Joana Kaso: “Jam pasionante, por dhe racionale e perfeksioniste”

Historia e avokates shqiptare që sot ka zyrën e saj në Nju Jork

Nga Flora Nikolla

Tiranë, 25 Mars/AE/.- Joana Kaso në vitin 2007 , ndodhej në një takim studentësh me një gjyqtar të gjykatës së lartë në Nju Jork. Teksa dëgjonte studentët e tjerë që prezantoheshin e tregonin për shkollat prestigjioze të ligjit ku kishin studiuar apo edhe qytetet me emër nga vinin, Joana po mendonte për prezantimin e saj.

Joana vinte nga Rrogozhina, një qytezë e vogël në Shqipërinë e Mesme, e pa dëgjuar kurrsesi në atë ambient. Në Rrogozhinë, kishte studiuar në shkollën e vetme publike, e me pas në të vetmen shkollë ligji në Shqipëri.

E kështu u prezantua, paksa e ndrojtur e me theksin ndryshe të  anglishtes. Deri në atë moment, gjyqtari kishte aprovuar studentët që ishin prezantuar, por nuk kishte folur.

Por pas prezantimit të Joanës, gjykatesi rikonfirmoi edhe një herë  çfarë  kishte treguar ajo: “Pra ti vjen nga një qytezë e vogël shqiptare dhe ke shkuar në shkollë  publike në  gjuhën shqipe. Ke ardhur në  Nju Jork  para  dy  vjetësh e ke arritur të  pranohesh në këtë program masteri ligjor me këta studentë, prindërit e të cilëve kanë paguar mijëra dollarë për shkollimet e tyre që të arrinin këtu?

Po – i ishte përgjigjur e ndrojtur Joana.

Dhe ai kishte vazhduar: “Ti duhet të jesh shumë e zgjuar dhe duhet të ndihesh shumë  krenare për këtë arritje.”

Nuk e kishte pritur këtë reagim. Për më tepër nuk ishte mësuar  të dëgjonte lavdërime apo t’i thoshin që ishte e zgjuar.  Por ky reagim pozitiv dhe rezultatet e provimeve më pas i  dhanë  kurajo Joanës  të studionte  më fort aty në qendrën e botës e  t’ua dilte provimeve dhe sprovave  të vështira, që ishin të tilla edhe për vetë amerikanët.

Vullneti,  këmbënguja, puna e madhe sistematike dhe marrja  e licencës së avokatisë  në  NY në  një  kohë aq të  shkurtër e moshë te re,  ishte një arritje  e madhe profesionale për Joana Kason.

Ishte e vështirë  pasi gjithçka ishte e re për të, vendi, kultura, gjuha. Nuk kishte  mbështetje e nuk dinte kujt t’i  kërkonte  ndihmë  e ta orientonte profesionalisht.  Në  gusht të vitit 2006 u pranua e më pas nisi masterin në  një nga shkollat më të mira të  ligjit në Manhattan.  Fillimi ishte shumë i vështirë.

Studionte 12 ose 14 orë  në  ditë.  Largohej nga shkolla vetëm kur mbyllej biblioteka.  Doli me rezultate shumë të mira e dekani e ftoi në ceremoninë e diplomimit të  mbante fjalën e studentëve të masterit,  gjë që nuk kishte ndodhur më  parë.

Do të punonte 12 vjet në një nga organizatat e Shërbimeve Ligjore, e cila krijoi te Joana një tjetër në jetën  e saj, e  bëri ta shohë jetën me tjetër sy. E mbajti me këmbë në tokë e në të njëjtën kohë  e bëri të vleresojë shumëfish ato që ka.

Nuk  është e  lehtë  të  shohësh gra e fëmijë të lënduar e të qëndrosh racionale apo të mos prekesh.

Shumë shpejt kjo punë u bë  motivi i jetës së Joanës.

Këta 12 vjet kanë skalitur te Joana vajzën, motrën, gruan, nënën, avokaten që  është sot, me një familje të lumtur, dy fëmijë të mrekulleshëm, një karrierë të admirueshme.  Sot ka zyrën e saj të avokatisë me emrin “Joana Kasos”.

Kështu ndihem të  kompletuar  për të vendosur profesionalizimin e saj në  shërbime ligjore në NY në fushat që  ajo praktikon. Por është edhe  komuniteti shqiptar në NY. Nuk mund t’i thotë dot jo një vajze apo nëne shqiptare që ka nevojë për ndihmë. Me apo pa pagesë nuk ka ndodhur deri tani të mos e marrë në mbrojtje një çështje të tillë.

Për Joanën, sa kohë të ketë mundësi, kështu do të bëjë, sepse kështu është Joana , kështu është rritur e kështu beson se është !!!

Por në këtë intervistë po botojmë  foton e Joanës  që do të prezantohej në Ekspozitën “Fuqi, traditë sukses“ , e cila sipas kalendarit zyrtar të Albanian Excellence do të organizohej gjatë muajit mars në Zagreb (Kroaci) dhe në qytetet e Librazhdit dhe të Lezhës në Shqipëri dhe në mujin prill në Nju Xhersi (SHBA), por që nuk do të organizohen për shkak të Pandemisë botërore.

Por realizimi i një serie me intervista më zonja të suksesit, krijon mundësinë jo vetëm për t’i njohur zonjat  suksesit shqiptar në një dimension tjetër njerezor,por krijon dhe hapësirën  nevojshme për botimin  librit, “Suksesi i zonjave shqiptare në botën e koranavirusit”, që do të promovohet në dhjetor 2020,  në organizimin “Zonjat shqiptare që bëjnë botën”.

F.N: Korça është qyteti  i  fëmijërisë  suaj.  Si e kujtoni  fëmijërinë  tuaj në këtë   qytet të  konsideruar si  “Parisi i vogël”?

J.K – Korça është pjesë e origjinës sime, por, fatkeqësisht, unë nuk u rrita aty. Korça rrjedh në gjakun tim, në kulturën dhe në kujtimet e mia, treguar me detaje e me shumë dashuri nga gjyshërit dhe mami. Gjyshërit e mi, korçarë me breza, kanë patur ndikim të madh në rritjen time, prandaj e quaj veten pak korçare. Uroj të kem trashëguar sadopak e të transmetoj çfarë më kanë mësuar e si më kanë rritur ato.

Si shumica e intelektualëve, që transferoheshin ku kishte nevojë vendi, gjyshi im pas mbarimit të shkollës në Bashkimin Sovjetik u transferua në qytezën e vogël të Rrogozhinës. Unë u linda në Durrës dhe deri sa përfundova shkollën e mesme u rrita në atë qytezë të vogël të mbushur me intelektualë të ardhur nga krahina të ndryshme të vendit.Edhe pse kam 22 vjet që kam ikur nga ajo qytezë (më shumë se gjysma e jetës time), aty kalova fëmijërinë dhe rininë, prandaj është pjesë e rëndësishme për mua, ashtu si është origjina ime nga Shqipëria e Mesme.

Kam një motër e një vëlla. Fëmijeria pa kujtimet e bukura me to nuk do bënte kuptim. Si të gjithë fëmijët, të dy ishin shumë camarrokë. Shpesh kur fëmijet më kërkojnë tu tregoj histori, u tregoj historitë se si nëna Lana e kapi mamin mat duke shitur kumbulla, sa herë kemi ndarë llokume per teze Ertën dhe historitë e daja Oltit me bicikletën e kuqe.

Fëmijërinë e kujtoj me nostalgji dhe i kthehem shpesh, sepse është e mbushur me kujtime shumë të bukura. Duke u kthyer në kujtime sot, mund të them se është fëmijëria perfekte që do të doja për fëmijet e mi. Ishte e thjeshtë, e mbushur me shumë dashuri familjare (gjyshër, prindër, motër, vëlla, teze, xhaxha e plot daja e halla), shoqëri të sinqerta e të thjeshta, të cilat i ruaj edhe sot, plot me kushërinj të së njejtës moshë, e shumë kohe kaluar duke luajtur të lirë përjashta.

F.N: Cilat  ishin  prioritetet e  rinisë së  hershme  të  Joanës?

J.K – Rinia e brezit tim përkoi me periudhën e tranzicionit që kalonte vendi, kështu që nuk mund të mos ishte e tillë, por qyteza e vogël ku jetonim na mbante të mbrojtur nga gjithçka ndodhte në ato kohë të çmendura. Unë kreva gjimnazin në vitet 1994-1997. Demokracia sapo kish hyrë e bashkë me të shumë informacion, parti politike, firma piramidaledhe lufta civile e vitit 1997. Prioriteti im i parë ishte të ikja nga Rrogozhina, pasi ishte shumë e vogël e kufizuese për idetë që kisha për jetën. (Nuk kishte as gjykatë . Si mund të bëhesha avokate, gjykatëse apo prokurore aty?)

Pothuaj të gjithë shokët e mi ishin myslimanë e ne ishim nga të paktët ortodoksë, një gjë tjetër kjo që më distanconte. (Meraku më i madh i gjysheve të mia ishte se mos martohesha me mysliman). Ndërsa isha në proces të kompletimit të aplikimit për të studiuar në Universitetin Amerikan të Bullgarisë, e kisha bërë e gjitha provimet e duhura, ndodhi 1997 dhe e preu ate endërr në mes.

F.N: Pse  përzgjodhët  të  studionit  drejtësi ?

J.K- Gjithmonë kam qenë e prirur në shkencat sociale dhe e kam parë veten në këtë spektër. Gjithmonë kam ngritur zërin përballë padrejtësive, sado të vogla, që në shkollë. Në qytezën që u rrita, ime më, ishte (dhe vazhdon të jetë) farmaciste dhe shihja shumë gra e vajza që vinin e konsultoheshin me të e ajo i ndihmonte. Dëgjoja bisedat e tyre e shpesh mendoja se ishte e padrejtë çfarë i ndodhte. Babi në atë kohë ishte në politikë dhe shihja  si ndihmonte njerëz në nevojë me një punë apo për çfarë kishin nevojë, por nuk e shihja veten te politika. Qëllimi im ishte të adresoja padrejtesitë që shihja, sidomos te gratë e femrat e mendoja se, duke shkuar në shkollë për drejtësi, do të kisha më shumë mundësi t’u vija në ndihmë.

F.N:Si  i  kujtoni  ju  vitet e studimeve, cilat  ishin  vështirësitë,  po emocionet  dhe ndjesitë  tuaja  me  njohjen e  përvijimin  më  tej  të studimeve  në  drejtësi? 

J.K- Unë fillova studimet për drejtësi në vitin 1997, në një periudhë shumë të trazuar për Shqipërinë, pas situatës politike të krijuar nga rënia e firmave piramidale. Nuk isha larguar ndonjëherë nga familja e isha rritur në një qytet të vogël. Isha shumë naive për jetën dhe e paditur për të jetuarit vetëm. Fakulteti  i Drejtësisë e jeta në Qytetin Studenti ishte përballja ime e parë me jetën e pavarur e realitetin. Për here të pare, larg prindërve, kisha lirinë e marrjes së vendimeve. (Më vjen të qesh kur them larg, pasi kjo është koha që shkoj përditë në punë sot). Tirana kishte aktivitete kulturore që në qytezën ku isha rritur kishin munguar.

Kjo ngelet periudha më e vështirë për mua, e kjo jo për studimet apo rezultatet akademike. Përkundrazi, nuk e di si i kam arritur ato rezultate në kushtet që e gjeta veten në atë periudhë. Tani që kthej kokën pas, shoh veten në të njëjtën pozitë me klientet të cilat vijnë tek unë për ndihmë për shkak të dhunës në çift. Fatkeqësisht, unë nuk kisha kurajon ta ndaja me dikë atë çfarë po më ndodhte mua.  Nuk di nëse kishte shërbime ligjore e ku të drejtohesha për ndihmë. E trishtë të mendosh se unë isha studente për drejtësi, apo se arsyeja e ndjekjes së kësaj dege ishte pikërisht të ndaloja padrejtësi të tilla në shoqërinë shqiptatare. Armët ishin sheshit e po ashtu kërcënimet për jetën.

M’u desh kohë e durim ta nxirrja veten nga kjo marrëdhënie, pa ndihmën e askujt. Dhuna në çift e në familje, agresiviteti,  fanatizmi e xhelozia e meshkujve shqiptarë, mungesa e informacionit dhe ndihmës mendoj se ngelet plaga më e madhe e shoqërise shqiptare.

F.N:Gjithsesi, puna e  parë në  Shqipëri, pas  studimeve  tuaja, ka qenë në Kuvendin e Shqipërisë. Çfarë kujtoni nga ajo kohë? 

J.K- Puna si juriste në Kuvend ishte puna ime e parë. Isha vetem 21 vjeçe kur nisa të punoj në Komisionin për Çështjet Kushtetuse dhe Ligjore. Ishte komisioni më i madh parlamentar e me figurat më të spikatura të politikës shqiptare, i  tillë është edhe sot. Edhe pse isha rritur me politikë, tashmë atë e shihja nga një spektër tjetër e për shumë gjatë. Mbledhjet e komisionit zgjasnin me orë e po ashtu seancat plenare, ku ne si staf ishim të pranishëm. Ishte një eksperiencë që ka lënë gjurmë në jetën time e ka ndikuar në këtë që jam sot.

Kohën në Kuvend e kujtoj me shumë nostalgji e mund të them se është koha më e bukur e karrierës sime profesionale. Meritën për këtë e kanë kolegët me të cilët punoja dhe që më vonë u bënë miqtë e mikeshat e mia më të mira e vazhdojnë të mbeten të tillë edhe sot. Kur them kolegë, e kam fjalën për stafin administrativ të Kuvendit.

 F.N: Pse erdhët në  Nju Jork? 

J.K- Amerika gjithmonë ka qënë ëndërr për mua, por lëvizja erdhi si rezultat i disa rrethanave të bëra bashkë. Sigurisht, të ishe aq afër politikës shqiptare në një moshë aq të re e t’i shihje gjërat në brendësi, kishte një ndikim shumë të madh në marrjen e këtij vendimi. M’u dha mundësia të studioja këtu në një program për shkrimin legjislativ. Kur pashë jetën këtu, vendosa t’i jepja një shans vetes këtu në New York, e ja ku jam pas 16 vjetësh.

F.N:Ju  morët  licencën e  avokatisë në   NY  në  një kohë rekord,  kur ishit  28 vjeçe. Sa e vështirë dhe sa e  bukur është për  ju  kjo  arritje? 

J.K- Mund të them me gojën plot se marrja e licencës së avokatisë në NY në një kohë aq të shkurtër, e moshë aq të re, është arritja më e madhe profesionale për mua. Unë kam qenë e përkedhelur nga fati shpesh herë, por marrja e licencës së avokatisë në NY ka të bëjë vetëm me punë e studim, e jo me fat. Ishte e vështirë pasi gjithçka ishte e re për mua: vendi, kultura, gjuha. Nuk kisha mbështetje e nuk dija kujt t’i kërkoja ndihmë të më orientonte profesionalisht. Media sociale nuk ishte kjo që është sot.

Në gusht të vitit 2006 u pranova e fillova Masterin per Ligje në një nga shkollat më të mira të ligjit në Manhattan. Fillimi ishte shumë i vështirë. Studioja 12 ose 14 orë në ditë. Largohesja nga shkolla vetëm kur mbyllej biblioteka. Dola me rezultate shumë të mira e dekani më ftoi në ceremoninë e diplomimit të mbaja fjalën e studentëve të masterit, gjë që nuk kishte ndodhur më pare (e nuk e di nese ka ndodhur me pas).

Ajo çfarë më ka lënë më shumë mbresa gjatë studimeve është një histori që do të doja ta ndaja me ju.  Gjatë një takimi me një gjygjtar të gjykatës së lartë, ndërsa dëgjoja studentët e tjerë që prezantoheshin e tregonin për shkollat prestigjioze të ligjit ku kishin studiuar apo edhe qytetet me emër nga vinin, po mendoja për prezantimin tim epo ndjehesha paksa në siklet.  Unë vija nga një qytezë e vogël e padëgjuar, e kisha shkuar në shkollën e vetme publike, e me pas në të vetmen shkollë ligji, Fakultetin e Drejtesise në Shqipëri. (Nuk kishin dalë ende shkollat private në atë kohë.) U prezantova, paksa e ndrojtur e me theksin ndryshe të anglishtes. Deri atëheri gjyqtari kishte aprovuar, po nuk kishte folur.

Pas prezantimit tim, më përgëzoi e aty në klasë konfirmoi edhe njëherë çfarë kisha thënë: Pra, ti vjen nga një qytezë e vogël shqiptare, e ke shkuar në shkollë publike në gjuhën shqipe. Ke ardhur në NY para dy vjetësh e ke arritur të pranohesh në këtë program me këta studentë, prindërit e të cilëve kanë paguar mijëra dollarë për shkollimet e tyre që të arrinin këtu? Po – iu përgjigja e ndrojtur. Ai vazhdoi – Ti duhet të jesh shumë e zgjuar dhe duhet të ndjehesh shumë krenare për këtë arritje. Nuk e prisja këtë reagim. Për më tepër nuk isha mësuar të dëgjoja lavdërime apo të më thoshin që isha e zgjuar. Edhe pse nxënëse e studente e mirë, asnjëherë nuk kisha qenë më e mira. Gjithmonë kam studiuar shumë për të arritur rezultatet në mësime. Ky reagim pozitv dha rezultatet e provimeve e më pas më dhanë kurajo të studioja edhe më fort, e se mund t’ia dilja këtij provimi të vështirë edhe për studentët amerikanë.

Arsyeja pse dua ta ndaj këtë me ju është të tregoj se sa i rëndësishëm është inkurajimi e se çfarë roli pozitiv luan tek secili nga ne. Unë vija nga një kulturë kritike ku isha mësuar të dëgjoja vetëm se mund të kisha dalë më mirë. Ka qënë një mësim që e vë në praktikë nëçdo moment që kam mundësi, me studentët, kolegët, fëmijët, miqtë – mundohem t’i inkurajoj e të ndaj sa më shumë pozitivitet me këdo pasi vërtet ndihmon.

Mbarova masterin në qershor të vitit 2007 dhe në provimin e shkurtit të vitit 2008 u ula për këtë provim. Mësoja 12 orë në ditë për 6 muaj dhe normal që u gëzova shumë kur mora rezultatin pozitiv.

F.N: Si do ta konsideroni pas  kaq  vitesh  jetën tuaj në  këtë vend? Çfarë ka  prioritetesh ka  jeta në SHBA? 

 J.K- Pas kaq vitesh në NY e konsideroj veten të bekuar! Jeta e fati më kanë ndihmuar, por edhe unë gjithmonë e kam kapur fort çdo mundësi që më është dhënë dhe kam punuar akoma mëfort.

Gjithashtu, sa herë më është dhënë mundësia, jam munduar të ndihmoj këdo që kam pasur mundësi.

Prioritetet e jetës në Amerikë janë ndryshe nga ato me të cilat jemi rritur e mësuar.Jeta sociale është shumë e kufizuar e ajo çfarë më mungon më shumë është familja dhe miqtë,sidomos gjatë festave.  Këtu në NY jeta është shumë e vrullshme. Eshtë punë me orë të gjata, vrap për të kapur trenin e për të ardhur tek fëmijët, familja e anasjelltas.

F.N: Ju  keni  punuar  12  vjet si avokate  për shërbimet  ligjore të NY në ndihmë personave të  me  të ardhura  të pakta. Si  e kujtoni ju këtë periudhë të rëndësishme të jetës suaj, cilat  kanë qënë  vështirësitë ? 

J.K- Do të duhej një natë dimri për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Kur thashë më lart se Amerikën e kam pasur ëndërr, kjo pjesë nuk ishte në ëndrrat e mia pasi nuk e kisha ëndërruar Amerikën apo NY kështu. Ëndrrat e mia ishin bazuar në filmat e bukur amrikan, ato tek pema e Krishtlindjeve plot dhurata te bukura. Nuk e kisha menduar që edhe këtu kishte varfëri apo dhunë në familje e që unë do të ndihmoja në këtë aspekt. Aplikova e pranova punën e parë tek një nga organizatat e Shërbimeve Ligjore pasi ishte një organizatë me reputacion shumë të mirë dhe përsëri e konsiderova veten me fat të merrja punën e parë si avokate në një organizatë të tillë. Flasim për vitin 2008 kur Amerika po shkonte në recesion e njerëzit po humbnin punën përditë e normal edhe konkurenca ishte e fortë. Mendova se do të rrija 2 vjet të mësoja e pastaj do të lëvizja diku në një firmë private. Por kjo punë hapi një botë tjetër në jetën time, e më bëri ta shoh jetën me tjetër sy. Më mbajti me këmbë në tokë e në të njëjtën kohë më bëri të vlerësoj shumëfish ato që kam.

Nuk është e lehtë të shohësh gra e fëmijë të lënduar e të qëndrosh racionale apo të mos prekesh. Shumë shpejt kjo punë u bë motivi i jetës sime (nuk kisha akoma fëmijë në atë kohë). Këto gra e femijë të shihnin në dritë të syrit. Kishte raste që askush nuk i kishte mbështetur apo të kishte ngritur zërin për to. Kishte nga ato që nuk ia kishin treguar kujt historitë e tyre, e ti ishe personi i parë qëia besonin. Nuk ka shpërblim mi të madh se drita që ndizej në syti e tyre teksa flisja për to dhe isha zëri i tyre para gjykatës, të tregoja historitë e tyre rrënqethëse e t’u mbaja dorën që u dridhej. Vinin nga të gjitha rrugët e jetës e shumica ishin emigrante si unë. Kishte fëmijë pa prindër që ma këpusnin shpirtin. Thosha do ta mbaroj edhe këtë çështje pastaj do të shoh për një punë të re. E kështu ato 2 vjet u bënë 12. Gjyshja ime gjithmonë thoshte se  Zoti na vendos në një vend të caktuar për një arsye, dhe kështu besoj. Këta 12 vjet kanë skalitur vajzën, motrën, gruan, nënën e avokaten që jam sot.

F.N: Cili është  raporti  mes  emocionit dhe  racionalitetit  që  duhet  të  ketë  në  karrierrën e  tij  një  avokat ? 

J.K: Unë jam pasionante dhe emocionale nga natyra në çdo gjë që bëj, e kjo nuk shkonshumë mirë me ligjin. Por nga ana tjetër jam shumë kërkuese, kritike dhe perfeksioniste. Çdo gjë shkruhet sikur është dokumenti apo letra e fundit qëdel nga duart e mia. Çdo peticion para gjykatës duhet të jetë perfekt e duhet të ketë edhe precedentin më të fundit. Analizoj të dyja anët e çështjes 100 herë që të jem e përgatitur përballë palës kundërshtare e të mos i le vend emocionit. Kështë raporti që ka siguruar suksesin në çdo çështje. Perfeksion në shkrim e pasionante në argumentimin para gjykatës.

F.N: Pse  krijuat  zyrën  avokatore  të  Joana  Kasos? 

J.K:Krijimi i zyrës sime avokatore erdhi si rezultat i disa rrethanave. E para dhe më e rëndësishmja është se profesionalisht e ndiej veten të kompletuar dhe kam dëshirë t’i vë këto njohuri profesionale në shërbim të kujto që ka nevojë për shërbime ligjore në NY në fushat që unë praktikoj. Së dyti, të dyja organizatat ku kam punuar ndjekin një proces të caktuar në pranimin e çështjeve e numrin e tyre, në varësi te buxhetit, e kjo jo gjithmonë varet nga unë. Ka raste që dua të marr një çështje, por zyra nuk mundet. Së fundi, një arsye tjetër është komuniteti shqiptar në NY. Nuk mund t’i them dot jo një vajze apo nëne shqiptare që ka nevojë për ndihmë kur nuk e pranon zyra ime çështjen. Me apo pa pagesë, nuk ka ndodhur deri tani të mos e marr në mbrojtje një çështje të tillë. Për sa kohë të kem mundësi, kështu do të bëj, sepse kjo jam unë, kështu jam rritur e kështu besoj. Në këto rrethana duhet t’i gjeja një zgjidhje vetes. E zgjidhja më e mirë ishte të hapja zyrën time.

F.N: Cilat  janë  çështjet që ju  trajtoni  dhe  cila ka  qenë  rrjedha e  punës  suaj ? 

J.K: Çështjet me të cilat merrem janë ato të fushës familjare, emigracionit, sigurimeve shoqërore e real estate.

F.N:Mund  të  tregoni në këtë  intervistë se  cilat  kanë  qenë  kënaqësitë  më  të  mëdha  që  keni  marrë  nga  profesioni juaj? 

J.K: Kënaqësitë në profesion janë të shumta,edhe pse vijnë pas një rruge të gjatë.Përveçse kënaqësi profesionale, është edhe qetësi personalekur siguron një urdhër mbrojtje për një nënë e fëmijët e saj. Kur mbaron një proces adoptimi (të preferuarit e mi), e bën një fëmijë me prindër e anasjelltas;  kur siguron kempin për një të sëmurë, i cili nuk ka mundësi të punojë; kur i jep Green Card një emigranti pasi vitesh gjyqesh në gjykatën e emigracionit;kur firmos kontratën e blerjes së shtëpise së parë për një klient.

F.N: Cili  është vizioni  juaj  për  fenomenin  migrator dhe  përgjigjja  ndërkombëtare për këtë fenomen?

J.K: Unë besoj në një botë pa kufij, ku njerëzit mund të lëvizin lirisht e të jetojnë aty ku duan për sa kohë kanë mundësinë të punojnë e jetojnë atje, ose afër familjeve të tyre. Aty ku janë mundësitë e shkollimit, apo aty ku shohin ëndrrat e tyre, cilat do jane ato. Bazuar në këto, nuk besoj se është e vështirë të kuptoni se nuk jam mbështetëse e përgjigjes ndërkombëtare për momentin për këtë fenomen, sidomos gjatë kësaj administrate në USA.

 F.N: Si do ta përcaktonit  ju sot  rolin e avokatëve  në shoqëri ? 

JK: Do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje në të njëjtën mënyrë të thjeshtë që u përgjigjem fëmijëve e shokëve të tyre kur më kërkojnë të bëj një prezantim në shkollë, edhe pse ka libra që mundohen t’i përgjigjen kësaj pyetje. Ne jetojmë në një shoqëri të ngritur mbi rregulla e ligje, të cilat i kemi vendosur ne vetë. Sistemi ligjor në USA,  apo kudo është i komplikuar për shumicën, e i ashpër në plot raste.

Të duhet dikush me dijeni specifike kur përballesh me këtë sistem, e këtu vijnë nëndihmë avokatët. Kështu e shoh rolin e avokatit – një domosdoshmëri në shoqërinë që kemi krijuar e ku jetojmë (që t’ia bëj pak qejfin vetes.)

F.N: Në  SHBA ka  një  komunitet të  konsiderueshëm shqiptarësh , si  e shihni  ju  këtë  komunitet, sa   i  integruar është ai  në jetën  amerikane? 

J.K: Kemi një komunitet të mrekullueshëm shqiptar në New York.  Në përgjithësi jemi integruar mirë në jetën e këtushme duke ruajtuar traditat e kulturën tonë e në të njëjtën kohë duke i sjellë e duke i ndarë keto tradita te bukura me vendin këtu.  Jemi shumë kërkues e punojmë shumë për fëmijët e familjet tona.

F.N: Fëmijët  tuaj  janë amerikanë?  Cila  është  lidhja  që  ata kanë  me vendin e tyre  të origjinës,  Shqipërinë? 

J.K: Fëmijet e mi kanë lindur në Amerikë, por në venat e tyre rrjedh gjak i pastër shqiptar. Nuk e di nëse i quaj dot amerikanë përveçse me shtetësi. Është ajo çfarë të ushqejnë prindërit e çfarëbeson ti se je që vendos se kush jemi e nga jemi. Lidhja me Shqipërine është e fortë pasi aty kanë të gjithë njerëzit më të shtrenjtë e gjakun e tyre, gjyshërit, kushurinjtë, daja, halla.

F.N: Ju keni pasur sukses. Cilat kanë qenë pikat kyçe të këtij suksesi? 

J.K: Pika kyçe e suksesit tim është familja. Mbështetja e familjes, e bashkëshortit, e veçanërisht inkurajimi e modeli i marrë nga mami im është kryesor në çdo arritje timen. Shto mbi to edhe të mësuarit e të punuarit fort. Mundohem të shoh gjërat me pozitivitet, t’i jap çdo gjëje e çdokujt një shans të dytë e të ruaj humorin e mirë të trashëguar nga gjyshja ime.

F.N:Këtë  intervistë  po  e  realizojmë  në  ditët e  koronavirusit,  një  pandemi botërore.  Cili ka qenë  ritmi  i  ditës  suaj  sot përballë  rrezikut  të  kësaj  sëmundje?

J.K:Akoma nuk arrij të perceptoj magnitudën e kësaj pandemie botërore. Në këtë moment që po shkruaj,  ora ka kaluar 12-ën. Unë e femijët kemi dite që nuk kemi dalë nga shtëpia. Ka qenë një javë shumë e ngarkuar e stresuese pasi shkollat janë mbyllur e zyrat gjithashtu, por puna vazhdon nga shtëpia. Gjykatat e emigracionit janë hapur e vazhdojnë të marrin vendime që i kushtojnë jetën klientëve të mi.

Si avokatë jemi në pozicionin e vështirë të bëjmë atë cfarëështë e drejtë për klientin e të shkojmë në gjykatë, apo të ruajmë shëndetin për hir të familjes e fëmijve. Siç e keni lexuar, kam shkruar për ditë në Facebook rreth intensitetit të këtyre ditëve.

Mëngjesin e kam nisur me diçka pozitive, në mesditë kam postuar diçka për të qeshur e në mbrëmje kam shkruar në detaje për ditën. Mendoj se ështe shumë e rëndësishme të zbatojmë rregullat dhe të qëndrojmë pozitivë për hir të jetës e fëmijëve.

 F.N: Cili  është kuptimi i  jetës  që  ju doni  të precizoni  në  këto  ditë  pandemike? 

J.K: Jeta merr tjetër kuptim në kushte të tilla. Është e trishtë që duhet të ndodhë një pandemi e tillë që ne ta trajtojmë njëri-tjetrin me më shumë respekt, dashuri, mirësi e të ofrojmë ndihmë. Kështu duhet të jetë çdo ditë. Është e vështirë kur ke prindërit e familjen kaq larg. Meraku është akoma më i madh. Mendja e zemra është tek ata e do të doje të ishe me ta në këto ditë për shumë arsye.

Në të gjithë botën ne po zgjohemi në një realitet të ri e po e shohim njëri-tjetrin ndryshe – se sa të vegjël jemi e sa pak kontroll kemi mbi ekzistencën tonë. Po shohim se ajo që vlen vërtet është dashuria.  Ka frikë, ka izolim fizik, por kjo nuk do të thotë vetmi, prandaj të mos i lemë vend asaj.  Ka vdekje, por gjithmonë ka rilindje. Le të zgjohemi e të bëjmë zgjedhjen si do ta jetojmë jetën sot.

Le të shikojmë e të dëgjojmë përtej zhurmës së panikut.  Zogjtë po cicërojnë, qielli po hapet, pranvera po vjen. Gjithmonë del dielli e ylberi pas çdo shtrëngate. Gjithmonë ka shpresë. Le të jemi pozitivë e të lutemi që të dalim sa më shpejtë nga kjo pandemi e të gjithë të shëndetshëm.

Ju faleminderit!

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *