetën time, me që puna që bënin prindërit e mi nuk më tërhiqte aspak. Ishin profesione që kishin në bazë urdhrin apo gjykimin, ndërkohë që parapëlqeja kërkimin dhe zbulimin.
Përveç kësaj, duhet të kem pasur gjithnjë parasysh thënien e Volterit, se do ishte e udhës që çdokush të punonte ‘Bahçen e tij’. Përgjithësisht këtë gjë jam munduar të bëj, plus kujdesit tjetër për të mos lënë njeri që të shkelte mbi të, me përjashtim të viteve të gjata të dënimit kur askush nuk pati më as bahçe, as shat për ta punuar…
Pas vitit ’91, si u ktheva sërish në punën time të lënë përgjysmë, në Institutin Hidrometeorologjik, pas aq shumë vitesh, ishte si të rifilloje notin në një det të tërbuar. Por edhe deti më i egërsuar qetësohet dikur dhe të gjithë sëbashku filluam garën për të gjetur veten në ekonominë e tregut, që sapo mori udhë tek ne. Qemë një grup i vogël tri grash të dedikuara në punën për ngritjen e një sektori të ri të fizikës së atmosferës. Me shumë sakrifica, si për shkak të mungesës së fondeve, edhe gjithë vështirësive të tjera, ne arritëm të ngremë një rrjet modest për matjen e disa parametrave. E kështu me radhë, deri më sot, njoha njerëz të rinj, vende të reja pune, kurdoherë me ngulmimin gati fëmijëror për të kryer me ta më të mirën e mundshme.
Kësaj vere shokët e mi të universitetit, më dhanë lajmin e hidhur se dega e fizikës, në fakultetin e Shkencave të Natyrës, do të mbyllet, sepse nuk ka më kërkesa dhe vende pune për ata që mund të diplomoheshin më tej. Merreni me mend dëshpërimin e atyre fizikanëve të rinj, që kanë studiuar këtu, ose jashtë, dhe që u duhet të ndërrojnë profesion, ose ta japin këtë lëndë të mrekullueshme në degë të tjera. Shpresoj dhe uroj që kjo ngjarje të jetë krejt e përkohshme, sikurse uroj, me gjithë zemër, që ndaj librit, në përgjithësi, të tregohet vëmendja e duhur, jo aq për sasinë e botimeve, sa për cilësinë e tyre.
Këshilla që u jap profesionisteve të reja është, me që çdo veprimtari krijuese kërkon reflektim e soditje jashtëzakonisht të përqendruar, të mos u duket një humbje e kotë kohe, të mos hezitojnë, të tregojnë veten përmes dhimbjes apo gëzimit në shkencë apo arte, në prozë apo poezi, në punën e përditshme, në më të thjeshtën prej tyre, në rritjen e fëmijëve, në dhënien e buzëqeshjes apo zemërimit të ligjshëm…
Sepse ka ardhur ajo ditë e shumëpritur për ne, që mund të kontribuojmë po aq sa baballarët, burrat, vëllezërit apo djemtë tanë, bile edhe mund t’u a kalojmë për nga cilësia, në se në profesionet tona do jemi po aq të mira saç dimë të jemi nëna.
Për veten kam një dëshirë të kahershme mbyllur thellë në sirtar :
Të kem aftësinë e shkrimit të një libri, që lidh dy fushat e mia të preferuara, një libër ku të trajtohet ajo harmoni e thellë që shfaqet në ligjet e natyrës, në kundërshti të plotë me mungesën e saj në shoqërinë njerëzore, të mund të gjeja atë fill të padukshëm që i bashkon, por që është e vështirë të dallohet, sa ç’është e padallueshme rritja e përditshme e diçka-je në lulëzim…Sepse ligjet e përgjithshme të fizikës janë krijime të lira të mendjes njerëzore, po ashtu si të gjitha veprat e shkruara, e në veçanti veprat letrare.