Suzana Varvarica Zonje qe ben Shqiperine dhjetor 2018
Jeta ime është e lidhur me Artin dhe ai ka përcaktuar profesionet e mia, të cilat kanë rrjedhur hap pas hapi, bashkë me rritjen time në sferat krijuese dhe studimore në artet pamore. E mendoj shpesh herë pse u lidha me artin? Dhe përgjigjen e gjej tek personaliteti i babait, i cili e adhuronte artin dhe arkitekturën, por nuk ishte as artist dhe as arkitekt. Ai ishte një artist në kuptimin, që mendësia popullore i jep atij njeriu, që duart i prodhojnë bukuri estetike.
Lidhja me artin apo përkushtimi ndaj tij është kthyer në një qenie e padukshme, që jeton brenda meje, duke më nxitur. Në ditët e sotme, nuk mund të pranojë ekzistencën e dilemave apo të lëkundjeve, pasi përkushtimi është gjithëpërfshirës dhe qenia ime është jetëdhënëse e profesionit tim. Ai më zhvillon dita-ditës.
Zhvillimi nuk është thjeshtë rritje në sasi dhe në cilësi, as kalimi nga një njësi e thjeshtë në më të ndërlikuar, por më së shumti është transformim deri në ndryshim. Është një luftë e të kundërtave ndërmjet një fenomeni të vjetër me një të ri. Unë bëj pjesë në atë brez, i cili në fillim të shek. XXI, ka ndjerë thellësisht zhvillimet politike, ku bëjnë pjesë zhvillimet kulturore, shpirtërore dhe ideologjike, si dhe zhvillimet sociale, ku bëjnë pjesë edhe ndryshimet e thella të artit, letërsisë dhe shkencave albanologjike. Tezat e ndryshimit lidhen me sfidën e artit si krijimtari dhe qëmtimit të historisë së artit shqiptar në përballje me atë ndërkombëtar. Gjurmimi hap pas hapi i ndryshimit të strukturës së tyre, që mbështetet në detajimin e arsyetuar çon në metoda krahasimi dhe lindjen e tezave të ndryshimit. Lëvizjet dhe iniciativat e mia, e jo vetëm, për të përqafuar ndryshimet, konkretizohen përmes përkushtimit dhe i përkasin sfidës së shtimit të njohurive të reja, të cilat nuk i mohojnë të shkuarat, por i shtresëzojnë ato dhe i konservojnë në bankën e historisë së zhvillimeve të artit shqiptar në kohëra.
Teza ime mbi ndryshimin e studimeve dhe kërkimeve lidhet me shkrimin e historisë së artit shqiptar, e cila ende mungon, pasi edhe pse ka studime sporadike dhe individuale, që janë të shkëputura dhe aspak të orientuara dhe të certifikuara nga institucione akademike. Lëvizja më e shpejtë, që kjo gjë të ndryshojë, është iniciativa e kryesuesve të Akademisë së Shkencave, e Ministrive të Arsimit dhe të Kulturës, për të bërë bashkë një grup historianësh dhe studiuesish arti, që të nisin të hartojnë programin e një projekti afatgjatë për realizimin e historisë së artit shqiptar, e cila përballet jo vetëm me territorin e vet por edhe me skenën ndërkombëtare. Kjo e fundit do të përcaktojë njësinë e vlerës dhe të vendit që krijimi artistik shqiptar zë në mjedisin e saj albanologjik, por edhe më gjerë. Kjo është një detyrë atdhetare dhe shenjë e kombi që ekziston.
Teza ime mbi ndryshimin e studimeve dhe kërkimeve lidhet me individin historian, kërkues dhe studiues, i cili mbështetet në punën e tij përmes projektesh seriozë dhe frytdhënës, në arsye të sjelljes së fakteve konkrete dhe domethënëse për zhvillimin e ri të sistemit politik, kulturor, social dhe akademik në fushën e historisë së arteve pamore.
Në përfundim, zhvillimin e një profesioni nuk mund ta sjellin tezat dhe iniciativat e një individi, edhe pse ato mund të jenë apo janë të rëndësishme dhe një arritje prej kërkesave vetjake. Profesioni zhvillohet, pra transformohet, ndryshohet dhe shkon në një shkallë më lart, kur lëvizjet dhe iniciativat e individit përkrahen nga kontributi i sistemit të grupit. Individi inicion teza ndërsa grupi i jep jetë zhvillimeve më të përgjithshme, që i përkasin politikave kulturore dhe ekonomike të një vendi, të cilat garantojnë edhe zhvillimin e sistemit ekonomik apo zhvillimin e nivelit të jetës së popullsisë, e cila përgatitet të shkojë një shkallë më lart në të ardhmen se sa një shoqëri e së shkuarës. Arti dhe historia e artit bëhen shenja të rëndësishme figurative dhe ideore, që i kanë përcjellë çdo herë nga e shkuara në të tashmen dhe nga e tashmja në të ardhmen.
Nisma me Albanian Excellence
Bashkë me Albanian Excellence mund të promovojmë zonjat artiste, të cilat nuk jetojnë më dhe që kanë bërë histori. Duken si të nënvlerësuara, por unë kam zbuluar disa artikuj shumë të rëndësishëm që vijnë nga vitet ’37 dhe ku zonjat artiste, siç është Androniqi Zengo, pikturonte nudo dhe kjo është shumë rëndësishme që ne duhet ta themi. I përket çështjeve studimore, por në qoftë se do të biem dakord që kjo ide të bëjë pjesë në bankën e zonjave që japin ide. Mund të jetë edhe një ekspozitë e grave artiste që punojnë fort. Ideja ime, të cilën unë e kam përpunuar prej kohësh, është të krijohet një portret i ndërtuar sotmi, me një portret të një gruaje të fuqishme të kohës. Kjo grua e fuqishme e kohës nuk është e rëndësishme të jetë vetëm shqiptare. Mund të ketë jetuar nëpër botë, p.sh. Klodel, ish-e dashura e Rodenit, që bëri epope me skulpturën e saj dhe që e burgosën në një çmendinë për 40 vite. Ka figura shumë të forta, të cilat, në qoftë se gratë artiste do ma pranojnë idenë, unë do ta bëja me shumë kënaqësi. D.m.th. një portret të gruas së sotme, një figurë, ashtu siç e sheh çdo artiste. Pra kur ta shohim portretin të jetë ajo grua që jeton sot, personaliteti i ditëve të sotme, me një personalitet i cili do të vijë në foto dhe do të jenë të dyja bashkë. Një nga impenjimet e mia në vitin 2019 është të kuroj një ekspozitë të femrave artiste, të cilat punojnë në Shqipëri, por me ato që punojnë dhe janë tepër aktive, me temë që t’i përkasë po gruas, pra portreteve të grave që konfrontohen ditë pas dite me portrete të grave të njohura, nga të cilat kanë mbetur tashmë fotot e tyre. Pra fotografia dhe piktura, në të njëjtin kurim. Do të kisha dëshirë, që me të gjitha zonjat që bëjnë Shqipërinë, me të gjitha zonjat që vënë gur themeltar për ta mbajtur edhe gjallë “Albanian Excellence”, të promovoj librin tim të fundit, cili mund të jetë studimi për Jakup Kerajn ose studimi për Simon Rrotën.