Tiranë, 13 Maj/AE/.- Miss Arbëreshë 2019 , Ilenia Colloca, do të jetë ekskluzivisht të shtunën, më 16 maj, në orën 17.00 direkt në Facebook, në rubrikën e përjavshme, “Lucia al Kana” , një rubrikë shumë interesante që prej disa javësh zhvillohet nga Lucia Martino, në Frascineto (Kalabri), në kuadër të projektit “Të dua Arbëri “, organizuar nga Shoqata “Vorea” dhe Albanian Excellence.
Bukuroshja me origjinë arbëreshe, do të sjellë gjate kesaj paditeje, shumë surpriza nga jeta e gjakut të shprishur të Arbërit , në këtë rubrikë e cila nisi të zhvillohet në situatën e turbullt dhe shumë të vështirë që krijoi Covid 19 në të gjithë planetin tonë.
Pasuria shpirtërore dhe materiale e jetës së Arbërisë, por edhe kulinaria e kësaj zone, mendohet të jetë e konkretizuar në surprizën e pasdites së të shtunës, 16 majit , kur shoqata Vorea dhe Qëndra Albanian Excellence , ftojnë të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm, të ndjekin përmes rrjetit social Facebook, këtë transmetim live nga Frascineto (Kalabri-Itali) .
Ilenia Collaco, 22 vjeç, vijon studimet në vitin e katërt , Drejtësi në Universitetin e Kalabrisë (CS).
Ajo është e dashuruar me “diversitetin”, i pëlqen të udhëtojë dhe të mësojë për kulturat dhe gjuhët e reja. Për këtë arsye, vitin e kaluar vendosi të marrë pjesë në projektin Evropian Erasmus dhe të studiojë një vit në Madrid.
“Unë jam shumë i lidhur me vendin tim, me tokën time, të pasur me histori. Kjo lidhje është konsoliduar ndër vite dhe këtë ia kam borxh nënës dhe gjyshes, të cilët gjithmonë e kanë mbajtur gjallë traditën në shtëpinë tonë, duke më kujtuar çdo ditë, rëndësinë e rrënjëve dhe origjinës sonë”, është shprehur bukuroshja e cila me shumë kënaqësi ka pranuar të jetë protagonistja e rubrikës shumë interesante “Lucia al Kana” , drejtuar nga Lucia Martino, kjo ambasadore e denjë e kulturës dhe traditës arbëreshe, e cila prej javësh nga Kana –ja e saj , nuk rresht së treguari dhe kultivuari traditën, kulturën, të shkuarëm, këtë pasuri të madhe të gjakut të shprishur të Arbërit, të ruajtur dhe të konsoliduar në rrjedhën e shekujve .