Pogradec, 29 Maj/AE/.- Kur ish i vogël, edukatoret në kopësht i thoshin se kish dorë për të qënë piktor, por gishtat e tij siç doli më vonë, kishin qënë më të përshtatshëm për violonçelin, se sa për të kapur penelin …!!!
Kështu , Gëzimi, një ditë, pasi kish mbaruar klasën e parë në shkollën “Dëshmorët e lirisë” në Tiranë, nisi udhën e gjatë e të bukur me violonçelin. Nga ajo kohë, kurrësesi në asnjë ditë të jetës së tij, nuk është ndarë nga tingulli i violonçelit që ai e quan, “tingulli i shpirtit të njeriut”.
“Nuk ka më bukur se lumturinë, brengën, dashurinë, frymëzimin,trishtimin, ta shprehësh nëpërmjet tingullit të violonçelit”, rrëfen Gezim Belegu në këtë intervistë në prag të turit koncertor “Lule bore”, që organizohet në Pogradec, Korcë, Dibër e Madhe, nga data 6-10 qershor, me kuintetin Albanian Excellence, mbi bazë të një ideje të saj, për të bashkuar suksesin shqiptar këtëj dhe andej kufirit, mishërim i krijimit të këtij kuinteti.
Sot me baza të forta muzikore, Gëzim Belegu, është një instrumentist që në CV e tij artistike ka një mori të pafund koncertesh, që mbajnë një emër të madh që është, Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar një orkestër që mban titullin “Nder i Kombit”.
Koncertet të cilave ju është bashkuar dhe i ka dhënë zë edhe tingulli i violoncelit të Gezim Belegut janë të panumërta, nga koncertet me solistë të kalibrit botëror, koncertet me dirigjente të një niveli shumë të lartë ose dhe me këngëtare te famshëm etj.
Në memorien e tij,është skalitur koncerti në “Piazza Duomo” në Milano në vitin 2003 me të madhin Lucio Dalla në prani të 50 mijë spektatorëve, koncerti i realizuar në Tiranë me dirigjentin e madh rus NIKOLAJEV, koncerti në Angli në qytetin Canterbury në Katedralen më të madhe anglikane. Dhe shumë koncerte të ndryshme, si në San Peterburg, Lisbonë.
Çdo njëri prej tyre ka emocionin dhe bukurinë e tij, thotë Gëzim Belegu në këtë intervistë, duke e konsideruar të bërit muzikë në jetën e tij artistike, me artistë të mëdhenj, një laborator artistik ku është zhvilluar muzika serioze shqiptare.
Si një djalë më origjinë poradecare, turi koncertor i organizuar nga Albanian Excellence me mbështetjen e qëndrës Kulturore Lasush Poradeci dhe Bashkisë së qytetit, i shton Gëzimit, detyrimin që interpretimi i tij dhe i kolegëve të jetë në majat më të larta, ndërsa idenë e Albanian Excellence një ide perfekte, me një kuintet profesionist kompetence do e thotë fjalën e tij jo vetëm në këngën pogradecare, me të njëjtin përkushtim Albanian Excellence do ngrejë më lart këngët qytetare të trevave në mbarë Shqiptarinë.
F.N: Kur dhe si e zbuluat pasionin tuaj për violoncelin ?
G.B : Fare rastësisht. Kur isha në kopësht mesueset e kopshtit menduan që unë kisha dorë për pikturë…, mblodhën të gjitha vizatimet e mia në një dosje dhe i sugjeruan tim eti për të më regjistruar në shkollë ne degën e pikturës. Shkuam të regjistrohemi në Lice. Vizatimet e mia u pelqyen por kjo degë fillon jo në klasë të parë por në vitin të parë të shkollës së mesme…Kështu u regjistrova në shkollën “Dëshmorët e lirisë”. Pasi mbarova klasën e parë babai im më thotë: “Shkolla ku ti je është shkollë ku mësohen instrumenta muzikorë, pse nuk mëson dhe ti një instrument?”. Pyetëm dhe sygjerimi i mësuesve të muzikës ishte që unë duhet të vazhdoja për violonçel pasi gishtat e mi ishin të përshtatshëm për këtë vegël muzikore …!!!
Kështu nisi, rruga e gjatë por shumë e bukur me violonçelin.
F.N: Cilat mendoni ju se kanë qënë momentet më të rëndësishme në karrierën tuaj të gjatë muzikore ?
G.B: Çdo etapë në jetën time artistike ka patur rëndësinë e saj. Menjëherë, mbas diplomimit, emërimi im si mësues në liceun e Fierit ishte një emocion i veçantë . Eksperiencë e bukur ku ti e shikon veten në rolin e bukur por dhe të vështirë të mësimdhënësit dhe të atij që do të kontribuosh në zhvillimin e talenteve te reja, te atyre që duan t’i përkushtohen artit. Dhe kur shikon arritjet e tyre mbushesh me krenari.
Momenti më i bukur ishte kur unë mora emërimin në orkestrën e RTSH. Të bërit muzikë me artistë të mëdhenj, të cilët si në një laborator artistik zhvillonin me artin e tyre muzikën serioze shqiptare. Do isha prezent në këtë laborator artistik e do merrja pjesë aktive në historinë e interpretimit të muzikës serioze shqiptare.
F.N: Cila është forma juaj më e preferuar në interpretim si: solist në orkestër, si violoncel solo, apo në muzikë dhome ?
G.B: Çdo formë interpretimi ka bukurinë dhe emocionin e saj. E rëndësishme është që ti të dish të gjesh raportin më të arrirë midis vetes dhe formës që luan. Por çdo formë kërkon dhe përgatitjen profesionale,artistike dhe intelektuale, natyrisht dhe të dhëna individuale të cilat me një studim sistematik shkojnë drejt së bukurës. Të luash në orkestër është kënaqësi e veçantë sepse ti duhet të thuash fjalën tëndë në mes të gjithë orkestrës me kompetencë dhe duke ndihmuar në raportet e tingëllimit .Kurse muzika e dhomës që më pëlqen shumë i bashkon të gjitha.
F.N: Deri më tani në karrierën tuaj të gjatë si violoncellist, si do ta përcaktoni ju tingullin e violoncelit ?
G.B: Po. Tingulli i violonçelit është tingulli i shpirtit të njeriut. Nuk ka më bukur se lumturinë, brengën, dashurinë, frymëzimin, trishtimin ta shprehësh nëpërmjet tingullit të violonçelit.
F.N: Cilat janë disa nga koncertet që ju kanë pëlqyer më shumë në interpretimin tuaj me Orkestrën e Radio-Televizionit Shqiptar ?
G.B: U bë një jetë në orkestrën e RTSH, orkestër që me shumë të drejtë është dekoruar me titullin “Nder i Kombit”. Koncertet janë të panumërta. Nga pikpamja profesionale normalisht do dalloja ato koncerte me solistë të kalibrit botëror, ato me dirigjente të një niveli shumë të lartë ose dhe me këngëtare te famshëm etj. Në memorien time është skalitur koncerti në “Piazza Duomo” në Milano në vitin 2003 me të madhin Lucio Dalla në prani të 50 mijë spektatorëve, koncerti i realizuar në Tiranë me dirigjentin e madh rus NIKOLAJEV. Një pikë kulmore e orkestrës ka qenë edhe koncerti në Angli në qytetin Canterbury në Katedralen më të madhe anglikane. Dhe shumë e shumë koncerte të ndryshme, si në San Peterburg, Lisbone etj, ku secili prej tyre ka emocionin dhe bukurinë e vet.
F.N Si do ta përcaktonit ju këtë orkestër ?
G.B: Orkestra sinfonike e RTSH është e vetmja në llojin e saj. Ajo me përgjegjësi dhe me shumë profesionalizem zhvillon jetën artistike në vend duke i dhënë jetë muzikës sinfonike dhe nëpërmjet një kalendari kocertesh ballafaqon me publikun shqiptar artiste në zë botërore. Njëkohësisht ajo interpreton këngën shqiptare në të gjitha festivalet live. Muzika dhe interpretimi me instrument janë disiplina që kanë nevojë për shumë përkushtim… Si e shpërndani ju kohën tuaj për të qënë gjithmonë koherent…?
Natyrisht të punosh si profesionist në orkestrën e RTSH kërkon një përkushtim të përditshëm, kërkon që ti të jesh koherent me gjithë të rejat e interpretimit botëror, por e gjitha kjo duhet të përfshihet nga një dashuri e madhe për instrumentin tënd.
F.N:Cili është sekreti sipas jush për të arritur në shpirtin e publikut ?
G.B: Që të depërtosh në shpirtin e publikut duhet njohje deri në detaje të veprës, interpretim artisti e me kompetencë, e përcjelle kjo me dashuri për publikun.
F.N: Ju jepni mësim dhe në Akademinë e Arteve , çfarë do t’u thonit muzikantëve të rinj që kerkojnë një treg që nuk është e lehtë siç është muzika klasike.
G.B: Të dashurojnë profesionin e tyre, të përkushtohen tërësisht dhe kjo do të sjellë se patjeter arritjen e duhur. Të mos presin të përfshihen se domosdoshmërisht në orkestër por, me kolegët e tyre të bëjnë sa më shume muzikë dhome, të luajnë bukur, bashkë, dhe të thonë fjalën e tyre nëpërmjet muzikës jo duke harxhuar kohën kot. Duhet vetëm përkushtim dhe dashuri, njësoj si do të silleshin me të dashurit e tyre…
F.N: Si ndiheni para turit të koncertit “Lule Borë”, ku ju do të interpretoni këngë mirëfilli qytetare te zonës juglindorë të vendit ?
G.B: Shumë i emocionuar. Unë jam me origjinë nga qyteti i Pogradecit dhe kjo ma shton më shumë detyrimin që interpretimi im dhe i kolegëve të jetë në majat më të larta. Eshtë meritë dhe e juaja që me shumë dashuri përkushtoheni për ta ngritur në piedestal çdo vlerë pogradecare.
F.N: Si e konsideroni kuintetin e Albanian Excellence dhe si e shihni të ardhmen e këtij grupimi ?
G.B: Ide perfekte, një kuintet profesionist që me shumë kompetence do e thotë fjalën e tij jo vetëm në këngën pogradecare, por kam bindjen që me të njëjtin përkushtim Albanian Excellence nëpërmjet kuintetit të saj do ngrejë më lart këngët qytetare të trevave në mbarë Shqiptarinë.
F.N: Cili është mesazhi që doni të jepni për publikun shqiptar para këtij turi ?
G.B: Detyra jonë si artistë është të bëjmë të mundur edukimin e publikut me vlera të vërteta.Dhe ne do ta bëjmë këtë. Në koncert do të nxjerrim vlerat më të mira të këngës qytetare pogradecare. Jemi të nderuar të kemi prezencën tuaj.