Jeta e violinës, në pentagramin e suksesit të Smerald Spahia !!!

Nga Flora Nikolla

Tiranë, 2 Maj /AE/.- “Kënga “Lule Borë” e kompozitorit  Simon Gjoni, është një këngë shumë e njohur e muzikës lirike shqiptare por  interpretimi i kësaj këngë, nga orkestra Albanian Excellence me sopranon e njohur Dëshira Ahmeti Kërliu,  si një mesazh solidarizimi me personelin mjekësor  në botë, dhe  njerëzit që kanë humbur të afërmit e tyre, na bëri ta intepretojmë me shume ndjenjë dhe emoción”  shkruan për Albanian Excellence, Smerald Spahia, violinist, artist i njohur i cili  jeton në Palma de Mayorca (Islas Baleares), në  Spanjë nga vitit 1991 .

Koncert maestër  i Orkestrës Sinfonike të Baleares (Spanjë) nga viti 1996, maestro Spahia, është po ashtu spalë i orkestrës së Albanian Excellence  e krijuar ne 2018,  me idenë e të qënit së bashku në një orkestër të artistëve mbarë shqiptarë të cilët  jetojnë dhe interpretojnë kudo në botë.

Gjatë të gjithë kësaj kohë ai ka qënë pranë jetës dhe veprimtarisë së Albanian Excellence, duke u zgjedhur nga bordi i Albanian Excellence edhe Drejtor Artistik i kesaj orkestre.

Ai do të interpretonte në koncertin zyrtar që Albanian Excellence në bashkëpunim me Bashkinë në Vlorë , do të organizonte me rastin e festave të Nëntorit në Vlorë se bashku me tre instrumentistë të tjerë, Gezim Belegu violoncel, Blerta Ristani , violine dhe Albana  Kola, viole.

Koncerti ishte vendosur të tillullohej  “Lule borë”, në kujtim të kësaj kënge hymn ne liriken shqiptare, e cila mbushte ne vitin  2019, 60 vite jetë.

Më 26 nëntor 2019, në natën e tërmetit shkatërrimtar , Maestro Smerald Spahia, ndodhej në Vlorë.

Por dëmët e pallogaritshme që shkaktoi kjo fatkeqësi natyrore sollën anullimin e këtij koncerti, por jo dëshirën e  tij, për të interpretuar për fëmijët e familjeve të dëmtuara nga tërmeti.

Misioni i tij si artist e muzikant,  shkoi kështu përtej këtij koncerti të anulluar nga kushte që nuk vareshin nga kërkush.

Fotoja e tij së bashku me fëmijët e kampit të të dëmtuarëve nga tërmeti, apo dhe fotoja e djalit në kamp që i bie violinës së Maestros, bëri padiksutim xhiron e të gjitha mediave shqiptare dhe  jo vetëm .

Në këto ditë të vështira për të gjithë, shkaktuar nga një virus që vuri kurorën e tij pa dëshirën e askujt në të gjithë planetin tonë, Maestro Spahia, ju përgjigj pa kushte dhe me shumë  vullnet, dëshirë dhe dashuri,  idesë së Albanian Excellence për të interpretuar,  një këngë mesazh dashurie dhe shprese.

Ishte ai që, pa një pa dy, propozoi këngën Lule Borë. Ndoshta maestro,  donte të vijonte tingullin e violinës së tij aty ku u ndërpre pa dëshirën e askujt… ndoshta …!!!

E vërteta është se kjo këngë e interpretuar nga Dëshira Ahmeti Kërliu në Nju Jork së bashku me tingujt e njëzetë artistëve të mrekullueshëm , nga Italia, Greqia, Hollanda, Kosova, Maqedonia, Austria, Gjermania Shqipëria, Spanja, është një realitet emocionies dhe drithërues për talentin, emocionin, dashurinë shpirtërore të të gjithëve ne, shqiptarë në deje, pamvarisisht nacionaliteteve në pasaporta.

Se në këtë këngë , të gjithë flasin me gjuhën e muzikës shqiptare, të një këngë  hymn, që kuptohet e mbërrin në zëmër të gjithkujt kudo të jetë.

“Orkestra Albanian Excellence, është një orkestër që ka shumë iluzion e me një fryme bashkëpunimi të jashtezakonshme. Fakti që të gjithë jemi shqiptarë që jetojmë jashtë dhe që kur bashkohemi për të luajtur së bashku e bën akoma më të bukur këtë gjë.  Shpresoj që kësaj iniciative të Albanian Excellence t’i bashkohen edhe të tjera institucione publike për të arritur gjithmonë e më shumë mundësinë që të ndajmë së bashku me publikun shqiptar ndjenjat dhe emocionet e bukura për muziken dhe artin”, shkruan maestro në këtë intervistë ku ai flet më mënyrë shumë modeste e të përmbledhur për jetën e tij të pazgjidhshme nga violinën e tij të dashur,  këtë bashkëshoqëruese besnike të jetës së tij.

Ju ftoj ta lexoni !!!

F.N: Ju keni nisur karrierën muzikore në një moshë shumë të re, gjë që ju ka ndihmuar të evoluoni dhe të kaloni në disa etapa gjatë këtyre viteve  ? Cilat kanë qënë këto etapa ?

S.S: Po, në fillim marrëdhënia  me instrumentin është si një lojë deri sa arrin në një pikë që merr koshiencë dhe një ditë ajo lojë shndërrohet në motorr të veprimtarisë tënde.  Mbarimi i studimeve në Akademinë e Arteve, përfundon etapën e përgatitjes e të formimit  muzikor profesional .

Më pas, vitet në Teatrin e Operas dhe Baletit ishin një eksperiencë e pasur në njohjen e repertorit të óperas. Gjithashtu dhe aktivitetet  e muzikës së dhomës me  kuartetin e harqeve që e krijuam në atë periudhë. Dhe etapa tjetër është vendosja në Spanjë në 1991 ku jetoj tani dhe ku vazhdoj njëë aktivitet të larmishem artistik duke prekur gati të gjitha gjinitë muzikore si me orkestër apo me formacione të tjera.

F.N: Dhe a e kujtoni, kur vendosët që ju të bëheshit violinist ?

S.S: Eshtë një sensación dhe një ide që erdhi duke u konsoliduar dita-ditës. Motivacioni dhe dëshira vjen si rrjedhojë e kërkesës dhe rezultatit që ti shikon dhe ndjen në relación me instrumentin dhe me muzikën gjë që krijon besimin në vétvete  për të vazhduar në këtë drejtim.

F.N: Cfarë  kujtoni nga fëmijëria juaj muzikore ?

S.S: Kujtoj me nostalgji Liceun Artistik, ambientin muzikor dhe jetën shoqërore të asaj periudhe, kujtoj dashurinë dhe përkushtimin  për muzikën , ndjenjat e dilemës por dhe me iluzionin për të ardhmen.

F.N: Publiku juaj i parë ?  

S.S: Kujtoj  duartrokitjet e publikut në koncertin që organizohej në fundin e vitit për prindërit e të ftuarit në shkollën muzikore Kongresi i Përmetit.

F.N: Si ishte të jetojë në atë kohë në Shqipëri, konkretisht në Tiranë ?

S.S: Sensacioni është që cdo gjë lëvizte me ngadalë dhe koha  dukej e pafund.. Tirana ishte e qetë por jeta  artistike ishte e gjallë duke marr parasysh dhe  kufizimet ideologjike të asaj kohe

F.N: Në atë kohë cila ishte muzika perëndimore që ju lejohej të interpretonit ?

S.S:Po kujtoj që kompozitorët e shekullit 20-të, nuk ishte e lejuar t’i interpretónim. Ishte një rrjedhojë e ideologjisë dhe politikës komuniste të asaj kohe.

F.N: Mbani mënd ndonjë histori  nga koha kur studionit në Akademinë e Arteve  që ju ka lënë gjurmë, apo ju ka shoqëruar në jetën tuaj ?

S.S: Mbresat janë të shumta. Në përgjithësi kujtoj me respekt e dashamirësi të  gjithë ekipin e profesoreve të Akademisë. Niveli në të gjitha drejtimet ishte shumë i mirë dhe eksigjent . Por po citoj një mbresë nga ora e muzikës së dhomës me prof. Ibrahim Madhin që në  përfundim të klases na kishte magjepsur të gjithëve me  fantazinë e idetë e tij muzikore. Kuptova që ky është misioni i artistit.

 F.N: Po violina që keni patur më shumë për zemër ?

S.S: Kur ke një instrument të mirë në dorë nuk është e thjeshte ta ndërrosh sepse punon cdo ditë me të. Marrëdhënia, është që t’i cdo herë e më shumë e njeh më mirë instrumentin e zotëron dhe di si të lúash  me te. Në 30 vjet kam ndërruar vetëm 2 herë instrument.

F.N: Papritur një ditë u gjëndet në Spanjë…  cila është historia juaj spanjolle ?

S.S: Në vitin 1991 mora një ftesë për konkursin internacional Pablo Sarasate (Pamplona ) dhe pas shumë vështiresi te tipit burokratik arrita të paraqitem . Kam qënë i pari shqiptar që merrte pjesë në këtë konkurs internacional.

Kujtoj intervisten dhe komentin në  shtypin lokal si një ngjarje e vecantë dhe e rëndësishme sepse ne atë kohë kishte shumë pak informacion dhe lajme nga Shqipëria. Kësaj periudhe i përket dhe inkorporimi në Orkestren simfonike të Ishujve Baleare (Palma de Mallorca) ku që prej vitit 1996 debutoj si Koncertmaestër .

F.N: Cfarë ju bën më shumë përshtypje nga karakteri spanjoll ?

S.S: Karakteri i hapur, mikëpritja dhe dashuria njerëzore. Eshte afër karakterit tonë në sensin e ngrohtë karakteristike e kulturës  mesdhetare.

 F.N :Cilat ishin disa nga avantazhet e violinës në Spanjë ?

S.S: Ne vitet 90-të, në Spanjë arti dhe muzika gjëndeshin në moment eksapansioni dhe kjo bëri që shumë artistë e instrumentiste nga vende të tjera të vendoseshin për të vazhduar veprimtarinë e tyre artistike. Fakti është që në Orkestrën tonë kemi instrumentiste nga 17 vende të ndryshme të botës.

F.N: Gjërat që ju bënë të qëndroni në Spanjë, vazhdojnë tju tërheqin …  cfarë është Spanja për ju ?

S.S: Projekti i orkestrës, relacionet me studentët kontakt me artiste të niveleve të ndryshme dhe projektet personale e mbushin jetën profesionale e shoqërore. Spanja është një pjesë e jetës dhe një pjesë e zemrës.

F.N :Si ka ndryshuar koncepti që kishit ju për një koncert hërën e parë , me koncertet që keni dhënë ju me rritjen tuaj profesionale.

S.S: Vetëkuptohet që eksperiencia dhe  kalimi i viteve bëjnë që relacioni që krijon me skenën dhe publikun merr një perspektivë tjetër. Gjithmonë e me shumë e ndjej veten më  afër publikut kur luaj.

F.N: Cila është harta gjeografike e koncerteve tuaja ?

S.S: Në Spanje në qytetet kryesore: Madrid, Malaga, Barcelona, Santander, Sevilla, Valencia, Zaragoza, Asturias . Jashtë Spanjës: Toulouse Perpiñan (Franca) Darmstad (Alemania) Copenhaguen (Dinamarca) New York ((ShBA) Viena (Austria) Stockolmo (Suedi)

F.N: Kompozitorët tuaj më të preferuar ?

S.S: Nga klasiket WA .Mozart dhe nga bashkëkohorët, Gustav , Mahler

F.N: Sa violina keni ?

S.S:  Kam tre dhe seicila prej tyre ka nje timbrikë të veçantë.

F.N: Cfarë doni më shumë në këtë jetë, pas violinës ?

S.S: Librat.

F.N: Cilat janë disa nga sfidat që mendoni të realizoni ?

S.S: Në këto  momente të Covid 19, duam të interpretojmë një  koncert Live ne streaming se bashku me  koleget e mi…

F.N: Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Shqipërinë ?

S.S: Jane të pakta por intensive… Sa herë që më  është dhënë  rasti qoftë në aspektin profesional apo atë personal vij dhe gjithmonë mbushem me nostalgji kur takohem me shokë,  miq apo të afërm.

F.N: Si jeni ndjerë në këtë situatë të pandemisë botërore …?

S.S: Eshte një situatë e jashtëzakonshme dhe e papritur që na ka vënë të gjithëve përpara një modeli tjetër jete. Mundohem të gjej anën pozitive e të shfletoj libra dhe partitura që nuk kam patur mundësinë t’i shoh më parë. Gjithashtu vazhdoj të kem kontaktin me studentët me klasat online si dhe me projektet me orkestrën .

S.S: Një mesazh njerëzor që  doni të jepni në këtë situatë ?

F.N: Njerëzimi gjithmonë ka dalë nga situatat e  vështira  Por mendoj se është një moment për refleksion karshi  kujdesit që duhet të tregojmë në lidhje me natyrën , ndotjen   ambientale  dhe pasojat që sjellin ato në ndryshimin e klimës .

F.N: Si jeni ndjerë në eksperiencën e realizimit të këngës “Lule Borë”, me orkestrën Albanian Excellence  ?

S.S: Kënga Lule Borë, është një këngë shumë e njohur, kështu që dhe  interpretimi nga të gjithë ne ishte me shume ndjenjë dhe emoción .

F.N: Si e konsideroni këtë orkestër ? Po te adhmen e saj ?

S.S : Eshte një orkestër që ka shumë iluzion e me një fryme bashkëpunimi të jashtëzakonshme. Fakti që të gjithë jemi shqipetarë që jetojmë jashtë dhe që kur bashkohemi për të luajtur së bashku e bën akoma më të bukur këtë gjë .

Shpresoj që kësaj iniciative të Albanian Excellence t’i bashkohen edhe të tjera institucione publike për të arritur gjithmonë e më shumë mundësinë që të ndajmë së bashku me publikun shqiptar ndjenjat dhe emocionet e bukura për muziken dhe artin.

 

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *