Frederik Ndoci  duke kënduar  “Ave Maria” i dorëzon “Grand Excellence 2024” – “Trio Clasico Italiano”  

 Vlorë, 29 janar /AE/- Albanian Excellence çeli vitin 2024 me një  nderim në qytetin e Vlorës për Trio Clasico  Italiano, e përbërë nga Laura Cuku Hodaj  violinë, Fabio Battistelli, profesor në Konservatorin e  Firences, muzikant i nivelit ndërkombëtar (klarinetë)  dhe Valentina Antonelli (violinë).

Në një koncert të organizuar nga kjo trio, të dielën në mbrëmje, në Kishën katolike të qytetit bregdetar,  “San Luigi  Gonzaga e Santa Maria “, artistët sollën për të pranishmit muzikë të dy vendeve, Italisë dhe Shqipërisë, si një homazh per kulturën dhe artin e tyre, kur sot i bashkojnë më shumë se asnjëherë,  si ura lidhësë, pikërisht emigrantët shqiptarë të ikur vite më parë nga Shqipëria por që sot janë  ambasadorët e vërtetë të  jetës kulturore por edhe të dinjitetit  njerëzor dhe profesional.

Koncerti i ndërtuar mbi këtë koncept solli emocione duke duatrokitur muzikën e Ennio Morricone, mjeshtrit të muzikës italiane të njohur nga publiku shqiptar për gjatë karrierës së tij brilante  si muzikant ,por edhe të këngëve të njohura shqiptare , si “Dua më shumë Shqipërinë”, “Kur jemi bashkë ne të dy “, sikundër me shumë emocione u prit edhe interpretimi i himnit shqiptar që celi pjesën e  homazhit për Shqipërinë.

  Ura lidhëse  se pse Albanian Excellence  shkoi në Vlorë, është violinistja Laura Cuku , e shpallur dhjetë vite më parë nga kjo qëndër, si “Histori suksesi”, kur organizoi një mega projekt në nderim të suksesit vlonjat në botë.

Pavarësisht se kanë kaluar vite, Laura Cuku, gjithmonë ka qënë aktive jo vetëm  si muzikante në vendin ku jeton prej vitesh në Itali , por edhe me Albanian Excellence, ne të gjitha nismat dhe misionet që kjo qëndër ka ndërmarrë në misionin e saj për të nderuar, respektuar dhe për të evidentuar suksesin shqiptar në botë .

Kjo ishte arsyeja  që duke vlerësuar edhe organizimin e këtij koncerti,  bordi i Albanian Excellence, vendosi  të shpallë në nisje të vitit 2024 , si një ogur të mbarë, këtë trio si,  “Grand Excellence 2024”, me motivacionin  “Nderohet me cmimin “Grand Excellence 2024” , për kontributin në evidentimin profesional të muzikës së dhomës, për pasionin , përkushtimin, artistik në jetën muzikore në Itali dhe jo vetëm “.

Këtë çmim Trio Clasico Italiane ishte paracaktuar t’ia dorëzonte, Laura Cukut , artisti i nivelit ndërkombëtar, Frederik Ndoci , i shpallur  nga Albanian Excellence, në dhjetor të vitit 2023, si “Grand Excellence 2023”, pas një morie çmimesh që ky artist ka marrë në një sërë vendesh në botë por edhe në Shqipëri.

Por të papriturat e protokollit që ti vendos , ndonjëhërë thyhen pa dashje  përballë spontanitetit që jep adhurimi  pa kushte që njerëzit kanë për një artist të madh sikundër është Frederik Ndoci.

 Publiku që kish mbushur  sallën  në fund të koncertit, teksa po ndiqeshin rregullat protokollare që duhet të përmbush dhënia e një cmimi, këmbëngulte që Frederik Ndoci, të ngjitej në skenë me një nga këngët e tij .

Dhurata më e bukur për një artist, është  adhurimi i publikut, dhe kjo  ju dhurua në mënyrë kaq të vërtetë dhe njerëzore, Frederik Ndocit.

Mes dyzimit  të dhënies së cmimit , interpretimit dhe duatrokitjeve të publikut që priste të dëgjonte mrekullinë e zërit te tij,  Frederik Ndoci i dorëzoi këtë certifikatë  ne emër të Albanian Excellence, Laura Cukut, duke vijuar me interpretimin hyjnor acapella të  Ave Maria , për të vijuar  bashke me publikun,  këngën e dashur për të gjithë, “Kur jemi bashkë ne të dy “.

Duatrokitje, përqafime, foto, premtime për tu takuar sa më shpejt, shoqëruan fundin e kësaj mbrëmje të bukur, ku Frederik Ndoci,me dimensionin e tij njerëzor dhe artistik, ’ theu pa dashjen e tij’ , protokollet e ngurta,  duke vërtetuar  se kur publiku të don , rregullat dhe misionet  zbehen dhe mbeten në vend , përballë të vërtetës gjeniale që ka një artist i madh…!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *