Trofeu i suksesit të Migena Arllatit është puna e saj …!!!

Nga Flora Nikolla

“Mendjen e rigjeneroj në librat, vetveten e rigjeneroj te fëmijët !”

Tirane, 6 Prill/AE/.-Për Migena Arllati, qyteti i saj i lindjes, Elbasani gjithmonë ‘të ngop’ me lashtësinë dhe larminë që ofron. Kalaja, parku plot me njerëz, qendra gjithmonë e lulëzuar, rrapet dhe blirët, kinemaja dhe teatri i fëmijëve po ashtu…!!!

Sa shumë dashuri ka  Migen, në fjalët me të cilat përshkruan Elbasanin dhe  fëmijërinë. E  quan një përralle, ku ajo ishte princesha për gjyshërit e saj të shtrenjtë, tezet dhe dajën, që me kujdes dhe dashuri të pakufishme, bënë që fëmijëria e saj të mos kishte asnjë lëndim. Kur nisi studimet në Universitetin e Elbasanit, ndihej me fat, kishte gëzim të pafund për të vazhduar rrugën e saj por dhe për të plotësuar ëndrrën e gjyshit i cili i kishte lënë amanet të kryente studimet e larta. I dukej sikur, mundësia e studimeve i vinte si shpërblim i sakrificës së të gjithë  të afërmëve të saj, që nuk kishin mundur të studionin dot gjatë regjimit të diktaturës.

Ishte muaji janar ’96 kur u martua dhe shkoi për të jetuar në Gjakovë. Ndryshimi i jetës  e detyroi  pa kushte, Migenën të ndërpresë studimet, gjë që i kushtoi  moralisht dhe emocionalisht. Ndihej keq që kishte marrë këtë vendim. Nganjëherë thotë se një Elbasan la dhe një Elbasan tjetër gjeti, sepse këto dy qytete kanë pika të shumta takimi në disa tradita.

Kur erdhi në Kosovë, zjarri i luftës  po ndizej gjithnjë e më fort. Për tre vjet e tre muaj do të jetonte e izoluar brenda në shtëpi, pa pasur mundësinë  të dale dhe as të kthehej në atdhe. Në prill ’99 kur nisën bombardimet e Nato-s, bashkë me dy vajzat e saj, 1 dhe 3 vjeçare, hynë në kolonën e njerëzve në rrugën drejt kufirit me Shqipërinë. Kthimi në Elbasan, takimi me lot malli me familjarët, regjistrimi nga e para e vitit të fundit të studimeve… për Migenën të gjitha këto ishin më shumë se një çlirim.

Por kur  lufta mbaroi në Kosovë në vitin 1999,  vazhdimi i studimeve ku i kishte lënë, ishte gjëja e parë që bëri. Dhe nga ai moment Migena Arllati nuk ka rreshtur së punuari dhe së kontribuari në shumë fusha, si arsim, letërsi , gazetari, shoqëri civile, studime…

Ka 12 vjet që kontribuon në arsimin e mesëm dhe disa vite më pak në arsimin e lartë. E do shumë punën që bën. Nxënësit dhe studentët janë të rëndësishëm për Migena Arllatin, ndaj  është e gatshme gjithnjë  të japë më të mirën e saj.

Kur e pyet për gazetarinë të tregon se ishte , “poltroni”  saj i parë, që i dha mundësinë të ndërtojë diçka të bukur , kur Kosova sapo ishte çliruar dhe  kur u kthye  në Gjakovë së bashku  me fëmijët. Nisi në gazetarinë radiofonike, njerëzit i pëlqenin zërin e butë, të folurën e rrjedhshme, sinqeritetin në të shprehur dhe diapazonin e njohurive. Radio “Amadeus”, do të bëhej bota e Migenës, më pas do të punonte në agjencinë e lajmeve “KosovaLive”, në gazetën “Lajm”, në Televizionin  “Syri Vision”.

Sot  çdo ditë është sfidë  për Migena Arllatin. Në mënyrë të natyrshme, çdo ditë mësimi është mes nxënësve, jep kontributin vullnetar si drejtoreshë e Kosovës në Akademinë “Universum” me seli në Itali, mandej në bordin drejtues të Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, në kryesinë vendimmarrëse të Klubit letrar “Gjon Nikollë  Kazazi”, në kryesinë e Shoqatës humanitare të Kryqit të Kuq, zvkryeredaktore e Gazetës së Alpeve.

Cdo mbrëmje punon deri vonë në krijimet dhe studimet e saj. Aktivitetet brenda dhe jashtë Kosovës janë të përmuajshme; botimet, recensat dhe redakturat që më kërkohen…

Bashkë me të gjitha këto, është e përkushtuar maksimalisht ndaj fëmijëve, bashkëshortit, dy prindërve të mi të dashur dhe gjithçkaje që dua.

Të gjithë kësaj jete shumë energjike, Migena i ka shtuar së fundi një supersfidë që janë  studimet e doktoraturës. Familja është pasuria e Migënës, parajsa ku ajo  vendos kokën pa frikë, për të vazhduar e qetë në planifikimin e angazhimeve të punës dhe karrierës. Pas Borës (sot 24 vjeç), Rinës (22) dhe Triumfit (15), Argeni ishte një bekim në familjen e saj .Ajo punon, studion, hulumton pa pushim se të merresh me art dhe letërsi, shkencën  e gjuhësisë është një mision i vështirë por i përballueshëm vetëm në rast se njeriut këtë kërkon brendia e tij, vetvetja.

Si nënë e katër fëmijëve dhe autore e 11 botimeve studimore dhe letrare, redaktore dhe recensente e mbi 90 vëllimeve me poezi e prozë të autorëve shqiptarë e tre të huaj,  Migena  pohon në këtë intervistë: “Mendjen e rigjeneroj në librat, vetveten e rigjeneroj te fëmijët!”

Koronavirus : “Ta duam njëri-tjetrin për atë që jemi dhe jo për atë që kemi “! 

Mendon se të gjithë në jetë kemi mësuar të numërojmë orët, ditët, vitet por asnjëherë s’kemi ditur të vlerësojmë vlerën e një çasti. Njerëzimi, në mënyrë të beftë po përballet me një mënyrë aspak të zakonshme të të jetuarit duke këkuar që sot të hiqet dorë përkohësisht nga gjithçka që është  bërë deri dje, në emër të sigurisë dhe jetës së të gjithëve. Për herë të parë në histori jemi të gjithë të barabartë, pa u ndjerë askush i influencuar nga ngjyra e lëkurës, e pasaportës apo e partisë që përkrahim.

S’’mund ta kishte marrë kurrë me mend se do të detyrohej të qëndronte mbyllur për ditë të tëra (tani java e katërt). Por njeriu duhet të bëjë atë që i takon të bëjë. Sot, të gjithëve, na takon, na duhet të qëndrojmë në vetizolim për hir të ruajtjes së shëndetit dhe jetës. Pavarësisht se ditëve të para e lodhte pasiviteti, shumë shpejt bënë organizimin e ditës dhe tashmë kane një ritëm të caktuar, shprehet Migena ne kete interviste.

Relaksohet shpesh kur Triumfi, djali im i madh që është maturant i shkollës së muzikës, interpreton në piano dhe nga dhoma e tij kumbojnë tingujt nga Chopin “Polonaise”, Rachmaninoff “Prelude”, Liszt “Consolation” etj. Por dhe prania e djalit të vogël, Argenit, e bën ta kaloj më lehtë gjithë këtë katrahurë që po sundon gjithkund. Po ashtu, këtyre ditëve sapo kane nisur të bëjne mësimin online me gjimnazistët dhe kjo është mënyra e vetme për të mos humbur kot kohën që është tepër e vlefshme.

Është stimulus fakti se karantina po sjell efekte pozitive në shfaqjen e talenteve tek fëmijët, po sjell rezultate në krijimin e mënyrave të reflektimit të pasionit dhe imagjinatës tek shumë persona. E rëndësishme është jeta dhe në emër të jetës, gjithçka tjetër bëhet e tejkalueshme.

Lutet shpesh që Zoti t’i ruajë njerëzit, krijesat e tij. Në asnjë rrethanë nuk mund te imagjinoj botën në kushte normale pa përqafime, pa shtrëngime duarsh, pa puthje. Njerëzimi varfërohet ekstremisht pa to.

Megjithatë, edhe “ky mort që na ra” ka pasur efektin e vet pozitiv në krijimin e një klime solidare mes njerëzve, shprehjes së dashurisë dhe humanizmit, si të vetmet vlera prej të cilave njeriu nuk duhet të heqë dorë asnjëherë. Mesazhi që  jep  Migena :”është se duhet ta duam dhe ta vlerësojmë më shumë njëri-tjetrin, të gjykojmë mbi gjërat që na bashkojnë dhe jo mbi ato që na ndajnë. Edhe nëse para vetes kemi një gotë gjysmë të mbushur, të mos vlerësojmë vetëm mbi gjysmën e saj të zbrazur. Ta duam njëri-tjetrin për atë që jemi dhe jo për atë që kemi!  Kur gjithçka të mbarojë, thotë të ndalet pak, të frenoje më shumë në gjithë punët e mia, të jetoj më qetë, të shijoj më shumë, të ketë kohë që të dua veten dhe gjithçka rreth meje. Jo thjesht ta jetoj jetën, por edhe ta përjetoj atë” !

Për herë të parë në këtë intervistë po botojmë  foton e Migenës  ku ajo shfaqet e veshur me kostum popullor, për Ekspozitën “Fuqi, traditë sukses“ , e cila sipas kalendarit zyrtar të Albanian Excellence do të organizohej në Zagreb (Kroaci) dhe në qytetet e Librazhdit dhe të Lezhës në Shqipëri por që nuk u hap për shkak të Pandemisë botërore.

Por realizimi i një serie me intervista më zonja të suksesit, krijon mundësinë jo vetëm për t’i njohur zonjat  suksesit shqiptar në një dimension tjetër njerezor,  por krijon dhe hapësirën  nevojshme për botimin  librit, “Suksesi i zonjave shqiptare në kohën e koranavirusit”, që do të promovohet në dhjetor 2020,  në organizimin “Zonjat shqiptare që bëjnë botën”.

 

***

F.N:Si ka qenë fëmijëria juaj në një qytet me aq tradita qytetare siç është Elbasani?

M.A: Elbasani ka qenë gjithmonënjë qytet i madh dhe i bukur. Që nga koha kur unë e mbaj mend, Elbasani të ngopte me lashtësinë dhe larminë që ofronte. Kalaja, parku plot me njerëz, qendra gjithmonë e lulëzuar, rrapet dhe bliret në mes qytetit, kinemaja dhe teatri i fëmijëve po ashtu… më kujtohen të gjitha sepse i kam shkelur këmbë – këmbë.

Fëmijëria ime i ngjan një përralle, ku unë isha princesha dhe të tjerët përreth në shtëpi që të gjithë në shërbimin tim. Sa herë e kujtoj më vjen të qesh sepse vërtetë kështu shprehesha unë Migena fëmijë para gjyshërve të mi të shtrenjtë, tezeve dhe dajës, të cilët me një kujdes dhe dashuri të pakufishme bënë që fëmijëria ime të mos kishte asnjë lëndim. Siç duket, kjo ishte pasojë e faktit se isha mbesa e parë në familjet e të dy prindërve të mi, ndaj ata më donin aq shumë sepse ende s’kishte ardhur asnjë nip apo mbesë tjetër.

Dhe megjithatë, edhe pas disa vitesh kur familja u mbush me nipa e mbesa, kujdesi ndaj meje mbeti sërish i njëjti. Familja e nënës sime ishin të civilizuar e arsimuar ndaj gjyshitt im, Qemal Bishqemi, nuk i vinte aspak zor të dilte në rrugë me mua mbesën në krahë, ose daja im Romeo të më mbante në qafë dhe t’ju tregonte të gjithëve përkushtimin ndaj meje. Kanë kaluar kaq shumë kohë por unë i kam të afërta në mendje shëtitjet e çdoditshme rreth murit të Kalasë “Scampini”, xhirot te parku “Rinia”, larjet në lumin Shkumbin gjatë të dielave, bile një herë më kanë marrë me vete edhe në stadium për të parë një ndeshje futbolli dhe sa herë bëhej gol,nga gëzimi më hidhnin në ajër me krahët e tyre të fuqishëm. Kam me dhjetëra e dhjetëra foto nga fëmijëria ime, të bëra në vende të ndryshme të qytetit, por ndër më të dashurat janë fotografia në këmbët e bustit të Konstandin Kristoforidhit, bust i madh i ngritur mbi dy metra lart nga toka, dhe fotografia me gjyshin tim të dashur në ditën e parë të shkollës. Kam aq nostalgji për njerëzit dhe kujtimet e asaj kohe. Edhe pse ishin njerëz me vuajtje dhe halle, ata më “skalitën” me dashuri dhe edukatë ndaj i jam borxhlije gjithë jetën.

F.N:Çfarë provokon te ju dënimi i padrejtë që u kanë bërë të parëve tuaj… vetëm se ata ishin fisnikë e pronarë tokash?

Vlerën e njeriut mund ta dallosh në ditë të këqija. Filozofi Seneka thoshte: “Mjerimi e rrëzon njeriun nga majat e përsosmërisë”. Por, pavarësisht vuajtjeve dhe padrejtësive të vazhdueshme në kohën e regjimit monist, prindërit, gjyshërit, familjarët e mi qëndruan të përsosur dhe asnjëherë nuk ranë nga niveli i lartë emancipues të cilin e kishin në gjak. Familja Sina dhe Bishqemi,  mbetën njerëz të urtë, punëtorë të skajshëm, të qetë dhe të respektuar nga njerëzit, ruajtën traditën dhe mundin e paraardhësve për të cilën në ato kohë po sakrifikoheshin.

Në fakt, ne shqiptarët fajësojmë gjithmonë vendimet e padrejta të ardhura në kohëra nga Evropandaj territorit shqiptar dhe copëzimit të tij. Sigurisht që kjo ishte një e keqe e përsëritur në shekuj ndaj trojeve arbërore – shqiptare, një e keqe që populli ynë i vogël detyrohej ta përballonte, jo ta pranonte. Por, ne po ashtu, duhet të dimë se një faj tepër të madh për gjendjen aspak të mirë në tëcilën është gjendur populli ynë, për shumë e shumë kohë e kemi pasur vetë ne shqiptarët, që me anë të politikave të brendshme kemi rënduar mbi atë shoqëri e cila meritonte shumë më shumë se sa ç’i dha regjimi komunist e më pas ai socialist.

Familjet e prindërve të mi, sikurse mijëra familje të tjera, bëheshin fajtorë për arsye që sot tingëllojnë banale, si psh.pse dikush prej tyre kish qenë nxënës i shkollës së Harri Fullc, ose pse dikush në kohën zogiste ish dërguar në Itali në kuadër të shkëmbimeve kulturore mes dy popujve, ose pse kishin trashëguar toka e prona prej gjyshërve e stërgjyshërve të tyre.

Ata nuk i ndihmoi aspak fakti që përveç këtyre që përmenda, po ashtu kishin marrë pjesë aktive si partizanë në luftën çlirimtare.Të gjitha këto do t’i kuptoja kur erdhi shembja e totalitarizmit, kohë kur unë isha gjimnaziste. Pikërisht atëhere brenda meje do të qartësohej sepse stërgjyshi im i graduar oficer do të punonte vetëm tokën, arën e tij, ose pse gjyshi im pas vuajtjes së dënimit në burg politik do të punonte si këpucar, pikërisht atëhere do të kuptoja se pse mamaja ime, shumë e sëmurë për vite të tëra, detyrohej të punonte mësuese nëpër fshatra të ndryshëm, atëhere do të kuptoja se pse tezes së saj nuk ia njihja bashkëshortin të cilin ia kishin pushkatuar duke e lënë të vetme me dy fëmijët 1 dhe 3 vjeçar, atëhere do ta kuptoja se pse daja im Romeo nuk kishte mundur të studionte artin edhe pse ishte plot talent në aktrim dhe pikturë, atëhere do të kuptoja se pse librat e mbyllur në një valixhe të fshehur në një kënd të shtëpisë nuk mund t’i shfletoja dot kurrë sepse ata kishin qenë libra “të ndaluar”…

E plot e plot të tjera pyetje që për shumë kohë tek unë kishin mbetur pa përgjigje. Faji i tyre i vetëm ishte se kishin qenë intelektualë dhe të fisëm.

F.N: Studimet e larta i keni kyer në Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë-Letërsi në Universitetin Public “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Si e kujtoni ju atë kohë, çfarë rëndësie kanë patur këto studime në jetën tuaj profesionale?

M.A: Studimet ishin gjëja më e bukur që prisja të më ndodhte, për të më plotësuar ëndrrën e gjyshit i cili ma kish lënë amanet të kryeja të lartën. Universiteti i Elbasanit kishte vetëm një vit që ishte hapur, dhe i binte që unë të isha në gjeneratën e dytë. E ndjeja veten me fat, ndjeja gëzim të pafund që askush s’mund të më ndalonte të ecja në rrugën time. Më dukej sikur, mundësia e studimeve të mia, më vinte si shpërblim i sakrificës së të gjithë atyre të afërmve që nuk kishin mundur të studionin dot gjatë regjimit të diktaturës.

Ndonjëherë mendoj se sa i rëndësishëm është momenti i duhur në jetën e njeriut. Ishte pikërisht magjia e shumëanshme e letërsisë, studimi rigoroz i gjuhës, serioziteti i profesorëve, faktorë të cilat do të ndikonin që unënga ajo kohëtë mbetesha përgjithmonë e lidhur me gjuhën dhe letërsinë. Jam aq e lidhur me profesionin tim, kam investuar aq shumë kohë, mund, ëndrra dhe punë intensive sa që sot, me sigurinë më të madhe them se nuk mund të isha bërë asgjë tjetër veç kësaj.

F.N: Po të lexosh CV –në tuaj, duket se ju keni vijuar studimet edhe pas mbarimit të shkollës së lartë. Cilat janë disa nga arsyet që ju kanë shtyrë për të vijuar më tej ?

M.A: Në kohën e studimeve në Elbasan unë i adhuroja profesorët e mi, gjuhëtarë me emër në guhësinë shqipe, si: Mehmet Çeliku, Tomorr Plangarica, Emine Sadiku, Mustafa Karapinjalli ose ata të letërsisë: Musa Vyshka, Astrit Bishqemi,Vjollca Pepa, Arben Haxhiymeri, Rudian Stringa, Blerina Suta etj. Të them të drejtën as që mund ta merrja me mend se do të vinte dita kur do t’i kërkoja vetes një master a doktoratë sepse asaj kohe mjaftonte universitetit.

Por, për fat të keq, në jetën time kam pasur peripeci të vazhdueshme, ndër më të mëdhatë ndërprerja e studimeve në vitin e katërt, pra vitin e fundit, për shkak se në janar 1996 erdha të jetoja në Gjakovë. Kjo ndërprerje më kushtoi shumë moralisht dhe emocionalisht pasi ndihesha e rrënuar që m’u desh të marr një vendim të tillë.

Por, jeta ecën dhe rrjedh si lumi. Pas luftës së Kosovës, me çlirimin e vendit dhe hapjen e kufirit, të parën punë që bëra ishte vazhdimi aty ku e kisha ndërprerë. Diplomimi im ka qenë shumë emocionues. E konsideroja një fitore të vërtetë për të cilën jeta, fati më sfidoi aq shumë kur isha vetëm pak para finishit.

Mandej, të gjitha të tjerat kanë ardhur hap pas hapi. E ndjeja se nuk mund ta lija veten me aq. Gjeja frymëzim në shtytjen e dikurshme të profesorëve ndaj e cyta veten të regjistroj studimet master në Qendrën shtetëore të Studimeve Albanologjike në Tiranë. Pas kryerjes së studimeve aty, disa vite më vonë një tjetër ambicie më vinte natyrshëm, tashmë për studimet doktorale.

Më kujtohej thënia e F. Nolit se njeriu është student i përjetshëm. Tashmë jam në mes të rrugës së nisur të doktoratës (Phd candidate) dhe punoj, studioj, hulumtoj pa pushuar deri në finalizim. T’i rrekesh vërtetësisht artit të letërsisë dhe shkencës së gjuhësisëështë një mision i vështirë por i përballueshëm vetëm në rast se njeriut këtëia kërkon brendia e tij, vetvetja.

F.N: Ju u martuat në Gjakovë, cilat ishin përjetimet tuaja të para kur shkuat nuse në këtë qytet ?

M.A: Ardhja ime në Kosovë ka ndodhur në kohën kur zjarri i luftës vinte duke u ndezur gjithnjë e më fort. Ishte muaji janar ’96 kur erdha për të jetuar në familjen e tim shoqi dhe menjëherë linda fëmijën e parë.

Për tre vjet e tre muaj do të jetoja e izoluar brenda në shtëpi, pa pasur mundësinë as të daljes dhe as të kthimit në atdhe.

Përgjatë atyre 3 viteve më dukej sikur përjetoja një ëndërr të keqe të cilën nuk mund ta merrja me mend se si më erdhi. Bile më kujtohet qartësa sa herë që qaja, përveç mallit për të mitë, një arsye e fortë ishte shkollimi im që shkoi dëm, investimi im në mësuesinë të cilën, me sa kuptoja nga kushtet e Kosovës së asaj kohe, nuk do mund ta ushtroja kurrë.

Kjo zgjati deri në prill ’99 kur pasi filluan bombardimet e Nato-s, unë bashkë me dy vajzat e mia 1 dhe 3 vjeçare, hymë në kolonën e njerëzve në rrugën drejt kufirit me Shqipërinë. Lufta e Kosovës, kthimi im i sërishëm në Elbasan, takimi me lot malli me familjarët, regjistrimi nga e para e vitit të fundit të studimeve… për mua të gjitha këto ishin më shumë se një çlirim. Për koinçidencë, edhe tani që po bëjmë këtë intervistë, jemi në muajin prill. “Prilli i dhimbjes”, i themi këtu, sepse pikërisht në prill, 21 vjet më parë, kanë ndodhur vrasje fëmijësh, të pafajshmish, kanë ndodhur masakra.

Banorët në mbarë Gjakovën u përballën me dëbimet masive nga shtëpitë e tyre dhe me forma të ndryshme të terrorizimit nga ana e policisë serbe.Me mijëra njerëz morën rrugët, morën malet.

Personalisht, unë dhe familja ime, e gjithë lagja ku banojmë, u përzumë në datën 1 prill, e për fatin tonë të mirë veç lodhjes dhe mundimeve të rrugës nuk pësuam vuajtje të tjera. Disa fqinj meshkuj po atë ditë i vranë, disa shtëpi i dogjën, një të moshuar e kishin djegur aty në shtëpinë e tij.  E gjithë pranvera ishte e përgjakshme. Kur u kthyem pas çlirimit,  Gjakova ishte tjetërsuar, njerëzit që kishin mbetur aty ishin traumatizuar.

Në këto ditë kur koronavirusi është temë mbizotëruese, qindra familje përkujtojnë me dhimbje të afërmit që i humbën prej represionit të vitit ’99.  Gjakova është qytet lavdie që emrin e saj e ka vulosur me gjak në çdo luftë për mbrojtjen nga cilido pushtues.

F.N: Sot çfarë është Gjakova për ju?

M.A: Gjakova sot është gjithçka që kam. Gjithçka që kam dashur në jetë e kam investuar këtu, duke nisur nga familja, karriera, puna, librat.  Bashkimi im me një gjakovar ishte krejtësisht i rastësishëm dhe i pamenduar as në ëndërrat më të largëta, por ja që fati i di vetë rrugët në të cilat na detyron të ecim. Nganjëherë them se një Elbasan lashtë dhe një Elbasan tjetër gjeta, sepse këto dy qytete kanë pika të shumta takimi në disa tradita, si psh: muzika popullore elbasanase e Myzyrit dhe Bodinit kultivohet prej kohësh në Gjakovë, tradita e bektashizmit po ashtu këtu ka një rrugë të trasuar gjatë, veshjet tradicionale dhe disa lloje gatimi janë gati të njëjta, traditat e ceremonive të dasmave dhe vdekjeve po ashtu ngjasojnë si me asnjë qytet tjetër.

Për të mos folur pastaj për shkollën Normale të Gjakovës në të cilën kanë ardhur për të mbajtur mësim me dhjetëra mësues nga Normalja e Elbasanit, me në krye Mehmet Gjevorin. Kur i mësoja në jetë e sipër të gjitha këto, kuptoja se ishte fat që u linda dhe u shkollova në Elbasanin tim, po aq sa ishte fat të martohem dhe jetoj në Gjakovën që do të bëhej e imja.

F.N: Gazetaria duket se ka qenë një nga pikat e rëndësishme në karrierën tuaj…

Gazetaria u bë “poltroni” im i parë, ishte e para gjë që më dha mundësinë të ndërtoj diçka të bukur nga vetja. Pasi Kosova u çlirua, bashkë me fëmijët u rikthyem sërish në Gjakovë dhe unë tepër rastësisht e kam parë veten të kyçur në gazetarinë radiofonike. Njerëzit më pëlqenin zërin ebutë, të folurën e rrjedhshme, sinqeritetin në të shprehur dhe diapazonin e njohurive. Radio“Amadeus” në pak kohë do të bëhej e tërë bota për mua, aq shumë dashuri dhe emocion jepja dhe merrja prej saj. Pas disa vitesh do të filloja punën në agjencinë e lajmeve “KosovaLive”, në gazetën “Lajm”, në Tv “Syri Vision”. Kam fituar disa herë çmime për punën time në media. Ishte tepër kënaqësi të punoja në të gjitha këto media të natyrave të ndryshme pasi ishte koha kur entuziazmi për lirinë shndërrohej tek njerëzit në vullnet të fuqishëm, kur dëshira për jetën ndërtohej mbi mbetjet e shtëpive të djegura, kur që të gjithë rini e pleqëri gëzonin si të kishin rilindur nga e para.

E bashkë me të gjitha këto, duheshin përballuar sfidat e shumta të pasluftës, nga e cila Gjakova doli tërësisht e dërrmuar: rivarrimet, kërkimi i personave të humbur, rindërtimi i shtëpive dhe gradualisht vendosja në vendin e vet të çdo gjëje. Kam bindjen se këto dhe shumë vështirësi të tjera të para dhe pasluftës, të përjetuara bashkarisht, kanë bërë që unë të mishërohem më shumë me vendasit.

F.N:  Si e shihni ju sot gazetarinë panshqiptare, cilat janë disa nga vetitë e saj, dhe çfarë do të donit të ndryshonit?

M.A: Gazetaria shpesh here është si të shkruash të bardhën mbi të zezë. Mendoj se ekziston një lidhje e ndërsjelltë, e ngjashme me fuqinë tërheqëse të magnetit, mes njerëzve dhe kohës së cilës i përkasin ata.Thonë se njerëzit e bëjnë kohën por edhe se është koha ajo që i ndërton njerëzit të tillë siç janë. Gazetaria shqiptare, pavarësisht të gjitha mundësive dhe pamundësive me të cilat përballet, sot e thotë të vërtetën edhe kur dikush apo shumë kush e ka fshehur atë shtatë pashë nën tokë. Misioni i gazetarisë është e vërteta dhe media shqiptare, sot më shumë se kurrë, i ka zhveshur nga maskat njerëzit që kanëpasur domosdoshmërisht nevojë për to.Kam bindjen se një dekadë më parë mediat ishin më të manipuluara nga politika, më të çorientuara nga interesi, ndërsa sot kemi një media të fuqishme e cila është në gjendje të kacafytet për hir të së vërtetës. Ndoshta këtu ka luajtur një rol të theksuar interneti ku lajmi është e pamundur të “kyçet” a të “maskohet”.

F.N: Aktualisht,ju jeni profesoreshë e gjuhës shqipe dhe letërsisë…

M.A: Ashtu është, unë kam 12 vjet që kontribuoj në arsimin e mesëm dhe disa vite më pak në arsimin e lartë. E dua shumë punën që bëj. Nxënësit dhe studentët janë tepër të rëndësishëm për mua ndaj jam në gjendje çdo herëtëjap maksimumin për ta. Por është për të ardhur keq që, nga njëra anë shkenca dhe teknologjia përparojnë çdo ditë e më shumë kurse arsimi nga ana tjetër, nuk është në ditët e tij më të mira. Jetojmë në kohën kur libri nuk lexohet sa dikur, kur dituria nuk çmohet si dje, dhe kjo është një brengë e madhe për të cilën institucionet arsimore vertikale duhet të punojnë natë e ditë për ta ndërruar këtë pasqyrë. Edhe pse jetojmë në kohërat moderne nuk është e tepërt sërish e sërish t’iu referohemi rilindasve tanë që thonin: “Arsimimi është drita e kombit”. Arsimi është pasqyra më e qartë e një vendi dhe e kulturës së tij!

F.N:Si një aktiviste e spikatur në shoqërinë civile, si e shihni situatën e gruas shqiptare, në planin global?

M.A: Gruaja shqiptare ka dhënë shumë gjatë gjithë historisë së popullit tonë por për fat të keq shoqëria shqiptare është përballur tepër vonë me termat “barazi gjinore”, “feminizëm”, “të drejta të barabarta në trashëgiminë e pronës”. Këto procese duan kohë dhe përpjekje të vazhdueshme për të dhënë rezultatet e pritshme.Më vështirë se çdo gjë tjetër është ndryshimi i mentaliteteve. Ato ndërrojnë tepër ngadalë, kjo është shumë e dukshme sidomos në trevat tona. Është për të ardhur keq kur vërejmë se statistikat nuk shënojnë rënie në rastet e dhunës ndaj grave në familje, është shokuese kur disa herë gjatë vitit ne përballemi me krimin / vrasjen e nënës, gruas brenda mureve të shtëpisë së saj. Këtyre argumenteve do t’ju shtoja edhe një specifikë të Kosovës, kur pas 21 vjetësh të mbarimit të luftës, ende tingëllon e papranueshme për shoqërinë përballja me viktimat e dhunës seksuale. Është paradoksal fakti se e gjithë shoqëria e pranon faktin se dhuna seksuale u përdor si një nga mjetet me të cilat u sulmua popullsia shqiptare ndërsa pak kush është i gatshëm të mos paragjykojë, të mos distancojë një grua që në luftëështë dhunuar. Tingëllon tepër aktual Migjeni me: “Shoqni, ndërro format, hiqi bragazhat!”

F.N: Mendoni se ka hapësirë bashkëpunimi në këtë plan dhe si mendoni se mund të realizohet?

M.A: Kjo është një çështje për të cilën duhet punuar në plan afat shukrtër dhe plan afatgjatë. Bashkëpunimi është i domosdoshëm, tashmë jo vetëm në nivelin e organizatave por edhe në rangun e qeverive. Është bërë punë e mirë në rrjetëzimin e disa OJQ-ve dhe kur puna bëhet e bashkuar rezultati nuk mungon. Një punë e mire është bërë sidomos në realizmin e peticioneve të përbashkëta në Shqipëri, Kosovë e deri në Amerikën e largët për çështjen e dhunimeve seksuale në kohën e luftës dhe dimë se çështja është diskutuar deri në instancat më të larta ndërkombëtare.

Tashmë nuk ka më kohë për heshtje pasi heshtja është forma e parë e pranimit të dhunës. Megjithatë mbetet shumë për të bërë, sidomos në edukimin e gjeneratave të reja, që ato të kenë një tjetër mendësi dhe mënyrë të perceptuari ndaj çështjeve gjinore.

F.N: Një dashuri e madhe në jetën tuaj është familja juaj, katër fëmijë të mrekullueshëm dhe një bashkëshort që gjithnjë është krah jush…

 M.A: Familja është pasuria ime e vetme . Ajo është parajsa në të cilën vendos kokën pa frikë, për të vazhduar e qetë në planifikimin e angazhimeve të punës dhe karrierës.

Unë kam sakrifikuar shumë herë në jetë për të pasur këtë familje që kam sot falë Zotit, kam përballuar ngjarje të frikshme duke rrezikuar edhe jetën.

Nëse për çfarëdo arsye do të më duhej të hiqja dorë nga gjithçka që kam krijuar për punën dhe emrin tim, këtë do ta bëja vetëm për një arsye: vetëm për hir të familjes, nëse ajo do të ma kërkonte këtë. Megjithatë thonë se jeta është pasqyrë, nëse i buzëqeshim, do na buzëqeshë. Unë dhe Behari para katër vjetësh vendosëm ta rrisim ende familjen tonë edhe me një fëmijë dhe këtë e përjetuam si një mrekulli të vërtetë. Pas Borës (sot 24 vjeç), Rinës (22) dhe Triumfit (15), Argeni erdhi si një tjetër bekim, duke na kujtuar shprehjen e Shën Nënë Terezës: “Fëmijët janë si yjet, asnjëherë të tepërt!”. Ndërsa unë vetë, si nënë e katër fëmijëve dhe autore e 11 botimeve studimore dhe letrare, dua të shtoj: “Mendjen e rigjeneroj në librat, vetveten e rigjeneroj te fëmijët !”.

F.N:  Ju njiheni nga të gjithë edhe si redaktore dhe recensente e mbi 90 vëllimeve me poezi e prozë të autorëve shqiptarë e tre të huaj. Në këtë kuptim, si e shihni ju sot letësinë shqipe?

 M.A: Marrë në përgjithësi, letërsia shqipe ka faktuar në mënyrë të shkëlqyer me anë të fjalës artistike realitetin historik dhe rrethanat shoqërore në të cilat është gjendur vendi ynë.Sot kemi një tjetër letërsi, e cila përveç referimit të realitetit sfidon me forma dhe përqasje moderne, duke dashur t’i përngjasojë formateve botërore. Dikur kishim rreth 2 -3 autorë që me botimet e tyre mund të dilnin jashtë kufinjve shqiptarë ndërsa sot, secili krijues me vlerë ka mundësinë të përkthehet dhe të bëhet i qasshëm për lexuesin e huaj. Kjo është një risi e mirëseardhur për faktin se lexuesi shqiptar gjithmonë e ka njohur dhe lexuar letërsinë e popujve të tjerë ndërsa letërsia jonë, përveç Kadaresë, Agollit, Kongolit dhe ndokujt tjetër, ka mbetur produkt për brenda shqiptarëve. Mua më vjen shumë mirë kur vërej artistët shqiptarë në skena artistike dhe tribuna letrare të vendeve të ndryshme pasi arti ynë ka vlerë dhe ia vlen të njihet botërisht e tëduartrokitet.

Personalisht, kam pasur disa përfaqësime në vende të ndryshme, duke nisur nga Zvicra, Belgjika, Gjermania e Italia, dhe kam vërejtur se krijimtaria ime është pritur jo vetëm me interes por edhe me entuziazëm pasi perëndimit i duhen ofruar të njohë formate të suksesshme të identitetit tone femëror. Nga përvoja kam kuptuar se me anë të artit, mund të ndryshojmë paragjykimet e errëta të ndërtuara për ne si popull. Letërsia, për mua, ka kryefjalën.

F.N: Cilat janë sfidat që i keni vënë vetes për të ardhmen Migena?

M.A: Disa sfida na i sjell vetë jeta e cila nganjëherë vjen si ujët e turbullt të lumit që bart gjithçka me vete e disa të tjera sfida ia paracaktojmë vetes. Duke qenë se vazhdimisht kam qenë njeri i sfiduar, tashmë ato më janë bërë pjesë e përditshmërisë. Ngarkesat e shumta tashmë më janë kthyer vërtetë në një sfidë. Për mua çdo ditë është sfidë pasi ritmi i ditës sime është aq i ngarkuar saqë për dikë mund të duket e papërballueshme. Shumë mike më thonë: “Bravo për të gjitha, po si ia del?!” Sigurisht që nuk është e lehtë as për mua, megjithatënë mënyrë të natyrshme jam çdo ditë mësimi mes nxënësve, jap kontributin timvullnetar si drejtoreshë e Kosovës në Akademinë “Universum” me seli në Itali, mandej në bordin drejtues të Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, në kryesinë vendimmarrëse të Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, në kryesinë e Shoqatës humanitare të Kryqit të Kuq, zvkryeredaktore e Gazetës së Alpeve; po ashtu çdo mbrëmje punoj deri vonë në krijimet dhe studimet e mia. Aktivitetet brenda dhe jashtë Kosovës janë të përmuajshme; botimet, recensat dhe redakturat që më kërkohen.

Bashkë me të gjitha këto, jam e përkushtuar maksimalisht ndaj fëmijëve, bashkëshortit, dy prindërve të mi të dashur dhe gjithshkaje që dua.

Të gjithë këto bashkë bëjnë një supersfidë, së cilës së fundi i kam shtuar edhe studimet e doktoraturës.  Besoj në efektin e mirësisë ndaj besoj se ajo më krijonfuqinë, më jep energjinë për të vazhduar e vazhduar.

F.N:Këtë intervistë  po e  realizojmë në  ditët  e  CoronaVirus, tashmë një pandemi  botërore që po rrezikon qindra-mijëra jetë njerëzish. Cili ka qenë ritmi i ditës  tuaj përballë  rrezikut  të  kësaj  sëmundjeje?

 M.A: Mendoj sa interesante është që, që të gjithë në jetë kemi mësuar të numërojmë orët, ditët, vitet por asnjëherë s’kemi ditur të vlerësojmë vlerën e një çasti. Pikërisht këto ditë e vërejmë sa peshë ka kjo në qenien e çdonjërit. Njerëzimi, në mënyrë të beftë po përballet me një mënyrë aspak të zakonshme të të jetuarit. Nga gjithë ajo nga rendje marramendëse, prej nesh sot kërkohet të heqim dorë përkohësisht nga gjithçka që kemi bërë deri dje, në emër të sigurisë dhe jetës së të gjithëve. Për herë të parë në histori jemi të gjithë të barabartë, pa u ndjerë askush i influencuar nga ngjyra e lëkurës, e pasaportës apo e partisë që përkrahim. Unë s’mund ta kisha marrë kurrë me mend se do të detyrohesha të qëndroja mbyllur për ditë të tëra (tani java e katërt). Por njeriu duhet të bëjë atë që i takon të bëjë. Sot, mua, ne të gjithëve, na takon, na duhet të qëndrojmë në vetizolim për hir të ruajtjes së shëndetit dhe jetës.

Pavarësisht se ditëve të para isha si e hutuar dhe më lodhte pasiviteti, shumë shpejt bëmë organizimin e ditës dhe tashmë kemi një ritëm të caktuar. Relaksohem shpesh kur Triumfi, djali im i madh që është maturant i shkollës së muzikës, interpreton në piano dhe nga dhoma e tij kumbojnë tingujt nga Chopin “Polonaise”, Rachmaninoff “Prelude”, Liszt “Consolation” etj. Po ashtu, këtyre ditëve sapo kemi nisur të mbajmë mësimin online me gjimnazistët dhe kjo është mënyra e vetme për të mos humbur kot kohënqëështë tepër e vlefshme.Duhet ta përmend se është prania e djalit të vogël, Argenit, ajo që më bën ta kaloj më lehtë gjithë këtë katrahurë që po sundon gjithkund

Tingëllon ndoshta paradoksale por pikërisht këtë javë në planprogram kishim “Dekameronin” e Xhovani Bokaçios. Nxënësit fillimisht mbetën të çuditur kur nga subjekti mësuan se edhe në mesjetë njerëzit ishin detyruar të vetizoloheshin për t’i shpëtuar murtajës. Por po ashtu, ata reflektuan mbi mënyrat që vë në përdorim njeriu për t’i përballuar mënxyrave që vijnë pa trokitur.

Njëkohësisht, bashkë me disa kolegë të gjimnazit bëhemi gati të nisim një trajnim online rreth vlerësimit në arsim, trajnim të cilin falë internetit dhe teknikave bashkëkohore tashmëmund ta realizojmë. Me sa duket, edhe dy seminaret e muajit prill në UEJL, të programuara që në janar, do t’i mbajmë kështu, online. Kjo do të thotë se po tregojmë formën optimale të funksionimit edhe në këto kushte të jashtëzakonshme. Thonë se njeriu është qenia më e adaptueshme, kësisoj edhe ne po përshtatemi në vijimësi për t’i bërë punët në këtë mënyrë të re.

Ndjej pak keqardhje që këtë fund mars kam humbur një aktivitet të bukur letrar në Suedi, po ashtu në 2 maj një ceremoni promovuese në Paris, megjithatë Parisi aty është, do na presë kur kjo kohë me ngjarje të trishta të kalojë.

Është stimulus fakti se karantina po sjell efekte pozitive në shfaqjen e talenteve tek fëmijët, po sjell rezultate në krijimin e mënyrave të reflektimit të pasionit dhe imagjinatës tek shumë persona.E rëndësishme është jeta dhe në emër të jetës, gjithçka tjetër bëhet e tejkalueshme.

F.N: Por në të njëjtën kohë dhe Kosova po kalon një krizë të rëndë qeveritare. Cilat sipas jush, janë arsyet e kësaj krize?

M.A: Personalisht, gjithmonë kam refuzuar të merrem me politikë, qoftë kur më kanë ardhur oferta për të hyrë në ndonjë listë partie, qoftë kur është debatuar për politikat ditore.Por kjo e fundmja doli jashtë çdo suaze të pritshmërisë së opinionit, votuesve, mbarë njerëzve. Nuk ishte as momenti, as gjendja psiko-fizike e popullatës e gatshme për t’u përballur me rrëzimin e qeverisë, pasi ky vendim mendoj se do të ketë efekte zingjirore.

Nuk duhet luajtur me sigurinë e qytetarëve, nuk duhet tallur me besimin e tyre, të çdo partie qofshin. Kur i gjithë njerëzimi përballet me një problem global, Kosova, me një demokraci aq të brishtë, tregon se të tilla i ka edhe institucionet, edhe lidershipin. Me veprimet e fundit, spektri politik tregoi se pushteti është gjëja më e rëndësishme për ta.Kjo ndodhi në kohën më të gabuar. Poeti sërish e ka përgjigjen. A. Shkreli:“Qava sonte për ty Arbëri. / Nuk më vjen turp pse qava./ Më vjen turp pse s’munda të bëj tjetër për ty./ Nga turpi, qava!”

F.N:Cili është  kuptimi i  jetës  që  ju  doni  të  precizoni  në  këto  ditë  pandemike?  

M.A: Jeta është vlera fundamentale e gjithçkaje që kemi. Është shumë e çuditshme se si gjithë kjo botë moderne, gjithë kjo Evropë e pasur, u tregua e paaftë për të ndalur një bilanc aq negativ të viktimave nga Covid 19. Njerëzimi ka përjetuar dy luftëra botërore, por siç duket, edhe kjo është një luftë botërore, në një formë tjetër. Lutem shpesh që Zoti t’i ruajë njerëzit, krijesat e tij.

Në asnjë rrethanë nuk mund ta imagjinoj botën në kushte normale pa përqafime, pa shtrëngime duarsh, pa puthje.Njerëzimi varfërohet ekstremisht pa to. Megjithatë ,edhe “ky mort që na ra” ka pasur efektin e vet pozitiv në krijimin e një klime solidare mes njerëzve, shprehjes së dashurisë dhe humanizmit, si të vetmet vlera prej të cilave njeriu nuk duhet të heqë dorë asnjëherë.

F.N:  Mesazhi njerëzor që doni të jepni në këto momente?

M.A: Në këtë periudhë të vështirë mendoj vetëm diçka: sa e rëndësishme është jeta dhe sa pak kujdesemi për të në përditshmërinë tonë. Është mëkat se si ne e vlerësojmë realisht jetën vetëm në momentin që kuptojmë se mund ta humbasin apo ta rrezikojmë atë. Kur jeton e izoluar, e mbyllur, pikërisht atëhere e kupton se sa të mungon fresku i mëngjesit, fëshfërimat e pemëve, zërat e miqve, hyrje – daljet e shpenguara, gjithçka që gëlon në këtë botë të cilën ne e jetojmë por për fat të keq nuk e përjetojmë. Mesazhi që dua të jap është se duhet ta duam dhe ta vlerësojmë më shumë njëri-tjetrin, të gjykojmë mbi gjërat që na bashkojnë dhe jo mbi ato që na ndajnë.

Edhe nëse para vetes kemi një gotë gjysmë të mbushur, të mos vlerësojmë vetëm mbi gjysmën e saj të zbrazur. Ta duam njëri-tjetrin për atë që jemi dhe jo për atë që kemi!

F.N: Çfarë do të bëni, kur kjo ëndërr e ligë të përfundojë ?

M.A: Kur gjithçka të mbarojë, them të ndalem pak, të frenoj më shumë në gjithë punët e mia, të jetoj më qetë, të shijoj më shumë, të kem kohë të dua veten dhe gjithçka rreth meje. Pra, jo thjesht ta jetoj jetën, por edhe ta përjetoj atë!

 

 

3 Koment

  1. Ali Asllani thotë:

    E lexova me vëmendje të plotë. Sikur kam pasur nevoje për të lexuar diqka të mirë dhe me vlerë në këto ditë PANDEMIE, në këto ditë IZOLIMI apo VETIZOLIMI.
    Edhe pse ishte shkruar mjaft, mua mu duke pak, krahasuar me punen e palodheshme, te cilen Migena e bene per vete dhe per interesa te familjes dhe KOMBIT!
    E çfarë të thm tjetër, pos, nga MIGENA presim diçka të veqant dhe aktuale, per keto dite IZOLIMI. Migena e tha edhe vet, se nuk duhë parë gotën nga aspekti i saj gjysëm e zbrazur, poe nga aspekti i saj gjysëm e MBUSHUR. Po pra, tani e kemi mundësinë, ta plotësojmë edhe ate pjesë GJYSËM të zbrazur të gotës. Zbrastësirën e së cilës, shpesh kemi harruar ta mbushim me dashurinë që kemi pëe familjen, miqtë, KOMBIN dhe mbarë NJERËZIMIN!
    Duke i urruar Migenës tonë të dashur sukse tjera ne vazhdim të jetes se saj, me duhet ta mbyle kete KOMENT, ne te cilin mendoje se shkrova shum pak, sa meriton MIGENA!

    P.S. – Gadi harrova te shkruaj per Migenen edhe diçka. Ajo është një AMBASADORE e mirë e femres Shqiptare!

  2. Hamdi thotë:

    Rastësi e bukur për mua takimi me këtë portal. Intervista e znj. Migena Arllati më befasoi. E nisa thjeshtë nga kurioziteti, por nuk munda ta ndërpres. E lexova me një frymë. Se vërtet është më shumë se një intervistë. Është një vëllim i plotë leksionesh të nivelit më të lartë për auditorin e jetës, që nga rinia në Elbasanin e vlerave të larta historiko-kulturore kombëtare, studimet e mesme e të larta, “arratisja” drejt një “Elbasani” tjetër më të ndritur, siç është Gjakova e bukur, shërbimi me devotshmëri në “auditorin” familjar, në dhënien e dijeve të kërkuara në nivelin e arsimimit të mesëm e të lartë në institucionet arsimore gjakovare, paralel me ndihmesën në gazetarinë e shkruar dhe audiovizive, pa u ndarë dhe nga botimet letraro-artistike. Ç’duhet të bëjë më shumë një nënë, një edukatore, një bashkëshorte e denjë, një gazetare, një lektore e nivelit të lartë, e plot e plot punë të tjera? Mjafton mesazhi i saj për pandeminë COVID-19 që lexuesi të vlerësojë e çmojë këtë personalitet femëror. Ç’të them tjetër? Intervista i ka të gjitha përgjigjet e duhura për lexuesin dhe më gjërë.
    Hamdi Hysuka, Mat-Shqipëri

  3. Elvane thotë:

    Jeni nje grua qe keni marre nje forme te shkelqyer , nga puna e perkushtimi i juaj me mundimet e juaja frytedhenese per familjen tende e per shoqerine ishte vertet nje etje e vazhduar qe buron nga pozitiviteti i juaj , dashuria per te bukuren – jeten dhe qdo gje qe e rrethon ate. Nje Elbasan e le dhe nje te tille e gjete ne Gjakove nje ngushellim per ty dhe nje pasuri per ne … kemi shume fjale miradie per ty dhe familjen tende qe ti e gatove dhe i ngrit vlerat herepas here duke mos e le te shembet dhe per qark rrezaton popullin shqipetare kudo qe eshte qytetin tim, e gjakovaret i bere te ndjehemi krenare me ty, sa here te shofim na bene te buzeqeshim, na tingellojne simat tua , fjalori yt , timbri, stili yt, lajkat tua lozonjare dhe na bene kurreshtar per qdo gje qe posedon ne shtyen te mendojme aludojme se si ja arrin kjo grua ta mbaj trrupin ne forme te bukur , veshjet dhe gjitha ato angazhime te pa numerta kontribute etj….qendron veq nje gje qe ZOTI TY TE ZGJODHI TE BUKUR- E BUKURA E VERTETE E KOMPLET….
    MIGENA FLET E MENDON E VEPRON SHUME BUKUR ANDAJ ASKUSH SDO TE DIJE TA PERSHKRUAJ E AS TA KOMENTOJ BUKUR SEPSE BUKURISE QE KA KRIJUAR ZOTI ASKUSH SE ARRIN…
    duke e pershendetur krenarine e bukurin e gjakoves (po e lokalizoj nga egoizmi) Migene Arllatin njekohesisht kekroj ndjese nese me shkrimin time te hutuar dot me gjeje shume verejtje e paqartesi…e gjithe kjo eshte te te tregoj nje dashuri qe kemi ne per ty – te don gjakova. mpuqq

Lini një Përgjigje te Hamdi Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *