Mariane Graff- Zonje qe ben Shqiperine dhjetor 2018
Konsulle e nderit në Shqipëri dhe Presidente e organizatës humanitare unike “Partneriteti Shqipëri-Austri”
Profesioni im si pedagoge, veprimtaria ime në fushat e metodologjisë dhe didaktikës së arsimit për të rritur dhe për studentë, udhëtimet e shumta studimore kudo nëpër botë si dhe dy specializime universitare në degët e politikave të zhvillimit dhe të ekonomisë botërore, përbënin formimin tim deri në vitin 1992, kur rastësisht shkela për herë të parë në Shqipëri. Ishte vendi që kishte përjetuar diktaturën më të përgjakshme dhe më të çmendur në të gjithë ish Bllokun Lindor, e cila e kishte izoluar vendin plotësisht nga bota e jashtme për pothuajse 50 vjet duke e kthyer Shqipërinë në të parin dhe të vetmin !! vend ateist në botë. Mosbesimi, frika, apatia, mungesa e orientimit dhe e shpresës, përveç urisë dhe mungesës së plotë të burimeve të të ardhurave, karakterizonin jetët e njerëzve, sidomos në zonat larg kryeqytetit. E prekur nga kushtet e tmerrshme të jetesës dhe nga rrënimi psikologjik i këtij populli, mu në gjirin e Europës, themelova bashkë me bashkëshortin tim, dipl. inxh. Wilhelm Graf, organizatën humanitare unike “Partneriteti Shqipëri-Austri”.
Si mësuese e përkushtuar, fillimisht besoja se duke rinovuar një shkollë të shkatërruar, unë e kisha dhënë tashmë ndihmesën time. Deri ditën kur u përballa me dimrin e egër dhe mjerimin e pabesueshëm të maleve shqiptare. Nuk mund të rrija duarlidhur. Duhet të zgjidhja: të ndihmoja, kur të kisha mundësi e dëshirë, si të bëhej fjalë për një aventurë, apo të angazhohesha pa kushte, për t‘u dalë krah shtresave në nevojë të lëna në harresë, duke marrë parasysh gjithë mundimet dhe vuajtjet që më prisnin.
Vendosa për këtë të fundit. Vendosa t‘u dal krah të pashpresëve, atyre që nuk u dëgjohet zëri; vendosa të kundërshtoj padrejtësitë shoqërore duke forcuar bashkëpunimin me synim zhvillimin e arsimit, duke ngritur projekte për kapërcimin e mungesave materiale dhe shpirtërore. Është e rëndësishme për mua që t‘u vij në ndihmë njerëzve, me qëllim që të gjejnë mundësi për të ndërtuar të ardhmen në vendlindjen e tyre, për të mos përfunduar në rrethinat e varfra të qyteteve të mëdha. Motot e mëposhtme ishin dhe mbeten udhërrëfyese:
Ndihma u vjen shtresave në nevojë në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa hallka ndërmjetëse, duke u shoqëruar me takime intensive me njerëzit dhe bashkëpunim të bazuar në vlerësimin për ta.
Çdo donacion shkon pa përjashtim për realizimin e projekteve, pasi të gjitha shpenzimet administrative, ato të udhëtimeve si edhe për materialet informuese mbulohen financiarisht nga bashkëshorti im dhe unë.
Qëndrueshmëria e sukseseve të projekteve mund të sigurohet duke përfshirë ngushtë në to banorët e zonës, në bazë të bashkëpunimit me koordinatorin shqiptar, Skënder Thaçi. Bashkëpunimi i ngushtë me qeverinë, komunat dhe autoritetet lokale synon në dhënien e ndihmës pa marrë parasysh përkatësinë partiake, fetare apo mendësinë personale. Ky ka qenë një parim bazë për mua qysh prej fillimit. Punimet ndërtimore kryhen pa përjashtim me fuqinë punëtore shqiptare; pajisjet sigurohen sa më shumë të jetë e mundur nga kompanitë private shqiptare.
Të kultivojmë vlerat në vendin partner!
Të luftojmë papunësinë në mënyrë efikase!
Popullsia e zonës të identifikohet me projektet e zhvillimit!
Deri më sot janë ngritur nga organizata ime private, pa ndihmë shtetërore, mbi 130 objekte ndërtimore – shkolla, stacione të ndihmës mjekësore, kopshte fëmijësh, streha sociale, qendra arsimore, qendra rinore dhe sportive, ura, ujësjellës, projekte kanalizimi, pyllëzimi e shumë të tjera duke përfshirë edhe shumë projekte pilote. Përveç këtyre janë furnizuar rreth 30.000 familje në 54 komuna me paketa të mëdha me veshje e ushqime.
Puna e jashtëzakonshme u mirëprit. Angazhimi im i palodhur u nderua me çmimet nga më të lartat kombëtare dhe ndërkombëtare. Disa prej tyre:
Falënderimi më prekës për mua ishte një fjali, e shkruar nga komiteti propozues për Çmimin Nobel të Paqes:
“Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e saj humanitare të pashembullt në Europë, por edhe në mbarë botën, si edhe për arritjet e saj të jashtëzakonshme, ne kërkojmë dhënien e Çmimit Nobel të Paqes …”
Këto çmime nuk janë dafina, mbi të cilat dua të pushoj me krenari, por shumë më tepër një mbështetje dhe nxitje, për të vazhduar punën time për të mirën e shqiptarëve.
Qysh në fillim unë caktova prioritetet e mëposhtme lidhur me veprimtarinë tonë humanitare: arsimi dhe kujdesi shëndetësor – të drejtat e fëmijëve – ndërtimi i urave në fshatrat malore – ndërtimi i ujësjellësve – projektet për mbështetjen e grave – projektet për forcimin e paqes – mbrojtja e pakicave – forcimi i zonave rurale – ruajtja e trashëgimisë kulturore – dialogu kulturor dhe ndër-fetar – ekologjia.
Nisma ime me Albanian Excellence
Të gjitha këto prioritete do të mbeten përcaktuese për projektet e ardhshme, me fokus shtesë ekoturizmin dhe ngritjen e një qendre bio në rajonin malor verilindor të Shqipërisë.Për mua është e rëndësishme,të mos e zbukuroj realitetin artificialisht,të mos i trajtoj problemet teorikisht, të shmang programet që synojnë famën dhe prestigjin. Qëllimi im është të nxjerr në pah problemet, duke ofruar mbështetje dhe ndihmë konkrete.
Vetëm me një koncept kompleks mbështetës zhvillimi mund të vihet në zbatim një program me efikasitet të lartë dhe përparim të vazhdueshëm. Zhvillimi i qëndrueshëm është baza dhe hap rrugën për një të ardhme larg dhunës në Europë, në veçanti në Ballkan, në këtë rajon të rënduar nga konfliktet në juglindje të Europës. Në këtë këndvështrim veprimtaria e organizatës sonë mund të karakterizohet si një program për paqen. Në këtë kuptim në vitin 2019, Me Albanian Excellence mund të ndërmarrim së bashku, nisma në mbështetje dhe në ndihmë të grave në Fushë-Arrëz dhe në Mirditë .