Tre shqiptaro-amerikanë nderohen nga organizata “Albanian Exellence” për kontributin e tyre të shkëlqyer në fusha të ndryshme, mes tyre kolegia e “Zërit të Amerikës”, Laura Konda. Ndërkohë, po dje në mbrëmje themeluesja e “Albanian Exellence” Flora Nikolla, bëri një pasqyrë të situatës së shtypit shqiptar pas periudhës komuniste, në një aktivitet të organizuar nga biblioteka e Kongresit amerikan dhe organizata “Vatra”.
Ky takim që bën bashkë shqiptarët e Amerikës është një mundësi për tu njohur dhe vlerësuar kontributin e tyre, nga vendi i origjinës tek i riu, në një lidhje të përhershme simbiotike.
E themeluar me këtë mision, organizata “Albanian Exellence” nderoi dje tre shqiptaro-amerikanë, ish kryetarin e shoqatës “Vatra” dr. Gjon Bucaj, gjuhëtaren dhe autoren e disa botimeve Donika Boçi, si dhe gazetaren e njohur të “Zërit të Amerikës”, Laura Konda. Vlerësimi vjen në shenjë mirënjohje për suksesin e tyre në fusha të ndryshme, por që i bashkon misioni i forcimit të dinjitetit të një kombi.
Dukshëm, diaspora shqiptare ka nevojë për atdheun, për një ndërveprim më të fortë që siç thotë gjuhëtarja Boçi, politika ia ka borxh diasporës.
Gjatë nderimit të gazetares së “Zërit të Amerikës” Laura Konda themeluesja e “Albanian Exellence” Flora Nikolla tha se kjo media ishte dhe mbetet dritarja e lajmit të vërtetë, pa ndikim politik në trojet shqip folëse. Për gazetaren Konda thënia e së vërtetës vazhdon të mbetet sfidë për gazetarinë.
Çmimi “Albanian Exellence” dr. Bucajt iu dorëzua djalit të tij, Lek Buçaj. Në një letër mirënjohje për këtë vlerësim Buçaj kërkonte që politika në Shqipëri t’i japë fund polarizimit, që siç shprehej, nuk i shërben askujt. Sipas Buçajt, diaspora ka nevojë për një ndërlidhje të gjithanshme e të shëndoshë me vendlindjen.
Për organizatën “Albanian Exellence” mision i saj është bashkimi nën një logo i suksesit shqiptar në të gjitha dimensionet.
Ceremonia e nderimit të tre shqiptaro-amerikaneve, u parapri nga një takim në ambientet e bibliotekës së Kongresit amerikan me fokus shtypin në Shqipëri pas viteve 90.
Kryeredaktorja e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Flora Nikolla, bëri një pasqyrë të rrugës së vështirë të shtypit shqiptar që siç tha në 10 vitet e fundit vuan nga dorëzimi i bizneseve që drejtojnë shtypin, tek politika. Sipas Nikollës, sot është e vështirë të bësh dallimin mes një plani biznesi dhe misionit të medias për të informuar e lirë.
Por, sipas Nikollës, krahas ligjeve më të forta, situatën sot mund ta ndryshojnë vetë njerëzit e shtypit.