Prof. Dr. Tritan Kalo: Mantelbardhë i panjolltë dhe jo konformist !!!

Hero Covid 19 :” Çdo i sëmurë një libërth më vete në planet klinike, biologjike dhe imazherike që  shfaqnin”

Nga Flora Nikolla

Tiranë, 12 Maj/AE/.-Ka përshkruar 39 vite punë në rrethanat social-ekonomiko-politike të Shqipërisë , kur Prof. Dr. Tritan Kalo, mantelbardhë  i panjolltë dhe jo konformist, është përpjekur  të jetë  njeri, sepse  sikundër  ai  i referohet një shprehje latine , “Omen est Nomen” (“Njeriu është emër”). “Jam  bindur që ja kam mbërritur të jem një i tillë”, pohon mjeku i njohur  në këtë intervistë ekskluzive për librin “Hero Covid 19” që Albanian Excellence ka marrë përsipër të botojë  dhe organizojë këtë vit të mbrapshtë  të këtij virusi diabolik  dhe kokëfortë.

Dhe pse kur mbaroi studimet, ishte i vetmi student me Medalje të Artë, ai e pati  të pamundur të përzgjidhte emërimin dhe specializimin  e tij. Opsioni i vetëm që ju ofrua ishte, Infektivi !!!  Asyeja ?   Fushat e tjera ishin “të zëna”.

Pa më të voglin hezitim ju përkushtua këtij specialiteti, që ditën kur vuri këmbët në 2 Korrik 1981,  në atë kohë, Spitali nr. 4 Infektiv,  sot Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Përfundoi studimet post-universitare të specializimit në lëmin e Sëmundjeve Infektive dhe të Epidemiologjisë së tyre. Ishte i ri dhe plot dëshira për të punuar në një fushë të Shëndetësisë, e cila  ka qënë dhe  mbetet sa e vështirë aq dhe komplekse.

Nga Shtatori i vitit 1987 deri në fund të Qershorit 1992, kreu  studimet post-universitare në Fakultetin e Mjeksisë “Xavier Bichat”, duke qënë njëkohësisht asistent pranë Qendrës Spitalore Universitare “Bichat-Claude Bernard”, të Universitetit Paris-7.  U diplomua në fushat e Sëmundjeve Infektive e Tropikale  dhe në atë të Reanimacionit Mjeksor.

Në të gjithë karrierën e tij eskelente në mjekësi, Prof.Dr. Kalo, gjithmonë  ka qënë larg të qënit konformist për hir të të bërit karrierë. Ai ka qënë në çdo çast vetvetja, dhe gjithmonë nuk ka rreshtur së vetë pasuruari me njohuri e kulturë profesionale, por  jo vetëm mjeksore.

*  *   *

Hero-Covid 19: Bordi i Albanian Excellence e ka shpallur ,  Prof.Dr. Tritan Kalo, me titullin  Hero Covid 19, për të gjithë punën e tij të jashtëzakonshme gjatë periudhës së Pandemisë botërore Covid 19 në Shqipëri.  Ditë pas dite, ky mjek, i cili e sheh profesionin e tij si mision në kufijtë e të qënit humanist , ka qënë në vijën e parë të luftës kundër këtij virusi që vetë-vuri kurorën në të gjithë plantin tonë.

Ai thotë se, çdo i sëmurë ishte një libërth më vete në planet klinike, biologjike dhe imazherike që ata shfaqnin.

Në një trajektore të njëtrajtshme, Prof.Dr. Tritan Kalo, ka qënë në vijën e parë të kësaj lufte mbështetur në pasionin e tij të jetësuar dhe në vizionin e tij  jetëruajtës  dhe e gjitha kjo, aspak  si një detyrim profesional a ligjor.

Të gjithë ne, kujtojmë dhe kontributin  e tij në  çdo media  në dhënien e informacionit, të këshillave të parashikimeve, të kujdesit të tij si mjek dhe si njeri më të cilën ai ju është drejtuar njerëzve në këtë kohë pandemie, me dëshirën dhe  predispozitën e të sakrifikuarit të jetës së tij private por jo pak edhe të asaj familjare e sociale.

“Komunikimi me këdo që është i interesuar të informohet në fushën e sëmundjeve infektive është një detyrim moral dhe profesional i përhershëm imi. Njohuritë janë për t’u ndarë dhe jo për t’u marrë me vete në varr”, shkuan mjeku i njohur ne faqen e tij në Facebook.

Për Prof. Dr.Tritan Kalo, çdo pjesëz e profesionit të tij, është e bukur dhe sfiduese. Këtë tregon edhe në këtë intervistë kur e pyet për ndjesitë e tij personale e profesionale gjatë kësaj pandemie, kur ai tregon për të sëmurët e izoluar në spital,  jashtë çdo mundësie kontakti direkt me të afërmit e tyre, apo kur tregon  për personelin mjekësor që në të njëjtën kohë janë prindi, vëllai, motra, djali apo vajza për ta, përpos të qënurit jëtë-shpëtuesi i tyre.

Një barrë shumë e rëndë për gjithësecilin, por njëkohësisht dhe jo pak e rrezikshme për vetë jetët tona tregon ai, duke përmëndur  me qindra e me mijëra mjekë e infermiere të infektuara në mbarë botën duke u kujdesur për të sëmurët, si dhe jo pak jetë të humbura në mesin e tyre.

Në intervistë, veçon historinë  e një të moshuari mbi 83 vjeç. Edhe pse jo pak i sëmurë ishte optimist se me ndihmën e mjekëve do ja dilte mbanë. Dora e tij e shtrënguar me dorën e Doktor Kalo, në momentin kur i tha se ishte i shëruar dhe i gatshëm të linte spitalin, ato dy pika lotë mirënjohje mbi faqet e tija të rreshkura në ato çaste, janë ngulitur përjetësisht në kujtesën  e mjekut mantelbardhë  dhe jo konfomist.

Ju ftoj të lexoni intervistën e Prof. Dr. Tritan Kalo dhënë pë librin : Albanian Excellence-“Hero-Covid 19”

 

F.N: Cilat janë disa nga karakteristikat që duhet të ketë një njeri për të qënë mjek?

T.K: Midis karakteristikave të një individi MJEK në profesion dhe në jetë, do të veçoja: 1- të qënurit humanist dhe jo materialist, 2-të konceptuarit e profesionit si mision, një pasion i jetësuar e një vizion jetëruajtës, dhe jo si një detyrim thjesht profesional apo ligjor, 3- predispozita e të sakrifikuarit të jetës së tij private por jo pak edhe të asaj familjare e sociale, 4- të mos qënurit konformist për hir të të bërit karrierë duke qënë për çdo çast vetvetja, 5- të mos rreshturit së pasuruari me njohuri e kulturë profesionale, por edhe jo vetëm mjeksore.

F.N:Dhe pse zgjodhët ju të bëheshit mjek?

T.K: Prindërit e mi kanë patur probleme jo të pakta shëndetsore gjatë jetës së tyre. Ndihma ime për t’i përballuar ato dhe kontaktet e shumta me mjekë, sidomos me dajon tim te ndjere Prof. Ali Mollohollin, më yshtën  të profesionalizohesha pas mbarimit të shkollës së mesme në këtë fushë sa të bukur po aq edhe të vështirë. Në fund të fundit të vijoja përkujdesin ndaj shëndetit jo vetëm të prindërve të mi, por edhe të gjithkujt që e ka të nevojëshme ndihmesën e njohurive dhe të punës sime. Kurdoherë kam përpjekur të jem sa më kërkues ndaj vetes në formimin tim dhe kjo bëri, që të përfundoj studimet universitare duke u vlerësuar me Medaljen e Artë.

F.N: Cilat ishin fillimet tuaja?

T.K: Me mbarimin e 5 viteve të Fakultetit të Mjeksisë u emërova më 2 Korrik 1981 si Mjek stazhier në Spitalin nr. 4 Infektiv këtu në kryeqytet, ku vijova punën edhe pas diplomimit përfundimtar si,  Mjek i Përgjithshëm në 30 Qershor 1982.  Më pas përfundova studimet post-universitare të specializimit në lëmin e Sëmundjeve Infektive dhe të Epidemiologjisë së tyre. Isha i ri dhe plot dëshira për të punuar në një fushë të Shëndetësisë, e cila ishte dhe mbetet sa e vështirë po aq edhe komplekse. Nga Shtatori i vitit 1987 deri në fund të Qershorit 1992, kreva studimet post-universitare në Fakultetin e Mjeksisë “Xavier Bichat”, duke qënë njëkohësisht asistent pranë Qendrës Spitalore Universitare “Bichat-Claude Bernard”, të Universitetit Paris-7. Në përfundim të tyre jam diplomuar në fushat e Sëmundjeve Infektive e Tropikale, si dhe në atë të Reanimacionit Mjeksor.

F.N:Si do ta përshkruanit në këtë intervistë karrierën tuaj të gjatë si mjek?

T.K: Jo të lehtë për të mbërritur këtu ku jam pas 39 vitesh. Nuk është e kollajtë në rrethanat socio-ekonomiko-politike të Shqipërisë të jesh një MANTELBARDHË i panjolltë dhe jo KONFORMIST. Mbi të gjitha jam përpjekur përgjatë këtyre viteve që të bëhesha një NJERI, dhe sot jam plotësisht i bindur se ja kam mbëritur të jem një i tillë.

“OMEN est NOMEN” (“Njeriu është emër”) shprehet Latini.

 

F.N:Në këtë karrierë të gjatë, cila është pjesa e profesionit tuaj, që ju tërheq më shumë?

T.K: Është e pamundur të veçosh në pjesë në tërësinë e profesionit tënd. Për mua çdo pjesëz e tij është e bukur dhe sfiduese.

F.N: Ishte kusht apo zgjedhje specialiteti i infektiologut?

T.K: Përgjatë viteve të studimeve universitare ëndërroja të bëhesha Kardiokirurg. Për këtë qëllim në vitet e fundit të studimeve dy herë në javë i kaloja mbrëmjet një natë në Shërbimin e Kirurgjisë dhe natën tjetër në atë të Kardiologjisë. Edhe pse i vetmi student me Medalje të Artë,  e kisha të pamundur të përzgjidhja emërimin dhe specializimin tim. Opsioni i vetëm që m’u ofrua ishte Infektivi sepse fushat e tjera ishin “të zëna”. Gjithsesi pa as më të voglin hezitim unë i jam përkushtuar këtij specialiteti, që ditën kur vura këmbët në 2 Korrik 1981 në atë që dikur njihej si Spitali nr. 4 Infektiv, dhe sot Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

F.N:Si ka evoluar shkencërisht kohët e fundit ky specialitet?

T.K: Sëmundjet Infektive janë një domen në evolucion të për minutshëm. Ato janë “një vullkan në erupsion të përjetshëm”. Për ditë ne përftojmë njohuri të reja jo vetëm për shkaktarët e sëmundjeve por edhe për epidemiologjinë, klinikën, evoluimin, ndërlikimet dhe trajtimin e shumë sëmundjve edhe për ato që deri dje ne mendonim se i njihnim mirë. Po ashtu në skenë shfaqen dita- ditës shkaktarë sëmundjesh të reja, të cilat nuk rreshtin së befasuari me kompleksitetin e problematikave që ato krijojnë.

Teknologjitë e reja sidomos ato në fushën e Bilogjisë Molekulare, na kanë ofruar mundësi të pafundme.

F.N: Cila ka qënë përshtypja juaj në fillimet e para të përhapjes së Covid 19. Si e keni konsideruar?

T.K: Koha e deklarimit të këtij shkaktari të ri në 31 Dhjetor 2019, përkonte me kohën kur u shfaq Sars-Cov1 në 2002, një sëmundje me përhapje shumë të shpejtë me rrugë ajrore dhe me vdekshmëri mjaft të lartë mbi 20-22% të të prekurve prej saj. Ky ishte edhe shqetësimi i më i madh dhe i përbotshëm. Një virus i ri nga një familje virusesh, Beta coronaviruset, të njohur për potencialin mjaft të rrezikshëm të tyre për mbarë njerëzimin. Megjithatë, kohëshfaqja e Novel-Cororanavisusit, sikundër u emërtua në fillim Sars-Cov2, shkaktari i Covid-19 përkonte edhe me Gripin stinor, dhe njëkohësisht të krijojnë edhe përshtypjen tjetër ndoshta edhe të rrejshëm se ai do të mund të sillej në përhapje, sëmundje shkaktim, në jetëmarrje dhe në evoluimin në kohë, po ashtu si edhe viruset e Influencës të izoluara kudo në Botë në këtë Vjeshtë-Dimër, viruset e Influencës A (H1N1 dhe H3N2).

Gjithsesi, të dhënat e mara nga ajo çfarë po ndodhte fillimisht në vatrën e shpërthimit të Pandemisë në Wuhan, Provinca e Hubej në Kinë, si dhe më pas në Kore, Iran, Australi, Itali, Spanjë, Britaninë e Madhe, Gjermani, etj, na mundësuan të orientohemi në kohë dhe të mendojmë më drejt për këtë sëmundje si dhe të marrim po me kohë masat e duhura, jo vetëm për ndërgjegjësimin e popullatës, por edhe për mundësinë e diagnostikimit dhe trajtimit të të sëmurëve në rast shpërthimi të kësaj sëmundje te ne.

F.N:Dhe më pas?

T.K: Sëmundja mori trajtën e një Pandemie në përhapjen e saj, duke mos kursyer asnjë kontinent. Sëmundshmëria dhe vdekshmëria fatmirësisht nuk është ajo e menduara më parë, por mjaft më e ulët.

Njohuritë tona për shkaktarin Sars-Cov2 si dhe sëmundjen që ai shkakton Covid-19, vijuan dhe vijojnë të përditësohen, megjithatë ende ka plot enigma si në sjedhjen e tij në mjedise të ndryshme, mbi shkallën e përhapjes po ashtu në variacionin e simptomave dhe të nderlikimeve të tija në organizmin tone, pa folur më pas për shkallën e imunizimit nga kontakti me këtë virus dhe kohëzgjatjen e tij.

Ende nuk kemi një medikament specifik për mjekimin e të sëmurëve, si dhe megjithëse janë në provë mbi 108 vaksina të ndryshme ende nuk dihet saktë, se kur do të kemi në dorë një vaksinë efikase për profilaksinë ndaj kësaj sëmundje.  Një sëmundje që ende mundet të vijojë të na surprizojë.

F.N: Keni qënë në vijën e parë në këtë pandemi botërore cilat kanë qënë ndjesitë tuaja profesionale që doni të përshfaqni në këtë intervistë?

T.K: Çdo i sëmurë ishte një libërth më vete në planet klinike, biologjike dhe imazherike që ata shfaqnin.

F.N:Po në planin njerëzor?

T.K: Për të sëmurët e izoluar në spital jashtë çdo mundësie kontakti direkt me të afërmit e tij, personeli mjekësor është prindi, vëllai, motra, djali apo vajza për ta, përpos të qënurit njëohësisht edhe jëtëshpëtuesi i tyre. Një barrë shumë e rëndë për gjithësecilin prej nesh, por njëkohësisht dhe jo pak e rrezikshme për vetë jetët tona. Janë me qindra e me mijëra mjekë e infermiere të infektuar në mbarë botën duke u kujdesur për të sëmurët, si dhe jo pak jetë të humbura në mesin e tyre.

F.N: A mund të tregoni një histori tuajën që ju ka lënë mbresë në këtë ditë të vështira?

T.K: Do të veçoja atë të një të moshuari mbi 83 vjeç. Edhe pse jo pak i sëmurë ishte optimist se me ndihmën tonë do ja dilte mbanë. Dora e tij e shtrënguar me dorën time, në momentin kur i thashë se ishte i shëruar dhe i gatshëm të lintë spitalin, ato dy pika lotë mirënjohje mbi faqet e tija të rreshkura në ato çaste, janë ngulitur përjetësisht në kujtesën time.

F.N:A jeni optimist për situatën e krijuar nga pandemia botëtore Covid 19?

T.K:Nga natyra unë jam një optimist i lindur. Ka një dritë jeshile në tunelin që po përshkruajmë, por pakujdesia edhe më e vogël rrezikon të përmbysë arritjet e deritanishme.

F.N: Cili është një mesazh që donit të jepnit për mjekët në këtë periudhë?

T.K: Të gjithë jemi pjesë e një armate të vetme në përballjen me sfidën Covid-19, pavarësisht se në cilin pozicion jemi të rreshtuar, në vijën e zjarrit apo më larg saj.  Njëkohësisht të mos hezitojnë për asnjë çast të ofrojnë sikundër deri më sot, ndihmën e duhur ndaj të gjithë të sëmurëve, sepse në të përditëshmen e punës sonë nuk ka vetëm të sëmurë të prekur me Covid-19. Edhe ato e kanë të domosdoshme si përherë përkujdesin e duhur, të ofruar në kohën e duhur dhe me cilësinë e duhur.

F.N: Si i shihni ju mjekët e së ardhmes?

T.K:Po aq të përkushtuar, dije-kërkues dhe humanë si edhe ne. Ndoshta edhe më shumë se ne. Mjekësia ishte, është dhe kurdoherë do të mbetet jo vetëm një profesion por mbi të gjitha një mision.

F.N:Albanian Excellence ka shpallur krijimin e një cmimi për mjekët:  Hero-Covid 19, Si e konsideroni ju kete cmim kushtuar mjkeve shqiptare kudo jane në botë që kanë qënë në vijën e parë të kësaj pandemie?

T.K: Ideja më e qëmtuar dhe më e vlertë në këto kohë kovidiane.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *