Nga Agim Sulaj
Arti i karikaturës vjen këtë vit për herë të parë në qytetin e Pogradecit, Shqiperi . Kjo Bienale e Parë, përcjell këtë vit vlerat e këtij arti të mrekullueshëm nëpërmjet 50 shteteve pjesmarrëse.
Tradita e mrekullueshme e kësaj gjinie e cila ka pasur një jehonë mjaft popullore në Shqipëri gjatë viteve 1950-1989, zgjohet sërish me idenë largpamëse të vazhdoje e përcjelle vlerat e kësaj gjinie të bukur të arteve.
Revista Hosteni përcolli në çdo shtëpi shqiptare kritikën e mprehtë ndaj fenomeneve negative të shoqërisë dhe individit shqiptar të viteve të diktaturës.
Kjo revistë e drejtuar mjeshtërisht nga kryedaktori i saj Niko Nikolla, nxorri artistë e karikaturiste të mëdhenj. Mund të përmendim Zef Bumçi , Dhimitër Ligori, Koço Devole, Bujar Kapexhiu, Ilir Pojani , Agim Sulaj , Mehdi Belortaja , Bardhyl Fico , Arben Meksi etj. Mesazhet e këtyre artisteve ishin humane plot filozofi e satirë komike e tragjike . Revista Hosteni ishte botimi me dinjitoz në shtypin shqiptar, me një jehonë të madhe në të gjitha shtresat shoqërore.
Mbas rënies së Diktaturës me murin e Berlinit në vitet 1990 , publikimi i revistës “Hosteni”, mbaroi . Sistemi u rrëzua duke marrë me vete dhe shumë vlera të krijuara. Artistë si Ilir Pojani e Agim Sulaj, u larguan nga Shqipëria. Të tjerë që mbeten nisën të menaxhonin aftesitë e tyre në fusha te ndryshme dhe shpesh larg karikaturës. me publikime sporadike ne shtypin ditor.
Në këtë Bienale Ndërkombetare që do të organizohet në Pogradec nga 18 deri në 20 shtator , Juria jo pa vështirësi, ka vlerësuar punime që i përgjigjeshin më afër temës e aktualitet të sotëm të traumatizuar nga pandemia që shkaktoi Covid 19.
Ky aktivitet i kryesuar nga Flora Nikolla , është hallka që lidh karikaturën botërore me karikaturën shqiptare, ajo do të mund të bëjë të njohur në shumë ekspozita të mëvonshme artistët shqiptarë dhe të huaj si eksperiencë e traditë e mrekullueshme kulturore.
Pogradeci, vendlindja e Niko Nikollës, emrin e te cilit mban kjo Bienale ,ofron si qytet turistik cilesi dhe karakteristika të mrekullueshme në realizimin e këtyre eventeve ndërkombëtare.
Ju mirëpresim në Bienalen e parë Ndërkombëtare të Karikaturës Niko Nikolla !