Mjeket shqiptare nga SHBA dhe Tirana thirrje për depistim: Sensibilizim për kancerin kolorektal në Amfiteatrin e Liqenit

Tirane, 14 Mars/AE/ Në Amfiteatri i Liqenit Artificial, u zhvillua sot, aktiviteti ndërkombëtar “Një ditë nga zonjat për zonjat”, një nismë sensibilizuese kushtuar ndërgjegjësimit për Kanceri kolorektal, një nga sëmundjet që po shfaq rritje të ndjeshme në mbarë botën, por që mund të parandalohet dhe trajtohet nëse diagnostikohet në kohë.

Aktiviteti u organizua nga Klubi i Zonjave të Ekselencës Shqiptare, në kuadër të platformës Albanian Excellence, në bashkëpunim me Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit e Bashkisë Tiranë, si dhe me organizatat mjekësore Albanian American Gastrointestinal Association, Albanian Medical Education Association dhe LS Humanity Shosha Medical Clinic.

Në qendër të këtij aktiviteti ishte mesazhi i dy mjekeve të cilat drejtuan edhe sesionin informues:  Dr Zana Nikolla,  mjeke gastroentereologe ne Nju Jork  SHBA.  presidente e Albanian American Gastrointestinal Association në SHBA, dhe  Dr . Sc. Lida Shosha, kirurge ,  presidente e LS Humanity Shosha Medical Clinic. Në workshop-in e tyre ato ndaluan te rëndësia e depistimit të hershëm, duke theksuar se shumë raste të kancerit kolorektal mund të parandalohen përmes kontrollit të rregullt dhe testimeve të thjeshta si FIT/FOBT apo kolonoskopisë.

Gjatë prezantimit, dy mjeket ndanë edhe informacione mbi faktorët e rrezikut, mënyrën e jetesës dhe rëndësinë e ndërgjegjësimit publik, ndërsa pjesëmarrësit patën mundësi të drejtonin pyetje dhe të merrnin këshilla profesionale.

Në kuadër të aktivitetit u organizua edhe “Stacioni i Shëndetit”, ku qytetarët kryen ekzaminime falas si matje të tensionit arterial dhe të nivelit të sheqerit në gjak, si dhe morën këshilla për ushqyerjen dhe stilin e shëndetshëm të jetesës. Në një tendë informuese me sloganin “Depistimi shpëton jetë”, u shpërndanë materiale sensibilizuese mbi parandalimin e kancerit kolorektal.

Aktiviteti u mbyll me një ceremoni simbolike: mbjelljen e një peme magnolie, e quajtur “Magnolia e Ekselencës Shqiptare”, një simbol i jetës, vazhdimësisë dhe kujdesit për brezat e ardhshëm. Në këtë moment, Flora Nikolla ndau idenë e krijimit të një “Kopshti të Ekselencës”, që do të pasurohet me pemë simbolike në aktivitete të ardhshme.

Magnolia u mboll nga fëmijët Emma, Darvin Gjoni , duke përcjellë mesazhin e vazhdimësisë së brezave.

Mesazhi i kësaj dite u përmblodh në një thirrje të thjeshtë, por të rëndësishme për publikun: depistimi i hershëm shpëton jetë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *