Të birët e Gjokë Çobës

Nga Zef Ludovik Çoba(1951)

Pak shenime në respekt në 110 vjetorin e lindjes se babait Ludovik Zef Çoba, si dhe të parëve të që kontribuan për traditen e prodhimit të verës, rakisë dhe pijeve të tjera alkolike, e për emrin e mirë që fituan si brenda ashtu edhe jashtë vëndit.

Etiketa për produktet e verës dhe të rakisë që mban shenimin „TË BIRËT E GJOKË ÇOBËS“, është dëshmi e një tradite shumë të herëshme të trashëguar ndër breza, një eksperiencë e veçantë për prodhimin e verës e të rakisë në Shkodër. Për të krijuar një ide për kohen që konfirmohet aktiviteti me emërtimin „TË BIRËT E GJOKË ÇOBËS“, po bëj këtë sqarim: Gjokë Çoba i bie të jetë katragjyshi i im. Babai im Ludoviku që ka lindur në vitin 1912, ishte djali i Zefit, njerit prej trashëgimtarëve të Gjokës. Të birët e Gjokës ishin:

  • Zefi 1873 – 1924
  • Loroja—- —–
  • Nushi 1886 – 1938
  • Rroku 1892 – 1946

Babai (Ludoviku) më tregonte se punishtja e vjetër artizanale që ka sherbyer për të realizuar procesin e punës, ka qenë e ndertuar mjeshtërisht me të gjitha kriteret e duhura teknologjike funksionale. Mjetet kryesore të përdorura për procesin e përpunimit,stagjionimit dhe depozitimit, kanë qenë voza apo fuçi prej druri, disa paisje që shërbenin për shtrydhje e procese të tjera teknologjike, si dhe kazani i zierjes së bersive për prodhimin e rakisë. Vozat prej druri ishin të llojeve, formave e përmasave të ndryshme të cilat prodhoheshin nga mjeshtra të veçantë, që e njihnin mirë artin e stagjionimit e punimit të drurit, të prodhimit dhe mirëmbajtjes së vozave. Ato kishin aftësi të njihnin e të zgjidhnin llojet e materialit drusorë, në vartësi të sugjerimeve e kërkesave të teknikëve enologë që drejtonin procesin e prodhimit, e që njëkohësisht ishin edhe sipërmarrës. Vozat krahas funksionit depozitues, duhej të ishin të përshtatëshme për stagjionimin e pijeve. Për prodhimin e rakisë perdorej kazani,ena prej bakri që kishte kapacitet disa kuintalësh, e murosur në furren e zjarrit të druve për të zierjen e bersive, e cila përbëhej nga dy pjesë kryesore:

  1. Vetë kazani me pjesen e sipërme të grumbullimit të avujve;
  2. Serpentina, që ishte ftohësi, nga ku avujt kondensoheshin në lëngun e rakisë;

Përkushtimi, pasioni dhe perfeksionimi profesional, bëri që në vitet 30’ të shekullit të kaluar aktiviteti dhe puna e kësaj familje shkodraneti kapërcente kufinjtë shtetërorë,  e të bëhej e njohur edhe jashtëvëndit. Janë dy kujtime të bukura e me vlera që e dëshmojnë këtë:

  • Diplomë në Selanik të Greqisë, në vitin 1935; (ndodhet në familjen e Albert Çobës)
  • Diplomë në Bari të Italisë në FIERA DI LAVANTE, në vitin 1936; (ndodhet në familjen e Fabjan Çobës)

Pas vitit 1944, me mbylljen e aktivitetit privat dhe krijimin e sistemit të ekonomisë së centralizuar, nga kjo familje traditen e vazhduan dy nga trashëgimtarët,babai i im Ludovik Zef Çoba dhe djali i axhës i tij Injac Loro Çoba, duke punuar tashmë në ndermarrje shtetërore,.

Ludovik Zef Çoba(1912 – 1982) në detyrën e Teknologut pranë Ndërmarrjes së Kooperativave të Konsumit Shkodër, punoi me shpirt e pasion si në pronen e vetderi diten që doli në pension, duke ngritur, organizuar e drejtuar prodhimin në shtatë punishta: Shkodër, Lezhë, në fashatrat Çesme të Koplikut, Reç, Breg të Lumit, Pult, e  Vaudejës. Në këto punishta përpunoheshin të gjitha llojet e frutave, ndër të cilët kryesisht rrushi. Prodhohej vera, rakia, alkoli, lëng rrushi, uthull etj. Prodhimet e kësaj ndërmarrje kanë qenë shumë të kërkuara në treg e të pelqyera nga konsumatorët.Dha leksione me orar të pjesëshëm pranë Shkollës së Mesme Teknologjike dhe kontriboi duke mësuar e përkrahur teknikët e rinj, brenda dhe jashtë rrethit të Shkodrës. Ftohej rregullisht për të marrë pjesë në komisione kombëtare të degustimit të verërave. Ishte fjalë pak, sepse motoja e tij ishte: me shumë se fjalët, flet vetë puna. Përdorte shpesh shprehjen konçize “NUK BÂNË VENA UJË“.

Injac Loro Çoba(1919 – 1995) po ashtu punoi me pasion e përgjegjësi  pranë Ndermarrjes Tregëtare “N.E.T.E.L.” deri sa doli në pension, duke organizuar e drejtuar prodhimin e verës, rakisë, uthullës etj. pranë punishtes së ngritur në Shkodër nga kjo ndermarrje. Kjo punishte, përveç prodhimit me fruta cilësore e të zgjedhura,punonteedhe për shfrytëzimin e përpunimin e fruteve që qëndronin gjatë në treg, në dyqanet që administronte kjo ndermarrje, dhe humbisnin freskinë.

Babai Ludoviku, kishte dëshirë që kjo trashëgimi dhe eksperiencë brezash të vazhdonte. Për këtë që kur ishim fëmijë na mbante pranë, na shpjegonte e na mësonte të gjitha proceset duke filluar nga vreshta ku kultivohej e prodhohej lënda e parë, e deri tek ambalazhimi. Nga tre fëmijët, vetëm motra Nineta Çoba(Luka), ushtroi profesionin e teknologut pranë Fabrikës së Verës në Shkodër.

Etiketë e pëdorur për prodhimin e verës

Etiketë e pëdorur për prodhimin e rakisë

 

Diplomë në vitin 1935 Selanik – Greqi

Diplomë në vitin 1936 Bari – Itali

Të birët e Gjokë Çobës, kishin vreshtat e tyre kryesisht në fshatrat Bardhej, Rrenc e Guri i zi.

Kjo traditë nuk mund të shihet e shkëputur nga tradita e vreshtarisë së prodhimin e frutit të rrushit, si dhe e përpunimit të tij për prodhimin e verës e të rakisë dhe nenprodukteve, e cila në Shkodër është shumë e herëshme. Kushtet klimaterike dhe terreni i përshtatshem i fshatrave, e ka favorizuar kultivimin e vreshtarisë. Përveç varieteteve të njohura për përdorim të këtij fruti si ushqim të mirëfilltë, në shekuj janë kultivuar edhe varietetet më të përshtatëshme që kanë shërbyer për përpunimin e tij. Kjo ka bërë që të zhvillohet agrokultura, e të vilen produkte me kualitete të larta që kanë përmbushur të gjithë parametrat e duhur në shërbim të përpunimit artizanal – industrial, për të prodhuar verë, raki, musht(lëng rrushi), uthull etj., nenprodukte kryesore të përdorura nga konsumatorët e të kërkuara në treg. Për këtë arësye, zejtaria dhe industria e prodhimit të vëres, rakisë etj. ka ekzistuar historikisht që nga antikiteti në Shkodër. Shumë familje me banim në qytet, kanë pasur vreshtat e tyre në disa nga fshatrat pranë, për të cilat  janë kujdesur rregullisht e me pasion.

Fati e deshti që unë të futem në boten e magjisë së muzikës që fëmijë, e këtë rrugëtim ta vazhdoi gjatë të gjithë jetën. Por një lidhje me traditen e çmuar të familjes, mësimet e tim eti dhe vlerat ushqyese të verës e të pijevetë tjera, më bënë që ta njoh e ta çmoj këtë kulturë.

Në vitin 1998 me sugjerimin e agronomit të njohur prof. Ahmet Osja, bëra një vizitë në fabrikën e njohur ΤΣΑΝΤΑΛΗ në Selanik të Greqisë, vizitë në të cilën më shoqëronte edhe ime shoqe Silva. Në takim me specialistët atje, ndermjet të cilëve ishte Agrikol Gjermeni, djali i agronomit të mirënjohur  Todi Gjermeni, pasi i fola për traditen, i tregova edhe diplomat të cilat i vlerësuan shumë,edhe për faktin se fabrika e tyre e njohur Tsantali, e kishte filluar aktivitetin pas luftës së dytë botërore, e  nuk bëhej fjalë për një traditë brezash.Veçanarisht treguan shumë kuriozitet e interes për diplomen e marrë pikërisht në Selanik të Greqisë, nëvitin 1935.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *