Nju Jork-u këndon “Luleborë” në Symphoni Space

Në vijim të festimeve për 100 vjetorin e lindjes së kompozitorit dhe dirigjentit Simon Gjoni

Me pjesmarrjen e : Dëshira Ahmeti Kërliu, Riad Ymeri, Ergin Oda, Estelina Syla, Kreshnik Zhabjaku, Fiorela Miria, Mira Konçi, Vedat Ademi, Gjilberta Lucaj Cohen, Klajdi Cerriku, Ariana Krasniqi Dupont, Redi Llupa.

Nju Jork/ 10 Dhjetor/AE/.- Në vijim të festimeve për 100 vjetorin e lindjes së kompozitorit dhe dirigjentit Simon Gjoni u zhvillua në Nju Jork koncerti jubilar “Luleborë” me pjesëmarrjen e artistëve më të njohur shqiptarë në praninë e një publiku të zgjedhur nga personalitete të kulturës, artit, shkencës dhe biznesit.

Të gjithë të pranishmëve ju shpërndanë programe të përgatitura enkas për këtë koncert ku në faqen e fundit kishin të shtypur tekstin e këngës së famshme “Luleborë”.

Me regji të Andis Gjonit dhe skenar të Flora Nikollës, koncerti u drejtua nga prezantuesja e njohur Kozeta Turishta, dhe kishte të njëjtin format si koncerti i zhvilluar një muaj më parë në Tiranë.

Pas një video hyrëse ku u shfaq kompozitori duke hyrë në një emision televiziv të vitit 1986, dhe fjalës së mirëseardhjes së prezantueses së këtij aktiviteti fjalën e mori djali i kompozitorit i cili falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë koncert.

“Eshtë një kënaqësi e vecantë t’ju kemi sonte mes nesh për të festuar 100 vjetorin e lindjes së një artisti që la gjurmë në muzikën shqiptare. Sonte do dëgjoni melodi të bukura të krijuara nga një kompozitor që e desh shumë vendin e tij, prandaj dhe krijimet e tij mnbajnë vulën e një personaliteti të spikatur. Kishim dëshirë që atë atmosferë që u krijua në Tiranë ta sillnim edhe për bashkëatdhetarët këtu në Nju Jork. Falenderoj organizatën “Albanian Excellence” që mbështeti këtë koncert dhe promovon personalitetet e artit, kulturës shekncës shqiptare po ashtu falenderoi edhe Televizionin Kultura Shqiptare që me punën e palodhur vazhdon përhap lajmet e komunitetit në Nju Jork e më gjerë dhe do transmetojë edhe koncertin e zhvilluar mbrëmë”, tha Andis Gjoni.

Ai më pas ftoi në skenë kompozitorin Limos Dizdari, një mik, koleg dhe bashkëkohës ikompozitorit Simon Gjoni i cili u shpreh me vlerësimet maksimale për punën dhe veprën e Simon Gjonit. Pasi vlerësoi krijimtarinë e kompozitorit dhe dirigjentit të njohur, përmendi veprat e krijuara duke filluar që me Albumet për Piano dhe Romanca, krijimet e hershme të këngëve të bukura e të melodive që u përhapën në të gjithë Shqipërinë e përtej kufijve të vendit e më pas veprat madhore si Vallet Simfonike, Poemat Simfonike e deri tek Simfonia.

Gjithashtu z. Dizdari u shpreh me një vlerësim maksimal edhe për punën dhe verpën pedagogjike e më pas teorike të lëna nga kompzitori të cilat janë vlera të pacmueshme të kulturës dhe mësimdhënies në Shqipëri.

Më pas prezantuesja e këtij koncerti ftoi në skenë edhe zonjën Hermira Gjoni, me një karrierë më tepër se gjysëm shekulli në skenë, bashkëshorte e kompozitorit, e cila hapi programin së bashku me sopranon e re Estelina Syla e cila po bën emër me pjesëmarrje në shfaqje të ndryshme në skenat e Nju Jorkut. Ajo interpretoi romancën për piano dhe vokal “Vajza dhe Liqeni” të kompozuar në vitin 1964. Ishte një interpretim shumë i bukur dhe shenjë e mirë për cfarë do vinte më pas në këtë koncert shumë të vecantë. Në këtëeveniment merrnin pjesë këngëtarët më të njohur të muzikës operistike me banim në USA e gjithashtu edhe këngëtarë të famshëm të muzikës së lehtë.

Pjesëmarrës ishin Dëshira Ahmeti Kërliu, Riad Ymeri, Ergin Oda, Estelina Syla, Kreshnik Zhabjaku, Fiorela Miria, Mira Konçi, Vedat Ademi, Gjilberta Lucaj Cohen, Klajdi Cerriku, Ariana Krasniqi Dupont, Redi Llupa.

Baritoni Kreshnik Zhabjaku me dy romanca epike e elektrizoi publikun me zërin e tij të fuqishëm dhe plot muzikalitet në interpretimin e “Poemës së Rapsodit” një nga më të bukurat e repertorit vokal.

Edhe soprano Dëshira Ahmeti Kërliu dha emocione të forta me romancën “Premtimi”. Publiku reagoi me duartokitje që vinin gjithnjë e më në rritje me cdo interpetim të artistëve në skenë.

Edhe dueti “E vogël kam qëllu” D. Ahmeti Kerliu me tenorin Riad Ymeri u pëlqye shumë nga publiku. Po ashtu edhe interpretimi i pianistit Redi Llupa me një muzikalitet të lartë, me lojë interpetative shumë të sofistikuar dhe nuanca muzikore të ndjera meritoi duartrokitjet e publikut.

Pasoi dueti “Bjeshkëzo” një tjetër perlë e repertorit vokal shqiptar e cila u interpetuar me mjeshtëri nga Estelina Syla me zërin e ëmbël dhe Riad Ymeri me timbrin e tij dhe ndjeshmërinë muzikore e bëri për vehte publikun e pranishëm që duartrokiti me entuziazëm.

I gjithë programi ishte i përkthyer edhe në anglisht me një projeksion në skenë ku shumë të pranishëm amerikanë kishin mundësi të shijonin tekstet dhe meloditë duke i hyrë më në brendësi përmbajtjes së vepra të ekzekutuara në skenë. Programi vazhdoi me një video projeksion në ekranin e madh në sallë ku me intepretimin e Orkestrës së RTSH nën drejtimin e Eno Kocos dhe me një koreografi të Adela Mucollarit balerinat e TKOB me mjeshtëri interpretuan “Pizzicato – nga Poema Simfonike “Shqipëria Feston”

Pas këtij momenti ndërmjetës programi vazhdoi me pjesën e dytë me këngën “Pashë sytë e tu si drita” të interpetuar me mjeshtëri nga orkestrina dhe Ergin Oda. Një nga këngët më të bukura të krijuara nga kompozitorit Simon Gjoni që edhe një herë emocionoi sallën që e priti me ovacione interpretimin. Këngëtarja e njohur Mira Konci me këngën “Mori Nanë” tregoi edhe një herë aftësitë e saja intepretuese duke i dhuruar artdashësve emocione. “Shkon e vjen porsi flutur” nga Riad Ymeri e theu përfudnimisht barrierën mes spektatorit dhe skenës duke bërë që të shoqërohej gjatë gjithë këngës me duartrokitje të publikut që shoqëronte shfaqjen. Pas kësaj i erdhi rradha këngëtarit tjetër të njohur Vedat Ademi i cili së bashku me Mira Koncin sollën për publikun këngën “Vajzë e vogël” që me melodinë e vecantë dhe intepretimin e bukur u prit shumë mirë. Pas këngës “Moj sy shkrume” të kënduar nga Ergin Oda i erdhi rradha këngës përmbyllëse të këtij koncerti ku te gjithë këngëtarët kënduan edhe një herë hymnin e muzikës qytetare “Luleborë” të shoqëruar edhe nga publiku në sallë.

Edhe një herë magjia e kësaj kënge e mbështolli publikun me tinguj të paharrueshëm duke bërë që të këndohej dy herë me rradhë nga artistët. Një natë e paharruar me plot emocione ku komuniteti shqiptar nderoi në zemër të Nju Jorkut një nga kompozitorët më të vecantë. Lulet mbushën skenën dhe urimet për artistët ishin pa fund.

Kjo mbrëmje e vecantë u mbyll me urimin për festat e fundvitit dhe shpërndarjen e librit “Simon Gjoni – Muzika dhe Epoka” të shkruar nga i biri Andis Gjoni.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *