Lucia Martino: Misionarja fisnike e gjakut të shprishur të arbërit

Zonja arbërëshe që i pëlqen të mendoj globalisht por të reagojë lokalisht

 Nga Flora Nikolla

Tiranë, 31 Mars/AE/.- Frascineto është një fshat i vogël në Kosenza, në Kalabrinë e Italisë së Jugut, vendosur mes malesh, me detin të shtrirë nën këmbët e tij, pranë Parkut Kombëtar Pollino, me një kulturë të pasur që me dashuri arbëreshe ruan gjuhën, zakonet, traditat e paraardhësve shqiptarë.

Dy vite të shkuara në një ditë të ftohtë e me dëborë shkurti, u gjënda në këtë fshat si në përrallat e moçme, me shtëpiza si kuti të bukura qëndisur nga një grua nikoqire, me rrugina të ngushta me erë uji që zgjatohen e ngushtohen si t’i kishte bërë njeri me dorë në harmoni  perfekte me këtë reviel malor që ofron kjo pjesë e Kalabrisë, që pesë shekuj të shkuar priti shqiptarët e ikur nxitimthasi nga vendi i tyre.

Skënderbeu , heroi ynë kombëtar, heroi i perjetshëm i arberesheve , mbreteronte këtë mjedis me një bust vendosur në qëndër të fshatit shumë pranë me shkollën “Ernest Koliqi”.

Shkova të njihesha me gjakun e shprishur të Arbërit, shkova të takoja një zonjë që me këmbënguljen dhe vullnetin, me zgjuarsinë dhe pasionin që ka në dejet e saj arbëreshe, ka ditur të jetë misionarja më e mirë e ruatjes së traditave, të kulturës, të gjuhës arbëreshe, të identitetit, të historisë sonë.

Mes emocioneve dhe kërkimit të zbulimit të një të panjohure shumë të dashur për këtë kërshëri krenare të së shkuarës tonë, në një vend fqinj e mik si Italia për ne, njoha zonjën arbëreshe, miken e dashur që shumë kush e ka njohur, njoha Lucia Martinon.

Buza gaz, e saktë në kërkim të më së mirës që kishte menduar me kujdes, njoha këtë zonjë fisnike që pas periudhës universitare në Bari, ka jetuar gjithmonë në vendin e saj të vogël, duke jetuar diversitetin etnik përmes gjuhës, këngëve, kostumeve dhe gatimit.

Kana-ja e saj e famshme, bisedat tona para tavolinës së saj magjike e me gjithfarë aromash ngrohtësie dhe tradite të mrekullueshme, takimet e paharruara me grupin e saj teatror Vorea, më njohën më shumë me Lucian, një nikoqire e mirë që di të të pres me dashuri të madhe, të të shërbejë me bujari të madhe e të të mësojë më urtësi,  si një mbrojtëse fanatike e cilësive tona më të mira.

Presidente e shoqatës “Vorea”, mësuese e letërsisë në jetën e saj, gjithnjë ka ditur t’u përcjellë nxënësve të saj,  kulturën dhe traditën arbëreshe.

Këtë trashëgimi të vyer, mendoi ta vendoste, në dy shtylla kryesore, njëra në ruajtjen e kulturës së përgjithshme arbëreshe, dhe tjetra në kuzhinën arbëreshe, një traditë të bukur familjare, trashëguar me dashuri nga nënë  e saj që kur ajo ishte e vogël  e cila ja mësonte me durim sekretet e fshehta të goditjes së pjatave erëmira, që pergatiteshin në përditshmëri, në festat familjare apo në festat e rëndësishme të vitit .

Në shumë aktivitete që ka marrë pjesë me pasionin e kuzhinës arbëreshe ka treguar vlerat e saj të çmuara dhe traditën e paharruar sikundër e ka treguar ajo edhe  në librin , “Gruaja arbëreshe, dje, sot dhe nesër”.

Për vlerat e saj të mëdha në fushën e kulinarisë , zonjën Lucia Martino e kanë shpallur, Ambasadore të Akademisë së kuzhinës, kalabreze-arbëreshe.

Atë  shkurt te vitit 2018, plot  traditë arbëreshe, njoha trupën e teatrit të drejtuar nga Lucia Martino si,  një mjet për të ruajtur gjuhën arbëreshe që sikundër më tregoi Lucia, nuk flitet si më parë nga të rinjtë në veçanti.

Atë shkurt dëbore, njoha njerëzit e saj të mrekullueshëm, bashkëpunëtorët, seicili me një histori dashurie më vetë për të shkuarën e të tashmen e tyre të lidhur me gjakun e shprishur të arbërit. Si kurorë margaritari, njoha  dhe pashë në skenë dramën “Konstandini dhe Gerantina”, e cila ka ngjallur interes te shumë njerëz që e lexojnë në arbërisht këtë legjendë shqiptare por edhe  shohin në teatër, apo edhe librin e teatrin e Pinokio-s në gjuhën arbëreshe.

Por një marrëveshje e nënshkruar mes Albanian Excellence dhe Shoqotës Vorea, krijuar e drejtuar nga Lucia Martino, në prani të kryetarit të Komunës së Frascinetos, Angelo Catapano, do të forconte këtë miqësi mes meje dhe Lucias duke na vendosur përpara sprovave të organizimit, takimit, punës së përbashkët për të ruajtur, forcuar marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe arbëresheve, siç ishte aktiviteti shumë dimensional, “Të dua Arbëri”, apo dhe  të konferencës ndërkombëtare,  “Vlera e të qënit grua në shekullin e XXI”, e organizuar nga Albanian Excellence në prill të vitit 2019.

E shpallur nga Albanian Excellence, “Zonjë që bën Shqipërinë”, në një mbrëmje Gala madhështore  ne dhjetor të  vitit 2018  së bashku me 22 zonja të tjera , Lucia Martino, ishte pjese e 121 historive të suksesit të zonjave shqiptare kudo janë, treguar nga ALbanina Excellence, në një ekspozitë shetitëse gjatë  vitit 2019,  organizuar në Tiranë në kopshtin Presidencial në Tiranë, Strugë (Maqedonia e Veriut), Prishtinë (Kosovë), Preshevë (Sërbi), Pogradec e Patos(Shqipëri) Ulqin (Mali i Zi) .

‘Regjisori’ Corona Virus që po mban pezull botën: Dita ime shtëpia, miqtë, gatimi dhe librat  

Në këto ditë kur Corona Virus ka mbajtur pezull botën , ka qënë të shumta bisedat që kam zhvilluar me këtë zonjë të madhe të Arbërise e shpallur në vitin 2015 nga Presidenti Bujar Nishani me titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh”,  si simbol i vlerave të saj të padiskutueshme që ka dhënë në ruajtjen e traditës arbëreshe por edhe si simbol i mësueses që ka punuar sistematikisht për kultivimin e të shkuarës por dhe të tashmes  tek brezi i ri.

Shqetësimi, kujdesi, mirësia, optimizmi i saj , bisedat telefonike me miqtë e  saj brenda dha jashtë Italisë, kujdesjet  për  shtëpinë, kopshtin, për gatimet për vete dhe bashkëshortin e saj, për të vijuar me leximin e një  libri, apo lajmet nga bota për situatën e Corona Virus,  të gjitha janë pjesa e ditës së paqtë por dhe me shqetësime, për më të mirën për Lucian .

Por emocionet më të forta që jeton në këtë periudhë izolimi të madh janë ato që e lidhen me dashurinë për katër  nipërit e saj, Angelica, Sofije, Carola dhe Diego. I mungojnë shumë , i mungon aroma e tyre, buzëqeshja, lojërat,  përqafimet e tyre.

Si grua dhe qytetare e botës, Lucia e lufton globalizimin. Në të vërtetë i pëlqen të thotë që mendon globalisht, por të reagojë lokalisht.

“Ne po përjetojmë globalizim çdo ditë përmes mediave. Ajo tenton të standartizojë stilin e jetës dhe gjithashtu mënyrën  si ne hamë dhe ushqehemi”, thotë Lucia në këtë intervsitë.

Por në Cana-në e saj,  Lucia ju ofron miqve të Bed and Breakfast  PIEFFE si dhe miqve të saj, pjata të lashta të gatuara vetë, si shtrojdhla, rricciolinra, dromsa, fillatjel, rrashkatjel dhe shumë pjatë të tjera.

Dhe Lucia Martino si gjithnjë dhe në këtë intervistë, ju fton të shkoni t’i shijoni, sigurisht kur regjisori  Corona Virus, të ketë ulur kokë-poshtë  siparin e kësaj kohe kur ky virus vuri kurorën e tij mbi botën tonë .

 

*      *      *

F.N:Korona Virus, prej javësh ka ndryshuar ditës tuaj, si është tani një ditë juaja ?

L.M: Korona Virus sot është një fjalë që të frikëson vetëm kur mendon  dhe  kur e thua.  Mësuam të njohim ligësinë dhe fuqinë e tij, për pak kohë në lëkurën tonë. Pak kohë më parë ne pamë në televizor, imazhe që vinin nga nga një botë shumë largët nga ne, nga Kina.  Ishin pamjet të largëta nga ne, se i përkisnin një vendi shumë larg realitetit tonë.

Por do të kalonte vetëm pak kohë  kur  Televizionet italiane dhe më pas edhe televizionet europiane, transmetuan imazhe të ngjashme që, me kalimin e ditëve,  janë bërë gjithnjë e më dramatike, duke bërë të jetojmë si protagonistë të një filmi fantastiko shkencor.

‘Regjisori’ CORONA VIRUS ’,ka pushtuar botën duke na bërë të bëhemi të pafuqishëm dhe aktorë të një skene të madhe globale’. Duke bërë këtë analizë të shkurtër, por të kujdesshme të përbindëshit, shumë sinqerisht, duhet të pranoj, që ditët e mia i kaloj në qetësi të plotë.

Mosha ime , 70 vjeç, më ndihmon të racionalizoj dhe të organizoj ditën time të shenjtë, me angazhime dhe  në mënyrë të saktë. Mëngjesin ia kushtoj punëve të ndryshme personale dhe shtëpiake, pastrimit, rregullimit të dollapëve , heqjes së  veshjeve të panevojshme, kopshtarisë si dhe  përgatitjes së drekës për burrin tim dhe për vete.

Pasdite i kushtohem leximit të librave, ndoshta dhe që mund t’i kem lexuar më parë, shikimit të filmave, programeve televizive dhe marrëdhënieve shoqërore përmes bisedave telefonike lokale, rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare me miqtë e mi të dashur.  Unë nuk po i përmend emrat e tyre sepse mund të harroj dikë dhe nuk dua të ketë hatërmbetje në miqësinë dhe dashurinë e tyre.

F.N: Si është situata në Frascinetto? 

L.M: Këtu në Italinë e Jugut situata ishte e qetë deri para disa ditësh. Tani jemi të shqetësuar pasi  shumë studentë dhe punëtorë të rinj janë kthyer nga Italia Veriore dhe Evropa . Kështu që  ne qytetaret dhe institucionet, jetojnë në alarm sepse siç e dimë, shëndetësia në jug nuk ofron shërbime të përshtatshme për të përballuar pandeminë.

Në  Frascineto kryetari ynë,  Dr. Angelo Catapano, është shumë pranë  bashkëqytetarëve të tij.  Ai ka nxjerrë një seri rregullash që popullsia po i ndjek rreptësisht, duke treguar një sens të madh qytetar.

F.N: Cilat janë disa nga përvojat tuaja emocionale dhe racionale këto ditë? 

L.M: Emocionet më të forta që unë jetoj në këtë periudhë izolimi të madh janë ato që lidhen me dashurinë për 4 nipërit e mi Angelica, Sofje, Carola dhe Diego. Më mungojnë shumë. Më mungon aroma e tyre, buzëqeshja, lojërat dhe përqafimet e tyre. Unë kam qenë me fat që u bëra gjyshe dhe të përjetoj emocione të mëdha që  mund t’i japin vetëm nipërit. Janë emocione shumë të ndryshme nga të qenit nënë. Jam e lumtur kur shoh në video- thirrjet, duke pritur me durim për kohë më të mira. Si të gjithë gjyshërit në botë.

Përjetoj emocionet më ‘racionale’, duke menduar për të gjithë njerëzit, veçanërisht ata që njoh, sidomos infermierët dhe mjekët që janë në llogore dhe luftojnë  në vijat e para. Mendoj për miqtë e mi të shumtë të shpërndarë në mbarë botën. Disa prej tyre jetojnë në Amerikë dhe ata janë të izoluar. Flasim duke përshtatur oraret  dhe  tregojmë për ditën dhe emocionet që përjetohen në vende të ndryshme.

F.N: Në këto ditë ju keni folur me miqtë tuaj nga bota, cilat kanë qënë temat e bisedës që keni zhvilluar ?

L.M: Ne arbëreshët jemi katolikë  por ndjekim ritin Bizantin-Grek prandaj të dielën në mëngjes të gjithë lidhemi me Zotin Gabriel dhe ndjekim liturgjinë bizantine.

Ditët e tjera flasim  në  telefon. Bisedat tona përqëndrohen në momente që na kujtojnë situata të gëzueshme të përjetuara në periudhat e kaluara për të përcjellë pozitivitet. Në veçanti, flas shumë shpesh me Lidian, mikeshë dhe kushërira ime e cila jeton në Buenos Aires. Ajo ka një vajzë, Cristina, e cila jeton në Nju Jork. Vitin e kaluar Lidia mbushi 80 vjeç.  Por meqënëse gjithnjë është  bukur,  të kapësh ‘momentin’,  organizova takimin tonë në Nju Jork, së bashku me miqtë e Kristinës, për të festuar ‘alla grande’, ditëlindjen e saj të rëndësishme.

Unë gjithashtu mora pjesë një ngjarje tjetër të mrekullueshme që  përkonte me Ditën e Columbu-s.  Kështu ne përfaqësuam Arbërinë në paradën në rrugën 5 me kostumin e traditës Arbereshe. Në këtë ngjarje të madhe ishte e pranishme dhe  mikesha ime Ruki nga Kanadaja së bashku me miq të tjerë. Vërtet ishte një përvojë e jashtëzakonshme.

Ndërkohë  në bisedat tona telefonike, kujtojmë ditët e gëzuara të lumtura të jetuara që zëvëndësojnë vetminë e ditëve që po kalojmë në këto kohë. Ka shumë miq të tjerë, të cilët për mua janë shumë të dashur. Të gjithë, të ndryshëm nga njëri tjetri, por të gjithë arrijnë të përcjellin pozitivitet dhe shumë ndjenja dashurie dhe miqësie.

Nëse gjatë telefonatës optimizmi bie dhe flasim për ‘virusin diabolik’ menjëherë citojmë thënien që na kanë mësuar gjyshet tona : ZOTI KRISHT NENG NA MUNDEN ME ‘. Kështu shfaqet mençuria e gruas së pjekur, e gruas që ka jetuar mundimet e jetës, urisë, sëmundjes, vdekjes së të dashurve, sakrificave, shlyerjeve.

Pas atyre që kemi kaluar, kemi vijuar jetën dhe ecja përpara na ka bërë të harrojmë kohën kur kishim menduar se asgjë nuk do të ishte si më parë.

Tani na thonë të qëndrojmë në shtëpi, në kolltuqet tona të rehatshme dhe të presim …!!!

F.N: Ju jeni një eksperte gatimi , çfarë këshilloni të gatuani  në këto ditë të këtij virusi diabolik ?

L.M: Më pëlqen shumë kjo pyetje sepse më jep mundësinë të flas për pasionin tim të madh. Arti i kuzhinës është i denjë për të patur një respekt të madh, veçanërisht kur i ka rrënjët në kulturat dhe identitetet etnike. Dhe rrënjët e mia i përkasin identitetit arbëresh, në disa receta të lashta të dhëna nga amvisat, nënat dhe hallat, kur përgatisja pjatat që kishin të bënin me festimet fetare dhe familjare. Ishte fat për mua të shikoja përgatitjen e pastave në shtëpi. Në këtë mënyrë i mësova recetat e vjetra dhe tani mund t’ua tregoj  gjeneratave të reja përmes videove dhe me një libër të rëndësishëm  siç është, libri,  “GRUAJA ARBERESHE DJE , SOT DHE NESER” .

F.N : Cilat janë disa nga recetat që ju keni gatuar në ditët e Corona Virus ?

L.M: Kuzhina ime, mund të them me siguri, që përfaqëson Dietën Mediterranean, Trashëgimi e Unescos.Shfrytëzoj këtë mundësi për këtë intervistë interesante t’u  falënderoj,  Dr. Flora Nikolla, presidente e Qëndrës Albanian Excellence, gazetare dhe intelektuale e shkëlqyer, gjithnjë e vëmendshme ndaj çështjeve sociale, e gatshme të rrëfejë emocionet që po përjetojmë.

VIRUS-i i mallkuar ka treguar, me fuqinë e tij, kuptimin e vërtetë të globalizmit duke mbjellë terror në të gjithë botën dhe duke krijuar probleme serioze për ekonominë botërore. Pasqyrimi im kthehet në konceptin që asnjeri nuk mund të ndahet nga historia jonë.

Prandaj kuzhina ime është përgjigjja për kohën që po jetojmë. Në veçanti, përgatitja e pastave  në shtëpi të lidhura me traditat e lashta, janë dhe  një veprim i qëndresës ndaj globalizmit. Mbasi mbaroj mëngjesin, si zakonisht, mendoj se çfarë do të gatuaj  për drekë dhe natyrisht nëse i kam përbërësit që më duhen.

Në këtë periudhë të veçantë për të gjithë, gati si gjithmonë përgatisim pasta, vetëm në shtëpi. Unë jetoj në një fshat të vogël, ku gjithçka është afër dhe kjo është edhe arsyeja pse ndihem e privilegjuar duke marrë frymë nga ajri i pastër i Parkut tonë të mrekullueshëm, Pollino.

Si një ambasadore e Akademisë së kuzhinës Kalabrian-Arbërore, ka shumë receta, veçanërisht ato që lidhen me përgatitjen e pastave.  Njëra prej tyre është mbretëresha e të gjithëve,  janë SHTRJDHELAT që  gjithmonë i gatuaj kur marr pjesë  në aktivitete e panaire të ndryshme  në vende të ndryshme të botës, si në Amerikë, Ballkan, në plan kombëtar dhe rajonal.

F.N: Mund të tregoni për Albanian Excellence, një nga formulat tuaja të preferuara ?

L.M: Për  Albanian Excellence,  dua të ‘tregoj’ recetën për një pjatë tipike kalabreze dhe që ne arbëreshet e kemi adoptuar,  pasi kultura jonë, është integruar në kulturën kalabreze dhe në atë italiane. Quhet, TUMAC ME QIQRA.

Duhet ta dini se nga ne italo-shqiptarët, vetëm ne nga Frascineto, kemi ruajtur identitetin e të parëve tanë  përmes gjuhës, zakoneve, traditave. Prandaj të martën pas Pashkës, festimet tregojnë të shkuarën e lavdishme të qytetërimit shqiptar, si një kujtim i një kohe antike, por gjithnjë e pranishme në zemrën arbëreshëve. Kështu në një ditë, të martën, rijetojmë historinë e gjashtë shekujve me kostume gala, këngë dhe valle.

Shqiptarët si edhe tani, preferonin të martoheshin me njëri-tjetrin, kështu që të rinjtë për të dalluar Latinët nga  vëndasit , i thonin të shqiptonin  frazën TUMAC ME QIQRA . Disa e kishin të vështirë ta shqiptonin  dhe duke e patur të vështirë të shqiptonin pa mëndje,  gishtin tregues  dikush e vendosi  në një tigan të zi, dhe shënja i  mbeti në fytyrë.

Faleminderit përsëri Flora Nikolla që më dhatë mundësinë të flas për traditat tona që i përkasin kulturës antike që ju shqiptarët në të gjithë botën i njihmi  sepse i keni studiuar në libra.

Por ne ende jetojmë, (ndoshta dhe për pak akoma ). Ne kemi rrënjët tuaja që i ruajmë me xhelozi dhe mrekulli dhe ju ftojmë të na vizitoni. Shumë çka ka ndryshuar që kur  Shqipëria ishte e izoluar.

Shoqata  Vorea dhe Qëndra Albanian Excellence, pas një takimi të suksesshëm edhe nga kryetari i bashkisë Angelo Catapeno, ka punuar shumë duke organizuar një seri projektesh, takimesh, shkëmbimesh, vizitash me përfshirjen e personaliteteve të shquara nga bota politike, artistike dhe agro-ushqimore. Së bashku shijuam ditë dhe momente emocionuese të mëdha se i përkasim të njëjtës kulturë.

Si grua dhe qytetare e botës unë luftoj globalizimin. Në të vërtetë më pëlqen të them që mendoj globalisht, por reagoj lokalisht. Ne po përjetojmë globalizim çdo ditë përmes mediave. Ajo tenton të standardizojë dhe standardizojë stilin e jetës dhe gjithashtu mënyrën se si ne hamë dhe ushqehemi.

Në Cana-në time, (laboratori im i guzhinës) ju ofroj miqve të të Bed and Breakfast  PIEFFE dhe miqve të mi, pjata të lashta të gatuara vetë, si shtrojdhla , rricciolinra, dromsa, fillatjel, rrashkatjel dhe shumë pjatë të tjera.

Ju ftoj të vini ti shijoni !!!

Receta e Lucias : Tumac me qiqra

Në një tas me ujë hidhni 500 gram qiqra dhe lereni gjithë natën. Në mëngjes, hidhni në një tenxhere qiqrat me të njëjtin uje dhe zijeni  për të paktën 2 orë.

Derdhni ujin  dhe shtojini pak kripë .

Salca Përgatitet me vaj, qepë, selino, majdanoz dhe disa domate qershi. Të gjitha i keni prerë në copa të vogla dhe i gatuani në zjarr të ulët.

Përgatitja e brumit

250 gram miell 00

250 gram semola

1 gotë ujë me pak kripë

Vendosni miellin në një tas dhe hidhni ujin dhe kripën.  Punoni masën  dhe hidhini ujë nëse është e nevojshme. Lëreni të pushojë për 10 minuta dhe me ndihmën e  okllaiu hapni nje petë  jo shumë të hollë.  Mbasi e keni mbledhur petën në okllai , tërhiqeni  duke e nxjerrë nga okllaiu. (Shihni foton ).

Më pas nisni ta prisni petën e mbledhur me thikë.

Kur uji është vluar  për të gatuar makaronat, hidhni  tagliatellet dhe mbuloni tenxheren me kapak.

Mos i ziej  shumë.

Makaronat kullohen  dhe më pas  pula dhe salcat shtohen në të njëjtën tenxhere. Përziejini dhe lërini për disa minuta të aromatizojnë përbërësit.

Më pas shtohet një grusht i mirë me majdanoz të freskët  dhe shërbehet nxehtë.

Ju bëftë mirë !

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *