Hero-Covid 19 : Urgjenca është ora e artë e Dr. Skënder Brataj

Flora Nikolla shkruan :

Pogradec, 30 Qershor/AE/.- Dr. Skëndër Brataj, thotë në këtë intervistë se që të bëhesh mjek, do të thotë të marrësh parasysh se do të jesh student gjithë jetën, të sakrifikosh veten, por mbi të gjitha familjen.Të bëhesh mjek, do të thotë të mbizotërojë humanizmi,  të jesh pa paragjykime të rracës, fesë, nivelit shoqëror dhe atij intelektual.  Ai thotë se që të bëhesh mjek, do të thotë që ditët e javës të jenë të gjitha njësoj, që në festat e familjes, të shoqërisë apo të miqësisë të jesh në pikëpyetje per praninë tënde , të bëhesh mjek, do të thotë etikë dhe deontologji, të japësh më shumë dhe të marrësh më pak.

Pas 27 vitesh me një karrierë suksesi, mes Shqipërisë dhe Italisë,  mjeku i njohur, aktualisht drejtor i Urgjencës Kombëtare, bën një listë të gjatë të vetive dhe aftësive që duhet të ketë një mjek.

Por në këtë intervistë duket se pavarësisht diplomave që ka në mjekësi,  urgjenca ka qënë dhe është lajtmotivi i jetës së tij.  Sepse , për doktor Brataj, rikthimi në jetë i një personi nuk ka çmim, nuk ka përshkrim, nuk ka kënaqësi më të madhe, është njësoj sikur ta filloj jetën nga e para dhe këtë mundësi ia ke dhënë ti. Ai thotë se urgjenca të mëson të bësh injeksione, të bësh lindje në banesë ose ambulance, të trajtosh infarktin dhe arrestin kardiak, të shpëtosh të aksidentuarit, të trajtosh të gjitha llojet e sëmundjes në orën e artë!

Sepse për Dr.Brataj, të kthesh në jetë një person që ka bërë vdekje klinike dhe të takohesh përsëri mbas disa muajsh ose vitesh është e pa shlyeshme, është një ndjesi që e përjeton në të njëjtën mënyrë sa herë ajo riprezantohet. Të hysh në shtëpitë e njerëzve çdo ditë sa herë që ata kanë nevojë për ndihmë mjeksore, pavarësisht nivelit shoqëror, profesional, kulturor apo çdo diference tjetër, më bëri që të krijoja një pasuri të të gjitha këtyre eksperiencave. Trajnimet e menjëherëshme teoriko-praktike dhe futja në botën e mësimdhënies, transmetimi, i ekperiencës ishin një tjetër hobi i  Dr.Brataj, i krijuar dhe forcuar në vite.

I shpallur nga Albanian Excellence me titullin,  “Hero Covid 19”,  Dr. Brataj ka qënë nga nisja e Pandemisë Botërore , në  ballë të kësaj lufte çdo ditë, përjashtuar ditët kur ai vetë u prek nga ky virus që vuri kurorën në të gjithë planetin tonë pa pyetur njeri.

Ai ka qënë çdo ditë me njerëzit, me pacientët, duke u kujdesur për shëndetin , ankthin, panikun, e kësaj periudhe që nisi  nga nëntori i vitit të kaluar kur ndodhi tërmeti në Shqipëri  dhe në vazhdim me Sars-Cov2.  E gjitha është  një përgjegjësi shumë e madhe,  pasi  njerëzit besojnë jetën e tyre dhe njerëzve më të afërt në duart tona, gjënë më të shtrenjtë, gjënë më të çmuar, shkruan ai në këtë intervistë  duke cilësuar se, “kjo pandemi na solli në pah që ne mjekët, ne personeli mjekësor kemi një mision, kem një detyrim, kemi një përgjegjësi shumë të madhe, ne nuk kemi thjesht një profesion”.

Por ai e konsideron këtë situatë dhe një ngarkesë emocionale shumë të madhe, një moment kritik ku përballja me stresin, me virusin, me njerëzit, me ambjentin, me profesionistët me rrjetet sociale është tejet e ngarkuar dhe tejet konfuze.

Durim, durim, durim, çdo gjë kalon, është apeli i dr. rataj në këtë intervistë duke shtuar se si “çdo sëmundje infective dhe ov 19, ka një fillim, një avancim dhe një fund. Në këtë moment do të bashkëjetojmë për disa kohë me të, duke respektuar njëri-tjetrin. Monitorimi dhe menaxhimi i kësaj pandemie duhet të jetë,me sa më pak humbje”

Më poshte ju ftojmë të lexoni, intervistën e plotë që Dr, Skëndër Brataj i dha Albanian Excellence pë librin  “Hero Covid 19”. një libër me intervista me mjekët shqiptarë kudo në botë që kanë qënë në ballë të luftës kundër Covid 19.

F.N: Cilat janë disa nga karakteristikat që duhet të ketë një njeri për të qënë mjek …?

S.B: Mjekësia është një shkencë jo si gjithë të tjerat. Shkenca mjeksore,është shkenca më dinamike, në ndryshim të përhershëm, shkenca që i kthehet dhe rikthehet ligjeve dhe normave të saj më shumë se çdo shkencë tjetër. Të bëhesh mjek, do të thotë të marësh parasysh se do të jesh student gjithë jetën. Të bëhesh mjek, do të thotë që do të sakrifikosh veten, por mbi të gjitha familjen. Të bëhesh mjek, do të thotë të mbizotërojë humanizmi, do të thotë të jesh pa paragjykime të rracës, fesë, nivelit shoqëror dhe atij intelektual. Të bëhesh mjek, do të thotë që ditët e javës janë të gjitha njësoj, të bëhesh mjek do të thotë që në festat e familjes, të shoqërisë apo të miqësisë të jesh gjithmonë në pikëpyetjen e pranisë tënde në to. Të bëhesh mjek, do të thotë etikë dhe deontologji, do të thotë që do të japësh më shumë dhe do të marrësh më pak. Ndoshta të gjitha këto gjëra i mëson shumë mirë pas disa vitesh pasi ke nisur profesionin e mjekut, jo në momentin e zgjedhjes së këtij profesioni. Është normale dhe e thjeshtë që pas 27 vite pune, të bësh një listë të gjatë të vetive dhe aftësive që duhet të ketë një mjek.Në momentin kur zgjedh mjeksinë je më shumë i ndikuar nga prindërit, nga opinioni dhe nga paraqitja e filmave dhe imazheve të figurës së mjekut.

F.N: Dhe pse zgjodhët ju të bëheshit mjek ?

S.B: Mjekësi do të thotë humanizëm, të ndihmosh njerëzit në nevojë nëpërmjet një profesioni. Në Kaninë të qytetit të Vlorës ku unë linda dhe u rrita që fëmijë, në shkollën fillore ishte bërë traditë që fëmijëve që shkonin mirë me mësime tu thuhej:“Do të bëhesh doktor si filani”, pasi ka qenë një traditë e mirëfilltë dhe e bukur, ku çdo brez ka pasur mjekë shumë të mirë. Sa herë kaloja para spitalit të Vlorës kur isha fëmijë, më dukej sikur brenda atyre mureve, kishte vetëm heronj. Po ashtu me mbarimin e gjimnazit në ato vite, kur bëhej kërkesa për bursat e studimit në degët që duheshin zgjedhur viheshin tre kërkesa. Natyrisht që zgjidhje të parë vendosa mjeksinë sepse ishte mënyra më e mirë për të ndihmuar.

F.N: Cilat ishin fillimet tuaja ?

S.B:Mbas mbarimit të gjimnazit Ali Demi në Vlorë filloi Fakulteti i Mjeksisë i shumë pritur në vitin 1987. Vitet e para kaluan në rutinën e viteve të fundit të komunizmit. Ne u gjendëm pas dy vitesh në vitin 1989 me rrëzimin e murit të Berlinit dhe ndryshimet që përfshin Europën Lindore. Kjo valë ndryshimesh mbërriti në Shqipëri në dhjetorin e vitit 1990 ku ne studentët u gjendëm në një moment kyç të historisë së vendit tonë. Më kujtohet kur në ditët e para të dhjetorit mbërrinin te spitali numër 2, te kirurgjia siç i thoshim ne atëhere, studentët e parë të keqtrajtuar nga policia apo Sigurimi i shtetit. Kështu që u organizuam dhe pas tre ditësh që studentët vazhdonin protestat në qytetin studenti ti bashkoheshim atyre. Atë mëngjes dhjetori, unaza e Tiranës u mbush si asnjëherë nga Fakulteti i Mjeksisë deri te rruga e Elbasanit, ku do të na vendoste para një surprize jo të këndëshme. Aty ishte policia dheushtria me  tanket e saj që kishin bllokuar hyrjet për nëqytetin studenti. Për fatn e mirë pati vetëm disa goditje dhe shtyrje nga ana e policisë dhe nuk u ndërhy me mjete të tjera. Mbërritja jonë në Qytetin Studenti u prit me ovacione nga studentët e protestës:“Erdhi mjekësia, erdhi mjekësia” emocione që i kujtoj edhe sot me kënaqësi. Në vitin 1990,  për mungesë infermierësh kërkoheshin studentë të Fakultetit të Mjeksisë nëse donin të punonin infermier gjë të cilën e shfrytëzova menjëherë pasi unë isha me gjysëm burse dhe kushtet ekonomike të atëhershme ishin shumë të vështira, sidomos për familjet e mëdha si ishte e imja ku ne ishim pesë fëmijë. Mbarimi i Fakultetit ishte një surprizë shumë e keqe për ne pasi ishim brezi i parë i mjekëve që nuk u emëruam, por na çuan në asistencë për një vit. Tundimet e ikjes me hapjen e ambasadave ishin shumë të mëdha, por sakrifica që kisha bërë për të hyrë në Fakultetin e Mjekesisë nuk mund të harroheshin, kështu që vendosa ta mbaroja atë. Dëshira për të ikur ishte e madhe dhe mjaftoi edhe mos emërimi që të përshpejtohej ikja në Itali. Fillimet e emigracionit si çdo shqiptar pa dokumenta dhe dëshira e madhe për ndjekjen e fakultetit po ktheheshin në një obsesion.

F.N: Si do ta përshkruanit në këtë intervistë karrierën tuaj të gjatë si mjek ?

S.B: Unë me mbarimin e Fakultetit nuk punova si mjek në Shqipëri siç shpjegova më lart, por kujtoj me kënaqësi ekperiencën e vitit 1990-1991-1992 si infermier te gjashtëkatëshi si i thonim ne atëherë. Mbas peripecive të dokumentave në Itali munda të hyja në Fakutetin e Mjekesisë në Torino duke u diplomuar në vitin 1996. Gëzimi i marrjes së diplomës në Fakultetin e Mjeksisë të Torinos, vazhdoi pak kohë, pasi vetëm një muaj më vonë më mbërriti letra nga Urdhëri i Mjekut të Torinos, ku më njoftonte se nuk mund të punoja mjek në Itali, pasi nuk isha qytetar italian dhe nuk kisha hyrë në Itali para vitit 1990. Falë eksperiencës dhe punës si infermier në Shqipëri munda të filloja punën infermier në komunitet e sëmundjeve mendore dhe në shtëpitë e pleqve për gati dy vjet.  Në vitin 1997-1998 mungesa e mjekëve në Itali bëri që të huajt që ishin diplomuar në Itali mund të shkruheshin te Urdhëri i Mjekut dhe të punonin.

Kështu filloi karriera ime si mjek, në fillim si guardia medica. Disa muaj më vonë bëra kërkesë në urgjencë për punë pasi aty sigurohej edhe mundësia e një specializimi në urgjencë, gjë të cilën e shfrytëzova mënjëherë. Hyrja në urgjencë ishte një rikthim në atë sektor adrenergjik por këtë herë si mjek, një ëndërr e realizuar gati pas dhjetë vite që kisha filluar studimet për mjeksi. Urgjenca e spitaleve të Torinos, e ambulancës, e centralit operativ u bënë jeta ime profesionale.

F.N: Ekperienca juaj në  Itali, cilat janë disa nga përfitimet tuaja profesionale ne vendin fqinj ?

S.B: Pata fatin të punoja pothuajse në të gjitha spitalet publike të Torinos, në urgjencat e tyre për shkak të riorganizimeve të ndryshme që pësoi sistemi i urgjencës. Të kthesh në jetë një person që ka bërë vdekje klinike dhe të takohesh përsëri mbas disa muajsh ose vitesh është e pa shlyeshme,është një ndjesi që e përjeton në të njëjtën mënyrë sa herë ajo riprezantohet. Të hysh në shtëpitë e njerëzve çdo ditë sa herë që ata kanë nevojë për ndihmë mjeksore, pavarësisht nivelit shoqëror, profesional, kulturor apo çdo diference tjetër, më bëri qëtë krijoja një pasuri të të gjitha këtyre eksperiencave. Trajnimet e menjëherëshme teoriko-praktike dhe futja në botën e mësimdhënies, transmetimi,i ekperiencës ishin një tjetër hobi i krijuar dhe forcuar në vite. Në shërbimin e urgjencës duhet që të trajnohesh jo vetëm për shpëtimin e jetës dhe uljen e invaliditetit, por trajnimet janë të gjithëanëshme edhe përsa i përket menaxhimit të situatave kritike të eventeve të mëdha, qëështë një art më vete. Italia pati shumë evente sportive si Olipiada dimërore e Torinos në vitin 2006, por edhe fatkeqësi si tërmete dhe përmbytje ku unë morra pjesë aktive në to. Hyrja në shoqatat shkencore italiane dhe botërore, hyrja në bordet e tyre janë një tjetër eksperiencë e vyer për një profesionist të shëndetit, bashkëpunimi dhe krijimi i grupeve të punës shkencore janë pasuri e çdo shërbimi dhe e çdo shteti.

F.N: Në këtë karrierë të gjatë, cila është pjesa e profesionit tuaj,  që ju tërheq më shumë ?

S.B: Unë kam marrë dy diploma të tjera në mjekësinë Antiaging dhe mjeksia dhe terapia estetike, por urgjenca është bërë lajtmotivi i jetës time. Rikthimi në jetë i një personi nuk ka çmim, nuk ka përshkrim, nuk ka kënaqësi më të madhe, është njësoj sikur ta filloj jetën nga e para dhe këtë mundësi ja ke dhënë ti. Urgjenca të mëson të bësh injeksione, të bësh lindje në banesë ose ambulancë. Të trajtosh infarktin dhe arrestin në çdo situatë. Të shpëtosh të aksidentuarit, të trajtosh të gjitha po të gjitha llojet e sëmundjes në orën e artë!

F.N: Pse vendosët të riktheheshin në Shqipëri ?

S.B: Nga viti 2003-2004 kam qenë gjithmonë prezent në Shqipëri, pasi krijova mundësi për të ndihmuar sado pak vendin tim. Në vitin 2004 kërkova një bashkëpunim me Fakultetin e Mjeksisë për futjen e urgjencës si specializim gjë e cila nuk shkoi ashtu si unë doja por për fatin e mirë u bë disa vite më vonë.

Në vitin 2005 solla një ambulancë qytetit të Vlorës, në vitin 2008 solla një ambulancë tjetër për qytetin e Kavajës. Në vitin 2009 isha koordinator i një trajnimi për mjekët e urgjencave të spitaleve të Shqipërisë të kryer nga regjioni i Piemontit me pjesëmarrjen e tre spitaleve të Torinos. Pasi nuk munda të jepja kontributin tim në Fakultetin e Mjeksisë fillova një trajnim bazë për dhënien e ndihmës së pare dhe defibrilimit duke filluar nga qyteti im Vlora dhe për fatin e mirë shumë kolegë më ndoqën dhe e përqafuan atë ide që vazhdon edhe sot. Nga viti 2011 deri në vitin 2015 krijova mundësinë që ky kurs të realizohej në të gjitha trojet shqiptare si Kosovë, Ulqin , Preshevë dhe Maqedoni. Duke punuar në një vend si Italia dhe duke qenë prezent shumë herë në Shqipëri, bëja krahasimin e nivelit të urgjencës mjeksore midis dy vendeve. Kur Ministria e Shëndetësisë më kërkoi të jepja ndihmën time në vitin 2015 nuk kisha si të refuzoja pasi kisha kaq vite që po kërkoja një ndryshim të urgjencës mjeksore. Mendova të kthehem të bëj një gjë që di të bëj, në vendin tim ku e shikoj që mungesat janë të mëdha.

F.N: Jeni bërë ndonjëherë ‘pishman’ që jeni kthyer  në vendin tuaj ?

S.B: Jo, sepse erdha me dëshirë të bëjë një gjë që di të bëj. Jo, sepse një profesionist pasi plotësohet nga ana profesionale, ekonomike, pasi pasurohet me një eksperience pune disa vjeçare, sidomos në urgjencë duhet ta transmetojë atë mjekëve të rinj, brezit të mjekëve të ardhshëm. Unë erdha të ndihmoj vendin tim, të jap kontributin tim. Ka ardhur koha të themi: “Unë bëra diçka për vendin tim”

F.N: Cili është stadi i urgjencës shqiptare sot ?

S.B: Urgjenca është porta e hyrjes së qytetarëve në spitale, urgjenca është shërbimi që troket në portën e qytetarëve. Urgjenca është një proces dinamik që sot ka filluar të marrë pamjen e saj të vërtetë. Është në proces plotësimi sipas standarteve bashkëkohore. Duhet akoma më shumë mbështetja institucionale dhe ajo e qeverisë për plotësimin e saj.

F.N: Çfarë do të donit të përmirësonit ende ?

S.B: Nivelin e standarteve dhe të përgjigjes qëështë në gjendje të bëjë ky shërbim. Përmirësimi i urgjencës spitalore, trajnimet dhe kompetencat e mjekut dhe personelit mbështetës të urgjencave.

F.N: Cila ka qenë përshtypja juaj në fillimet e para të përhapjes së Covid 19. Si e keni konsideruar ? Pse lindi dhe pse u përhap?

S.B: Sars-Cov2 kapi të gjithë botën në befasi. Bota i ka njohur prej shekujsh këto pandemi infektive. Një infeksion i ri është gjithmonë i rrezikshëm për jetën, gjë që do të thotë rritje e vigjilencës dhe kujdesit në maksimum. Konsiderohet me vdekshmëri të lartë në moshat e thyera dhe në pacientët me patologji shoqëruese. Transmetimi nga kafshët te njeriu vonon disi, por transmetimi nga njeriu te njeriu është shumë më i shpejtë dhe i pa kontrollueshëm.

F.N: Dhe më pas ?

S.B: Më pas duhet të përgatitemi të bashkëjetojmë me virusin për disa kohë. Duhet zbatim i rregullave dhe higjenës për një kohë të gjatë deri në bllokimin e transmetimit të infeksionit. Vetëm respektimi i rregullave dhe higjenës ndikojnë drejtpërdrejt në parandalimin e tij.

F.N: Keni qënë në vijën e parë në këtë pandemi botërore në Shqipëri…

S.B: Në momentin e parë që lindi epidemia në Kinë ne filluam përgatitjet për të përballuar këtë situatë. Kur infeksioni u paraqit në Itali ne filluam disa proçese në të njëjtën kohë si të materialeve, të rekrutimit të personelit dhe të trajnimit të tyre. Kontrolli nga QKUM, u bë pika kryesore e kësaj pandemie. Kontakti me shumë profesionist dhe trajnimi i tyre bëri që të kisha kontakt me shumë njerëz. Rastet e para të identifikuara në Tiranë, efekti që mediat botërore dhe vendase kishin transmetuar një imazh të rëndë të kësaj situate, aq sa edhe ekipet mjekësore ngurronin të shkonin në shërbim. Kjo bëri që personalisht të shkoja në rastet e para, gjë që më ekspozoi jashtë mase deri në fillimin e një normaliteti.

F.N: Cila ishte ndjesia juaj ku kuptuat që ishit të infektuar ?

S.B: Ato ishin ditë të ngarkuara me punë, stres, detyrime institucionale dhe profesionale si për organizim dhe për hartim të protokolleve të menjëhershme. Ndjesia ishte prezente kur filluan simptomat e sëmundjes dhe e mendova menjëherë që isha infektuar edhe pse nuk e kisha bërë tamponin akoma. Më pas thashë,ok jam infektuar dhe duhet përballuar sëmundja. Kohëzgjatja e saj dhe niveli i agresivitetit të bëjnë të mendosh edhe për jetën tënde.

F.N: Ndjesia dhe mendimi i parë që ju erdhi ndërmend kur ju thanë që ishit shëruar…

S.B: Unë gjendjen time e kontrolloja çdo ditë dhe po e shikoja përmirësimin. Edhe pse tamponi i parë pas dy javësh doli përsëri pozitiv. U negativizua vetëm pas javës së tretë.

Megjithatë, njeriu ka nevojë për një konfirmim dhe për fatin e mirë erdhi përgjigja që isha negativizuar. Kënaqësia e lajmit që je shëruar është një ndjesi shumë e këndshme që shpesh herë e harrojmë, të jeshë i shëndetshëm mund të përballosh çdo sfidë.

F.N: Cilat kanë qënë ndjesitë tuaja profesionale që doni të përshfaqni në këtë intervistë lidhur me këtë pandemi ?

S.B: Ne jemi çdo ditë me njerëzit, me pacientët tanë, ne i dëgjojmë ata për shëndetin dhe hallet e tyre çdo ditë, por ankthi dhe paniku i kësaj periudhe ishte diçka e jashtzakonshme sepse ka disa muaj që nga nëntori i vitit të kaluar kur ndodhi tërmeti dhe në vazhdim me Sars-Cov2. Ndjesitë e kësaj pandemie ishin dhe janë një sensacion tjetër, janë një përgjegjësi shumë e madhe. Njerëzit besojnë jetën e tyre dhe njerëzve më të afërt në duart tona, gjënë më të shtrenjtë, gjënë më të çmuar. Kjo pandemi na solli në pah që ne mjekët, ne personeli mjekësor kemi një mision, kemi një detyrim, kemi një përgjegjësi shumë të madhe, ne nuk kemi thjesht një profesion!

F.N: Po në planin njerëzor ?

S.B: Është një përgjegjësi shumë e madhe, është një moment shumë kritik të jesh në një pozicion të caktuar ku diskutohet jeta jote, ekzistenca jote dhe ti duhet akoma të vendosësh për të tjerët. Është një ngarkesë emocionale shumë e madhe, është një moment kritik ku përballja me stresin, me virusin, me njerzit, me ambjentin, me profesionistët me rrjetet sociale është tejet e ngarkuar dhe tejet konfuze. Durim, durim, durim, çdo gjë kalon!

F.N: A keni patur frikë në këtë situatë doktor ?

S.B: Të gjithë jemi human, të gjithë kemi frikë nga e panjohura. Gjëja më e mirë për ta menaxhuar frikën  dhe më tej për ta larguar është shikimi retrospektiv i historisë mjekësore. Studimi i pandemive të kaluara me detaje, që nga shkaqet, pasojat dhe rikthimi në normalitet. Studimi i të kaluarës është ilaçi më i mirë. Aty i gjen të gjitha përgjigjet që të duhen, aty shikon ku është gabuar dhe si duhet bërë më mirë.

F.N: A mund të tregoni një histori tuajën që ju ka lënë mbresë në këto ditë të vështira  ?

S.B: Humanizmi injërëzve të thjeshtë, afërsia, ngrohtësia dhe forca që të japin me mesazhet e tyre. Përshëndetjet e tyre në rrugë, institucione, rrjete sociale dhe identifikimi si një profesionist që do ti ndihmosh ata. Historitë janë të shumta që ndoshta një ditë do tikujtoj me kënaqësi.

F.N: Si e shihni të ardhmen e  Covid-19 ?

S.B: Si çdo sëmundje infektive që ka një fillim, një avancim dhe një fund. Në këtë moment do të bashkëjetojmë për disa kohë me të, duke respektuar njëri-tjetrin. Monitorimi dhe menaxhimi i kësaj pandemie me sa më pak humbje.

F.N: Cili është një mesazh që donit të jepnit për mjekët në këtë periudhë ?

S.B: : Është një përgjegjësi shumë e madhe, është një moment shumë kritik të jesh në një pozicion të caktuar ku diskutohet jeta jote, ekzistenca jote dhe ti duhet akoma të vendosësh për të tjerët. Është një ngarkesë emocionale shumë e madhe, është një moment kritik ku përballja me stresin, me virusin, me njerzit, me ambjentin, me profesionistët me rrjetet sociale është tejet e ngarkuar dhe tejet konfuze. Durim, durim, durim, çdo gjë kalon!

F.N : Si i shihni ju mjekët e së ardhmes ?

S.B: Kënaqësi e veçantë janë mesazhet e studentëve të mi, urimet e tyre për tu shëruar sa më shpejt, ata janë viti iparë dhe sapo kanë filluar të mësojnë ndihmën e parë mjeksore. Në leksionin e parë zakonisht flasim për zgjedhjet e tyre, për aspiratat dhe pritshmëritë që ata kanë mbas mbarimit të fakultetit. Në prezantimin e Njësisë së Koordinimit ata shikojnë mjekët dhe infermierët e rinj që me profesionalizëm mbajtën mbi shpatulla tërmetin e nëntorit 2019 dhe tani të pandemisë shqiptare, shikojnë impenjimin dhe sakrificën e tyre. Rikthimi në sallën e leksioneve zgjuan kureshtjen dhe imagjinatën e tyre se ku mund të studiojnë, çfarë specialiteti dhe ku  mund ta zgjedhin atë. Këshilla ime është: “Investoni në profesionin më të bukur që keni zgjedhur, mjeku në çdo situatë bën të njëjtën profesion, edhe në luftë thirret për të njëjtën arsye, të shpëtojë jetë njerzish”. Normal që nuk e shmang dot pyetjen e tyre që shpesh herë më drejtojnë. Profesor ju pse jeni kthyer? Të gjithë mjekët dhe infermierët kanë nevojë për mbështetje, suport, solidaritet, por mbi të gjitha për pjesmarrje në jetën shëndetësore të vendit. Unë mjekët e së ardhmes i shikoj  në krah të shoqërisë shqiptare, i shikoj nëtë njëjtin nivel me kolegët e tyre në mbarë botën. Kanë nevojë për mbështetje institucionale, shoqërore dhe ekonomike sa më shpejt.

F.N: Albanian Excellence ka shpallur çmimin për mjekët: Hero-Covid 19 , Si e konsideroni ju këtë çmim kushtuar mjekëve shqiptarë kudo janë në botë që kanë qënë në vijën e parë të kësaj pandemie ?

S.B: Albanian Excellence e ka treguar prej disa vitesh aktivitetin e saj me objektivizëm të qartë. Shoqatat duhet të jenë zemra e shoqërisë dhe këtë ju e keni arritur dhe e keni treguar duke bërë vlerësime dhe duke bashkuar ajkën e shqiptarëve në mbarë botën. Është një nismë shumë e mirë dhe për t’u vlerësuar, sidomos ky vlerësim që ju i bëni mjekëve të vijës së parë. Mjekë shqiptarë në vijën e parë ka pothuajse në çdo vend të botës.

Faleminderit për kurajon dhe vlerësimin që i bëni këtyre profesionistëve të heshtur, ku  u desh pandemia, që të dilte edhe njëherë në pah sa i domosdoshëm është roli i mjekut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *