Në agim eja !!!

Teodor Keko

Nga Flora Nikolla

Për Teodor Keko –

Tirane, 20 gusht/AE/.- ” Memoria ime për Ty është memorie e dëborës. Vështroj tek ajo dhe të shoh sikundër tani mbaj një libër tëndin ndër duar. Titullohet, “Hollësirat fatale”, sikur të thoje hollësira fatale të njerëzimit para ikjes tënde.

Kur zbres shkallët e shtëpisë sime, aty në kafe Europa, të kërkoj çdo mëngjes në qoshen tënde duke pirë kafenë.

Ndonjëhere harroj me idenë se përsëri Ti je aty, sepse nuk mund të jetë ndryshe.

Jo absolutisht unë këmbëngul të them se si sot, nesër, gjithmonë, dikush Ty, të zgjon në agim, të mbush vazon me lule, dhe pastaj të dëgjojnë zërin, fjalën e mënçur, shakanë hokatare, të shohim vështrimin dhe të ndjejnë buzëqeshjen .Takojmë të gjithë Dorin, sikundër unë tani me librin tënd në duar të kam takuar përsëri.

Ti asnjëherë nuk përton të zgjohesh se hija jote është përherë në petalet e vështrimit të qënieve të tua më të dashura, të miqve të tu të njohur dhe të panjohur, të gjithkujt që pati fatin të të njohë.Por jo vetëm kaq. Kur ike nuk i the askujt se po ikje, ndaj dhe kur vjen liria e shpirtit Tënd nuk i thotë  kërkujt: ” Më prisni se erdha…!

Ti vetëm vjen, ikën, je.

Po ku është vdekja e vërtetë atëhere ?

Eshtë një shurdhë memece e gjorë përpara fuqisë që di t’i japësh  Ti.

Në fakt, Dori ia kishte treguar vdekjes të vertetën e jetës shumë kohë më parë, në faqet e librave të tij.

Fillimisht në poezi ai i bënte asaj një bisedë të shkrythët dhe të lirë, por aq edhe të fshehur. Pastaj në çdo skutë të rimës së poezisë gjithsesi fitonte dashuria… jeta.

Sepse,  Ti nuk kishe mllefe në fjalën Tënde të lirë dhe të drejtpërdrejtë.

Kur shkrove romanet ndodhi e njëjta gjë.Personazhet dhe fenomenet e Tua ishin reale që pasi i përjetoje i shkruaje ashtu , pa zbukurime dhe siç i kishte blatuar jeta.

Eci mbi faqet e librit të tij për të thënë se Dori nuk dha asnjëherë në librat e Tij hemoragji fjalësh, dhe as pengesa cerebrale. Tek ai kishte vetëm dhimbje për një shoqëri pa krye, e brejtuar nga metamorfoza.Gjithmonë dhe gjithshka e vështronte me pafajësinë e një të rrituri të mitur, sikur nuk po ndodhte asgjë , për të treguar paskësaj përmes gërmave gjithçka.

Etja …Memoria ime kur shkruaj për Ty ështe etje. Por jo vetëm për mua …Jam shumë pak dhe shumë e vogël në atë kalorësi njerëzish që të rrethonin Ty.

T’i ike dhe i le të gjithë të etur.Tani thellë në pus nga ikja jote, kërkojnë të pijmë kujtimin tënd që t’i e le gjithkund.Ti ishe pus në dhimbjen tënde, kur ngjyrat e errëta të mbuluan trupin.Sa fort e kishe mbyllur brenda vetes atë të shkretë trishtim…!!!

Kërkujt dhe asnjëherë nuk i tregove për jetën tënde në fikje.

Ti jetoje me metastaza blu, dhe pastaj hidhje në dorëshkrimet e tua relativitetin e jetës, në faqet e bardha vizatoje alegoritë e saj.Nuk shkruaje për hënën, për trëndafilat, nuk shkruaje për detin…Ti shkruaje vetëm për atë që dije, shkruaje për atë që vibronte qënien tënde, shkruaje atë që ishe Ti.

Dhe tani gjithkund bën dritë dhe hije me vështrimin tënd të mbetur gjallë.

Tek ty, në këtë moment ështe natë.

Zemër e natës fol me shpirtin tënd të lirë.

Buzëqesh, hajde dhe ik, çdo ditë, çdo natë .

Trego të lutem se çdo të thonë fjalët : E Vërtetë dhe Liri, në këtë botë që jetojmë dhe ku nuk jetojmë dhe ku shumë njerëz vetëm për të mbijetuar i barazojnë të dyja me fjalën gënjeshtër. Shpjegoju pra të vërtetën e jetës, për ta patur ata paskësaj në dëshirat e tyre, ne ç’ekiulibret, në deliret, në ditët e vështira mësoju atyre të jenë fisnikë…Si Ti, kur me metastazat blu në trupin tënd u bëre ëngjëll pa moshë, pa vdekje !!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *