Simon Gjoni , kompozitori i skalitur në pentagramin e muzikës shqiptare

Eshtë një këngë, të cilën jetëgjatësia e pakundërshtueshme artistike e ka shpallur pa zyrtarizma burokratike Himn të muzikës lirike shqiptare. Është kënga “Lule bore”…(!) Po të pyesësh njerëz, se cili është kompozitori i saj, shumë syresh, tkurrin supet për të thënë : “se dimë, por ajo është e të gjithëve”, të tjerë të thonë se “është një këngë e popullit…”.
Në morinë e përgjigjeve për autorësinë e kësaj kënge, qëndron pikërisht fshehtësia e magjisë dhe e notës së paaritshme që ajo ka të ngjeshur brenda saj dhe që lidhet vetëm me një emër; kompozitorin dhe dirigjentin e mirënjohur Simon Gjoni.

Pavarësisht se ka 60 vjet që është kompozuar, “Lule bore”, këndohet si në ditët e para që filloi të transmetohet në Radio-Shkodra, si atëherë kur artisti harmonizoi notat për t’ia dorëzuar një mori këngëtarësh, e për të qënë paskësaj e pranishme, së bashku me gëzimin e shqiptarëve, në të gjitha pikat e globit.

I lindur ne qytetin e Shkodrës, talenti i Simon Gjonit, spikati që kur ishte i ri dhe kur kontribuoi si drejtues i shumë formacioneve te ndryshme orkestrale dhe vokale te qytetit te tij. Me nje sensibilitet dhe origjinalitet të dukshëm në kompozicion ai krijoi në vitet 1946-1947 një seri këngësh të paharruara, që shquhen sa për ndjeshmërinë e tyre sa poetike aq edhe të sinqerta, të figurshme dhe fisnike si ,” Lule bore”, “Sy larushes”, “Syte e tu si drita”, “Fyelli i çobanit”, “Nëna dhe çika” etj. Ishin pikërisht këto këngë, të cilat e çuan më tej traditën qytetare të lirikës shkodrane ndërsa u përhapën me shpejtesinë e dritës në Shqipëri.

Sa më lart vetiu, të vjen në mendje se vlera e muzikës dhe e këngës nuk qëndron tek juritë, por vetem tek çmimi që populli e dekoron me jetëgjatësinë e saj. Në Moskë, në vitin 1956 trio Mula, Athanas,Tukiçi, korri sukses të jashtëzakonshëm me këngën Lule bore, në Vjenë në vitin 1961 festivali i rinisë u çel me introduksionin e Lule Bore

E sot, ajo këndohet së bashku me publikun dhe në Nju Jork, ku koncertet përfundojnë me hymnin e kënges shqiptare Lule-bore.

Në ish- Bashkimin Sovjetik, Lule borë, ishte kaq e përhapur sa që shqiptarëve iu drejtoheshin : “a…, ju jeni nga vendi i Lule borë”, kujton këngëtari Avni Mula, një nga interpretuesit më pikantë të kësaj kënge në atë kohë, por që nuk e ka harruar pa një interpretim lirik të mirëfilltë në disa koncerte edhe vajza e tij, sopranoja Inva Mula.
I mirënjohuri Çesk Zadeja e konsideronte “një model të papërsëritshëm në lirikën shqiptare”. Sipas familjarëve të tij, trashëgimtarë të veprës, Simon Gjoni ka dhe mbi 50 këngë të të njëjtit stil si Lule bore, botuar së fundmi nën kujdesin e bashkëshortes së tij, Hermira Gjoni në një album të veçantë.
Pak vite më parë, në një Festival këngë në Radio-Televizion , kur dueti i arrirë artistikisht, Vikena Kamenica dhe Kastriot Tusha, interpretoi këngën “Vajzë e vogël”, e interpretuar vetëm një herë nga Llukë Kaçaj, u duk se publiku e harroi konkurrimin e këngëve-shkak i organizimit të festivalit të fund-vitit.
Salla ishte ngritur e gjitha në këmbë në duartrokitje… Në fakt çmimi i ishte dhënë këngës përshëndetëse, sepse kënga që është këngë, ja që di t’i rezistojë kohës, sistemeve, doktrinave, mentaliteteve, snobizmit…!
Është pikërisht kjo këngë që aktualisht është një këngë hit në Kosovë dhe në diasporën shqiptare.

-Simon Gjoni, legjenda e heshtur e muzikes simfonike

Studimet e larta Simon Gjoni i kreu në Akademinë e Lartë muzikore të Pragës, në klasën e dirizhimit simfonik me profesorët V. Smetacek, R. Brook, A. Klima. Në vitin 1954, ai ishte pjesëmarrës si kompozitor në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës, së bashku me kolosët botërore si Shoporin, Janson, Rihter, Fisher, Fournet, etj. Në vitin 1956 në sallën “Mestska Knihovna” dirigjon Shubert “Rosamunda” dhe Grieg “Perr Gynt”. Po në këtë kohë dirigjon veprën “Pygmalion” të kompozitorit Jiri Benda. Në vitin 1957, në sallen “Dum Umelco”, ai drejtoi “Simfoninë orkestrale për violinë e kontrabas” të K. Dittersdorf. Suksesi i këtij koncerti pasohet nga ai i pjesës simfonike të Franc Listzi-it “Les Preludes”.
Simon Gjoni, është një ndër dirigjentët e parë të orkestrave tona simfonike të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe të Radio-Televizionit. Ne vitin 1958, kur u emërua dirigjent në TOB, shumë vepra të shquara e gjetën interpretimin e “parë” tek dirigjenti i ri, i cili i interpretoi ato duke zbuluar ngarkesën emocionale të tyre me një ndjeshmëri të lartë.
Përmendet baleti “Lola”, “Laurencia”, operat “Don Paskuale”, “Berberi i Seviljes”, “Paliacot”, “Franceska da Rimini”, “Pranvera”, etj. Për herë të parë, nën kujdesin e tij, incizoi krijimtarinë e deriatëhershme të kompozitorëve shqiptarë Zadeja, Gaci, Nova, Grimci, operetën “Lejlaja” të T.Daija në operetën “Agimi” të Kristo Konos, Koncertin nr.1 për violinë të Zoraqit, Rapsodinë për piano dhe orkester të T.Harapit, gjithashtu edhe muzikën e disa filmave shqiptare.
Nga autorët botërorë ekzekutoi për herë të parë në Shqipëri Beethoven “Simfoni nr.8”, Mendelson “Uverture”, Beethoven “Eleonora”, Uverture K.M. Veber “Gjuetari Magjik”,Liszt “Prelude”, Dvorzhak “Valle simfonike”.
Krijmtaria e tij ka kaluar thuajse të gjitha gjinitë ; nga kënga, romanca, kantata, suita, poemat, veprat instrumentale e deri tek veprat e mëdha orkestrale si 11 valle simfonike, vepra këto ku ndihet atmosfera e kohës , besimi i kompozitorit ndaj popullit të tij, prezenca e të cilit është e pashmangshme me të gjitha dukuritë në këto vepra.
Në maj te vitit 1960 kompozoi odën lirike “Pranvera jone”, me tekst të Ismail Kadare dhe një suite simfonike me katër kohe. Një vit më pas kompozoi “Poema e rapsodit” për bas-celo-piano. Balada “Lufton shqipja” u këndua menjëherë nga basi i papërsëritshëm Llukë Kacaj. Në 1962 ai kompozoi vallen e parë simfonike shqiptare, e pasuar më pas me 10 valle simfonike të tjera që paraqesin një gërshetim të mrekullueshëm të muzikës së kultivuar me muzikën popullore. Secila nga vallet është një vepër me vete, krejt e veçantë dhe e ndryshme nga të tjerat .
Si pedagog, Simon Gjoni dha nje kontribut të çmuar deri në çastet e fundit të jetës, kur përgatiti me dhjetra studentë. Ai ishte një ndër pedagogët e parë në themelimin e Konservatorit Shtetëror të Tiranës së bashku me Çesk Zadenë, T.Guraziun, Y.Skenderin. Shumë muzikantë e cilësojnë Simon Gjonin si një shëmbull të rrallë ku gjeneratat mund të mësojnë për kërkesat sistematike, këmbënguljen dhe disiplinën e lartë artistike.
Emri i Simon Gjonit, siç e ka cilësuar Zadeja i madh ,”do të mbetet i skalitur në pentagramin e muzikës shqiptare, së cilës i shërbeu me dashuri dhe respekt”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *