Energjia e Julinda Dhame janë qytetarët e Tiranës

Zonje qe ben Shqiperine – dhjetor 2018

Unë jam Julinda DHAME, drejtore e Promovimit të Bashkisë së Tiranës, një drejtori që kalon përtej kufirit të perceptimit të fushave që mbuloj në Bashkinë e qytetit, por që shkon deri tek sinergjia me bashkëqytetarët e mi.

Nuk mund të fsheh përgjegjësinë e madhe të detyrës që mbaj, që nuk mund të kufizohet me metrat katrorë të zyrave ku duhet të qëndroj unë dhe stafi im I drejtorisë së promocionit në këtë bashki. Madje, më duhet të pranoj, se nëse na kërkoni, nuk na gjeni nëpër zyra. Na gjeni në terren, duke folur me qytetarët, për nevojat e tyre, por edhe për përmirësimin e cilësisë së jetës.

Kur flas për përmirësimin e cilësisë së jetës, kam parasysh faktin se nevojat e qytetarëve të Tiranës nuk lidhen vetëm me ujin e pijshëm në rubineta, apo rregullimin e rrjetit të kanalizimeve; nuk lidhet veç me rregullimin e rrugës e pusetave apo korsinë e biçikletave; nuk lidhet vetëm me kopshtet e shkollat; nuk lidhet vetëm me parkingjet apo administrimin e pallateve; nuk lidhet veç me mbledhjen e taksave dhe tabelën e investimeve….Jo se këto fusha janë të parëndësishme. Absolutisht.

Por në komunikimin me qytetarët vërejmë  se  i rëndësishmwm është aktiviteti i tyre, jashtë derës së shtëpisë, shkollës, vendit të punës. Jeta sociale, kulturore, artistike e një qyteti është zemra që rreh për të, energjia për të menduar pozitivisht, për të bërë punë me të mira në ditën që pason dhe për të menduar në fund të ditës para se të shkosh në shtrat: Si e kalova ditën sot dhe çfarë pretendoj te ndryshoj nesër.

Thënë kështu, ndokush mund të mendoj se kjo që po shpreh është e parakohshme. Por dua t’i garantoj të gjithë se jo. Një qytet që lëviz pozitivisht për të ndryshuar jetën e njerëzve, mendon paralelisht për ta zbukuruar ditën e tyre.

Padyshim, aktivitetet promovuese të qytetit janë një diapazon i gjerë. Në drejtorinë e Promovimit, unë dhe stafi që drejtoj mendojmë se ç’duhet të bëjmë jo nesër, (sepse nuk punojmë vetëm sot për sot e sot për nesër), por në plane afatgjata që kur i sheh të realizuara, të duket se kanë qenë kështu gjithmonë.

Por jo. Situata nuk ka qenë kështu. Situata ka ndryshuar këto katër vite dhe padyshim, do të jetë në përmirësim të vazhdueshëm edhe më tej.

Nuk di sesa nga ju i mbajnë mend palestrat e shkollave të qytetit të Tiranës, si dhe hapësirat dhe fushat sportive rreth tyre. Ishin vende që braktiseshin prej mesditës, pasi dryni u vihej shkollave. Ishin vende ku degradimi i godinave, kishte çuar dhe degradimin e jetës sportive të fëmijëve të këtij qyteti.

Pas një pune të gjatë, sot shihni ambientet e palestrave dhe ambienteve përreth në funksionim të plotë. Janë me mijëra prindër, që shoqërojnë fëmijët e tyre në kurse sportive futbolli, basketbolli, volejbolli, tenisi, atletike…grupe të organizuara trajnerësh që me përgjegjësi të plotë u japin fëmijëve atë që u kishte munguar: Largimin nga lojërat PSP në kompjuter, apo telefonave celularë. Fëmijë energjikë, me dashurinë për sportin, me iniciativën e organizimit, me konkurrime edhe mes shkollave e gjimnazeve, është panorama e sotme, falë një pune të mirëmenduar e një programi të detajuar të promovimit të qytetit. Padyshim programi vazhdon. Ka ende shumë për të bërë. Por ne e kemi nisur, dhe e pranoj me bindje, se e kemi nisur shumë mirë.  E kush mund ta kishte menduar më parë traditën e konkurrimit artistik të fëmijëve të shkollave të qytetit. Me një grafik të menduar, me shpirtin e garës, me ankthin e konkurrencës dhe dëshirën për të qenë të parët, sot, nga qendra e Tiranës drejt zonave në periferi të saj, ka grupe të tëra artistike të shkollave që konkurrojnë me njëra tjetrën. Janë me mijëra fëmijë talente, në art, muzikë, pikturë, kërcim,vegla muzikore dhe interpretim, që i japin frymëmarrje jo vetëm institucioneve ku arsimohen, por edhe komunitetit të zonave ku qëndrojnë. Ka me qindra nëna e baballarë që na falënderojnë për mundësinë e organizimit që u kemi dhënë të rinjve; i kemi hequr ata nga kafenetë për t’i futur në programe e kurse parashkollore…aty ku duhet të mendojnë shumë e të punojnë fort për të qenë të parët. E kush e ka provuar njëherë këtë eksperiencë, nuk e ka lënë asnjëherë.

Po pse të mos lavdërohet puna e madhe që kemi bërë për programet dhe projektet e leximit dhe rikthimit të bibliotekave në çdo lagje të qytetit. Eshtë kaq entuziaste situata kur sheh me mijëra të rinj që u drejtohen sallave të leximit, marrin librat, i shkëmbejnë me njëri tjetrin, debatojnë mes tyre dhe me të ftuar, organizojnë orët e leximit aktiv, ftojnë personazhe të njohur për tu folur për librin.

Po si mund të mendohet një qytet i gjallë i të rinjve pa aktivitetet festuese e promovuese të tij: Maratona e Tiranës sot është një event që kalon përtej kufijve të qytetit e të Shqipërisë, me shtrirje mbarëkombëtare. Koncertet e panumërta, artistë vendas dhe të huaj, që ngrenë padyshim temperaturën e qytetit; e bëjnë Tiranën një kryeqytet të përmasave evropiane, kryeqytet për të cilin flitet pozitivisht edhe për këto koncerte në mediat më prestigjioze ndërkombëtare.

Po janë aktivitetet e traditës së Tiranës, ato të harruarat, të bojkotuarat, të lëna në pluhurin e sëndukëve pa nam e nishan, a thua se amvisat kanë harruar, apo se asgjë nuk duhet të ndryshonin. Nga Baldushku, Farka, Ndroqi, Shëngjergji e çdo zonë tjetër, ka me dhjetëra aktivitete që impenjojnë komunitetin e këtyre zonave, për të qenë një dritare promovimi shumë më e madhe për qytetin tonë.

Unë them gjithmonë se kjo nuk është një punë personale e imja, as vetëm e punonjësve të drejtorisë që unë drejtoj apo e vetë bashkisë së Tiranës. Padyshim, është vizioni i kryebashkiakut, hapësira që u lë ai stafit të cilit i ka besuar detyrën e promovimit të qytetit, e për më tepër, i qytetareve të saj. Janë ata ideatorët e lëvizjes së ujërave të ndenjura për shumë kohë të këtij qyteti. Ata, të cilët, pas një dite të lodhshme pune mendojnë sesi do të kalojnë kohën e lirë, vetëm apo me fëmijët e tyre. Ata që kërkojnë pafundësisht lehtësira për aktivitete social-kulturore në çdo dëgjesë që ne bëjmë në zona.

Nisma me Albanian Excellence

Unë e shoh me interes të ndërsjelltë bashkëpunimin tim me Albanian Excellence. Ajo që unë po bëj dhe që do të bëj është që do të vazhdoj përsëri me promovimin e qytetit dhe të vlerave të këtij vendi, të vlerave të të gjithë neve dhe të njerëzve. Gjithashtu kam edhe një gjë, që dua shumë t’i dedikohem femrave shqiptare dhe besoj që në të ardhmen do t’i kushtohem pikërisht kësaj. Ky është një premtim dhe është një premtim i vërtetë nga një femër sepse femrat e mbajnë fjalën. Femra për mua në Shqipëri është heroinë, bën gjithçka, pastron shtëpinë, i dedikohet familjes, i dedikohet prindërve, i dedikohet shumë punës dhe i dedikohet shumë njerëzve me të cilët e lidh puna. Dhe bën gjithçka brenda një dite.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *