Presidentit Bujar Nishani i dorezohet Çmimi “Anetar Nderi i Albanian Excellence”

23 Shtator 2016

Në Symphony’ Space Theater të Manhatanit u zhvillua veprimtaria kulturore-shoqërore e organizuar nga Albanian Excellence nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani, i cili së bashku me Zonjën e Parë, Odeta Nishani nënshkruan Memorandumin “Imazhi i Gruas Shqiptare në Shekullin XXI”.

Pas ekzekutimit të Himnit të Flamurit dhe atij amerikan nga Lindita Mezini Lole, për të pranishmit u transmetua një etyd homazh kushtuar Nënë Terezës, u luajtën mjeshtërisht disa pjesë muzikore dhe këngë shqiptare, dhe më pas u vlerësuan zonjat me karriera të suksesshme profesionale me Trofeun e Ekselencës.

Gjatë kësaj veprimtarie, Presidentit Nishani iu dorëzua Çmimi i Anëtarit të Nderit nga Albanian Excellence me motivacionin: “Si simbol i unitetit kombëtar dhe për rolin e Tij të pdiskutueshëm në vlerësimin dhe evidentimin e vlerave të suksesit njerëzor të shqiptarëve kudo ku ata jetojnë. Zoti Nishani, si President i Republikës së Shqipërisë, me personalitetin dhe largpamësinë e Tij, ka ndikuar në forcimin e diasporës shqiptare si një potencial i madh njerëzor, kulturor, shkencor dhe si një mbështetje e fuqishme për zhvillimin demokratik të Shqipërisë.”

Kreu i Shtetit shqiptar, në përshëndetjen e Tij, u shpreh mes të tjerash: “Ju faleminderit për suprizën e këndshme dhe shumë të veçantë që m’u dha në një eveniment të tillë civilizues dhe emancipues për shoqërinë, dhe pse jo edhe këtë vend të madh si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndihem shumë i gëzuar, madje sinqerisht dhe i prekur kur shoh se ideja e prezantuar më tepër se një vit më parë nga zonja Flora Nikolla në Zyrën time, është bërë realitet, ide e cila në thelb ka figurën e gruas, të zonjës shqiptare.

Qysh në çastin e parë, e mirëprita menjëherë me entuziazëm idenë, sepse në mendjen time u ravijëzua rëndësia, por dhe bukuria e të bërit bashkë në një format civilizimi, qytetarie, kulture të nënës, gruas, motrës, forcës së traditës dhe reflektimit të saj tek vlerat më të shtrenjta të identitetit tonë kombëtar, të familjes, kulturës dhe fisnikërisë që përcjell komuniteti ynë i nderuar në qytetin që “nuk fle kurrë”, në Nju-Jorkun përherë të ndriçuar, në shtetin-simbol të lirisë, në destinacionin e përbashkët me të cilin kemi fatin që të jemi partnerë strategjikë në shekuj, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Unë dhe Odeta, bashkëshortja ime, së bashku me të gjithë delegacionin që më shoqëron, jemi jashtëzakonisht të nderuar sonte duke qenë së bashku me ju në këtë sallë, në këtë veprimtari që përbën njërën prej etapave më mbresëlënëse të agjendës kur vjen për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Dëshiroj të falënderoj organizatorët e Albanian Excellence pa përjashtim dhe me mirënjohje të thellë, mbi të gjitha për mundin e derdhur, përkushtimin e treguar si dhe për nderimin që po më bëni si dhe atë të mjaft zonjave, të cilat në rrugëtimet e tyre kanë kapërcyer shumë sfida për të arritur drejt suksesit të tyre.

Ju jam mirënjohës, sepse energjia pozitive që kjo sallë përcjell është fryt padiskutim i pasionit dhe dashurisë që njerëz të nderuar si zonja Flora Nikolla, zoti Andis Gjoni, zonjave dhe zonjushave artiste dhe shumë e shumë kolegë dhe bashkëpunëtorë të tyre kanë dhënë përgjatë gjithë kësaj kohe për realizimin e një botimi të vyer, siç është “Zonjat Shqiptare në Nju-Jork” dhe takimit tonë.

Ju keni ditur të bashkoni me mençuri dhe t’i shkrini në një vlerat që mbart emri nënë, grua dhe motër me traditën, familjen dhe sakrificën, dinjitetin njerëzor dhe atdhedashurinë – tipike shqiptare, duke ngritur në piedestalin që i takon në mënyrë të stërmerituar figurën e gruas shqiptare.

Askush më shumë se ju nuk mund të flasë për vështirësitë me të cilat jeta të ballafaqon, por njëkohësisht dhe me kënaqësinë që një familje e shëndoshë, një individ me dinjitet dhe integritet dhe me vlera, të dhuron. Aq më tepër kur jeta, siç është dhe rasti juaj, përjetohet me mijëra kilometra larg familjarëve të afërt, njerëzve dhe miqve të dashur, me të cilët keni ndarë çdo gjë në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës, vlera të cilat i kemi pasur për vite me radhë duke i lënë trashëgim nga brezi në brez.

Unë nuk kam dëshirë të flas për vështirësitë e jetës, sepse e gjej të pavend dhe aq më tepër që sonte jemi mbledhur për t’u gëzuar. Madje për të shkëlqyer ju dhe vënë në pah xhevahiret rrëzëllitëse të gruas shqiptare si forca, optimizmi, dinjiteti, forca shpirtërore, që shërbejnë si frymëzim për të arritur të bukurën, të mirën, arritjen e suksesshme.

Nuk kam ndërmend ta bëj, sepse edhe duke shfletuar librin “Zonjat shqiptare në Nju-Jork” kuptova se për çdo grua të intervistuar në të nuk kishte fort rëndësi sakrifica apo vështirësia, me të cilat jeni hasur duke i kapërcyer, por forca, rezultat, frytet e suksesit.

Madje as mungesa e barazisë burrë-grua nuk ju ka zmbrapsur, përkundrazi ju keni ditur me sukses që të gjitha këto t’i tejkaloni me mençuri dhe fisnikëri.

Me zemërt e me shpirt çdo ditë e më shumë shkëlqeni si margaritarë me arritjet tuaja profesionale, njerëzore dhe shoqërore, për më tepër prindërore!

Të nderuara zonja,

Të nderuar të pranishëm!

Ne kemi nevojë të marrim shembull nga ju e të frymëzohemi, por gjithashtu kemi çfarë t’i tregojmë mbarë botës dhe komunitetit ku jeta na ka rezervuar fatin të jetojmë.

Me gjak shqiptari në vena, e jona, shtatvogla dhe shpirtmadhja, Nëna Terezë ishte dhe vijon të jetë akoma më shumë shembull frymëzimi për mbarë njerëzimin. Siç dhe ajo ka thënë në një nga shprehjet e saj që personalisht e kam shumë për zemër, jo çdokush prej nesh mund të bëjë gjëra të mëdha, por të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Sot, duke përfituar nga kjo mundësi, përtej të qenit President, Kreu i Shtetit, zyrtar i lartë, dëshiroj që si qytetar dhe si prind njëkohësisht, t’i bashkohem zërit tuaj për të folur për kontributin që përcjell gruaja dhe nëna shqiptare në ruajtjen me devotshmëri të vlerave më të mira të familjes shqiptare, që me sakrificë dhe personalitet ka ditur të rrisë fëmijë të devotshëm, t’i përgatisë ata për sukses, në një familje të shëndoshë.

Kam dëshirë të flas për ju shumë gjatë dhe bashkë me ju pafundësisht e t’ju them se si President i Republikës ndihem me gjithë mend krenar për të gjitha arritjet tuaja personale dhe profesionale, për faktin që keni ndërtuar me sukses një karrierë të suksesshme në kontinentin e lirisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si profesioniste të vërteta dhe të barabarta në të gjitha drejtimet me bashkëkombaset tuaja amerikane.

Kam dëshirë, por njëkohësisht edhe detyrimin institucional dhe qytetar të vlerësoj gjithçka bëni për lartësimin e imazhit të kombit shqiptar, të cilit i përkasim me nder dhe krenari dhe siç është trashëgimia jonë shekullore. Jeta juaj, shembulli juaj, është dëshmi e padiskutueshme dhe frymëzim i pashtershëm i vlerave të traditës, atdhedashurisë, dëshirës për punë dhe për të ecur përpara me të cilat ne mund dhe duhet të krenohemi anekënd botës.

Ndaj dhe nga kjo foltore, nga kjo sallë, në cilësinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, dëshiroj t’ju falënderoj secilën prej jush, zonjat dhe gratë shqiptare kudo ndodheni në Diasporën shqiptare për dashurinë dhe përkushtimin që falni çdo ditë për familjen tuaj, për korrektesën, profesionalizmin dhe integritetin në mjedisin ku punoni, për shembullin e mirë dhe për lartësimin e imazhit të gruas shqiptare në vendin dhe shoqërinë ku jetoni.

Të nderuara zonja,

Ju, si pjesë e Diasporës Shqiptare në tërësi, jeni një potencial i jashtëzakonshëm, një mbështetje mjaft e çmuar në interes të përparimit të vendit dhe të kombit tonë, jo thjesht në nocionin numerik, por për kapacitetet tuaja intelektuale, cilësore, për sfidat që keni kapërcyer, prandaj po jua paraqes një kërkesë, si lutje, si mik: Vazhdoni kështu! Vlerat tuaja, cilësitë tuaja përbëjnë pasuri edhe për vendet ku punoni dhe jetoni gjithashtu.

Në përfundim të fjalës sime, dëshiroj që t’i bëjmë një homazh, një nderim, një respekt të veçantë për nënat tuaja, të cilat janë të pashkëputura nga suksesi i rrugëtimit tuaj, që ju sollën në jetë dhe ju mëkuan me vlera, që ju ndihmuan për të kapërcyer sfidat, me bindjen se edhe ju të tillë do t’i rrisni edhe fëmijët tuaj! Urime dhe ju faleminderit!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *