Pasioni dhe karriera e Brunilda Paskalit ne arsim dhe administraten e larte

Zonjë që bën Shqipërinë Dhjetor 2018

Ndihem shumë e nderuar që jam zgjedhur të jem pjesë e “Zonjave që bëjnë Shqipërinë”, e zonjave që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të cmuar jo vetëm në profesionin e tyre, por edhe në komunitetet ku jetojnë, që me impenjimet e tyre bëjnë ndryshime të vogla por me dashuri të madhe.

Ndërkohë, u ndjeva edhe përpara një dileme të madhe, e cila më lindi ndërsa lexoja kërkesat e esesë për librin “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”.Ka disa momente në jetë që pyetje të caktuara të vendosin përpara një dileme: Cila është përgjigja e saktë? Cila më përfaqëson më mirë?

Kjo ndodhi për shkak të ndryshimit të drejtimit tim profesional në jete. Edhe pse kam studiuar dhe më pas kam punuar për rreth 25 vjet në fushën e mësimdhënies, menaxhimit dhe drejtimit në arsim, prej më shumë se 5 vitesh jam duke dhënë kontributin tim në institucione të larta të shtetit. Dhe kjo sjell dilemën time për ta përkufizuar veten me një profesion të vetëm dhe për të thënë se përse i jam përkushtuar atij.

Me gjithë dilemën e mësipërme, pas një reflektimi të thellë, vendosa të mbetem tek dashuria ine e parë: mësimdhënien. Jo vetëm sepse sic thuhet, dashuria e parë nuk harrohet kurrë, por edhe pse dashuria ime për arsimin dhe mësimdhënien, mendoj që më është transmetuar bashkë me qumështin e nënës. Mamaja ime ka qenë mësuese gjatë gjithë jetës së saj. Teksa rritesha e shikoja se me sa dashuri përgatitej për orët e mësimit, sesi korrigjonte hartimet e nxënësve të saj deri në orët e vona të natës, sesi shpjegonte me pasion lëndën e bukur të gjuhës sonë shqipe dhe letërsisë.

Shembulli i mamasë time është ngulitur në shpirtin dhe zemrën time qysh në fëmijëri, kështu që edhe vendimi për të përzgjedhur profesionin e mësuesit mendoj se ka qenë natyral dhe i thjeshtë për mua.

Nëse përzgjedhja e profesionit, që do të ushtrosh në jetë, është një moment shumë i rëndësishëm, ushtrimi i tij, kur mbaron studimet dhe hyn në tregun e punës, mbetet një sfidë që vazhdon gjatë gjithë jetës. Kjo sepse, sot pas gati 30 vjetësh që jap kontributin tim, kam arritur në konkluzionin që shkolla dhe studimet të japin njohuritë e nevojshme apo hedhin themelet e të ardhmes së punës tënde, ndërkohë që ndërtesën e madhe të emrit dhe kontributit tënd në fushën përkatëse, do ta ngresh gradualisht ditë pas dite me punë e sakrifica.

Punën dhe sakrificat i kam parë gjatë gjithë jetës, jo vetëm tek mamaja ime, por edhe te plejada e mësuesve e pedagogëve që më kanë edukuar e mësuar në bankat e shkollës e të universitetit. Dedikimi, serioziteti dhe përkushtimi i tyre janë lajtmotivet që na kanë udhehequr në jetë mua dhe mijëra mësues e pedagogë të tjerë. Falë tyre e shikoj profesionin tim si një mision dhe pasion, jo si një detyrë që thjesht duhet ta përmbush.

Por, nga ana tjetër, shikoj edhe cështje shqetësuese në fushën e mësimdhënies. Fatkeqësisht, në 2 dekadat e fundit kemi parë problematika të ndryshme si nga nxënësit e studentët edhe nga mësuesit. Mungesa e interesit për të mësuar, apo nivel i ulët në mësimdhënie janë dy nga problemet që hasen më shpesh, ashtu sic janë edhe numri i madh i nxënësve në klasa apo shkolla që nuk ofrojnë kushtet optimale për zhvillimin e procesit mësimor. Të gjitha këto problematika pasqyrohen në produktin final që nxjerr arsimi: profesionistin e fushës përkatëse.

Personalisht, ndaj mendimin se, nëse do të ndërtosh një të ardhme të sigurtë për një vend, investo në arsim, dhe këtu nënkuptoj investimin si për mësuesit edhe për nxënësit. Por, nëse investimi për nxënësit lidhet kryesisht me krijimin e kushteve optimale për mësimnxënie, investimi për mësuesit është i lidhur ngushtë me rolin e tyre të rëndësishëm, me atë që ata përfaqësojnë për shoqërinë dhe të ardhmen e vendit.

Figura e mësuesit ze një vend thelbësor në jetën e cdo individi. Mësuesit ndihmojnë nxënësit e tyre jo vetëm të bëhen njerëz më të mirë për vete, shoqërinë dhe vendin por janë shpesh këshilluesit më të mire të të rinjve në zgjedhjen e karrierës. Bota e sotme, modern dhe e globalizuar, kërkon nivel shumë të lartë në mësimdhënie dhe po kështu kërkon nga mësuesit të kenë njohuri të thelluara në fushat e tyre dhe jo vetëm në to, për të plotësuar kërkesat e standartet e larta të një edukimi cilësor.

E ardhmja dhe zhvillimi i cdo vendi është në duart e mësuesit, sepse mënyra sesi performojnë studentët, kur futen në tregun e punës, është rezultat i cilësisë së mësimdhënies. Roli i mësuesit është t’i shërbejë gjithë shoqërisë dhe puna e përkushtuar e tij prodhon qytetarë të denjë të një vendi më shumë se të gjitha ligjet e marra sëbashku.

Duke patur parasysh këtë rol thelbësor të mësuesit për shoqërinë është e rëndësishme që atyre t’u jepet edhe vendi që meritojnë. Kështu, është domosdoshmëri rritja e autoritetit të mësuesit brenda dhe jashtë klase, ashtu sic është domosdoshmëri edhe nevoja për të përzgjedhur studentët më të shkëlqyer në përfundim të studimeve universitare, për t’i drejtuar në fushën e mësimdhënies.

Është detyrë e institucioneve arsimore, si publike dhe private, të investojnë tek mësuesit e tyre nëpërmjet kualifikimeve të vazhdueshme, promovimit të mësuesve më të mirë, mbështetjes në punën e tyre dhe punësimit të mësuesëve më të kualifikuar.

Gjatë gjithë punës time si pedagoge, por edhe kur kam qenë drejtuese e institucioni arsimor privat “Ëisdom”, jam përpjekur të ndërmarr iniciativa konkrete për të përmirësuar punën time apo për të ndihmuar pedagogët, që kanë punuar me mua, të promovojnë punën e tyre. Shpesh është e vështirë të kuptohen sakrificat, lodhja, orët e gjata të punës edhe pas mësimit, nga dikush që nuk ka të njëjtin profesion me ty.

Per të përmirësuar e fuqizuar punën e mësuesve, gjatë viteve që drejtoja institucionin arsimor privat “Ëisdom”, disa nga iniciativat e ndërmarra kanë qenë ato të një komunikimi të vazhdueshëm me prindërit e studentëve. Puna e mësuesit merr më vlerë dhe bëhet më mirë kur ka mbështetjen e prindërve. Prindërit dhe familja, mbështetja e tyre dhe mbështetja e punës së mësuesit, janë pjesë e madhe e suksesit që mund të arrijë një student në klasë.

Një nismë tjetër e ndërmarrë ka qenë ajo e lidhjes së ngushtë me komunitetin, duke ftuar njerëz me influencë në komunitet si sipërmarrës, politikanë etj. Sa më afër të jetë komuniteti pranë shkollës aq më e dukshme bëhet puna e mësuesit, aq më shumë mbështetje merr dhe aq më shumë forcohet figura dhe roli i mësuesit jashtë mureve të klasës.

Ndërkohë që një nismë që ka dhënë gjithmonë rezultate shumë të mira ka qenë marrja e mendimeve nga studentët. Mësuesi nuk mund të jetë një figurë e izoluar dhe e mbyllur vetëm në mësimdhënie. Interveprimi me studentët, marrja e mendimeve me shkrim prej tyre për gjërat që ju pëlqejnë dhe ato që i ndihmojnë apo pengojnë në mësimnxënie, ndihmon në përmirësimin e punës së mësuesit dhe forcimin e rolit dhe figurës së tij.

Të jesh mësues është një punë sa e bukur dhe fisnike, që të sjell kënaqësi të pafund, aq edhe impenjative sepse ke në duart e tua të ardhmen e vendit dhe të botës. Sic thotë shkrimtari amerikan Erin Gruëell “Nëse ndryshon një klasë, mund të ndryshosh një komunitet, dhe nëse mund të ndryshosh shumë komunitete, ndryshon botën”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *