Dhjetor 2013
Diva e muzikës, Inva Mula ka dhënë një koncert të jashtëzakonshëm në Moskë, (Rusi) , duke u rikthyer me sukses në vendin e nënës së saj, Nina Mula, një nga sopranot më të njohura shqiptare, emrin e së cilës e mban sot, vajza e vogël, e artistes së madhe e cila këndon prej vitesh në sallat më të njohura të botës.
Këtë herë Inva Mula, këndoi në një nga sallat me prestigjioze te Moskës, në sallën që mban emrin e dirigjentit të famshëm rus Svetllqnov, e shoqëruar nga Orkestra Kombëtare Fizarmonike e Rusisë nën drejtimin e maestro Vladimir Spivakov, ku ajo është duartrokitur nga një publik i zgjedhur që kish mbushur sallën.
“Inva Mula, një artiste me një përvojë të jashtëzakonshme, me një bagazh të pasur operistik dhe me një zë të rrallë, interpretoi në skenën e Sallës së Madhe që mban emrin e dirigjentit të famshëm rus Svetllqnov në Shtëpinë Ndërkombëtare të Muzikës në Moskë , me maestro Vladimir Spevakov, Drejtues artistik dhe kryedirigjent i i Orkestrës Kombëtare Filarmonike të Rusisë e përbëre nga 100 muzikantë si dhe President i Shtëpisë Ndërkombëtare të Muzikës, një kompleks modern arkitektonik ”, shkruante pas koncertit, Olga Kolpakova njohëse e mirë e shqipes e cila ka studiuar në Uiversitetin e Prishtinës.
Në shkrimin e saj shkruar në gjuhën shqipe, Kolpakova, përkthyese e Kadaresë, përshkruan se , “salla e Madhe ishte mbushur jo vetëm me publik rus që çmuan talentin e vërtetë të Inva Mulës, por dhe nga dashamirës të shumtë të Shqipërisë, përfaqësues të trupit diplomatik në Moskë, nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë ne Federatën Ruse, Sokol Gjoka, përfaqësues të Ambasadës Franceze, Italiane. Gjermane etj. Në sallë ishin të pranishëm dhe studentët që vazhdojnë shkollimin në Rusi por edhe shqiptarët me banim të përhershëm e të përkohshëm në Moskë”.
“Inva pati një sukses të jashtëzakonshëm. Duartrokitjet të shoqëruar me brohoritjet Bravo, vazhduan gjatë dhe pas çdo arie interpretuar nga Diva e muzikës. Ato vazhduan sidomos pas skenës nga akti i tretë i operës Lucia di Lammermur (Il Dolce suono) të Gaetano Doniceti , të njohur në interpretimin e Invës pas filmit të Luk Bessonit “Elementi i pestë si dhe aries së Margaritës nga opera Faust të Sharl Gunos”, vijon artikullin e saj Olga Kolpakova , autore e shumë librave dhe artikujve shkencore, e cila ka punuar në ambasadën e Rusisë në Tiranë dhe aktualisht ka emisionin e saj në gjuhën shqipe në Radio Moska.
Duartrokitjet e brohoritjet janë shtuar kur Inva Mula këndoi në fund të koncertit, romancën e bukur të kompozitorit të famshëm rus Sergej Rahmaninov, “ Këtu ndihem mirë” /Zdesj horosho/ në gjuhën ruse.
Përqafime me maestro Vladimir Spevakov, puthje dore, përshëndetje të përzemërta me solistët e Orkestrës janë shoqëruar nga duartrokitje të gjata të publikut në sallë që u ngrit në këmbë gjatë kësaj mbrëmje për ti dhuruar shumë lule në fund të kësaj mbrëmje.
“Kalova emocione të jashtëzakonshme të cilat do të më shoqërojnë gjatë. Ishte një eksperiencë e mrekullueshme”, i tha Agjencisë Telegrafike Shqiptare, sopranoja e njohur e cila vlerësoi bashkëpunimin me Orkestrën Kombetare Filarmonike të Rusisë e duartrokitur nga publiku, veçanërisht kur maestro Spivakov mori në duar violinën e tij Stradivari.
Koncerti në Moskë i Inva Mulës ishte parajmeruar prej kohësh. Afishet me portretin e Invës ishin vendosur në skaje të ndryshme të Moskës dhjetë milionëshe. Kanale të ndryshme të Radios dhe të Televizionit në rubrikat kulturore dhe muzikore lajmëruan për koncertin e këngëtares shqiptare. Por e prisnin Invën dhe miqtë e saj – muzikantë të shumtë rusë, ndër të cilët edhe violinisti e dirigjenti i mirënjohur Vladimir Spivakov me bashkëshorten e tij.
Vladimir Spevakov, violinist e dirigjent i shquar, drejtues artistik i orkestrës së famshme “Virtuozet e Moskës” ishte i pari që e ftoi Inva Mulen në Rusi. Ishte dhjetor i vitit 1997 kur ajo këndoi në sallën e famshme të Konservatorit të Moskës i cili mban emrin e të madhit Pjoter Ilic Çajkovski.
Inva Mula, e kujton shpesh këtë mbrëmje jo vetëm për arsye që në sallën e madhe u mblodh ajka politike dhe artistike e Moskës, nga çifti Elcin dhe anëtarët e qeverisë ruse e deri tek muzikantet e njohur rusë, por edhe për emocionet e veçanta që ajo provonte kur në radhën e parë shikonte fytyrat e prindërve të saj, Ninës dhe Avniut, artistë me diploma të shkëlqyera të Konservatorit Çajkovski.
Dhe ai koncert pati një jehonë te jashtëzakonshme, ndërkohë që u realizua ëndrra e vjeter e babait të saj, Avni Mula, që shihte vajzën e tij në skenën e famshme të Konservatorit Çajkovski ku dikur kishte kënduar me një sukses të madh ai vetë. Por emocione të mëdha do të ketë provuar edhe nëna e Invës e cila preku suksesin e Invës, në kryeqytetin e atdheut të saj.
“Inva Mula jeton sot me një ritëm aktiv dhe lëviz shume nëpër botë, këndon në skenat më të famshme të metropoleve botërore. Inva Mula përfaqëson kulturën shqiptare shkruan”, Olga Kolpakova.
Ajo shton se, “në programin e koncertit në Moskë pas emrit e saj shkruhej në kllapa Shqipëri-France. Unë si ruse do të doja ta shtoja në mes Rusinë , sepse kur shoh sytë e Invës shoh një copë të kaltër të qiellit rus. Një autor shqiptar, e quati Inva Mulën një ikonë të artit shqiptar në botë. Dhe neve, rusëve, kjo ikone na pëlqen shumë ”, përfundon mikja e Shqipërisë shkrimin e saj.
Suksesi i Inva Mulës, në Rusinë e nënës së saj , nuk përfundon këtu.. !!!
Në dhjetor të 2014 , adhuruesit rusë të muzikës do të kenë kënaqësi ta dëgjojnë sërish zërin manitës të Inva Mules në Gala-Koncertin me rastin e inagurimit të godinës së re të teatrit te Helikon-Operas në Moskë me ftese të mikut te saj Dmitrij Bertman.