Zonje qe ben Shqiperine – Dhjetor 2018
Drejtore e Shitjes dhe Marketingut në Fabrikën Hako
Kam mbaruar studimet për financë-kontabilitet dhe, si të thuash, jam rritur bashkë me HAKO-n sepse pas përfundimit të Fakultetit, ishte koha kur Shqipëria po ndryshonte dhe periudha kur po vinte demokracia. Ne emigruam jashtë Shqipërisë kunuk bëmë profesionet për të cilat ne kishim studiuar, unë për ekonomi-financë dhe im shoq për inxhinieri. Mësuam gjëra të reja të cilat na vlejtën për të hapur biznesin në rikthimin tonë në vitin 1994. Hapëm një dyqan të vogël me nënproduktet e mishit dhe me prodhimet e para modeste, duke parë edhe nevojat e tregut dhe duke e përshtatur në mundësitë që kishim për të plotësuar tregun. Më pas, me shumë guxim, me shumë kurajo, kaluam nga të voglat te pak më të mëdhatë, deri sa në vitin 2004 kuu u vendosëm në ambientet ku jemi sot, në një fabrikë me ambiente moderne, me investime shumë të mira në makineri. Dhe sot me krenari mund të them që jemi një biznes i investuar, me parametra evropianë në të gjitha drejtimet. Kështu që historiku, edhe i imi si drejtuese dhe si një nga krijuesit, daton bashkë me HAKO-n. Jam rritur bashkë me HAKO-n. Për 20 vite kam drejtuar financat dhe kam menaxhuar financat në kompani. Prej më shumë se 6-7 vitesh drejtoj shitjen dhe marketingun. Më është besuar si një sektor dinamik dhe që duhet të ketë kujdes të veçantë në ndjekje dhe në përkushtim. Unë besoj në punën që bëj dhe e bëj me përgjegjësi të plotë. Dhe këtë jo sepse punoj në kompaninë HAKO, por sepse realisht, besoj te vlerat dhe e kam në edukatë dhe në parimin tim të punës, të mos paragjykoj zgjedhjet e askujt, sidomos tani që jam dhe në drejtimin e shitjeve e të marketingut. Nuk paragjykoj zgjedhjet e konsumatorëve, të klientëve apo punonjësve të mi, por përpiqem që vlerat dhe dashurinë me të cilat punohet dhe prodhohet, t’i përcjell deri te konsumatori. Dhe këtë punë e bëj duke motivuar stafin sepse jam e bindur që, nëse stafi, beson te vlerat, beson te prodhimi, është i menaxhuar mirë, i gjithë zinxhiri deri te konsumatori shkon natyrshëm dhe siç duhet.
Në fakt, ndryshimi për të ardhur lehtë dhe bindshëm te konsumatori, në HAKO ka shumë vite që është bërë. Ne jemi nga kompanitë e para që kemi ardhur natyrshëm në marketingun pa të bërtitura, duke studiuar mirë dhe mentalitetin dhe mënyrën se si duhet të vish butë dhe pa e imponuar konsumatorin për produktet që ti i ofron, duke qenë inovator dhe duke ofruar ato produkte të reja dhe të përshtatura me shijen e konsumatorëve shqiptarë, të cilët janë, për hir të së vërtetës, shumë të kujdesshëm dhe janë edhe kritikët më të mirë të produkteve, dhe nëse do që të ecësh përpara, kritika e tyre nuk duhet marrë si një dobësi ose si një hatërmbetje, por si një arsye për t’u zhvilluar dhe për të ecur përpara dhe për të përmirësuar produktet. Marketingu te ne ka qenë në një dinamizëm prej shumë vitesh, d.m.th. bëhet fjalë për 15 vite. Asnjëherë nuk ka qenë me formën që është sot, gjithmonë ka ardhur në forma të ndryshme, të përshtatura me tregun, të përshtatura dhe me mentalitetin. Nuk e shohim marketingun vetëm në një drejtim, por gjithëpërfshirës, duke filluar nga mënyra sesi trajtojmë dhe sesi komunikojmë me punonjësit tanë deri te paraqitja jonë te klienti, te mënyra sesi i paketojmë produktet, te mënyra sesi i shpërndajmë produktet, që tek uniforma e agjentëve, te mënyra e komunikimit me klientët në përcjellje të respektit që kompania ka për klientët e saj. Është një zinxhir i pafund që, nëse do të flisnim gjatë do të duhej shumë vite, aq sa dhe vite ka kompania në punë. Dhe ajo që unë mendoj se është tipar dallues dhe që duhet sot të shihet si një anë pozitive, është përfshirja në marketing e elementëve të rinj dhe e brezit të ri, të cilët sjellin risi, guxim dhe bëjnë gjëra shumë të bukura. Unë këtë e kam të provuar në kompani.
Do të doja që të konsumohej shqip, pra të konsumohej prodhimi shqiptar. Duke parë ritmet e zhvillimit të industrisë dhe duke e ditur që sa shumë mundime ka prodhimi dhe sa i rëndësishëm është për ata që e prodhojnë, që mendojnë, që i kalojnë ato produktet e veta me shumë dashuri dhe gjatë gjithë kohës mendojnë sesi të bëhet më e mira dhe sesi të vijë edhe më mirë në treg, unë mendoj që te konsumatori shqiptar duhet të marrim një iniciativë që të konsumohet shqip. Dhe kur them të konsumohet shqip, nuk e kam fjalën për etiketat e përkthyera të produkteve që vijnë nga importi. Ato thjesht informojnë konsumatorin se çfarë po konsumon. Kur them të konsumohet shqip, nuk flas këtu vetëm për industrinë ushqimore, sallamerinë, qumështin, djathin, por për gjithçka sepse konsumi shqip së pari na rrit vetëvlerësimin, së dyti na bën që të fuqizohemi si ekonomi dhe së treti, unë mendoj që të konsumuarit shqip është respekt për veten dhe për vendin tënd. Të konsumuarit shqip nuk do të thotë që ne të bëjmë bllokadën e famshme të diktaturës, që t’i mbyllim rrugën çdo prodhimi tjetër sepse, sigurisht që konsumatori është i edukuar me shijet e veta dhe është i lirë që të përzgjedhë midis asaj që prodhohet këtu dhe asaj që vjen nga importi. Por është një iniciativë që pjesa më e madhe e këtij konsumi të jetë nga prodhimet shqiptare. Është një iniciativë që duhet të jetë me bazë shtetërore, me institucionet kopetente që bëjnë analizat, që përcaktojnë standardet. Është një iniciativë e cila duhet të përkrahet nga media, që nuk i bëjnë mirë dhe është një stres i shtuar kur ti konsumatorëve shqiptarë u thua që të mos konsumojnë atë çfarë prodhohet në Shqipëri sepse nuk i ka standardet dhe po të dëmton shëndetin. Nuk është fare e vërtetë. Po ju garantoj që standardet, higjiena dhe mënyra sesi prodhohet, janë nga më të mirat në Evropë sot.