Nga Flora Nikolla
Tiranë, 29 Mars/AE/.- DR. SH. M. Silvana Çeliku, Onkogjinekologe Shefe e Shërbimit Onkologjik pranë QSU “Nënë Tereza “ në Tiranë, Pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithëshme, pohon në këtë intervistë për Albanian Excellence rëndësinë e padiskutuar që ka distancimi social për të fituar mbi virusin Covid 19, për të cilin nuk ka vaksinë, nuk ka mjekim dhe kur çdo njeri duhet konsiderar “armik” potencial për t’u mbrojtur nga virusi që , ” është i dashuruar me mushkeritë tona duke shkaktuar pneumoni që jo rrallë përfundojne në vdekje”.
Mjekja e cila prej vitesh pëballet me një nga sëmundjet më të rrezikshme të njerëzimit, me kancerin , mjekja e cila me përkushtimin, dashurinë dhe punën e saj të palodhur, ka arritur t’u kthejë buzëqeshjen shumë pacientëve të shëruar nga kjo sëmunje e rëndë, thotë se si, mjeke mëndjen e zemrën e ka tek kolegët që sot janë heronjtë e saj, ata të cilët ndodhen në vijën e parë të frontit duke ju shërbyer pacientëve me mish e me shpirt.
“Duhet ta ruajmë këtë personel sepse mjeket janë aset, janë vlerë, janë profesionistë për të cilët është dashur kaq vjet për t’i formuar. Humbja e çdo mjeku është fatkeqësi, ne nuk e kemi “ lluksin” të humbasim asnjë” shprehet në këtë intervistë DR. SH. M. Silvana Çeliku, vajza e një nga mjekëve tanë më të mirë , kirurgut dhe anatomistit , Prof. Dr. Gazmend Velçani, modeli i të cilit është i sklalitur në mëndjen dhe në shpirtin e saj.
E nderuar nga Albanian Excellence me titullin, “Zonjë që bën Shqiptarinë në dhjetor të vitit 2019, sot kur karriera e saj është në majë , Dr. Çeliku pohon se në këto ditë të vështira , ka kuptuar sa e rëndësishme është familja, sa i rëndësishëm është komunikimi, sa e bukur është shtëpija me të gjitha që ajo ka brënda që shpesh i anashkalojmë si gjëra të parëndësishme por që sot po japin kaq kënaqësi.
“Është e vërtetë që puna të jep kënaqësi, por disa vlera të rëndësishme janë brenda shtëpisë e familjes tënde. Sot është dita t’i zbulojmë dhe t’u japim vlerën e duhur”, shprehet një nga asetet më të mëdha që kemi në Mjekësinë shqiptare , gjithnjë e rrethuar me dashuri jo vetëm nga familja e saj e mrekullueshme por dhe nga miq, kolegë ,vartës, eprorë e shumë studentë dhe paciente të mirë që e duan dhe që e respektojnë
F.N: Si dhe sa ju ka ndryshuar jetën tuaj si mjeke kirurge Covid 19?
S.Ç : Covid 19 , sigurisht që na ka ndryshuar ritualin e përditshëm. Puna si kirurge ka mbetur pas, jo sepse pacientet nuk kanë nevojë por detyra jonë tashti është të mbrojmë pacientet dhe personelin nga ky virus i tmerrshëm e shumë ngjitës.
Ne tashmë jemi në gadishmëri për t’i ardhur në ndihmë kolegëve tanë në spitalin infektiv. Ankthi ështe i madh por ne mjekët refuzojmë të kemi ankth. Detyra jonë është të jemi bashkë për të fituar këtë betejë.
F.N: Cilat janë disa nga përjetimet tuaja njerëzore dhe profesionale, në këto ditë të vështira të shkaktuara nga ky virus ?
S. Ç: Si mjeke mëndjen e zemrën e kam tek kolegët e mi që sot janë heronjtë e mi, ata të cilët ndodhen në vijën e parë të frontit duke ju shërbyer pacientëve me mish e me shpirt.
Dhe këtë e thonë pacientët që po luftojnë me këtë virus dhe ata që e kanë fituar këtë betejë. Kjo është një pandemi për të cilën kemi degjuar, lexuar dhe e kemi parë në filma. Nuk e kishim menduar kurrë se do ta përjetonim vërtetë. Ky virus kaq ngjitës, ashtu si thonë shumë virologë, është një lloj gripi i cili është i dashuruar me mushkeritë tona duke shkaktuar pneumoni që jo rrallë përfundojne ne vdekje.
Ky virus nuk njeh të varfër apo të pasur, nuk njeh të majtë apo të djathtë, nuk njeh myslymanë apo të krishterë. Ndaj këtij virusi jemi të gjithë njësoj të prekshëm dhe sigurisht po aq të vdekshem.
Sot i gjithë personeli mjekesor është i gatshëm për të qënë në ndihmë të personelit të infektivit, pamvarësisht kostos. Kjo tregon solidaritet por dhe përgjegjshmëri për atë betim që ke bërë, betimin e Hipokratit. Ndaj duhet ta ruajmë këtë personel sepse mjeket janë aset, janë vlerë, janë profesionistë për të cilët është dashur kaq vjet për t’i formuar. Humbja e cdo mjeku është fatkeqësi, dhe sidomos ne nuk e kemi “ lluksin” të humbasim asnjë. Motivi ynë sot është # rrinështepi# unëpunojnëspital. Ndaj të gjithë sot duhet të ruajmë distancimin social. Duhet të rrimë në shtëpi që kjo gjendje të përfundojë sa më shpejt duke ju kthyer kështu jetës normale. Të sëmurët presin të operohen, të semurët presin të mjekohen. Mjekët presin të bëjnë punen e përditëshme, atë që ata dinë të bëjnë më mirë e jo të sforcuar.
F.N: Cili është një mesazh njerëzor që doni të jepni në këtë situatë ?
S. Ç: Këto ditë kam kuptuar sa e rëndësishme është familja, sa i rëndësishëm është komunikimi, sa e bukur është shtëpija jote me të gjitha ato që ajo ka brënda që shpesh ne i anashkalojmë si gjëra të parëndësishme por që sot po më japin kaq kënaqësi.
Është e vërtetë që puna të jep vërtet kënaqësi, por disa vlera të rëndësishme janë brenda shtëpisë e familjes tënde.
Sot është dita t’i zbulojmë dhe t’u japim vlerën e duhur. Ndaj për të fituar mbi këtë virus, për të cilin nuk ka vaksinë, nuk ka mjekim e vetmja rruge është izolimi, distancimi duke e konsideruar cdo njeri si, “ armik” potencial.
Ne të gjithë së bashku, duke bërë seicili detyrën, duke dëgjuar vetëm zërin e profesionistëve, duke njohur rolin e liderit për të mos rënë në anarshi, sigurisht që do e fitojmë betejën, sigurisht që do t’ia dalim.