Historia e mësueses që jep shumë dashuri e dije për nxënësit e saj
Nga Flora Nikolla
Tiranë, 2 Prill/AE/.- Zëra Muslin, e njoha në Nju Xhersi, në një mbrëmje humanitare që organizoi me zonjat të njohura të tri-shteteve, Nju Jork, Connecticut dhe Nju Xhersi për të ndihmuar kushtet e rënda shëndetësorë që po kalonte në atë kohë një zonjë në Kosovë.
Që në momentin e parë të dhënies së dorës, njoha një zonjë plot jetë dhe energji, një zonjë që më parë se të mendohej, dinte të shprehte fjalën e mirë, dinte të jepte energjinë e mirë dhe shpresën se gjithnjë e kudo ka njerëz plot kurajo e që dinë të thonë se jeta është e bukur dhe se duhet të jetohet dhe me baticat dhe zbaticat e saj.
Me këtë ndjesi vijova bisedën, të qeshurat edhe vallen atë natë në Nju Xhersi teksa përballe shtrihej madhështor dhe i pakapshëm Manhattani që diçiturën e ka gjithnjë “no comment” !!!
Në fakt, kur kisha dëgjuar nga disa mikesha të miat në Nju Jork, për krijimin e klubit të librit në Nju Xhersi dhe ideja më kishte ngacmuar shumë. Zëra ishte një nga iniciatoret e krijimit të këtij klubi që në themel ka pikërisht, përhapjen e librit shqip dhe ndihmën që mund t’u jepet njerëzve që janë në nevojë, apo dhe marrjen e nismave fisnike që na e ngrohin zemrën në këtë kohë globalizimi dhe pragmatizmi që jetojmë.
Këtë fillim janari e takova sërish Zërën e dashur, në një mbledhje që zhvilluam në shtëpinë e mikes sonë të përbashkët, Ana Marky Walsh.
Zëra ishte e njëjta, e njëjta energji, e njëjta dëshirë për të bashkepunuar, e njëjta mirësi. Vendosëm së bashku atë natë ende me aromën e Vitit të Ri, të organizonim në Nju Xhersi në Qëndrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane, ekspozitën e suksesit të zonjave shqiptare kudo janë. për vitin 2020.
Në fakt kjo ekspozitë do të hapej në kuadër të Vitit 2020 që Albanian Excellence ja ka kushtuar Zonjave shqiptare që bëjnë botën. Por ‘regjisori’ famëkëq Coronavirus, që dirigjon me tekat e tij të gjithë planetin, na e ndaloi këtë event që do të ishte shumë bukur e do të shënonte edhe bashkëpunimn e parë të Albanian Excellence me Zëra Musli.
Në këto ditë të vetë-izolimit, mendova që ekspozita të kishte kohën e saj të organizimit, ndersa une të nisja të punoja për një libër ku zonjat e përzgjedhura nga Albanian Excellence për vitin 2020, të ishin së bashku me suksesin e tyre por edhe me ndjesitë e tyre nga kjo situatë absurd që po jetojmë kur çdo moment shfaqet zhduket dhe rishfaqet ky virus qe pa dashjen e askujt , vetëvendosi një kurorë kaq famëkeqe. Sigurisht që në këtë përzgjedhje, nuk kishte si të mungonte, Zëra Musli, një aktiviste dhe një mësuese plot dëshirë dhe pasion për nxënësit e saj dhe komunitetin shqiptar në Amerikë.
Në intervistën që do të lexoni, Zëra shfaqet në jep shumë dashuri e dije për nxënësit e saj. Ne çdo rresht të shkruar, e pastër, energjike, e vërtetë për të treguar detaje që të çojnë në origjinën e saj në Ohër, buzë liqenit të mrekullueshëm me të njëjtin emër, apo dhe momentin e mbijetësës së gjyshit të saj nga xhandarmëria sërbë, vetëm nga dashuria e dy nënave të tij.
Janë detaje aq të vërteta, që jo rrallë dinë t’i tregojnë me sinqeritetin që flet Zëra e dashur, apo dhe për studimet e saj, dhe dyzimet e saj të shkollimit mes Strugës dhe Ohrit.
Në të gjitha minifabulate treguara, Zëra jep një mesazh fisnik në emër të popullsisë shqiptare të Maqedonisë se Veriut : “sado u përpoqën të na asimilojnë, përsëri në gjenim një rrugëdalje për të ruajtur traditat tona”.
Zëra Musli, nuk është poete, piktore, shefe guzhine, humanitare dhe as rrobaqepëse, por të gjitha këto profesione, Zëra i bën me pasion duke e çlodhur. Qan, qesh, shkruan,vizaton dhe qep rroba, ndihmon ata që kanë nevojë dhe jep shumë dashuri e dije për nxënësit e saj.
Me dëshirë për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat kombëtare jep një kontribut të çmuar jo vetëm si mësuese, por edhe një aktiviste e dalluar në Qëndrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane, ku vepron, shkolla, aktivitetet e lira, sporti dhe feja. “Tribuna”, botim i kësaj qëndre, që nuk botohej nga vitet 80-të, u ringjall në vitin 2010 nga, Zëra Musli.
Nga marsi i vitit 2013, është anëtare e themelimit të Trupit-Konsultativ -Koordinues (Bordit të shkollave Shqipe) organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork. Projekti për themelimin e Bordit të Shkollave Shqipe (të mësimit plotësues) për shkollat te cilat veprojnë ne tre-shtetëshin Nju Jork-Nju Xhersi dhe Connecticut, por edhe themeluese në Facebook e grupit “Vlera Jonë”, me idenë se vlera e një femre buron nga thjeshtësia e saj.
Zera thotë se, “Motoja e këtij grupi, është vlerëso, respekto, ndihmo mos ofendo”.
Dy vajzat e Zërës janë jeta e saj. Ajo është krenare me arritjet e tyre. Vajza e madhe ka mbaruar Bachelor of Science Chemistry, punon si kimiste dhe vazhdon master. Vajza e vogël është ende në shkollë të mesme.Të dyja vajzat flasin shqip, e përkrahin në çdo aktivitet dhe mburen me shqiponjën tonë. Në Nju Xhersi, ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh, por shumica janë struganë.
Zera Musli, jeton sot në Nju Xhersi me familjen e saj. Nuk e harron komunitetin strugan që jeton në këtë shtet së bashku me të , që është një komunitet i veçantë që çdo herë është i gatshëm të ndihmojë. Ajo është krenare që është pjesë e këtij komuniteti që ruan fanatizëm gjuhën dhe traditat kombëtare, fëmijët që flasin shqip dhe që janë krenarë që janë shqiptarë.
Covid 19 : “Kur kjo ëndërr e ligë të ketë ikur, rituali i jetës do të vazhdojë, gjithshka do të më lejojë të ndihem e lumtur”
Ndërsa të gjithë përballemi me vështirësitë dhe rreziqet e koronavirusit pandemik, çdo mëngjes Zera, lutet për të mirën e të gjithëve, veçanërisht për mjekët, infermierët dhe për të gjithë që rrezikojnë jetën për sigurinë tonë. Aktualisht po punon me kurse dhe mësim online. Ditët i ka më të gjata së zakonisht dhe i mungon prania e studentëve. Kur e tashmja të lë pa fjalë dhe kur ka ndryshuar e vazhdon me vështirësi, Zëra këshillon të ndiqen rregullat e përcaktuara nga shteti duke mbrojtur veten dhe të tjerët.
Ajo thotë se një fjalë e mirë shëron plagë, dhe se duhet të duam, të respektojmë dhe të ndihmojmë njëri- tjetrin. Dhe kur kjo ëndërr e ligë të ketë ikur, rituali i jetës do të vazhdojë me ritmin e saj, gjithshka do lejojë Zërën të ndihet përsëri e gjallë dhe e lumtur .
***
F.N : Zera si e kujton vendlindjen tënde ? A mund të tregoni disa kujtime në ruatjen e traditës shqiptarë në rajonin e Strugës dhe të Ohrit në Maqedoninë e Veriut ?
Z.M: Ohri ose si e quajnë vendasit, qyteti i liqenit është një pikë shumë e rëndësishme turistike dhe me shumë bukuri natyrore. Të vizitosh Ohrin dhe të mos vizitosh Shën Sofinë është si të jetosh pa frymë. Në këtë kishë, organizohet, Festivali i Muzikës Klasike Verore, me interpretues të njohur botëror. Por e mrekullueshme është dhe kështjella, apo manastiri i Shën Naumit. Historikisht, qytetarët kanë punuar për të shmangur asimilimin e gjuhës dhe traditave. Historikisht në këto rrethina, ka patur shpërngulje masive për në Turqi, ndërsa vitet e fundit në Europë dhe Amerikë.
Do të përpiqem të tregoj një histori të shkurtër, e cila është përjetuar nga të parët tanë. Kjo histori ka ndodhur në fshatin Pesoçan, fshati i vetëm në Ohër me popullsi shqiptare. Nuk e di vitin e saktë por sipas përshkrimit të babait dhe një të moshuari të lagjes, duhet të ketë qënë viti 1916 ose 1918 . Stërgjyshi im ka qënë një tregtar i njohur dhe ka patur një shtëpi në Ohër dhe një në fshatin Pesoçan. Kur stërgjyshi ndodhej së bashku me familjen e tij në fshat, xhandarmëria rrethoi në orët e para të mëngjesit fshatin, duke pretenduar se kaçakët kishin vrarë dy xhandarë . Xhandarmëria mblodhi femijet, djemtë, burrat, pleqtë e fshatit dhe i futi të gjallë në një pus. Para se xhandarët të afroheshin në shtëpinë e te parëve tanë, stërgjyshi kaloi murin dhe iku nëpër Satesk (Satesk është një lum që përshkon fshatin).
Xhandarmëria iu afrua shtëpisë . Gratë e stërgjyshit tim (ishte i martuar me dy gra),shtrëngonin pas vetes djalin 5 vjeçar (gjyshi im). Ato e tërhoqën më forcë djalin nga duart e dy nënave që fytyrën e kishin të mbuluar me perçe. Gruaja e dytë e stëgjyshit kishte nënën maqedonase, dhe njëri nga xhandarmëria që mori djalin, ishte daja i saj. Ajo zbuloi fytyrën, nxori nga brezi një grusht ar dhe ja futi xhandarit në xhep. Kështu shpëtoi njëri nga djemtë e shtëpisë. Djali i madh, gjëndej i sëmurë në shtrat. Xhandarmëria kur e pa djalin të shtrirë, i vuri zjarin shtëpisë. Edhe sot e kësaj dite, flitet se po i kalove pusit pranë, mund të dëgjosh zëra !!!
Disa nga familjet e kanë mbrojtur gjuhën, disa janë asimiluar. Në qytetin tonë, kishte dhe shqiptarë ortodoksë në qytetin tonë të cilët u asimiluan me kohën.
Burri im shpesh më tregonte për xhaxhi Tomën që fliste mirë shqip. Xhaxhi Tomën nuk pata rast ta njihja, por e njoha Tetka Lubicën, e cila vinte shpesh në shtëpinë tonë dhe më tregonte për xhaxhi Tomën. Ajo tregonte se kur ishte e martuar vjehra e saj nuk dinte maqedonisht dhe fliste vetëm shqip, Toma fliste dy gjuhë, kurse teto Lubica fliste shumë pak shqip.
Këto janë kujtime që kanë lënë gjurmë në jetën time. Ne kishim nënën gege si e përmenda më sipër, babai vinte nga një familje qytetare e vjetër dhe fliste një shqipe shumë të bukur. Si çdo familje edhe tek ne, flitej si fliste nëna .
Ne mundoheshim që dhe babai të fliste si ne, por më kot mundohej të shqiptonte gegënishten tonë. Plaste e qeshura në shtëpi, oh cfarë gëzimi kishte në syte tonë.
Shkolla fillore ka qënë mbrojtesi kryesor i gjuhës dhe traditave. Në kuadër të shkollës funksiononin: grupi valles, grupi letrar, amvisëria, matematika etj.
Më vonë u formua grupi i valleve, “ Valët e Jugut”. Motra e vogël ka qënë valltare e këtij grupi. Ajo formoi për herë të parë grupin e valltarëve të vegjël të cilët i mblidhte në shtëpi për t’i mësuar të kërcejnë. Çfarë kënaqësie ka qënë për të gjithë ne.
Nuk mund të lë pa përmendur dhe mënyrën si e kemi ruajtur traditën. Në atë kohë, cdo kush mund të kuptonte , cilat ishin shtëpitë shqiptare në Ohër. Do të pyesni pse ? Në ballkon kishim një shufër hekuri, shumë të gjatë dhe në krye kishte një tepsi me vrima .Pjesa e hekurit, fiksohej në ballkon në mënyrë që të mos binte. Kjo ishte antena e televizorit. Brezi im por dhe më i riu, çdo mbrëmje ulej para televizorit dhe mezi prisnim të shikonim programet e televizionit shqiptar. Disa here valët nuk vinin mire dhe njëri nga ne shkonte te rregullonte shufrën e hekurt duke e rrotulluar derisa sa të kapnim programin. Po të shikoje shufrën e hekurt dhe tepsinë me vrima, të gjithë e kuptonin se në atë shtëpi jetonin shqiptarë . Sado u përpoqën të na asimilonin, përsëri do te gjëndej një rrugëdalje për ruajtjen e traditave tona .
F.N: Si ishte rinia jotë e hershme Zera? Për çfarë studiuat ?
Z. M: Si shumë të tjerë, dhe unë vij nga një familje kurbetqare dhe bujqësore. Babai im ka qenë një punëtor i përkushtuar që mundohej të plotësonte të gjitha dëshirat tona. Para se të fillonte viti shkollor, ai gjithmonë, na çonte në Shkup për të blerë rroba. Ishte gjithnjë krenar për suksesin tonë. Për një kohë të gjatë familja jonë kishte vetëm vajza.
Kur isha në klasën e tetë, pas gjashte vajzave, lindi vëllai. Ky ishte gëzimi më i madh për ne, pothuajse i tërë qyteti erdhi të na uronte. Në qytetin tonë kishte vetëm një shkollë fillore në gjuhën shqipe. Sot më kujtohen dhe vitet e shkollës së mesme. Kur mbarova klasën e 8-të, dola shkëlqyeshëm , po në atë kohë jo çdo fëmijë mund të rregjistrohej për të vazhduar studimet në Strugë sepse numri ishte i kufizuar. Babai tha më mirë me shkollë se pa shkollë, dhe kështu u regjistrova në gjimnazin e Ohrit në gjuhën maqedonase. Nuk ishte e lehtë, sepse unë nuk e flisja gjuhën rrjedhshëm, dhe kishte nënçmime nga disa mësues.
Si në çdo shkollë edhe atje organizonin mbledhjet me prindër. Babai na mbështeste dhe shkonte gjithnjë në mbledhjet tona. Një herë, kur u kthye nga një mbledhje, m’u duk tjetër njeri. Nuk më hiqen nga mendja kur i tregoi nënës fjalët që ju kishte thënë në shkollë: Nuk durova dhe ju thashë: jagninjata ni se beli a ovcite crni (qingjat janë të bardha e delet e zeza). Të nesërmen në mëngjes më rregjistroi, për të ndjekur shkollën në gjimnazin e Strugës.
Në vitet e shkollës së mesme nisi persekutimi politik dhe përjashtimi i mësuesve dhe studentëve. Ishin vite të vështira për të gjithë. Njëri prej tyre ishte mësuesi i gjuhës shqipe në shkollën fillore në Ohër. Një ditë ai trokiti në derë i tha nënës se donte të fliste me mua. Dola dhe e ftova siç e kemi traditë, e kishim dhe fqinj. Pashë që mbante në dorë diçka të mbështjellë. “Zera dua që këto libra t’i kesh nga unë, janë një thesar”.
Pasi iku, kurioze hapa qesen e najlonit dhe preka një libër të trashë që sma zinte dora. Ishte “Historia e gjuhës shqipe”. Nga ajo ditë gjuhën do ta doja me jetën !!!Nga ky libër mësova se nuk do të isha vetëm në vështirësitë që do kaloja. Gjithnjë kam punuar më shumë se të tjerët për të treguar se nuk përkulem. Si nxënëse, adhuroja matematikën, vizatimin, gjuhën por duke dëgjuar këshillën e prindërve të mi, zgjodha matematikën. Nisa studimet e rregullta dhe mbarova me korespodencë si mësuese matematike.
Në rininë time të dy prindërit e mi ishin në kurbet dhe duhej të kujdesesha për vëllain dhe motrat, u bëra nënë dhe baba për ta. Vëllai ishte më i vogli shtatë vjeçar e më pas vinin motrat me radhë.
Provimet i përgatisja kur më dilte koha. Kanë qënë vite të vështira pasi u mbyllen Fakultetet dhe më është dashur të mësoj në shtëpi për ligjeratat e provimet. Familja e mixhes Miftar nga Prishtina për mua e shoqet i ka pasur dyert e hapura. Na kanë mbajtur si të ishim fëmijët e tyre. Më kujtohet, në lagjen ku jetonim shtrihej lumi Grashnica që derdhej në liqen. Një vit ra shumë shi dhe pati shumë vërshime. Për fat të mirë, shtëpitë ishin të ndërtuara mirë dhe çdo njëra para se të hyje kishin 5 ose 6 shkallë dhe ballkon. Një ditë, uji arriti deri në shkallën e trëtë. Në atë kohë ,mësimi nuk ndërpritej as nga vërshimet, acari apo bora. Unë mora vëllain në shpinë që të mos lagej dhe e nxora deri pranë xhamisë ku nuk kishte më ujë.
F.N: Si vijoi më tej jeta juaj ?
Z.M : Nuk jam poete, piktore, shef kuzhine, humanitare dhe as rrobaqepëse, por të gjitha këto profesione i kam pasion dhe më çlodhin. Nëqoftëse më duhet të qaj, të qesh, të shkruaj, apo të gatuaj në guzhinë, që për mua është si të jetë shpikur për femrat shqiptare , të gjitha i bëj me dëshirë. Ndihmoj sipas mundësive ata që kanë nevojë, dizanjoj dhe qep deri sa i mbaroj . Të gjitha më japin kënaqësi.
Jeta nuk është përrallë, ka batica dhe zbatica.
Vitet e para të martesës ishin si ëndërr, me kalimin e kohes ti pret te bëhesh nënë, po ja që dukej se zoti nuk po donte për mua . Një ditë pranvere nisa të qaja me zë. Ashtu më gjeti burri i cili u trëmb sepse mendoi se kishte ndodhur diçka e keqe. Unë i tregova, por ai ja plasi gazit duke më thënë të mos mërzitesha se mund të regjistroheshim dhe mund të birësonim një fëmije. Procedura e birësimit zgjaste shumë, duhej të prisje rradhën. Por ndërkohë, mbeta shtatëzanë dhe linda vajzë. Ajo na dha jetë e shpresë, ishim prindërit më të lumtur në botë. Por nuk mbetëm me kaq pas tetë viteve te vajzës, Zoti na gëzoi edhe me një vajzë tjetër. Si thotë një fjalë popullore, kush ka vajza botën ka.
Meqënëse e gjithë familja ishte shpërngulur në Amerikë, qetësinë e gjeja pranë liqenit. Aty dilja çdo ditë bashkë me vajzën. Bisedoja shpesh me familjen por nuk e dija që babai ishte shumë i sëmurë.
Në shkurt të vitit 2001, më mori motra në telefon. Mendoja se ishte një telefonatë e zakonshme, asaj i dridhej zëri. U tremba kisha frikë ta pyes. Ajo më tregoi se babai ishte shumë i sëmurë dhe duhet të shkoja ta vizitoja. Garancinë dhe dokumentat e nevojshme i kishin dëguar në Ambasadën Amerikane në Shkup. Brenda dy javëve me thirrën për interviste dhe na dhanë vizë së bashku me vajzën. Pas katër javësh që ndodhesha në Amerikë, babai nderroi jetë.
Falenderoj Zotin që më bëri të mundur të jem pranë tij.
F.N: Ju jemi mësuese, çfarë është mësuesia për ju ? Keni ndonjë histori të veçantë që mund të tregoni me ndonjë nga nxënësit tuaj ? Si është të jesh mësuese në SHBA ?
Z.M. Për mua, mësuesi është dritarja dhe timoni i jetës. Mësuesi na mëson të shohim dhe të drejtojmë jetën. Por, të mos harrojmë se studentët presin nga ne që të jeni mësuese, nënë, infermiere, gjykatës.
Para se të merrja diplomën e mësuesit duhej të bëja një praktikë. Unë zgjodha qytetin e lindjes, shumica e studentëve ishin nga lagjja ku jetoja dhe kur hyra në klasë, fytyrat e tyre shprehnin gëzim që ma ngrohu zemrën. Edhe sot e kësaj dite në çdo fëmijë shoh të njëjtat fytyra gazmore.
Nuk mund të harroj një herë kur fëmijët kishin dalë në oborin e shkollës për pushim dhe dëgjova zëra që më thërrisnin. Një vajzë e vogël e klasës time kishte thyer këmbën. Ju afrova me shpejtësi , nisa ta përkëdhel e t’i thoja fjalë ngushëlluese. Heshti një moment, u kthye nga unë e më përqafoi. Sytë m’u mbushën me lotë, fyti mu tha sikur të më kishte mbetur diçka. Pavarësisht se ku jemi mësues, kudo është e njëjta ndjenjë, gjithmonë dëshiron dhe përpiqesh për të mirën e tyre, të qeshni e qani bashkë me to.
Të qenit mësues vullnetar për komunitetin të jep jetë e të mban gjallë rininë. Në fillim te detyrës sime si kryetare e KA filluam me shumë pak nxënës. Drejtori lejoi dhe aktivitete të lira, ai ishte mësues i vallzimit. Provat i bënim tek xhamija dhe me këtë rast falenderoj hoxhën. Patëm rezistencë në komunitet, por ia dolem. Kur organizoheshin provat unë ulesha brenda dhe shikoja, kështu nënat filluan të afrohen dhe kështu shkolla u mbush me nxënes.
F.N: Cfarë ofron sistemi arsimor amerikan ?
Z.M Sistemi arsimor në Amerikë ofron një përzgjedhje më të gjërë në programin e tyre, shkollat kanë të drejtë të zgjedhin kurrikulën e tyre. Prindërit ose studentët zgjedhin vetë klasat ku mendojnë se janë më mirë. Sistemi arsimor amerikan nuk lë asnjë student pas, ai përshtatet me nivelin e njohurive të individit. Pothuajse çdo fëmijë është i angazhuar në aktivitete sportive.
FN: Në Amerikë, jeton një komunitet i konsiderueshëm shqiptarësh. Si shihni ju këtë komunitet në Nju Xhersi , cilat janë disa nga arritjet e tij
Z.M. Në Nju Xhersi, ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh, por shumica janë struganë.
Komuniteti i strugan është një komunitet i veçantë çdo herë është i gatshëm për ndihmë. Jam, krenare që jam pjesë e këtij komuniteti. Ata ruajnë me fanatizëm gjuhën dhe traditat kombëtare, fëmijët tanë flasin shqip dhe janë krenarë që janë shqiptarë. Për mirëmbajtjen e gjuhës rol të rëndesishëm ka shkolla shqipe pranë Qëndra Kulturore Shqiptaro-Amerikane, QKSHA.
Rinia ka përparuar shumë mund t’i gjesh në të gjitha vendet kyçe.
F.N: Po Qëndra Kulturore Shqiptaro-Amerikane cili është roli i saj në aktivitetet që zhvillohen ?
Z.M : Nga frika e asimilimit bashkëatdhetaret tanë e kanë parë të arsyeshme të formojnë një organizatë që synon: ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave tona kombëtare, kështu që themelet e parë të Fondit të Përbashkët Shqiptar sot, Qëndra Kulturore Shqiptaro-Amerikane, QKSHA, janë hedhur më 14 dhjetor, 1977.
Brenda kësaj organizate vepron, shkolla, aktivitetet e lira, sporti dhe feja. Aktivitetet e kësaj organizate nuk mund të përfshihen në disa paragrafe por ka nevojë për një ekspoze të plotë që do përmbledh: mirënjohje, diploma, foto dhe artikuj nga burra shteti, ndihmën që u dha në dy luftërat në Kosovë dhe në Maqedoni apo edhe ndihma për tërmetin në Shqipëri, etj.
Paralelja e para në gjuhën shqipe pranë Fondit të Përbashkët Shqiptarë sot, QKSHA nga themelimi i saj në vitin 1982, vazhdon deri sot falë aktivistëve dhe mësueseve të përkushtuar. Për punën dhe aktivitetet e tyre ata kanë botuar fletushkën Informative “TRIBUNA” . Numri i parë është botuar në vitin 1983.
Në fund të viteve tetëdhjetë, ajo pushoi së botuara, “por Tribuna” u ringjall në vitin 2010 nga unë Zera Musli.
F.N: Ju jeni një nga drejtueset dhe organizatoret kryesore të shumë nismave dhe aktiviteteve të komunitetit shqiptar,mund të tregoni më shumë për këtë aktivitet tuajin ?
Z.M: Si femër, si nënë është detyrë të ndihmosh. Unë isha anëtare e bordit themelues të shoqatës së grave në Ohër që ishte krijuar në qershor 1995 deri në vitin 2011, kur emigrova në SHBA. Kur më propozuan detyren për Kryetare të kulturës dhe arsimit dhe i tregova burrit më tha se nëse, duron shuplakë në fytyrë prano. Nga viti 2009 -2015, isha Kryetare për Arsim dhe Kulturë pranë FPSH sot, QKSHA. Qëllimi ynë kryesor është të ruajmë gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare në diasporë. Si kryetare e këshillit për arsim dhe kulturë, duhej të hartoja një kurrikul vjetor dhe mujor. Në atë kohë kishim 80 studentë dhe më shumë dhe 7 mësues.
Në biseda me konsullatën e Kosovës, u pa e nevojshme për një abetare dhe program të modifikuar për diasporën. Nga marsi i vitit 2013, jam anëtare e themelimit të Trupit-Konsultativ -Koordinues (Bordit të shkollave Shqipe) organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork.
Projekti për themelimin e Bordit të Shkollave Shqipe (të mësimit plotësues) është për shkollat te cilat veprojnë ne tre-shtetëshin Nju Jork-Nju Xhersi dhe Connecticut.
Themelimi i ketij bordi pati qëllim koordinimin e punës ndërmjet shkollave të cilat veprojnë në këto shtete dhe harmonizimin e veprimeve dhe shkëmbimin e informatave mes përfaqësuesve të shkollave në fushën e arsimit. Gjithashtu jam anëtare e themelimit të klubit të librit Nju Xhersi pjesë e Balkan Book Club. Së bashku me shoqet, në aktivitetet tona vullnetare, kemi ndihmuar femrat në nevojë si në vendlindje po ashtu edhe këtu në Amerikë .
Jam themeluese në Facebook e grupit “Vlera Jonë”, me idenë se vlera e një femre buron nga thjeshtësia e saj( Zera Musli). Motoja e këtij grupi,është vlerëso, respekto, ndihmo mos ofendo.
F.N:Krenaria juaj janë dhe fëmijët tuaj …
Z.M Jeta ime janë vajzat e mia, jam krenare me arritjet e tyre. Vajza e madhe ka mbaruar Bachelor of Science Chemistry, ajo punon si kimiste dhe vazhdon master. Vajza e vogël është ende në shkollë të mesme. Ajo na mban në humor me gjallërinë e saj dhe ka dëshirë të bëhet metereologe. Të dyja vajzat flasin shqip, më përkrahin në çdo aktivitet dhe mburen me shqiponjën tonë.
F.N: Këtë intervistë po e realizojmë në ditët e Corona Virus, tashmë një pandemi botërore që ka rrezikuar dhe po rrezikon, qindra-mijëra jetë njërëzish. Cili ka qënë ritmi i ditës tuaj sot përballë rrezikut të kësaj sëmundje …?
Z.M. Ndërsa të gjithë ne përballemi me vështirësitë dhe rreziqet e koronavirusit pandemik, çdo mëngjes lutemi për të mirën e të gjithëve, veçanërisht për mjekët, infermierët dhe për të gjithë që rrezikojnë jetën për sigurinë tonë. Ne aktualisht po punojmë me kurse dhe ësim online. Ditët janë më të gjata se zakonisht dhe mua më mungon prania e studentëve.
F.N:Cili është kuptimi i jetës që ju doni të precizoni në këto ditë pandemike ?
Z.M E tashmja të lë pa fjalë. Gjithçka ka ndryshuar jeta vazhdon me vështirësi. Ndiqni rregullat e përcaktuara nga shteti ku jetoni, si të mbroheni dhe mbroni të tjerët.
F.N: Mesazhi njerëzor që doni të jepni në këto momente ?
Z.M Një fjalë e mirë shëron plagë, duani, respektoni dhe ndihmoni njëri tjetrin.
F.N: Çfarë do të bëni, kur kjo ënderr e ligë të përfundojë ?
Z.M: Rituali i jetës do të vazhdojë me ritmin e saj, do të më lejojë të ndihem përsëri e gjallë dhe e lumtur.
F.N: Ju faleminderit dhe ju uroj vetem sukses!!!