Puna, aseti më i madh i jetës së suksesit të Pranvera Kasami !!!

Nga Flora Nikolla

Tirane, 9 Prill/AE/.-Pranvera Kasami u rrit në Tetovë, një vend malor ne Maqedonine e Veriut , shumë të bukur, me njerëz shumë të mirë që ndoshta falë konflikteve ndëretnike, ruajnë ende disa vlera të mirëfillta, për të cilat ajo është krenare dhe dëshëron  t’i ruajnë sa më gjatë.

Pranvera Kasami u rrit në një familje me dy prindër intelektualë të përkushtuar ndaj arsimit. Të tre fëmijët, nën kujdesin e prindërve, ishin në ‘garë’ të heshtur me njëri tjetrin se cili do bëhej më i devotshëm, më i edukuar dhe më punëtor. U rrit dhe u edukua dhe nga gjyshërit (nga ana  anës e nënës), të cilët jo vetëm i plotësonin dëshirat fëmijërore, por i mësuan vlera te larta si respekti për tjetrin dhe të qënët mendje-hapur.

Sot, puna që bën Pranvera Kasami, çdo gjë që ajo realizon i jep kënaqësinë e përmbushjes së kohës dobishëm.

Sepse sikundër shprehet në këtë intervistë ekskluzive për Albanian Excellence, puna  të sjell status të mirë shoqëror, e më pas të siguron dhe një status financiar të qëndrueshëm. Ka një përvojë të larmishme në punët që ka bërë, pikërisht ajo e ka ndihmuar të piqet mëndërisht, të njohë më mirë veten, e ka ndihmuar të njohë limitet e saj, por dhe të tjerë dhe  qëllimet e tyre.  Puna e ka bërë të njohë njerëz, kultura e vende të shumta dhe të ndryshme.  E ka bërë të mësojë që “të jetosh”,  nuk është baraz me “të frymosh”, por përtej asaj duhet të jetosh me çdo sfide dhe ta përballosh çdo ditë dhe bile ta shtysh veten çdo herë një hap më larg se zona aktuale e komfortit.

Larmishmëria e punëve që ka ushtruar  Pranvera Kasami dhe që zbulohen, pyetje pas pyetje në këtë intervistë, janë një aset që ka arritur dhe që nuk beson se fitohet në ndonjë mënyrë tjetër alternative.

Kënaqësia më e madhe e gjithë kësaj përvoje, ka qënë  sfidimi i vetes  gjithmonë me gjëra të reja.  Pikërisht kjo nënvizon Pranvera , “të garanton shtrydhjen e kapaciteteve të tua dhe në fund ia ka vlejtur sepse të sjell sigurinë në vete dhe njohjen tënde se sa larg mund të shkosh”.

E njohur si aktiviste e sektorit civil në fushën e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e të rinjve, ky ka qënë dhe sektori i parë ku ka sfiduar veten në jetën reale profesionale. Krahas çdo pune tjetër që ka ushtruar më pas, ky ka qenë një pasion që e ka mbajtur gjallë me çdo kusht.

Ajo thotë se :” përveç që të jep ndjesinë e mirë për të qenë i dobishëm për të tjerët, në mënyrë të domosdoshme të mban mirë të lidhur dhe socializuar me shumë aktorë dhe faktorë përreth”.

Master në Shkenca politike ne Itali, Menaxhim ndërkombëtar projektesh në Maqedoni  dhe Marrëdhënie me Publikun dhe Menaxhim Reputacioni ne Londër, themelimi,  pas studimeve në Jurisprudencë, ndërtimi i Institutit  për Ldership dhe Politika Publike – ILPP,  të gjitha kanë bërë që  Pranvera punën praktike të suksesshme,  Pranvera, ta gërshetojë aq bukur me  mbështetjen akademike respektive.

Kështu një miks i të tre degëve të ndryshme të studimeve pas-universitare, sot në tërësi komplementojnë profilin e asaj që Pranvera është sot. Ajo punon fort në zhvillimin hap pas hapi të ILPP, një organizatë që ka synim studimet hulumtuese dhe trajnimet apo aktivitetet e tjera të projekteve për fushën e asaj çfarë janë trende zhvillimore në jetën ekonomike, politike dhe sociale në rajonin tonë.

Avancimi i ILPP në në stad tjetër padyshim, ngërthyer gjithmonë kontributin më gjërë në shoqëri, si edhe një studim të nivelit doktoratë, por ky jo me çdo kusht dhe jo i gjithçfarë kalibri (për momentgin jam në shqyrtim të disa programeve në SHBA). Po ashtu, edhe udhëzimi i drejtë  në vazdhimësi i vajzave të mia për tu bërë versioni më i mirë i vetes së tyre.

Me Lisën (8 vjeç) dhe Aurën (2 vjeç) ka raporte shumë të afërta. Ajo tregon në këtë intervistë se të dy vajzat e saj , shohin tek Pranvera, shoqen e tyre, por i qëndron pak më shumë besnike rolit si prind, si nënë, se sa si shoqe. Se Pranvera, vajzat e saj i sheh jo si dy princesha përrallash, por si dy vajza të zgjuara dhe me zemër të mirë. Do që mbi të gjitha tek dy qëniet e saj, të mbizotërojë arsyeja sesa ëndërrimet e falso.

 

Covid 19: “Të fokusohemi tek gjërat që ne kemi ndikim dhe mundemi t’i ndryshojmë”

Ditët e Covid 19 për Pranverën, janë sërish ditë pune, në kushte krejt të tjera, me shumë më pak kohë për veten :), por është bukur sepse po kompenson kohën e munguar për të qenë bashkë  me familjen , kohë me njëri-tjetrin, kohë eksperimentesh në kuzhinë dhe drejtim kah vetja dhe nga Krijuesi, më shumë se sa më parë.

Kjo kohë i ka shërbyer, për të kuptuar sa të vegjël jemi karshi një kaosi të këtillë, ka kuptuar që panevojshëm rrjetet sociale na  kishin ngrënë shumë kohë. Po punon për të rivendosur sistemin e saj për organizim efikas, dëgjon më shumë ato që vlejnë për t’u degjuar, dhe jo zhurmat shurdhuese nga çdo anë. Kënaqet me faktin që gjithkush domosdoshmërisht i kthehet asaj që vlen më shumë për ne si njerëz dhe po i pushojnë veshët, koka dhe sytë nga ekspozimet e panevojshme prej më pare . Kjo ka qenë një periudhë shumë e mirë seleksionimi, apo sistemimi të rafteve në kokën e saj :).

Covid19,  është një fatkeqësi që kësaj here e përjetojmë të gjithë-pa përjashtim kolektivisht dhe që po përmbys diçka që ka qenë deri tani, e po sjell diçka që nuk ka qenë. Një transformim që në rrethana të tjera kushedi sa do zgjaste që të ndodh, edhe Covid, kolektivisht dëshmon se nën presion kohor gjërat ndodhin aq shpejt dhe me dinamikë të jashtëzakonshme. Detyrimisht, ndër të tjera, të gjithëve na ka bërë  pak më filozofë se ç’ishim! :), shkruan Pranvera në këtë intervistë për situatën e krijuar nga Pandemia boterorë e KoronaVirus.

“Të kujdesemi më pak për gjërat që nuk kemi ndikim të ndryshojmë. Të fokusohemi tek gjërat që ne kemi ndikim dhe mundemi t’i ndryshojmë. Vetëm kur të fokusohemi, do e shikojmë sa e gjërë është kjo gamë gjërash dhe sa të mëdhenj jemi gjithsecili nga ne për ta bërë ndryshimin”, cilëson ajo.

 *    *    * 

F.N: Cila është historia e fëmijërisë tuaj ?

P.K:  Shumë e bukur! Me dy prindër intelektualë, përkushtuar arsimit. Familje me tre fëmijë, në garë të heshtur me njëri tjetrin se kush do bëhet më i devotshëm, edukuar, punëtor, duke qenë se këto veprime gjithmonë afirmoheshin nga prindërit dhe viheshin në pah, indirekt, pa krijuar zili mes nesh-përkundrazi, bile duke ndihmuar solidaritetin altruist. Jam rritur dhe edukuar pjesërisht edhe nga gjyshërit (prej anës së nënës), të cilët përveç që më përmbushnin të gjitha dëshirat fëmijërore, më mësuan dhe standarde të larta të vlerave, si: respekti për tjetrin dhe të jesh mendje-hapur, kjo e fundit në veçanti veti shumë e rrallë në ato kohë, aq më pak kur vinte nga gjyshërit.

F.N: Cilat nga ëndrrat e fëmijërisë tuaj janë bërë realitet ?

P.K: Arritja e një statusi të respektueshëm në shoqëri, padyshim është njëra nga ato. Jo se në atë moshë njeriu di të bëjë një formulim të saktë si ky, por padyshim ka qenë një gjë që kam dashur dhe e kam arritur gjithmonë, që me punë dhe përkushtim të dëshmoj për vlerat e mia. Sigurisht jo me shumë fjalë, sepse fjalët nuk janë ana ime e fortë kur është  për të arritur pozicionim të çfarëdoshëm. Në mungesë të fjalës, veprat janë aty padyshim! Në disa prej këtyre ëndrrave, po punoj ende pa ndalur. Shpesh rrugës drejt përmbushjes së ëndrrave i ndërhyjnë shumë gjëra të tjera, por me rëndësi është të ruash fokusin në afat të gjatë.

F.N: Si do të mund ta përkufizoni vendlindjen tuaj ?

P.K: Tetova, një vend kryesisht malor – shumë i bukur dhe me njerëz shumë të mirë. Hipokrizia dhe falsiteti ende janë shumë pak të shprehura dhe nuk e kanë arritur ekspozimin si në disa vende tjera. Kjo mbase falenderuar kërcënimeve të shpeshta nga jashtë, si p.sh. konfliktet e shumta ndëretnike, që na kanë bërë ti rezervojmë më mirë disa vlera të mirëfillta, për të cilat unë jam krenare që i kemi dhe shpresoj ti ruajmë sa më gjatë.

F.N: Ju  keni studiuar jurisprudencë, cilat ishin motivet që ju shtynë që të zgjidhnit këtë degë për të studiuar ?

P.K: Dega që fillimisht unë kisha pasion për ta studiuar, nuk ofrohej në Maqedoni në atë kohë. Prindërit kishin zgjedhur një universitet në Milano konform pasionit për dizajnin (të modës, jo atë grafik), ashtu siç zgjodhën universitetet më të mirë për mjekësi në Gjermani, për pasionin vëllait dhe motrës time. Sadoqë me kushte jo-ideale financiare, prindërit e mi bënin të pamundurën që investimi në shkollim të ishte i nivelit më të lartë, që do krahasohej edhe me familjet më të kamura të kohës. E dinin që kjo është e vetmja mënyrë për të flakur inferioritetin kolektiv ndaj atyre që iu ofroheshin të gjitha mundësitë në shtetin tonë, që për njërin ishte nënë e për tjetrin njerkë.

Meqë unë vendosa të mos largohem të paktën për atë fazë studimesh deri-diplomike, sepse më pas në studimet pas-universitare kam ndjekur programe studimesh jashtë Maqedonie, atëherë unë zgjodha jurisprudencën. E bëra këtë zgjedhje sepse ishte konform natyrës time, si e para – dëshira për drejtësi në kuptimin thelbësor të fjalës, trajtim të barabartë, vlerësim të qenies “njeri” me çdo të drejtë që mbi të gjitha ia ka garantuar Krijuesi, tiparit të këmbëngulësisë t’i çoj gjërat deri në fund dhe po ashtu edhe sepse duhej të jetë një drejtim, i denjë për t’u krahasuar me profesionet fisnike në arsim – për prindërit dhe në mjekësi- për vëllain dhe  motrën.

Ashtu si shumë prej nesh na ndodh në jetë, zgjedhjeve tona i ndikojnë shumë elementë anësorë, është shumë esenciale që çdo zgjedhje të bërë ti pështatet natyralitetit tonë dhe vlerave në të cilat besojmë. Në atë rast, gjithmonë do të kemi sukses të lartë.

F.N: Keni një post graduim për t’u vlerësuar, Master për Shkenca politike, Itali, Menaxhim ndërkombëtar projektesh, Maqedoni si dhe Marrëdhënie me Publikun dhe Menaxhim Reputacioni, Londër.  Çfarë mund të tregoni nga kjo përvojë profesionale shumë e rëndësishme e karrierës tuaj …?

P.K: – Faleminderit ! Si përmenda më lartë, në jetë zgjedhim rrugë dhe  mundësi që na ofrohen dhe të cilave nuk do iu rezistojmë dot, aq më shumë kur janë punë mjaft të denja dhe na jepet shansi për to sepse na kanë vlerësuar mbi baza të meritave që kemi.

Konform profesioneve të ndryshme që kam ushtruar në kohët përkatëse, unë i kompletoja ato me studimet përkatëse që zgjodha si tema masteri, sepse doja që puna praktike e suksesshme, të ketë nga mbrapa dhe mbështetjen akademike respektive. Shtuar kësaj dëshirën që nganjëherë përkthehet në ankth, për të qenë gjitmonë në rrjedhë me atë çfarë sjell koha dhe tek të parët. Edhe faktin se sa më shumë që bën dhe lexon, e kupton edhe sa më shumë akoma ke për të lexuar e mësuar. Dhe ja kështu me një miks të tre degëve të ndryshme të studimeve pas-universitare, por që në tërësi të gjitha komplementojnë profilin e asaj që jam sot.

Përvojat akademike dhe ato të punës, në nivel ndërkombëtar, kanë qenë ato që më kanë bërë gjithmonë për vete, ndërkohë që unë s’kam qëndruar indiferente kurdo që janë shfaqur në rrugën time.

F.N: Ju keni themeluar dhe jeni drejtuese e Institutit për Lidership dhe Politika Publike.Si dhe pse lindi ideja e krijimit të këtij instituti, që u parapri nga Shkolla për Lidership, të Folurit Publik dhe Debat ?

P:K: Instituti  për Lidership dhe Politika Publike – ILPP, është një organizatë që ka synim studimet hulumtuese dhe trajnimet apo aktivitetet e tjera të projekteve për fushën e asaj çfarë janë trende zhvillimore në jetën ekonomike, politike dhe sociale në rajonin tonë. ILPP erdhi si nevojë e zgjerimit të konceptit nismëtar të Shkollës për Lidership, te Folurit Publik dhe Debat, një nismë e suksesshme prej katët vitesh radhazi.

Ideja e Shkollës për Lidership lindi në një kohë, kur ajo çfarë ndodhte me kapitalin rinor ishte si një sinonim i krahasueshëm me një fatkeqësi natyrore – një tërmet, apo një Covid, për të rinjtë e paperspektivë, dhe të pashpresë, në një atmosferë ngulfatëse dhe pa rrugëzgjidhje. Në fakt unë mendoj se të bashkëndjejmë/solidarizohemi me njëri tjetrin nuk mjafton vetëm në kohë kur gjendja eksplodon dhe ti vret sytë, por duhet gjithmonë të jemi krah njëri tjetrit. Sepse realisht, çdo një nga ne, në çdo kohë, ka aq shumë shqetësime brenda vetes së tij, sadoqë ato shpesh nuk duken.

Një shqetësimi të këtillë kolektiv, në mënyrë proaktive unë iu përgjigja ndaj të rinjve shqiptarë nga Maqedonia, por edhe nga Kosova dhe Presheva, me vënien në shërbim të çdo potenciali që posedoj.

Ky trajnim, që për shkak të vlerave më shumë se sa një trajnim i zakonshëm, i quajtur “shkollë” doli një mrekulli, sepse dashamirësisë time solidare, iu bashkuan dhe shpirtëra-solidarë të tjerë, ekspertë të fushave, më të mirët, duke na u bashkuar në tentativën tonë për të çuar përpara moralin e rinisë shqiptare nga të gjitha anët, Shqipëria, Kosova, e disa të tjerë dhe nga SHBA-të. Jo më kot thuhet që kur e nis një punë me qëllim të mirë, edhe Zoti është në anën tënde – gjërat edhe për ne funksionuan më mirë sa ç’e kishim pritur.

Në fazën që po flasim, nevoja e orientoi organizimin e kësaj iniciative në një Institut të formatit siç është ai i ILPP dhe tani jemi krah-për-krah shumë organizatave me kapacitet të lartë që veprojnë në Maqedoni dhe në rajon.

F.N: Po opinioni juaj për marrëdhëniet publike dhe marketingun në Maqedoni ?

P.K: Kjo fushë praktikimi funksionon në formën e vet më të mirë ne vendet e pasura dhe ato me zhvillim të hovshëm. Si që Maqedonia fatkeqësisht nuk shquhet as për njërën e as për tjetrën, them që niveli i praktikës së marrëdhënieve me publikun dhe marketing është shumë i ulët, madje nga të shumtët as që njihet apo konsiderohet fare.

Sidoqoftë, për të gjithë ata që janë praktikues të shkolluar të këtyre fushave, sensi për to është shumë i avancuar dhe nuhatja rreth tyre shumë e hollë. Shpesh gjërat që nuk janë në rregull për kuptimin e PR-it apo marketingut, një praktikues i shikon dhe atij i pengojnë, edhe kur të tjerët janë shumë OK me to. Mendoj që këto për kushtet tona, për sektorin e biznesit-të cilit kryesisht do i gjindeshte ky lloj suporti, janë vetëm një “luks i panevojshëm”, deri në përmirësim të klimës ekonomike dhe të biznesit.

Unë në këtë drejtim kam fat të ushtroj praktikimin e këtyre fushave, duke qenë se jam e angazhuar në një kompani e cila për nga suksesi i arritjeve të veta e ka mundësinë që vetes t’i lejojë një “luks” të këtillë si PR-i, Marketingu, Protokolli i  biznesit, Menaxhim reputacioni.

F.N: Ju njiheni si aktiviste e sektorit civil në fushën e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e të rinjve. Çfarë mund të tregoni në këtë intervistë për punën tuaj në këtë sektor?

F.N: Ky është sektori i parë ku kam sfiduar veten në jetën reale profesionale dhe krahas çdo pune tjetër që kam ushtruar më pas, ky ka qenë një pasion që e kam mbajtur gjallë me çdo kusht, përmes aktivizimit tim në sektorin civil, qoftë edhe sikur vetëm gjatë fundjavave.

Përveç që të jep ndjesinë e mirë për të qenë i dobishëm për të tjerët, në mënyrë të domosdoshme të mba mirë të lidhur dhe socializuar me shumë aktorë dhe faktorë përreth.

Unë për disa tema të veçanta jam trajnuar vet shumë herët, ndaj edhe që nga mosha tetëmbëdhjetë vjeç kam realizuar trajnime për moshatarë të mi.  Fuqizimi i të rinjve është një temë gjithmonë, dhe edhe sot, shumë aktuale, sadoqë forma e saj ka ndryshuar ashtu si ndryshojnë trendet globale. Puna për të tjerët qoftë direkt, apo indirekt si p.sh.kur sjell një ligjerues (lektor) tjetër përpara audiencës rinore, apo sjell projekte të ndryshme atraktive, më bën të mbahem e motivuar gjithmonë, sepse gjithmonë kuptoj se nga çdonjë aktivitet ka me dhjetëra të rinj që përfitojnë dhe që ju ndihmon të ndriçohet rruga e tyre drejt përmbushjes së potencialit.

F.N: Po puna juaj në ndërtimin e urave të komunikimit dhe bashkëpunimit midis etniteteve në Maqedoni.

P.K: Pikërisht në aktivitete të këtilla e kam sfiduar veten në fillim. Që nga 2001-shi, kur sapo kishte mbaruar konflikti i armatosur midis shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni, kur akoma dhe vet- vija me aq ngarkesa emocionale,  një mal mendimesh dhe paragjykimesh. Sa punë për t’u shkarkuar vetë njëherë nga këto, e më pas të ndihmoja dhe të rinjtë e tjerë që të lidhin ura komunikimi dhe bashkëpunimi.

Në këtë drejtim, kam udhëhequr përfaqësinë e një organizate botërore me qendër në SHBA, ku kemi implementuar dhjetëra projekte në këtë drejtim. Padyshim, kjo punë më ka bërë shumë mirë, për të kuptuar “palën tjetër” dhe kur e arrin përgaditjen që të kuptosh dhe atë palë tjetër që e ke konsideruar armik deri në atë kohë dhe ta falësh atë, atëher kjo të jep konfidencë që ti të jesh shumë i mirë në bashkëpunim me çdo kënd tjetër që fati mund të të sjell përballë.

F.N: Nga buron, pasioni juaj për kurim të marrëdhënieve diplomatike me diplomatë të vendit dhe të huaj ?

P.K:  Ky një “art” i zbuluar rastësishëm. Unë mendoj se në çdo gjë që bën dhe je vetja, do të arrish të pranohesh tejet mirë nga çdokush. Dhe unë gjithmonë vetëm vetja di të jem. Një afinitet ky që shumë lehtas të afron me kulturën perëndimore, sepse pjesa më e madhe e tyre janë besnik ndaj vërtetësisë. Kurse tek elitat diplomatike perëndimore, më fascinon gjithmonë thjeshtësia dhe natyraliteti i tyre dhe zaten nga ata shumë herët mësova se ai që i ka vlerat të ingtegruara në vete, nuk i duhet shtirja dhe falsiteti, apo kamuflazhi, pasi ai e di se kush është dhe pak vonë i bëhet nëse të tjerët e dijnë apo e shohin këtë. Ja kështu, me shumë pasion vazhdoj të kuroj marrëdhëniet me persona shumë të arrirë. Por po ashtu mendoj se, për askënd nuk duhet të krijosh barriera komunikimi, duke e kategorizuar atë shumë më lartë, apo shumë më poshtë nga vetja jote, duke dhuruar gjithmonë shumë respekt për çdokend, kështu do i lejosh vetes të krijosh relacione të mira me gjithkënd rreth teje.

F.N: Çfarë kënaqësish ju ka dhënë përvoja juaj në punë deri më tani ?

P.K: Unë një gjë nga e cila tmerrohem është të më kalojë koha dhe ta kuptoj se më ka shkuar dëm. Kjo më shëndrrohet shpesh në frikë dhe ankth dhe në kërkim gjithmonë të diçkaje përtej, përmbush një qëllim dhe duhet të vijë tjetri, e kështu në cikël. Puna në radhë të parë më jep kënaqësinë e përmbushjes së kohës dobishëm. Më pas, pa hetuar, ajo të sjell status të mirë shoqëror, e krejt në fund të siguron edhe status financiar stabil. Përvojat e larmishme më kanë bërë të piqem mentalisht në kohë dhe shumë më herët se mesatarja mbase.

Më kanë bërë të njoh më mirë veten, limitet e mia, por dhe të tjerët- qëllimet e tyre. Të njoh njerëz, kultura e vende të shumta dhe të ndryshme. Më ka bërë të mësoj që “të jetosh” nuk është baraz me “të frymosh”, por përtej asaj duhet të jetosh me çdo sfide dhe ta përballosh çdo ditë dhe bile ta shtysh veten çdo herë një hap më larg se zona aktuale e komforit.

Larmishmëria e punëve që kam ushtruar është një aset që kam arritur dhe nuk besoj se fitohet në ndonjë mënyrë tjetër alternative.

Kënaqësia më e madhe e gjith kësaj përvoje në punë është sfidimi i vetes gjithmonë me gjëra të reja, që është diçka që të garanton shtrydhjen e kapaciteteve të tua dhe në fund ia ka vlejtur sepse të sjell sigurinë në vete dhe njohjen tënde se sa larg mund të shkosh.

F.N:  Cilat janë marrëdhëniet tuaja më Lisën dhe Aurën  ?

P.K: Si për çdo prind, fëmijët janë bota vet. Çuditërisht pas ardhjes së fëmijëve, ti fillon dhe veten ta duash dhe ta ruash më shumë, sepse e do në gjendje për të qenë i gatshëm ti shërbejë fëmijëve të tu. Sa shpirtgjerë jemi në fakt e sa pak e dimë, deri sa vjen ajo krijesa që plotësisht varet nga ti. Dhe them sikur me 1% nga kjo dashuri dhe dhembshuri ta shikojmë dhe duam botën përreth, sa më të mirë do të ishim.

Me Lisën (8 vjeç) dhe Aurën (2 vjeç) kemi një raport shumë të lidhur me njëra-tjetrën, në pritje të kohës kur të gjitha do të jemi bashkë të rritura, tani jemi të gjitha fëmijë-më vjen mirë ta praktikoj shpirtin tim prej fëmije bashjë me to :). Kalojmë kohë sa mundemi bashkë, por sigurisht jo aq sa duam, sepse unë mundohem të ruaj një balanc midis angazhimeve të mia jashtë shtëpisë dhe atyre brenda shtëpisë. Jam shumë e lumtur që jam e bekuar pikërisht me dy vajza, është kombinimi i fëmijëve që gjithmonë kisha ëndërruar.

Unë dua të kemi raporte shumë të afërta dhe ato të shikojnë tek unë edhe shoqen e tyre, por i qëndroj pak më shumë besnike rolit si prind/nënë, se sa atij si shoqe. Mendoj se prindit i bie bara që të vlerësojë atë çfarë është e mirë për fëmijën e tij, deri sa ky i fundit të jetë në gjendje ta bëjë këtë për veten e vet.

Edhe sikur të më duhet të jem më rigoroze dhe ajo “shoqja e keqe”, do e bëj me shumë dëshirë këtë, sepse e di që në një moshë pjekurie, fëmija e kupton dhe vlerëson dashamirësinë e prindit dhe e falenderon për atë.

Unë,  vajzat e mia i shikoj, dhe ua bëj me dije këtë, jo si dy princeza përrallash, por si dy vajza të zgjuara dhe me zemër të mirë. Dua që mbi të gjitha tek ato të mbizotërojë arsyeja sesa ëndërrimet e falso për të qenë më e bukura, më dominantja, më e përkryera-siç ndodh kur krahasojmë vajzat me princeshat, sigurisht pa prishur botën e tyre të ëmbël fëmijërore, të cilën mundohem ta kuroj me shumë kujdes bashkë me ato.

F.N: Cilat janë sfidat tuaja në të adhmen ?

P.K: Avancimi i ILPP në në stad tjetër padyshim, ngërthyer gjithmonë kontributin më gjërë në shoqëri, si edhe një studim të nivelit doktoratë, por ky jo me çdo kusht dhe jo i gjithçfarë kalibri (për momentgin jam në shqyrtim të disa programeve në SHBA). Poashtu, edhe udhëzimi i drejtë  në vazdhimësi i vajzave të mia për tu bërë versioni më i mirë i vetes së tyre.

F.N: Prej disa javësh, ka ndëruar organizimi i ditës së punës, si është tani një ditë pune për ju ?

P.K: Është sërish një ditë pune, në kushte krejt të tjera, me shumë më pak kohë për veten – ironikisht :). Por është bukur sepse po kompensojmë kohën e munguar për të qenë bashkë me njëri-tjetrin, në intervale shumë të gjata. Kohë eksperimentesh në kuzhinë dhe drejtim kah vetja dhe nga Krijuesi, më shumë se sa më parë.

F.N: Po përjetimet tuaja njerëzore cilat kanë qënë në këto ditë ?

P.K: Të them që më ka shërbyer për të kuptuar sa të vegjël jemi karshi një kaosi të këtillë, mendoj që unë e kam pasur gjithmonë të qartë pafuqinë tonë ndaj gjërave të mëdha, ndërkohë fuqinë e jashtëzakonshme ndaj atyre që ne vet mundemi ti ndryshojme.

Por unë kam kuptuar që panevojshëm rrjetet sociale na kishin ngrënë shumë kohë. Sa e vështirë është të qëndrosh i fokusuar në kohë kur ka aq shumë pengesa dhe ndërhyrje që pahetueshëm ta marrin energjinë dhe ndryshojnë fokusin. Po bëj më shumë për të ri-vendosur sistemin tim për organizim efikas. Dëgjoj më shumë ato që vlejnë dëgjuar, në mënyrë figurative, dhe jo zhurmat shurdhuese nga çdo anë. Kënaqem me faktin që gjithkush domosdoshmërisht i kthehet asaj që vlen më shumë për ne si njerëz dhe po më pushojnë veshët, koka dhe sytë nga ekspozimet e panevojshme prej më parë. Mendoj që nëse nuk do na obligohej, nuk do e merrnim kurrë këtë “pushim” në mënyrë vullnetare, të shtyrë nga gara e përditshme dhe dinamika e imponuar  nga vet ne, në ankth për të mos humbur diçka të nevojshme, kështu duke gëlltitur edhe çdo gjë të panevojshme nga çdo anë. Kjo ka qenë një periudhë shumë e mirë seleksionimi, apo sistemimi të rafteve në kokën time :).

F.N: Si do ta konsideronit  situatë pandemike të krijuar nga Covid 19 në të gjithë botën ?

P.K: Ashtu si nganjëherë ndodh me fatkqësi të caktuara në jetën e çdonjërit prej nesh individualisht, ku për një sekond të vetëm të ndryshon çdo gjë dhe të përmbyset, njëlloj edhe Covid19 është një fatkqësi që kësaj here e përjetojmë të gjithë-pa përjashtim kolektivisht dhe që po përmbys diçka që ka qenë deri tani, e po sjell diçka që nuk ka qenë. Një transformim që në rrethana të tjera kushedi sa do zgjaste që të ndodh, edhe Covid, kolektivisht dëshmon se nën presion kohor gjërat ndodhin aq shpejt dhe me dinamikë të jashtëzakonshme. Detyrimisht, ndër të tjera, të gjithëve na ka bërë  pak më filozofë se ç’ishim! 🙂

F.N:Cili është një mesazh njerëzor që doni të jepni në këtë situatë ?

P.K :Të kujdesemi më pak për gjërat që nuk kemi ndikim të ndryshojmë. Të fokusohemi tek gjërat që ne kemi ndikim dhe mundemi t’i ndryshojmë. Vetëm kur të fokusohemi, do e shikojmë sa e gjërë është kjo gamë gjërash dhe sa të mëdhenj jemi gjithsecili nga ne për ta bërë ndryshimin!

F.N: Ju falenderoj  per kete interviste shume interesante ku gjithkush ka se çte mesoj !  Ju uroj vetem sukses !!!

P.K : Faleminderit !!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *