Manushaqe Shehu-Zonje qe ben Shqiperine- Kultura ushtarake, forca e veprimit te Manushaqe Shehu

Gjeneral brigade Manushaqe Shehu

Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura

 Të qenit një grua në karrierë përbën një sfidë sa personale, aq edhe profesionale. Në jetën time kam ndjekur dhe adhuruar modele të tilla grash të suksesshme, arritjet e të cilave e kanë bërë botën dhe shoqërinë njerëzore më të mirë. Edhe pse më të rralla në numër, historia i ka identifikuar ato në të gjitha fushat e jetës…

 

Profesioni i ushtarakut tradicionalisht është konsideruar si një “terren maskilist”, për vetë natyrën, privimet dhe sakrificat që kërkon. Por ky fakt mua nuk më pengoi që ta zgjidhja si bashkëudhëtar të jetës sime. Në 30 vite shërbimi si ushtarake karriere, u jam përkushtuar me vetëmohim të gjitha detyrave.

Ndoshta në mënyrë indirekte unë kam thyer një tabu, duke u ngjitur në majën më të lartë të hierarkisë ushtarake, atje ku asnjë grua nuk kishte mundur të mbërrinte më parë…

Arritja e mia pa dyshim që janë atribut sa personal për nga obligimet dhe përkushtimi, aq edhe kolektiv, si rezultat i punës në grup me kolegë, superiorë dhe vartës, pa harruar mbështetjen e pakufishme të familjes sime.

 

Veçantia unike e mënyrës së organizimit dhe të drejtimit të Forcave të Armatosura, duke filluar që nga “qeliza bazë” e deri në nivel strategjik, më kanë rrënjosur vlerat më të larta që përfaqësojnë “heronjtë e heshtur” me uniformën ushtarake. Heroizmi mund të shpëtojë një popull në rrethana të vështira, por vetëm një kompleks i përditshëm virtytesh të njerëzve që i shërbejnë pa kompromis, përcaktojnë madhështinë e atij populli.

 

Duke bërë një konkluzion të përgjithshëm të jetës sime me uniformë, do të doja të nxirrja në pah sakrificat e panumërta gjatë kryerjes së detyrave në vite, në kohë të vështira diktature dhe tranzicioni. Nuk kam gjëra që do të doja të mos i kisha bërë (ndoshta mund t’i kisha bërë edhe më mirë) dhe i gjithë aktiviteti im jetësor ka ardhur natyrshëm në bazë të normave dhe parimeve të mia personale. Në tërë njohuritë që kam marrë gjatë jetës, në punën e përditshme, në shkolla dhe kurset ushtarake brenda dhe jashtë vendit, jam munduar ta kthej këtë kulturë ushtarake në forcë të përditshme për veprim, për të zbatuar me rigorozitet dhe krijimtari detyrat që burojnë nga misioni i Forcave të Armatosura, si forcë e një vendi anëtar të NATO-s.

 

Forcat e Armatosura janë një strukturë organike e çdo shteti, të nevojshme për të realizuar sigurinë dhe pavarësinë e vendit. Kjo pa dyshim që është një aksiomë e vjetar sa vetë bota. Në kontekstin aktual të përballjes me mjedisin gjithnjë në ndryshim të sigurisë, Forcat e Armatosura kalojnë sfida të  panumërta sipas situatave dhe rreziqeve që i kanosen vendit, pa lënë pas dore edhe rreziqet apo emergjencat e brendshme në ndihmë të popullsisë.

 

Profesioni i ushtarakut, ashtu sikundër të gjithë profesionet e tjera, ka në themel të suksesit dy faktorë: puna e vazhdueshme dhe e përkushtuar dhe studimi i pandërprerë për ngritje të mëtejshme profesionale. Vetëm kështu mund të realizohen detyrat me përpikmëri, qoftë edhe kur ato duken ndonjëherë detyrë “e vogël”. Unë mendoj se nuk ka detyra të vogla dhe detyra të mëdha, për këtë do përmendja fjalët e nobelistes shqiptare Nënë Tereza: “Nuk ka rëndësi se sa të mëdha janë gjërat që bëjmë, por me sa dashuri i realizojmë edhe ato më të voglat”.

 

Çdo njeri ka momente të caktuara në jetë në të cilat analizon arritjet dhe reflekton nëse do të kishte bërë gjëra edhe më të mira. Besoj se kjo dilemë bëhet edhe më e vështirë për ushtarakët, të cilët falë statusit të veçantë dhe kushtëzimeve ligjore të profesionit, e kanë disi më të vështirë për të implementuar risi dhe ide novatore në “komunitetin” e Forcave të Armatosura.

 

Megjithatë, një drejtues duhet të jetë gjithmonë në kërkim të përsosmërisë, e cila arrihet nëpërmjet kërkimit, njohjes, leximit, punës dhe kontaktit të pandërprerë më njerëzit. Arti i drejtimit dhe komandimit sot më tepër se kurrë, imponon kreativitetin, drejtimin me mision, bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, më tepër se drejtimin me urdhër dhe bindjen e verbër.

 

Një aspekt tjetër i punës sime, për të cilin punoj pa reshtur, është angazhimi dhe “lobimi” në drejtim të ngritjes profesionale dhe përfaqësimit sa më cilësor të femrave në radhët e Forcave të Armatosura. Pa dyshim që prania e femrës e bën shoqërinë njerëzore më të mirë…

 

Të kërkosh të ndryshosh diçka, në këndvështrim të parë duket e thjeshtë. Por unë gjykoj se forca dhe dëshira për ndryshim duhet të burojnë së pari nga vetja dhe për veten. Kjo është edhe dilema ime e përditshme. A ja kam arritur?… Për çdo gjë që u përpoqa gjatë jetës, u mundova ta bëj mirë. Si ushtarake që jam, dëshiroj të përcjell një mesazh: “Mos kini frikë të provoni përvoja të reja, suksesi është gjithmonë biri i guximit!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *