Intervistë me shkrimtarin Dritëro Agolli
Intervistoi: Ilir Shyta
Pogradec, 12 Korrik/AE/.-Në gusht të 2008-ës shkoj në fshatin turistik të Tushemishtit, cili ndodhet në afërsi të Pogradecit, për të intervistuar Dritëro Agollin. Fillimisht takoj Sadien bashkëshorten e tij, së cilës i kërkoj të negociojë me zotin Agolli për një intervistë.
Më pas i marr numrin e celularit të saj për të mbetur në kontakt, caktojmë datën e saktë të intervistës. Dhe dita më në fund vjen!
Me një raki të vërtetë rrushi në tavolinë fillon intervista jonë, që gjatë gjithë kohës u shoqërua nga cigaret që ndizeshin dhe shuheshin për forcë zakoni, prej shkrimtarit me flokë të gjata, të arta, si vetë teutonët. (Jashtë kësaj interviste kanë mbetur përgjigjet e herëpashershme të zonjës Sadie, e cila qëndroi me ne).
Autori i poezisë së famshme “Kur të jesh mërzitur shumë”, kompozuar po kaq bukur nga Ardit Gjebrea për filmin artistik “Rrethimi i vogël”, mbetet interesant në sytë e mi. Agolli mbetet interesant edhe për fjalën e guximshme në vitin 1991, në kongresin X të PPSH-së, kur sulmoi hapur diktatorin dhe u distancua nga figura e Enver Hoxhës, aq edhe për fjalën e goditur “ shkërdhatokraci”, përdorur prej tij gjatë viteve të tranzicionit, në pluralizëm…
Agolli mbetet interesant edhe në poemën e tij “Elegji për Enver Hoxhën”, recituar mjeshtërisht nga aktori Timo Flloko. Me zërin karakteristik dhe të foluren dialektore të zonës së Devollit, zoti Agolli në këtë intervistë reciton vargje të Lasgushit, më tregon njohjen me shkrimtarin dhe gazetarin Niko Nikolla apo eksperiencën e parë të tij, për të blerë një libër të Kutelit.
Më tregon për muajin e mjaltit në Pogradec, politikën në vend dhe emocionin personal për zhvillime të ndryshme.
Intervista është dhënë për televizionin SOT7 në gusht 2008 dhe shoqërohet me tone të thella sinqeriteti…
I.Sh: Zoti Agolli, si po kaloni në Pogradec bashkë me zonjën tuaj Sadie dhe mbesën tuaj Ana?
D.A: Shumë mirë! Unë e dua shumë Pogradecin! Pogradeci bashkë me liqenin e tij është një nga mrekullitë e vendit tonë, ku njerëzit gjejnë një prehje të plotë jo vetëm inaktive, prehje vetëm për t’u shlodhur, por edhe një prehje tjetër që aktivizon imagjinatën, frymëzimin, aktivizon një dashuri të pakufishme për vendin, për njerëzit, për vetë jetën, madje për të ardhmen. Eshtë një vend me ujë, me lule, me zogj, që siç thosh Lasgush Poradeci, veçanërisht kur vjen mbrëmja…
(reciton vargje të Lasgushit)
…Në katund kërcet një portë, në liqer hesht një lopatë
Një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal të Thatë
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im…
Tërë fisi, tërë jeta, ra u dergj e zuri gjumi
Zotëroj më katër anë errësira
Po tashi?
Duke nisur udhëtimin mes për mes nër Shqipëri
Drini plak e i përrallshëm, po mburon prej Shëndaumi.
I.Sh: Me sa di unë, ju nuk i jeni ndarë Pogardecit. Keni kaluar muajin e mjaltit këtu me bashkëshorten tuaj Sadien, ndërsa sërish në moshë të thyer, ju jeni i pranguar nga Pogradeci?
D.A: Po këtu, 41 vjet më parë, kur jam martuar, kam ardhur këtu dhe kam bërë siç i thonë muajin e mjaltit. Tashi mua më duket një kohë e largët, por dhe e afërt. Atëherë unë isha i ri (kur je i ri, të duket si një gjë krejt e zakonshme), një diçka që gjithnjë e ke me vete, edhe kur të shkosh diku të duket sikur e mban në xhep këtë gjë, por kur kalon koha, si tashi që unë jam 75 vjet, të hip një mall i madh që atëherë dhe të thërret ky vend. O njeri që ke kaluar këtë kohë të rinisë, hajde dhe një herë tjetër këtu. Dhe unë disa herë kam ardhur për të pushuar, tre-katër vjet me radhë.
Por ka edhe diçka tjetër më të largët akoma. Unë kam qenë këtu më 1946. Mësoja në shkollën unike të Bilishtit. Shkollë qytetare ishte dhe kisha një shok të ngushtë këtu, Niko Nikollën. Tani ai ka vdekur. Mund të them që ishte shoku im më i ngushtë, por edhe një nga njerëzit që nuk jam shkëputur gjithë jetën. Unë kam pasur edhe shokë të tjerë, por disa janë larguar për arsye të ndryshme, por me Niko Nikollën kam qenë shok derisa vdiq.
Në ’46-ën erdhëm ne nga shkolla e Bilishtit, këtu, në shkollën e Pogradecit. U takuam, u miqësuam dhe që atëherë mbetëm shokë të ngushtë. U lamë edhe në liqen.
Kështu me Pogradecin kam një lidhje të drejtpërdrejtë, kurse në lexime jam njohur ndofta kohë më parë, kur isha në fshatin Menkulas, nxënës shkolle.
Mua më pëlqente Lasgushi, më pëlqente shumë Mitrush Kuteli. Madje po të tregoj një gjë që do të duket çudi. Unë një libër të Mitrush Kutelit “Ago Jakupi” e kam blerë në Bilisht. Librin e kishte një njeri. Atëherë nuk kishte shumë lekë në vitet ’44-’45 edhe munda të gjeja një mënyrë për ta blerë. Më dha im atë një torbë me fasule dhe e kam blerë librin kështu me fasule. Domethënë ishte si një gjellë. Pra lidhjet e mia janë të hershme me Pogradecin. Unë atë kohë i mësoja përmendësh vjershat e Lasgushit si fjala vjen “Ikja e shtërgut”.
(reciton përsëri vargje të Lasgushit)
…fluturoi dhe shtërgu i fundit
Madhështor me shpirt të gjorë…
E bukur shumë poezia. Kështu jam i lidhur shumë me Pogradecin. Këto 3-4 vjetët e fundit të pleqërisë kam ardhur këtu, kam takuar edhe shokë plot, jo vetëm të mitë, por edhe të gruas sime, Sadijes. Ajo ka pasur këtu shumë shoqe si Vaskë Burnazin, Meri Lalajin, Tuke Minarollin…
I.Sh: Ju pak më parë thatë se Pogradeci është okazion frymëzimi? Keni hedhur ndonjë varg në letër këto kohë, në Pogradec ose ndonjë rresht në prozën tuaj gjigande…?
F.N: Kam shkruar një vjershë që tani s’e mbaj mend t’ua them. Me tepër mbaj mend poezitë e të tjerëve se sa të miat. Shkruaj për këtë liqen duke e marrë si personazh dhe Lasgush Poradecin dhe të tjerë, si njerës që kërkojnë të bukurën në këtë liqen, prej të cilit dalin edhe legjendat. Më duket e kam botuar në librin tim “Gëdhin dhe ngryset”. Eshtë një vjershë e gjatë për këtë. Kam shkruar më parë për Mokrën, për Maro Potkozhanin, për Meken, për Muharrem dhe Rreshit Çollakun… Edhe tani kam diçka në dorë në lëmin e poezisë, sepse Pogradeci është një vend që të frymëzon, që të jep mundësi të madhe dhe të ngacmon trurin…
Në fakt një gjë më nevrikos, kur vijnë këtu shpesh njerëz, qoftë gazetarë, njërëz të politikës apo të shoqërisë. Menjëherë venë re e thonë, që atje panë ca plehra, panë ca ndotësira. Nuk shohin fjala vjen në plan të parë këto bukurira…
Eshtë njëlloj si i jep një njeriu të lexojë një tregim që i pëlqen dhe të thotë, po këtë presje nuk e ke vënë mirë, domethënë nuk shikon të përgjithshmen, të bukurën. Unë e kuptoj që ka edhe plot mangësira…
Po kjo është në të gjithë jetën tonë. Unë në radhë të parë shikoj bukurinë e këtij liqeni, nuk shoh papastërtirat. Kur merret gjithë shtypi do të thonë, ç’të vemë atje? Para katër ditëve isha me një gazetar nga Danimarka. Ishte një miku im i vjetër. Kish ardhur te ne, në Pogradec. Më mori një intervistë për Pogradecin, vendin dhe problemet politike. Ai erdhi të rrinte për pak këtu se do të shkonte në Berat, por i pëlqeu aq shumë sa fjeti këtu. E qirasa edhe me raki e verë buti. (Ishte me të shoqen).
E pyeta, -Si të duket këtu?
-Edhe im shoq mos rrinte, më tha ajo, -unë do të rrija vetëm dhe do e dërgoja atë në Berat.
Domethënë e kam fjalën që Pogradeci është një vend i bukur, është mëkat që t’i bëjmë me zor disa njolla. Sot në mëngjes unë preva pak veshin këtu. Kush e di si e preva, po më doli edhe pak gjak duke u rruar. Ndofta m’u drodh dora dhe i thashë Sadies, mos e kam gabim që kam prerë veshin. -Ndoshta s’është gjak. Mos është vera e Siles që po del nga veshi?
-Jo, është gjak, tha ajo.
-Jo moj i thashë është vera e Siles, se ç’do ajo makina që rruhem të vejë te veshi…
Pra, e kam fjalën është një bukuri e madhe këtu dhe të mos themi gjëra që janë tepër të vogla.
I.Sh: Zoti Agolli si e keni njohur zonjën tuaj, Sadien që mbani në krah prej 41-vjetësh?
D.A: Po Sadija ka qenë shumë e bukur atëherë, edhe tani është shumë simpatike nga kjo anë. (Sadija qesh). Kjo ishte studente dhe unë gazetar, si ju tani në televizion. Isha i ri dhe punoja te gazeta “Zëri i Popullit”. Vija në universitet bashkë me një shok dhe bënim biseda për letërsinë dhe recitonim vjersha. Në atë kohë, në vitet ’63-’64-’65-së këto bënin mbrëmje në universitet, siç bënim ne atje në Rusi, sepse unë kam mbaruar studimet në Petërburg. Dhe unë kërceja, loja me Sadien. Nuk kërceja mirë. Ndërsa i shkelja shumë herë këmbën Sadijes, i thoja më fal. Kjo më thonte (drejtohet nga Sadija), mos më shkelësh ndonjë gjë tjetër, po këmbën mirë. Dhe qeshnim të dy. Kështu lindi njohja jonë, pastaj u dashuruam dhe kemi mbetur të dashuruar edhe tani. Sadija më pëlqente mua shumë edhe pse e kisha hundën e madhe. Ziheshim ndonjëherë, shumë pak.
I.Sh: Vitet ’90 e këtej i keni etiketuar “shkërdhatokraci”. I mbeteni sërish këtij mendimi?
D.A: Ka periudha të ndryshme. Një periudhë mund të jetë siç e kam thenë unë përpara, një tjetër jo. Nga ‘91-shi e deri tani kemi një ashpërsim të madh të luftës politike. Asnjëra forcë nuk gjen një pikë të përbashkët. Të gjitha janë në ekstrem të tyre. Edhe një gjë që është e vlefshme për një forcë politike reale, tjetra (forca politike) nuk e pranon. Fjala vjen, janë bërë rrugë, autostrada… në këto tetë vjet, por forca tjetër s’i pranon. S’është bërë gjë thotë. Fjala vjen në ’92-’93-shin, kohë kur u bë ndryshimi politik, forca tjetër që është sot në opozitë, nuk i pranoi ndryshimet e bëra. U dhanë shtëpitë, apartamentet, u bë privatizimi… Kjo meritë nuk i jepet PD-së… Ose liria e mediave. E kam fjalën që ndryshe duhet ta mendojmë ketë gjë dhe ndryshe duhet të luftojnë këto forca politike. Ato duhet të mendojnë me alternativa. Cila është më e mira për ta çuar vendin përpara… dhe të mos i përvetësojnë gjërat dhe të thonë: Atë që e bëj unë, nuk e bën dot ti. Ne bëjmë kaq dhe ti ke bërë kaq… Ky mbetet një nga problemet tona më të mëdha të pluralizmit. Ende nuk e kemi kulturën e demokracisë. Kulturën që të jemi edhe tolerantë, edhe xhentilë, sidomos kur ndërrojmë qeveritë. Të shkojë tjetri dhe t’i japë dorën, bravo të qoftë, tani ti fitove. Jemi si kalorësit e 500-600 vjetëve të Mesjetës, që edhe bënin duel, edhe i jepnin dorën njëri-tjetrit.
I.Sh: A mendoni se duhet të ndryshojnë figurat e politikës. Në këto vjet ato s’i sollën asgjë të re këtij vendi?
D.A: Kjo varet edhe nga shoqëria jonë, nga pjekuria e saj. Ajo e ka në dorë përderi sa votohet një personalitet politik. Atij s’ke si ti thuash demode. Duhet të edukohet gjithë shoqëria që të arrihet kjo. Me një fjalë duhet të arrijmë në kuptimin që politika të mos jetë organizim i urrejtjes, por organizimi i dashurisë së njerëzve me njëri-tjetrin. Kurse ne po vazhdojmë që politikën ta kemi organizim të urrejtjes. Nga kjo duhet të heqim dorë.
I.Sh: Etika e ngjarjeve të fundit në Parlament, si u përtyp në mendjen tuaj?
D.A: Shiko si është puna? Po ta kini vënë re në Parlament, opozita është vënë në tabelën e qitjes, në poligon. Ju jeni të poshtër, ju jeni të korruptuar, të atillë, të këtillë… Mazhoranca e ka vetëm tabelë qitjeje. Bam-bam, apo jo? Dhe këta ç’bënë një ditë… U inatosën dhe u hodhën mbi këta që qëllonin. Faji i kujt mbetet? Mua s’më pëlqen të bëhet kështu, por them shkaqet janë të zakonshme, domethënë duhet që dy forca të mos arrijnë gjer këtu. Mazhoranca është si plaku i shtëpisë, duhet t’i këshillojë të vegjëlit, kurse kjo s’e luan këtë gjë dhe ndodhin pastaj ato që ndodhin. Kur ndodh kështu nuk është vetëm faji i njërit është edhe i të tjerëve. Fjala vjen themi liri-demokraci, por liria ka edhe një kuptim tjetër. Edhe qentë endacakë janë të lirë, po kur bashkohen kafshojnë njëri-tjetrin. Ndaj duhet ta mendojmë mirë edhe lirinë.
I.Sh : Zoti Agolli ju e takoni ende kryeministrin aktual Berisha, të cilit i keni thurrur edhe vargje?
D.A: E takoj. E kam takuar para dy-tre muajve. Këtë e bëj me sinqeritet, nuk ju vë rëndësi dasive politike. Shikoj njohjen, miqësinë. Nuk jam inatçor, që të them meqë më kritikoi një njeri dhe tani s’duhet t’i flas unë. Nuk kam të tillë paragjykim.
I.Sh : Në kaq muaj qeverisje të PD-së, çfarë note do t’i vinit kryeministrit?
D.A: Ky është një problem i vështirë. Berisha duhet të punojë më ndryshe, jo kështu. Kryeministri ka rolin e tij dhe s’duhet të merret me gjëra si një gjyqtar,si një prokuror, si një njeri që është përherë në opozitë…, për shembull këtu t’i kam dosjet, këtu të bëj hatanë… Kryeministri është i të gjithë shqiptarëve. I thotë fjala vjen kryetarit, Edi Ramës gojëprishur. Duhet të ndryshojë. Gjithë premtimet duhet t’i bëjë tamam ose më mirë mos premto. Gjithmonë duhet të jemi të matur në premtime, sepse nuk e ke pronën tënde dhe të thuash do të jap kaq. Po premtove duhet të mendohesh mirë. Fjala vjen thotë në Durrës, do të ndërtoj një impiant të madh për shkripëzimin e detit. Kjo s’është bërë as në Japoni, as në Amerikë, domethënë fantashkencë apo jo. Pra, bëj premtime, por mos u jep një publicitet kaq të madh atyre. Çdo mbledhje e qeverisë bëhet me gjyq publik. Ti bëje dhe mos u fry. Eshtë njëlloj siç ha bukë… O vëllezër unë po ha bukë! Ha bukë dhe mos bëj fjalë…
I.Sh: Ju Pogradecin e merrni me vete, ndoshta te shishja e rakisë që ju japin miqtë në Pogradec?
D.A: Unë i marr me vete gjithmonë ato që më japin. Më pëlqen shumë edhe vera e butit, edhe rakia e Pogradecit, veçanërisht Perla dhe Muskati janë gjërat më të bukura për dollira, për shëndete, që të kërkosh shëndetin e tjetrit apo jo… Unë kam qenë në Itali për të kuruar një sëmundje të mushkërive dhe kur ika mora ca raki dhe verë për t’ia dhënë doktorit që më kuroi. (Italian ky shumë i zoti, kishte mbaruar studimet në Amerikë). Një moment i thashë pak i ndrojtur…Vallë do t’i pranonte mendova… Të kam sjellë ca verë dhe pak raki… -A i pranoni këto që po ju sjell, se mos quhet korrupsion? Ai më tha, po të kesh edhe ndonjë gjë tjetër ma jep. Dhe unë pogradecarëve ju them, po të keni edhe ndonjë gjë tjetër ma jepni. Domethënë në kuptimin e miqësisë, kjo. Edhe mjeku italian kishte sa të deshte, po për humanizëm dhe miqësi tha atë që tha… Kështu meqë i kam miq të mirë pogradecarët, unë do rri edhe ca këtu, deri në fund të gushtit.
Faleminderit!
I.SH : Faleminderit ju!